VII

Mbi jetën djaloshare të Skënderbeut nuk dimë pothuajse asgjë. Sipas kronologjivet që kemi, duhet të ketë lindur aty nga viti 1405. Bëhet i njohur për ne pas vitit 1443, kur hyn në histori si udhëheqës i një kombi të vogël që kërkon të mprojë lirinë e tij kundër perandorisë më të fortë të kohës. Dhe çuditërisht i bëri ballë asaj perandorie njëzetepesë vjet rresht, me shpatë në dorë, pa u thyer, pa u përkulur, derisa vdiq.

Gjer tani vonë kishte një tregim, që duket si legjendë, mbi djalërinë e Skënderbeut. Auktori i këtij tregimi është Marin Barleti, një prift shkodran, i cili u mërgua në Venetik pasi ra Shkodra, dhe atje shkroi latinisht një histori të bukur të Skënderbeut, që u botua në fillim të shekullit XVI. Kjo vepër - aq tërheqëse nga ana letrare sa që u këndua gjithmonë me shije dhe u përkëthye në shumë gjuhë t'Evropës - lë mjaft për t'u dëshiruar si histori: është më fort si një epope në prozë e kryetrimit. Megjithatë, Barleti mbetet si burimi kryesor i shumë historive të Skënderbeut që janë shkruar më pastaj, dhe ngjarjet që tregon ai vërtetohen shpeshëherë prej dokumentash të tjera. "Legjenda" e tij mbi djalërinë e Skënderbeut, të cilën, në vija të përgjithshme, e tregon edhe Dhimitër Frëngu (ose pseudo-Frëngu, siç e quan kritika e sotshme), mund të përmblidhet shkurtazi kështu:

Gjon Kastrioti, i mundur, u shtrëngua t'i jepte Sulltan Muratit II të katër djemtë si peng, nër të cilët, m'i vogli, Gjergji, ishte nëntë vjeç. Djemtë u kthyen myslimanë dhe u vunë në shkollën ushtarake të Pallatit, n'Edërne. Pas ca kohe, tre më të mëdhenjtë vdiqnë të helmuar prej Turqve. Kurse Gjergji, me paraqitjen dhe zgjuarësinë e tij, fitoi simpathinë e Sulltanit dhe u bë i dëgjuar nën emrin mysliman Skënderbej. Me cilësitë e rralla që tregoi, arriti gradën e gjeneralit në kalorësinë turke që në moshën njëzetepesë vjeç dhe mori famë duke luftuar për Sulltanin n'Anadoll e gjetkë. Por kur vdiq Gjon Kastrioti, Sulltan Murati II e pushtoi principatën e tij, në vend që t'ia jepte Skënderbeut si trashëgimtar. Atëhere ky vendosi të këthehej në Shqipëri, t'a merrte principatën me forcë dhe t'iu tregonte grushtin Turqvet. Rasti i volitshëm i erdhi më 1443, kur ushtëria otomane u mund prej Gjon Huniadit në betejën e Moravës, afër Nishit. N'atë luftë merrte pjesë edhe Skënderbeu bashkë me Turqit, dhe veproi në mënyrë që t'ia bënte Huniadit të mundëshme fitoren. Në rrëmujën e tërheqjes, kapi sekretarin e vulës së Sulltanit dhe e shtrëngoi t'i jepte një dekret për qeveritarin e Krujës, që ky, n'emër të Muratit II, t'ia dorëzonte qytetin Skënderbeut. Pastaj, që të mos zbulohej plani, e vrau sekretarin e Sulltanit; dhe bashkë me treqind kalorës shqiptarë që kishte me vehte, dhe me të nipin, Hamzën, u kthye në Shqipëri. Pasi e mori Krujën me anën e dekretit të rrem, mblodhi një fuqi dhe i pushtoi fortesat e tjera në një muaj e sipër duke e çliruar të tërë principatën.

Fan Noli, në botimin e dytë të historisë së Skënderbeut, bën këtë vrejtje: "E para, si është e mundur që një çilimi prej nëntë vjetësh të rritet si Muhamedan gjersa u bë burrë i pjekur prej dyzet vjetësh, edhe pas të dyzetave të këthehet i Krishterë dhe të çfaqet përpara botës si një nga çampionët më të mëdhenj të Krishterimit? E dyta: Si është e mundur që ky çilimi të shtudionjë nja pesëmbëdhjetë vjete në shkollën ushtëriake të pallatit, të shërbenjë nja pesëmbëdhjetë vjete të tjera si oficer në ushtërinë e rregullt të Sulltanit, dhe më në funt, tamam kur u gradua gjeneral, të dezertonjë dhe të bëhet një nga kapedanët më të dëgjuar të bashibozukëve dhe një nga ustallarët më të shkëlqyer të luftës së parregullt të maleve? Çudira të këtilla ngjajnë vetëm në mithollogji dhe jo në histori. Logjika elementare e kërkon që Skënderbeu të jetë rritur dhe fanatizuar si i Krishterë në konakun e Kastriotëve nga njëra anë, dhe nga tjetra të ketë shtudiuar zanatin e luftës bashibozuke në një universitet të specializuar për këtë degë, në malet edhe në rripat e Shqipërisë, me profesorë si i ati, si të vëllezërit, edhe si kapedanët e tjerë më të djathtë e më të mëngjër"

Megjithëse kjo vrejtje e Nolit duket me vend nga njëra anë, nga ana tjetër vinë dy pyetje të cilat duan përgjigje: E para, si është e mundur që Skënderbeu, vetëm me zanatin e luftës bashibozuke të shtudiuar në malet edhe rripat e Shqipërisë të përballonte gjatë njëzetepesë vjetëve fuqinë ushtarake më të madhe të kohës, dhe më të shumtën e herës në luftë frontale? Edhe kur ajo ushtëri vinte e kumanduar prej vetë sulltanëvet, me artilerinë më të rëndë t'atëhershme dhe në numër nja dhjetë herë m'e madhe nga ushtëria e Skënderbeut, ky e pat përballuar me anën e organizimit të mprojtjes si në fortesat ashtu edhe jashtë, me anën e një vepërimi të ndërlidhur dhe të disiplinuar, qoftë kur e goditte armikun në befasi të rrufeshme, qoftë kur i priste prapavijat a kur tërhiqte në pusi reparte të kalorësisë turke. Për këtë lloj pune, përveç një mendjeje strategu të radhës së parë, duhet edhe një farë njohurie e artit të luftës. Dhe Skënderbeu e njihte artin ushtarak në mënyrën më të përsosur, siç e treguan veprat e tija. E dyta, si qe e mundur që, në Kuvendin e Leshit, të gjithë krerët shqiptarë - deri një Gjergj Aranit në ballin e të cilit shkëlqenin fitoret e vjetëvet 1433-1435, deri Dukagjinët që mbahëshin si një familje m'e vjetër nga e Kastriotëvet - t'a njihnin Skënderben me një zë si kryetar të Lidhjes dhe si kryekumandar të forcavet shqiptare të bashkuara kundër Turkut? Këto arësye na bëjnë të mendojmë se Skënderbeu duhej të kishte një emër të madh n'atë kohë, emër që iu frymëzonte besim krerëvet shqiptarë. Këtë e thotë haptas Gjin Muzaka1, i cili tregon edhe se Gjergji bashkë me dy nga vëllezërit i qenë dhënë Sulltan Muratit që të vegjël; po kur u bë Turk (mysliman), e quajtën Skanderbeg, dhe u rrit i ditur, i ardhur e trim. Sipas Muzakës, në Kuvendin e Leshit Zotërinjtë e Shqipërisë e bënë Skënderben Kapedan (kryekumandar) të tyren sepse ishte i zoti në luftë e i vlefshëm, prandaj gjithkush do t'i bindej dhe do t'a ndihmonte me ushtarë e me të holla; po ashtu disa nga djemtë e familjeve bujare luftonin nën urdhërat e tij, edhe për të mësuar mjeshtërinë e luftës, edhe për të mprojtur krahinat e tyre.

Tani duhet shpjeguar se ku u bë Skënderbeu mjeshtër i luftës dhe ku i kishte treguar deri atëhere ato cilësi ushtarake sa t'a njihnin për kryekumandar dhe t'i bindëshin të tërë Zotërinjtë e Shqipërisë? A është punë e lehtë që Shqiptarët t'i binden kujtdo? Dhe përse vazhdoi t'a mbante edhe pastaj emrin Skënderbej? Sepse "Emri i Skënderit i kujtonte Aleksandrin e Madh," thotë Fan Noli, "edhe titulli i Beut tregonte shkallën e gjeneralit në ushtërinë turke, e cila ishte më e mira e asaj kohe. Duke qënë Kastriotët nga një derë e vogël katundare, Skënderbeu vetë nuk i jipte rëndësi llagapit atëror... i cili nuk ishte veçse emri i një fshati dhe e mbanin me duzina shokë fshatarakë të kryetrimit...". Ky shpjegim na duket pak si i lehtë sepse, me sa dimë, Skënderbeut nuk i pëlqenin madhështitë dhe se ai nuk e pat përbuzur kurrë emrin e familjes. Në letër-shkëmbimin me princa e mbretër t'asaj kohe, ai nënshkruante latinisht: Georgius Castriota alias Scanderbeg, ose italisht: Giorgio Castrioto, decto Scanderbego; gjë që lë të kuptohet se ai ishte i njohur në botë me emrin Skanderbeg.

Prandaj në legjendën e Barletit duhet të ketë diçka të vërtetë. Të tjerë kronikanë të shekullit XV pohojnë se Gjergji ishte në moshë të re kur vajti peng n'Oborrin e Sulltan Muratit II. Edhe nëqoftëse nuk ishte nëntë vjeç, siç thotë Barleti, duhet të-jetë dhënë peng më 1423, kur ishte djalosh tetëmbëdhjetë vjeçar. Nuk përjashtohet as hipoteza që Gjergji të ketë qënë dërguar në shkollën ushtarake të iç-ogllanëvet, në Edërne, edhe m'i ri akoma, si shumë djem princash të krishterë n'atë kohë, kur dimë se Gjon Kastrioti u nënshtrua më 1416 duke e njohur Sulltan Mehmetin I si kryezot dhe e ruajti të tërë principatën me anën e një politike t'urtë. Për të provuar besnikërinë, mund të ketë dërguar të birin në shkollën e Edrënesë, dhe djali mund që këthehej herë pas here pranë familjes, në Shqipëri. Dy datat 1420 dhe 1426, ku përmendet emri i Gjergjit në një traktat tregëtie lidhur me Republikën e Raguzës dhe në dy dokumentat e Hilandarit, nuk janë një provë absolute që Skënderbeu, deri atëhere, të jetë ndodhur vazhdimisht pranë familjes.

Sidoqoftë, kjo periudhë e jetës së kryetrimit mbetet akoma e pa-ndriçuar. Por duket se më 1438 ndodhej në Shqipëri, mbasi n'atë vit pranohet si qytetar nderi i Venetikut.

Gjatë kohës së kryengritjevet shqiptare ndërmjet vjetëve 1432-1438, Kastriotët nuk lëvizën. Por oshëtima e atyre kryengritjeve, ngadhënjimet e para, shtypjet mizore të pastajme, nuk mund të mos i kenë lënë mbresë Skënderbeut. Dhe ndoshta, në shpirt, priste një rast më të mirë, rrethana më të favorshme, për t'a rrokur ai vetë flamurin e kryengritjes.

Rasti iu duk se erdhi më 1443. Një nga shtyllat e qëndresës së krishtere kundër Turqvet ishte bërë Mbretëria e Hungarisë dhe e Polonjës me kryekumandarin e famshëm, Gjon Huniadin, vojvodën e Transilvanisë. Nuk ishte e para herë që Huniadi ndeshej me Turqit. Por më 1443, me shtytjen e Papës Eugjen IV, lëvizja mori një shtrirje më të gjerë. Papa mendoi t'organizonte një kryqëzatë të përgjithshme për t'i dëbuar Turqit nga Evropa. Përveç Mbretërisë së Hungarisë dhe së Polonjës, peshkopët katolikë, në Ballkan, u vunë të shtynin princat e krishterë që të ngrihëshin me armë porsa të lëvizte ushtëria hungareze. N'atë kryqëzatë u ftuan të merrnin pjesë edhe princat shqiptarë, një ndër ta edhe Skënderbeu. Shqiptarët, gjithmonë të gatishëm për kryengritje, mezi që e prisnin një rast t'atillë. Araniti filloi të lëvizte, në jugë, kundër ushtërisë turke. Po ashtu edhe Gjin Zenebishi, i biri i Depes, u ngrit me një pjesë të krahinavet dhe u lëshua kundër Kosturit. Por aty u ndesh me ushtërinë turke të kumanduar prej Feriz Pashës, luftoi, u thye edhe u vra.

Skënderbeu, si duket, priti gjersa ushtëria hungareze të hynte në vepërim. Prandaj u nis me kalorësinë e tij në drejtim të Danubit bashkë me ushtërinë turke, që përbëhej prej 20.000 vetash, nën kumandën e Kasem Pashës, bejlerbeut të Rumelisë. Të dy ushtëritë zunë vend kundrejt njëra tjetrës tej e përkëtej lumit Morava. Por më 3 të Nëntorit 1443, Hungarezët, ndonëse më të pakët në numër, kapërcyen lumin dhe e sulmuan ushtërinë turke afër Nishit. Kjo filloi të prapsej dhe pastaj të tërhiqej e shpartalluar. Skënderbeu, i cili duket se lozi një rol në këtë tërheqje, me treqind kalorës kalorës shqiptarë që kishte me vehte, nër ta edhe i nipi, Hamza, e la ushtërinë turke edhe u nis për në Shqipëri. Fermanin e rrem nuk dimë a ia mori me të vërtetë sekretarit të vulës së Sulltanit që shoqëronte bejlerbeun e Rumelisë, siç tregon Barleti, a po u zogrofis prej ndonjë fallsifikatori, siç mendon Fan Noli sipas kronikanit të Raguzës, Luccari-t. Fakti është që, në krye të shtatë ditëve, Skënderbeu arriti në Dibër. Aty gjeti popullin besnik dhe të gatishëm për kryengritje. Mbasi ua shpjegoi krerëvet planin e tij, mori me vehte nja treqind Dibranë edhe u nis natën në drejtim të Krujës. Kjo fuqi u fsheh jashtë qytetit, mbasi Skënderbeu kishte nër mend t'a merrte Krujën me anën e fermanit të rrem. Edhe ashtu u bë. Kumandari i Krujës, Hasan bej Vërzhezda, e besoi fermanin dhe ia dorëzoi qytetin Skënderbeut. Ky ua tregoi Krujanëvet planin e tij dhe i porositi që të rrinin gati. Kur u bë natë, njerëzit e fshehur në pyll hynë brenda në kështjellë, dhe bashkë me Krujanët e armatosur zunë pikat strategjike të qytetit. Aty nga mesi i natës buçiti fjala "liri! liri!", dhe Shqiptarët u hodhën mbi garnizonin turk të cilin e çfarosnë. Të nesërmen, në vend të flamurit të Turqisë, valonte mbi kështjellë flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenore.

Pasi mori Krujën në këtë mënyrë edhe u kthye në fenë atërore, Skënderbeu u nis për në Mat e Dibër, që ishin pjesë e principatës së Kastriotëvet, dhe filloi t'organizonte fuqinë e parë të tij. Ngado që shkonte, populli e priste me krahë hapët dhe tregohej i gatishëm të vihej nën urdhërat e kryetrimit. Pastaj me një fuqi të mjaftë u kthye në Krujë, ku kishin ardhur për ta përgëzuar shumë krerë shqiptarë si edhe miq e dashamirë të lidhur me familjen e tij. Më 28 Nëntor 1443, në mes të një gëzimi të përgjithshëm, Skënderbeu u shpall kryezot i principatës së Kastriotëvet me qendër Krujën. Mandej me fuqinë që kishte mbledhur pushtoi njërën pas tjetrës, gjatë muajit Dhjetor, fortesat e principatës atërore, Petrelën, Gurin e Bardhë, Stellushin, Tornaçin dhe pak më vonë, pas tre muajsh rrethimi, Sfetigradin. Garnizonet turke që u dorëzuan, u përzunë në Turqi. Kështu, me një shpejtësi të vetëtimshme, Skënderbeu e ringjalli principatën e lirë të Kastriotëvet.


1Hopf, "Chroniques," f. 274. E dimë mendimin e kritikëvet, sipas të cilëvet Gjin Muzaka i ka marrë këto të thëna prej Barletit. Vepra e Barletit mendohet të jetë botuar ndërmjet vjetëvet 1508-1510, edhe Gjin Muzaka e shkroi "Gjenealogjinë" më 1510. Por dimë edhe se ky i fundit pat qënë bashkëkohas i Skënderbeut, të cilin e kish njohur për s'afërmi sepse pat luftuar nën urdhërat e tij, dhe kishte lidhje familjare me Kastriotët. Prandaj nuk na besohet që Gjin Muzaka të ketë ndjekur symbyllazi Barletin sikur të thënat e këtij të mos pajtohëshin deri diku me kujtimet e tija, sado të venitura që t'ishin.