XXX

Është rasti të themi dy fjalë mbi përbërjen e qëndresës shqiptare kundër pushtimit fashist dhe mbi ndarjen e saj.

Kemi parë sesi, i shtypur prej regjimit të Zogut, populli shqiptar jepte përshtypjen e një trupi të mpitë që s'ishte për asgjë. Mirëpo, kur mori vesh se ushtëritë italiane po e sulmonin Shqipërinë, u çua në këmbë me një forcë të re, porsi t'ishte një popull tjetër. S'kërkoi veçse armë. Por ata q'e kishin udhëhequr (ose shtypur) gjer n'atë ditë, e gënjyen, e tallën dhe e lanë në baltë. Të tjerë politikanë, që ishin mbajtur gjer atëhere si burra më të mirë, u kthyen me këmishën e zezë dhe kërkonin t'i mbushnin mendjen gjithkujt se pushtimi i huaj ishte "çlirim". Natyrisht, ky lloj shpjegimi s'ia mbushte dot mendjen as popullit as djalërisë, por iu dha të kuptonin një tjetër gjë: se klasa e politikanëvet të vjetër, besnikë apo kundërshtarë t'ish-mbretit Zog kishte mbaruar përgjithmonë.

Kjo e vërtetë e hidhur mund të kishte rreziqet e saja, ashtu siç i pati. Por faji nuk ishte aq fort i djalërisë, e cila ndiqte evolucionin e kohëvet, se sa i atyre që e kishin ulur nacionalizmin shqiptar në radhën e një tregëtie flamujsh.

Në vendin tonë s'kishte pasur rrahje të lirë mendimesh, dhe idetë e jashtëme kishin qënë marrë prej të rinjvet në një mënyrë të rrëmujëshme, pa kritikë, pa komentim. Prandaj nga kontrasti ndërmjet mbeturivet mesjetare që lidhëshin tashti edhe me pushtimin e huaj, nga njëra anë, dhe aspiratavet të brezit të ri, nga ana tjetër, mund të ndodhnin gjëra të papritura. Fryma që mbushte brezin e ri ishte më fort dalldisje ndjenjash, që duhej bërë diçka e re, se sa punë mendimesh, çfarë dhe qysh. Gjëja që të rinjtë urrenin përgjithësisht, ishte këthimi në regjimet e së kaluarës.

Gjer atëhere s'kishte pasur në Shqipëri ndonjë lëvizje komuniste përveç disa grupthesh të fshehtë e të shpërndarë, që shpeshëherë vepronin në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe që askush s'iu kishte dhënë rëndësi, as gjindarmëria e Zogut. Që nga viti 1925 e tëhu, disa antarë të vjetër të Shoqërisë Bashkimi, si Halim Xhelua, Ali Kelmendi e të tjerë, kishin pasur lidhje me Federatën Komuniste Ballkanike dhe qenë munduar të përhapnin idetë e saja ndër punëtorë dhe studentë shqiptarë. Disa prej të rinjvet që studionin n'Evropë, si në Francë, n'Itali e gjetkë, këthehëshin me ide komuniste. Por duke pasur Shqipëria një strukturë shoqërore të përbërë në shumicë të madhe prej fshatarësh, pa një klasë punëtorësh në kuptimin industrior të fjalës përveç ca pak zejtarëve, lëvizja komuniste nuk gjente dot një bazë të përshtatshme. Kështu që ato ide, në një mënyrë të paqartë, klloçitnin vetëm në disa grupthe të rinjsh.

Ngritja kundër pushtimit të huaj qe shtytur nga një frymë kombëtare dhe djalëria e tërë u hodh nëpër demostrata e mbushur me atë frymë. Ata që i prinin, ishin arësimtarë të rinj shumica, ose edhe atdhetarë të vjetër, të ndritur prej idesë së lirisë kombëtare dhe të përparimit, por jo komunistë. Ishte zjarri i shënjtë i kombësisë ai që ndezi zemrat në Ditët e Prillit. Kurse komunistëvet s'iu interesonte se ç'bëhej ndërmjet "borgjezivet" italiane dhe shqiptare. Ca muaj më vonë, kur u lidh pakti gjermano-sovietik njëkohësisht me plasjen e Luftës së Dytë botërore, komunistët shqiptarë zunë të mendonin (dhe e thoshin haptas) se ishin më t'afërt me regjimet fashist e nazi, të cilët qëndronin mbi fuqinë e organizuar të masavet, se sa me "plutokracitë" e Perëndimit që pështetëshin vetëm në forcën e kapitalit. Prej organizimit shtetëror fashist në kolektivizmin komunist s'ka veçse një çap për t'u bërë, thoshin kuqalashët atëhere. Prandaj ata që u arrestuan prej policisë fashiste në kohët e para ishin pothuajse që të gjithë nacionalistë e demokratë. Komunistët nuk lëvizën përsa kohë që Rusia qëndronte jashtë Luftës.

Një gjë që s'e kanë kuptuar akoma Shqiptarët është se ndjenja nacionaliste dhe komunizmi janë dy veprime të kundërta që s'mund të pajtohen kurrë me njëra-tjetrën. Nacionalizmi është dashuria për kombin, për bashkimin dhe lartësimin e tij. Kurse komunizmi është një internacionalizëm, i bazuar në të ashtuquajturin bashkim të t'ashtuquajturit proletariat botëror. Këto dy veprime të kundërta nuk mund të pajtohen në një ide të vetme, as në një luftë të përbashkët. Nacionalistët luftonin për të mbrojtur kombin e tyre, kurse komunistët luftonin për të bërë revolucionin komunist në tërë egërsinë e tij. Për të gënjyer popullin, komunistët bënin gjoja sikur luftonin kundër pushtimit të huaj, por e vetmja gjë që iu interesonte ishte revolucioni komunist, të cilin e zbatonin me mënyrat më të tmerrëshme dhe më mizore. Deri sa të mos ketë kuptuar këtë ndryshim në mes të Ballistëve dhe të komunistëve, populli shqiptar nuk do të kuptojë asgjë nga historia e tij e këtyre 50 vjetëve të fundit.

Kur dy agjentë jugosllavë erdhën në Shqipëri për të krijuar partinë komuniste, në vjeshtën e vitit 1941, disa nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare kishin vuajtur dy vjet burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë. Në këtë kohë qëndresa kundër pushtimit fashist ishte përgjithsuar, dhe gjatë luftës italo-greke desh u kthye në kryengritje. Më çdo kënd të Shqipërisë ishte çfaqur shpirti kombëtar me demostrata, hedhje traktesh e vepërime të tjera. Kjo lëvizje kombëtare u lidh në një organizatë të përgjithshme që u quajt Balli Kombëtar. Duke dashur të pajtonte traditën e vjetër për një Shqipëri Ethnike dhe krejt të pavarur me nevojat e riorganizimit ekonomik e shoqëror të kohës sonë, Balli Kombëtar i shpalli popullit një program të shprehur në dhjetë nyja (e prandaj u quajt Dekalog ), ku parashikohej lufta për çlirimin e Shqipërisë dhe riorganizimi i jetës ekonomike e shoqërore të vendit mbi një bazë krejt demokratike. Çështja e regjimit politik, pas çlirimit të vendit, do të zgidhej natyrisht me votën e lirë të popullit.

Komunistët shqiptarë u vunë në lëvizje vetëm kur atdheu i tyre, domethënë Rusia sovietike, u sulmua prej Hitler-it në Qërshor 1941. Po edhe atëhere nuk dinin se ç'të bënin as qysh të vepronin. Ishin të thërrmuar në grupthe të vegjël, prej të cilëvet asnjëri s'ia lëshonte rrugën tjetrit. M'i rëndësishmi duket se ishte grupi i Korçës, ku bënin pjesë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxja. Hyrja e Rusisë në Luftë e vuri në lëvizje motorrin e komunizmit ndërkombëtar, dhe dy emisarë jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, që të dy antarë të komitetit krahinor të partisë komuniste jugosllave për Kosovën, u dërguan në Shqipëri prej shtabit të Titos për të formuar dhe kumanduar partinë komuniste shqiptare. Mbasi Shqiptarët përgjithsisht i binden më shumë të huajit se sa njëri-tjetrit, dy emisarët jugosllavë e kryen plotësisht misionin e tyre duke i bashkuar grupthet e ndryshëm komunistë në një parti të vetëme, më 8 Nëntor 1941. Ata vetë (Miladini me Dushanin) zgjodhën edhe antarët e komitetit qendror me Enver Hoxhën si sekretar të përgjithshëm. Kuptohet vetvetiu se partia komuniste shqiptare ishte si një degë e partisë komuniste jugosllave, dhe të dërguarët e Titos, Miladin Popoviçi si organizator politik dhe Dushan Mugosha si organizator ushtarak, mbetën drejtonjësit dhe kumandarët e vërtetë të partisë komuniste shqiptare deri pas Luftës. Më vonë arritën edhe të tjerë emisarë jugosllavë, si Vukmanoviç Tempo-ja me shokë.

Se në ç'gjendje ishin komunistët shqiptarë përpara ardhjes s'emisarëvet jugosllavë, e tregon raporti i Miladin Popoviçit drejtuar komitetit qendror të partisë komuniste jugosllave, më 21 Maj 1942: "Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodhëshin grupe dhe grupthe (gjithësejt tetë, ndër të cilët dy trotskistë). Seicili prej tyre tërhiqte nga ana e tij. Shpeshëherë bënin edhe "bashkime" ose "marrëveshje" për të paditur tek neve njëri-tjetrin".

Raportet e emisarëvet jugosllavë vërtetojnë gjithashtu se, ç'prej pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste (7 Prill 1939) gjer në Nëntorin e vitit 1941, komunistët shqiptarë kishin ndëjtur si të mpitë duke u kacafytur midis tyre dhe s'kishin lozur asnjë rol në lëvizjet e brendëshme të popullit shqiptar gjatë asaj periudhe. (Shih, "Gjaku i Trathëtuar", libër i bardhë i ministrisë së Punëve të Jashtëme jugosllave, botuar më 1949).

Mirëpo t'organizuar dhe të shtytur prej emisarëvet jugosllavë, u hodhën në një veprimtari t'ethëshme, sidomos nëpër qytetet, duke rekrutuar dhe "formuar" antarë partie, veçanërisht nëpër të rinjtë e papjekur e në njerëz gjysmakë, studentë që s'kishin kaluar kurrë provimet, nxënës shkolle, shegerta, zejtarë, punëtorë, vajza të pamartuara ose nga ato q'ëndërronin të bëhëshin heroina romanxi. Këta elemente i fanatizuan me anën e "literaturës" komuniste dhe të konferencavet të tyre, duke përfituar sidomos nga psikoza e nxehtë e Luftës. Me këtë armaturë kuadrash u hodhën pastaj në luftë të hapët për të marrë fuqinë. Ndonëse qëllimi i tyre ishte pregatitja e revolucionit komunist për marrjen e fuqisë, në dukje paraqitëshin sikur bënin gjoja luftën e çlirimit kombëtar kundër të huajit. Dhe Rusinë sovietike e paraqitnin si flamurtaren e luftës kundër fashizmit për çlirimin e popujvet. Iu premtonin njëkohësisht fshatarëvet reformën agrare, dhe gjithkujt liri e begati sa t'i donte zemra, shkurt, do të krijonin një parajsë që populli se kishte parë as n'ëndërr. Por mbasi emri komunist tingëllonte keq në Shqipëri, megjith premtimin e parajsës, dhe nën atë emër nuk mund të tërhiqnin dot masat e gjera e ndonjë pjesë intelektualësh "progresistë", menduan djallëzisht të loznin komedinë e krijimit të një t'ashtuquajturi "Front Nacional-Çlirimtar", ashtu siç kishin bërë partitë e tjera komuniste tek popujt e Evropës lindore. Për këtë qëllim organizuan një mbledhje në Pezë, më 16 Shtator 1942, ku kishin thirrur edhe disa nacionalistë si jallan-shahitë. Ndonëse ca prej këtyre e kuptuan dredhinë dhe nuk e nënshkruan rezolutën e Pezës, komunistët e quajtën sikur lidhja u bë, dhe luftën e tyre e vazhduan nën maskën e "Frontit Nacional-Çlirimtar" që i fshihte partisë komuniste turirin e ariut. Kjo maskë vazhdon edhe sot me t'ashtuquajturin "Front Demokratik" të komunistëvet në "zgjedhjet legjislative". Megjithëqë manevra e krijimit të "Frontit Nacional-Çlirimtar" duket e thjeshtë si një lodër fëmijësh, gënjeu goxha intelektualë me diploma universitetesh, avoketër, doktorë e profesorë, të cilët e paguan pastaj gabimin me jetën e tyre. Por m'e keqja ish se gënjeu shumë njerëz të thjeshtë, të cilët besuan se komunistët luftonin me të vërtet për atë program që i shpallnin popullit. Edhe këta e paguan shtrenjtë gabimin ose janë duke e paguar. Po n'atë mënyrë u gënjyen edhe si antarë partie një pjesë e të rinjvet, që s'mund t'a kuptonin sesi do t'ishte komunizmi në praktikë. U gënjyen të pakënaqurit, ata që patën vuajtur shumë nën regjimet e mëparshm dhe që shkonin me mirëbesim se komunizmi do t'iu përmirësonte jetesën. Por i tërë ai element i tërhequr në këtë mënyrë dhe që kishte një farë ndienje njerëzore u kosit më vonë. Ata që sundojnë më në fund dhe mbeten zotër të situatës në një parti komuniste janë nga gjakpirësit më mizorë, nga kriminelët më shtazarakë, ambiciozët që kanë dështuar në çdo punë tjetër dhe që kujtojnë se të gjitha fajet ua kishte sistemi shoqëror ose njerëzia mbarë. Partia komuniste shqiptare zhduku jo vetëm ata që u shoqëruan me të në t'ashtuquajturën "Lëvizje Nacional-Çlirimtare", po edhe të gjithë komunistët e orës së parë, antarët e vjetër të Komitetit Qendror, kumandarët e çetavet, t'ushtërisë, përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, e ndonjë të rralli si Hysni Kapua e Haxhi Lleshi. Gati të gjithë ata që drejtojnë aparatin dhe shtetin komunist të sotshëm janë njerëz të krijuar pastaj. Kështu, kur këndon njeriu sot historinë e luftës së komunistëvet të shkruar prej historianëve të regjimit, ka përshtypjen e një vepërimi anonim, se përveç emravet t'Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut rrallëhere përmendet ndonjë tjetër. Disa që kanë lozur një rol të dorës së parë në marrjen e fuqisë prej komunistëvet, nuk përmenden gjëkundi. Kur flitet për formimin e Partisë dhe të të parit Komitet Qendror të saj, ngjarje që duhet të ketë një rëndësi kryesore për historinë e lëvizjes komuniste shqiptare, e tërë përbërja e Komitetit përmblidhet në një fjali: "Në këtë mbledhje u zgjodh Komiteti Qendror i përkohshëm me Enver Hoxhën në krye". Jo vetëm që nuk zihen kurrë me gojë emrat e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, të cilët ishin ata që e zgjodhën Komitetin Qendror, që e formuan dhe e kumanduan Partinë komuniste shqiptare, por nuk përmendet asnjë tjetër prej antarëvet t'atij komiteti, sepse që të gjithë u qëruan me pastaj. Mehmet Shehu nuk ishte në Shqipëri n'atë kohë e prandaj nuk përmendet as ky. Po ashtu kur flitet për mbledhjen e Pezës prej së cilës dolli i ashtuquajturi "Front Nacional-Çlirimtar", nga ana komuniste përmenden vetëm Enver Hoxha dhe Nako Spiru. A ka provë më të qartë nga kjo për të vërtetuar se me çfarë mjetesh dhe mënyrash mbahet në këmbë ajo parti?

Balli Kombëtar, në fillim, nuk i dha shumë rëndësi lëvizjes komuniste, duke e menduar si një punë rrugaçësh që nuk do të gjenin dot pështetje nëpër fshatra. Kur e kuptoi gabimin, ishte tepër vonë. Nga ana tjetër, edhe komunistët patën kujdes në fillim t'a vinin në gjumë Ballin Kombëtar duke folur mirë për disa nga krerët e tij, që kështu të mos gjenin kundërshtim nëpër krahina. Balli Kombëtar i la të lirë deri sa ata lëshuan rrënjët e tyre si një ferrë e keqe.

Sipas historisë së shkruar prej komunistëvet, Balli Kombëtar u formua nga fundi i vitit 1942, "me nxitjen e pushtuësve italianë", për të kundërshtuar bashkimin e forcavet atdhetare antifashiste që u bë në mbledhjen e Pezës nën udhëheqjen e Partisë komuniste. Sikur t'ishte e vërtetë kjo, Balli Kombëtar do t'a kishte shtypur fare lehtë n'atë kohë Partinë komuniste, e cila porsa kish nisur të shtrihej jashtë qytetevet. Por historia e shkruar prej komunistëvet është, si gjithë të tjerat, një gënjeshtër e pregatitur në zyrat e propagandës. Nuk ka rëndësi se në çfarë date Balli Kombëtar u çfaq me këtë emër. Puna është se ai përbëhej prej atdhetarësh që e kishin kundërshtuar pushtimin fashist që më 1939, që kishin dyndur demostratat, dhe që disa prej tyre kishin hequr dy vjet burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë. E ç'kishin bërë komunistët gjatë asaj kohe? Asgjë deri në vjeshtën e vitit 1941, siç e vërtetojnë raportet e emisarëve jugosllavë; por asgjë siç e vërtetuan edhe ata vetë kur e kritikuan qëndrimin e tyre në rezolutën e së parës mbledhje të përgjithshme të Partisë, mbajtur në Labinot t'Elbasanit, në Mars 1943. (Shih, "Gjaku i Trathëtuar" , ed. italisht, f. 4). Pastaj, sikur Balli Kombëtar të kishte qënë një organizatë "e nxitur prej pushtuësve italianë", si pranoi Partia komuniste të bënte lidhje me atë në mbledhjen e Mukajt, në Gusht 1943?

Gjëja që duhet hedhur kategorikisht poshtë në lidhje me ngjarjet e asaj-kohe është theoria komuniste e luftës së klasëvet, e cila s'u vërtetua gjëkundi në Shqipëri, as në përbërjen e asaj partie as në shkaqet e luftës vëllavrasëse. Sepse ndarja midis atyre që muarën anën e Partisë komuniste dhe të tjerëvet që u lidhën me Ballin Kombëtar nuk u pështet n'asnjë kriter klasësh në kuptimin ekonomik të fjalës. Sepse nuk mund të thuhet që malësorët e veriut, të cilët nuk lëvizën fare, ishin më të pasur nga ata të jugës; ose, në jugë, Orthodoksit, që u bënë përgjithësisht komunistë, ishin më të vobektë nga Myslimanët. Korça, që u tregua qyteti më komunist i Shqipërisë, ishte njëkohësisht edhe m'i pasuri. Është e vërtetë që komunistët tërhoqën n'anë të tyre, duke e magjepsur me ëndërra, një pjesë t'asaj kategorie shoqërore që s'kishte pasur bukë të hante; por pjesa m'e madhe e saj, sidomos fshatarësia, u rreshtua në Ballin Kombëtar. Pati në këtë organizatë mjaft djem të popullit, kurse djem e vajza të bejlerëve e të tregëtarëve të mëdhenj, të cilëvet s'iu mungonte asgjë, u bënë komunistë.

Mbasi natyra e lëvizjevet politike lidhet me mendësinë dhe shkallën e zhvillimit shoqëror të një populli, si Partia komuniste ashtu edhe Balli Kombëtar bazën e tyre e patën në Shqipërinë e jugës, mandej u shtrinë në të Mesmen dhe fort pak n'atë të veriut. Në veri, ndonëse lidhjet e popullit pas krerëve e bajraktareve ishin dobësuar fare - dhe askush prej këtyre nuk mund të ngrinte njerëz pa iu paguar të holla - prapseprapë kuptimi politik kishte mbetur i ngushtë, brenda horizontit të krahinës. Kurse në jugë, mendësia e popullit dhe zhvillimi shoqëror i tij nuk i duronin mënyrat bajraktariste të qeverimit, prandaj aty do të kishte me doemos një lëvizje të rreptë për të krijuar një rend të ri, sidomos që klasa drejtonjëse e vjetër kishte mbaruar përgjithmonë. Prandaj theatri kryesor i lëvizjevet dhe i luftës civile u bë Shqipëria e jugës. Për fat të keq, ndonëse populli shqiptar, në përgjithësi, ishte shkëputur prej lidhjevet shoqërore të vjetra, nuk ishte pjekur akoma për të krijuar një rend të ri të pështetur në një ekuilibër lirish demokratike: Kjo papjekuri solli luftën civile dhe, si përfundim, komunizmin.

Shkasi i parë i çdo lëvizjeje politike është psikologjik më fort se sa ekonomik, ndonëse edhe interesi ekonomik hyn si një shtytës i fuqishëm në krijimin e gjendjevet psikologjike. Por sa popuj të mjeruar ka që nuk lëvizin fare, dhe sa të tjerë të pasur që ndodhen në kryengritje të përhershme ! Prandaj edhe këtu theoritë marksiste duhen mbajtur për të dyshimta. Siç e pamë më sipër, në Shqipëri, prirjet e kategorivet të ndryshme shoqërore për komunizmin ose për Ballin Kombëtar duhen kërkuar më shumë në shkaqet psikollogjike se sa ekonomike, domethënë shpjegimi i tyre do t'ishte më fort punë e një psikanalisti se sa e një ekonomisti. Sepse, cilatdo qofshin arësyet ekonomike e shoqërore që shtronte përpara njëri grup ose tjetri, shkaqet e vërteta të prirjevet të tyre andej ose këtej qëndronin për secilin në fundet e errëta të pavetëdijës. Përgjithësisht me komunizmin u hodhën ata tek të cilët ndjenjat kombëtare ishin mjaft të dobëta, ose kishin qënë dikur mjaft të dobëta tek prindët dhe rrethi familiar i tyre. U hodh andej ai lloj elementi që s'beson n'asnjë vleftë kombëtare a morale, dhe që kërkon të përmbysi çdo gjë për të dalë vetë në krye të shoqërisë si klasë e re. Nuk mund të thuhet se s'pati fare atdhetarë në Partinë komuniste. Mund të kishte asish që besonin se Rusia sovietike do të sillte ndërmjet popujve dhe kombësive t'Evropës një rregullim më të mirë nga ç'kishte parë Shqipëria deri atëhere prej fuqivet imperialiste të Perëndimit. Kishte edhe asish që kujtonin se, përveç komunizmit ose "Frontit Nacional-Çlirimtar", çdo regjim tjetër do t'ishte afër-ngjat si ai i Zogut. Por këta elemente nuk patën kurrë një rol udhëheqës dhe më në fund u qëruan ca nga ca (si për shembull, Mustafa Gjinishi, Gjergj Kokoshi etj.). Në krye të Partisë ndodhëshin dhe mbetën ata që e mendonin komunizmin jo n'interes të kombësisë shqiptare, por në funksion të proletariatit botëror ose në shërbim të Rusisë sovietike. Për t'i lehtësuar kësaj peshën e luftës kundrejt Gjermanëvet e tërë Shqipëria duhej të bëhej shkrumb e hi, edhe sikur të mbetëshin gjallë vetëm 300 djem e 300 vajza, siç thoshte Mehmet Shehu. Si mund të quhet kombëtar një mendim e një vepërim i këtillë? Tjetër punë sepse më vonë të kapur në peripetitë e konfliktit jugosllavo-sovietik, ku rrezikonin jetën e tyre, dhe të shtrënguar nga ato rrethana, këta kriminelë janë mbyllur brenda caqevet të Shqipërisë - mbasi Kina ndodhet shumë larg - dhe na mallëngjejnë sot me "atdhetarin" e tyre.

Kurse me Ballin Kombëtar shkuan përgjithësisht ata që kërkonin një Shqipëri të pavarur e demokratike, një Shqipëri të reformuar e të përparuar në shembull të botës së Perëndimit. Me fjalë të tjera, ata që pajtonin në shpirt ndjenjën e drejtësisë shoqërore me atë të mvehtësisë kombëtare dhe të dashurisë s'atdheut. Natyrisht, kjo lloj ndarjeje në dy drejtime duhet kuptuar në vija të përgjithshme dhe jo si dy rrathë të hekurt: se pat edhe oportunistë, përfitonjës, njerëz më të mirë ose më të këqij, nga njëra anë e nga tjetra.

Shqipëria e jugës u bë theatri kryesor i lëvizjevet, sepse aty popullsia, duke qënë m'e zhvilluar, kërkonte t'arrinte në pavarësinë e plotë kombëtare dhe në një regjim politik e shoqëror më të përparuar. Ndarja e grupeve të ndryshëm ndërmjet Ballit Kombëtar, që desh të pajtonte traditën kombëtare me një regjim politik e shoqëror në shembull të Perëndimit, dhe Partisë komuniste, që donte të përmbyste çdo gjë për të krijuar gjoja një botë të re, u bë, siç thamë, për arësye psikologjike më fort se sa ekonomike. Ishte e kuptuarshme që djalëria e rrëmbyer, punëtorë, shegerta e zejtarë të qytetevet, vajza të pamartuara dhe aventurierë të çdo lloji të hidhëshin me komunizmin, i cili iu predikonte se dituria dhe parimet morale s'kishin asnjë vleftë dhe se, duke përmbysur rendin shoqëror të deriatëhershëm, do të krijonin parajsën në tokë si në përrallat e Njëmijë-e-Një Netëvet. Ishte e kuptuarshme gjithashtu që shumica e fshatarëvet, e lidhur pas zakonevet, pas dashurisë së vendit, dhe duke e pasur më të zhvilluar intuitën e realitetit, t'anonte nga Balli Kombëtar, sikurse një pjesë e shkollarëvet të vetëdijshëm. Por kishte edhe disa arësye psikologjike më të thella që ndihmuan komunizmin. Djemtë e bejlerëvet, për shembull, që e kishin humbur rëndësinë si klasë e vjetër sundonjëse, u hodhën përgjithësisht në komunizmin për të dalë përsëri në krye të shoqërisë nëpër një tjetër sistem organizimi. Po ashtu disa bij turkomanësh, që s'kishin thithur në familje ndjenjë kombëtare, siç ishte rasti i Mehmet Shehut, i ati i të cilit kishte qënë me Rebelët më 1914. Faktori psikologjik u vërtetua gjithashtu n'anën e fevet dhe të klerit. Dihet se fetë lidhen ngushtë me kulturën e kohës, e cila formon mendësinë ose botëkuptimin e njeriut. Kur kultura ndryshohet nëpër proçesin e zhvillimit dhe fetë mbeten si një anakronizëm, janë të dënuara të bjenë poshtë ashtu siç kanë rënë të gjitha besimet pagane të kohëve të vjetra. Prandaj Kishat protestante e katolike janë duke bërë përpjekje të vazhduarshme për t'ardhur në pajtim me kulturën e kohës pa u shmangur, natyrisht, nga parimet morale të tyre. Kurse në fetë myslimane e orthodokse nuk është ose nuk ishte bërë një përpjekje e këtillë, kleri i tyre nuk nderohej më, ndjenja fetare ishte ftohur, vendin e saj duhej t'a zinte diçka tjetër: feja marksiste. Kështu një pjesë e mirë e klerit mysliman, sidomos dervisha e shehlerë, dhe pothuajse i tërë kleri orthodoks u bënë komunistë. Por ajo që pati rëndësi vendimtare në marrjen e fuqisë prej komunistëvet ishte qëndrimi i popullsisë orthodokse, e cila përgjithësisht përfaqoi komunizmin. Edhe këtu nuk hynte si shkak kryesor arësyeja ekonomike, sepse Orthodoksit, duke pasur në dorë tregëtinë dhe pothuajse të gjitha mjeshtëritë, hanin një kafshatë bukë më mirë nga shumica e Myslimanëvet. Por kishte tre shkaqe psikologjikë: e para, ata që kishin qënë dikur grekomanë nuk mund të merrnin ndjenja të flakta shqiptare gjatë njëzet vjetëve, prandaj në komunizmin gjenin diçka asnjanëse, as shqiptare as greke; e dyta, në pavetëdijën e tërë komunitetit (edhe tek ata që kishin qënë atdhetarë të mirë) mbizotëronte një ndjenjë e vjetër kundrejt Myslimanëvet (ndjenja e natyrshme e pakicës kundrejt shumicës), dhe çdo regjim kombëtar e shikonin si një sundim të bejlerëvet dhe t'agallarëvet ; e treta, mbasi Orthodoksit kishin qënë elementi m'i dhënë pas punës, pas mjeshtërivet dhe kurbetevet, ishin më të gatishëm për të pranuar idenë komuniste, të cilën e gjenin më të drejtë në planin shoqëror dhe ndoshta më të përshtatshme në planin kombëtar. Kështu me të hollat që vuri në shërbim të komunizmit borgjezia orthodokse, e cila ishte ndoshta m'e pasura në Shqipëri, dhe me kuadrat që i dha partisë komuniste elementi orthodoks (si propagandë, organizim, ndërlidhje, celulistë, komisarë politikë e shërbime të ndryshme), i cili ishte elementi m'i mësuar e m'i disiplinuar, partia komuniste u bë një forcë e patundshme dhe këtu qëndron arësyeja kryesore e triumfit të saj. Korça, që kishte qënë dikur djepi i lëvizjes kombëtare në jugë, u bë djepi i komunizmit. Ndoshta sepse aty liceu frëng dhe lidhjet e shumëta me kurbetet kishin krijuar një gjendje mendore më të përshtatshme për të marrë idetë komuniste. Kurse si forcë e armatosur dhe si bazë ushtarake, krahina që i shërbeu më shumë komunizmit ishte Kurveleshi; dhe kjo nuk shpjegohet prej vobekësisë së vendit, por sepse Kurveleshasit kanë qënë gjithmonë të gatishëm për aventura armësh që në kohën e Turqisë. Për t'a mbyllur me arësyet psikologjike, duhet të shtojmë se, në një psikozë lufte, natyra trubullonjëse e të rinjvet, që s'mendojnë veçse vrasje, përmbysje e rrëmujë, pajtohej më mirë me lëvizjen komuniste që i shtynte në këtë drejtim dhe me "lavdinë" e ushtërivet sovietike që po iu qëndronin armatavet të Hitler-it.

Siç shihet, lëvizja komuniste, në Shqipëri, nuk ishte luftë klasësh as kryengritje proletare.

Pas Shqipërisë së jugës, Balli Kombëtar dhe Partia komuniste kishin bazat e tyre edhe në Shqipërinë e Mesme dhe n'atë të veriut. Organizimi i Ballit u përhap në Shkodër, në rrethet e Dukagjinit e të Malësisë së Madhe, por sidomos në Kosovë e krahina të Maqedonisë. Kurse Partia komuniste kishte një pjesë të djalërisë së Shkodrës, disa krerë të Dibrës, si Lleshët dhe ca familje të tjera që patën qënë kundërshtare të Zogut ose mike të Jugosllavisë por mbahej sidomos në Shqipërinë e Mesme me bazën e Pezës. Kurse pjesa m'e madhe e djalërisë, në Tiranë dhe të tjera qytete të Shqipërisë së Mesme, ishte me Ballin.

Mbasi formuan dhe disiplinuan kuadrat nëpër qytetet gjatë një viti, gjithmonë ndën drejtimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës që merrnin çdo vendim, ndanin çdo gjyq dhe mbyllnin çdo grindje në gjirin e Partisë, komunistët filluan nga atentatet. Vranë më parë ca agjentë shqiptarë të policisë fashiste për t'i detyruar të tjerët që të vihëshin në shërbim të tyre. Dhe kjo mënyrë vepërimi ia arriti aq shpejt dhe aq plotësisht qëllimit, sa që s'do të kishte mundur kurrë asnjë tjetër predikim, ndjenjë a propagandë, cilatdo që t'ishin. Sepse, në pak kohë, jo vetëm policia fashiste shqiptare u vu në shërbim të komunistëvet dhe i mpronte e i çonte me veturat e saja prej një qyteti në tjetrin, por deri prefektat dhe ish-ministrat e administratës fashiste i mbanin komunistët nëpër shtëpitë e tyre, qoftë sepse kishin frikë nga ndonjë atentat, qoftë sepse djemtë dhe vajzat e tyre ishin bërë komunistë. Tjetër punë sepse sot në mërgim ata që kanë mbetur gjallë prej atyre shkëlqesave s'pushojnë së predikuari "bashkimin" kundër komunizmit !

Kur patën siguruar një numër të fortë bazash dhe kuadrash nëpër qytetet, komunistët u hapën fshatravet për të shtirë në dorë krahinat. Nxuarrën në "mal" sidomos ata që kishin kryer vrasje nëpër qytetet dhe ndiqëshin prej karabinierisë italiane. Por mbasi nëpër fshatra e malësi nuk kishin baza, u ngjitën pas disa kriminelëve t'arratisur për vrasje e vjedhje, siç ishte Myslim Peza në Shqipërinë e Mesme, i cili jeton edhe sot me gradën gjeneral. Në qarqet e Beratit dhe të Korçës gjetën si kriminelë t'arratisur: një farë Mestan Ujaniku, që kishte vrarë të mbesat e tija për t'iu marrë mallin; një farë Shaqir Kapinova, që përdorej në kohën e Zogut si dorëvrasës i fshehtë me pagim prej atyre që kishin për të marrë gjaqe dhe që, në kohën e pushtimit italian, pati çfarosur të tërë një familje barinjsh për t'iu rrëmbyer bagëtitë; një farë Riza Kodheli që kishte qënë kumandar milicie fashiste; dhe dy shokë të këtyre, Asllan Gurra dhe Agush Gjergjevica. Të gjithë këta i tërhoqën me të hollat që paguanin tregëtarët e Korçës, dhe rreth këtyre "heronjve" (siç i quante më vonë emisioni shqip i Radios së Londrës) formuan çetat e para komuniste. Po ashtu bënë nëpër krahina të tjera. Mbasi u futën në këtë mënyrë, krijuan ca nga ca kuadrat fshatare, me nxënës shkolle, mësuësa, ish nëpunësa ose graduatë ushtërie, zejtarë e kurbetlinj, sidomos djem ambiciozë të cilëve iu bënin të gjitha premtimet dhe iu merrnin mendjen me anën e vajzavet t'ardhura prej qytetesh. Për të gënjyer masat e gjera, bënin për vehte klerin dhe ca qelepirxhinj fshatrash që mbahëshin si parësi. Kështu mundën të krijonin edhe nëpër krahinat celulat e partisë, çetat dhe njësitë ushtarake të tyre të drejtuara prej komisarëvet politikë, ndonëse në dukje kumandohëshin prej ndonjë kapadaiu vendas, i cili nuk luante dot më as djathtas as majtas se e ndiente grykën e kobures prapa kokës.

Me gjithë kundërshtimin midis tyre, çetat e Ballit Kombëtar dhe të komunistëvet nuk erdhën në përpjekje me armë gjer në vjeshtën e vitit 1943. Patën bërë gjatë asaj kohe, veças ose së bashku, disa vepërime kundër forcavet fashiste duke i detyruar ato t'i lëshonin postkumandat e krahinavet dhe të mblidhëshin nëpër qytetet. Kështu qëndresa shqiptare u bë e dëgjuar edhe përjashta. Më 10 Dhjetor 1942 Sekretari i Shtetit Amerikan, Cordell Hull, e përmendi qëndresën e vazhduarshme të popullit shqiptar kundër forcavet të pushtimit fashist, i premtoi ndihmë, dhe jepte sigurime për të përkrahur në t'ardhmen pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Nga një shpallje zyrtare t'atillë bënë njëri pas tjetrit edhe ministrat e Punëve të Jashtëme t'Anglisë dhe të Rusisë sovietike. Por shpallja e ministrit britanik, Anthony Eden, për të mos zemëruar Grekët, shtonte se kufijtë e shtetit shqiptar pas Luftës, në rast se nuk do të gjenin dot një rregullim të drejtpërdrejtë me fqinjët, do të bisedohëshin edhe njëherë në konferencën e paqes.

Deri n'atë kohë, ndonëse kishte disa çeta komuniste aty-këtu, pothuajse e tërë masa fshatare e malësore e Shqipërisë së jugës ishte ndën drejtimin e Ballit Kombëtar. Italianët me qeverinë kukëll të Mustafa Krujës, kur panë se politika e këtij për afrimin e rrymavet nacionaliste dështoi, vendosën të bënin një operacion të gjerë në jugë për të shtypur bërthamat e qëndresës. Për këtë qëllim dërguan në Vlorë dhe në Berat, dy bazat ngaha do të nisej operacioni, fuqi të mëdha të përbëra prej Italianësh dhe merçenarësh të rekrutuar si milici fashiste në disa malësi të veriut. Nga Vlora fuqitë fashiste u nisën për operacion në drejtim të Mesaplikut. Por tek Ura e Gjormit i priste kumandanti i çetavet të Ballit Kombëtar t'asaj krahine, Hysni Lepenica, i cili i goditi më 1 Jenar 1943, i shpartalloi dhe i bëri të këthehëshin në Vlorë. N'atë betejë mbeti i vrarë edhe kumandari italian i operacionit, kolonel Clementis.

Në të njëjtën kohë, auktori i këtij studimi ngriti në këmbë Skraparin, Tomorricën, Nahijen e Beratit, Sulovën, dhe rrethoi Beratin. Fuqitë fashiste që ndodhëshin në qytet, duke parë se ç'ngjau në Vlorë, nuk guxuan të delnin jashtë por mbetën nën mprojtien e tanksavet dhe t'artilerisë. Dy javë më vonë, kumanda italiane, duke përdorur të gjitha fuqitë e Beratit dhe të Kuçovës, provoi t'iu bënte natën një rrethim për vdekje çetavet të Ballit Kombëtar që ndodhëshin në Lapardha. Partia komuniste, e cila kishte agjentë n'ushtërinë italiane, ishte në dijeni të këtij plani. Dy djelmosha që bënin pjesë në të por që kishin simpathi edhe për Ballin, veçanërisht për auktorin e këtij studimi, erdhën dhe e lajmëruan këtë në mes të natës, pa lejën e Partisë. Kështu që ky, deri përpara mëngjezit, mundi të merrte masat për t'i shpëtuar rrethimit dhe për t'i vënë Italianët kundrejt një befasie nga e cila u tërhoqën të shpartalluar. Atëhere Partia komuniste nuk mungoi të hidhte një trakt plot mburrje për kumandarin "patriot" të Ballit. Mirëpo sot, kur këndon njeriu historinë e tyre, këto ngjarje ose i kalojnë në heshtje ose i paskan bërë ata! Luftën e Gjormit e kanë përvetësuar paturpësisht dhe s'e përmendin fare emrin e Hysni Lepenicës.

Pas këtyre ngjarjeve, qeveria e Mustafa Krujës dha dorëheqjen, në Jenar 1943, dhe u formua një tjetër qeveri bejlerësh nën kryesinë e Eqrem Libohovës. Po edhe ky, pas një muaji, ia lëshoi vendin Maliq Bushatit. Ishte krijuar një gjendje e atillë që asnjë qeveri fashiste s'mund të qëndronte në Tiranë.

Gjatë vitit 1943, fuqitë e Ballit Kombëtar u përpoqën shumë herë me Italianët, në qarkun e Beratit, sidomos në Mallakastër, në qarqet e Vlorës, të Korçës, t'Elbasanit. Po edhe Partia komuniste erdhi duke u forcuar me anë t'organizimit të saj, të disiplinës, të dinamizmit të të rinjvet, t'enthusiazmit që ngjallnin fitoret e ushtërisë sovietike, dhe sidomos me anën e tmerrit dhe të zhdukjes rrënjësore të çdo sektarizmi në radhët e saja.

Në prendverën e vitit 1943, arriti në Shqipëri i pari mision ushtarak britanik nën kumandën e kolonelit Maclean. Mbasi misioni pat rënë me parashutë në Greqi, EAM-i grek e përcolli tek komunistët shqiptarë. Këta deshën t'a mbanin të rrethuar, duke i prerë çdo mundësi takimi me qendrat e Ballit Kombëtar, për t'a shfrytëzuar ndihmën britanike n'interes të Partisë së tyre. Auktori i këtij studimi dërgoi një fuqi në mal të Leshnjës, e cila hyri përmes rojevet komuniste dhe i dorëzoi kryetarit të misionit britanik një shkresë që e ftonte këtë të merrte sa me shpejt takim me kumandën e Ballit Kombëtar për të vërtetuar identitetin e tij. Takimi u bë pas pak ditësh në katundin Përrenjas të Tomorricës. Ndonëse misioni britanik desh t'a siguronte Ballin Kombëtar se ai do të tregohej i paanshëm në çështjet e brendëshme të Shqipërisë dhe se do të ndihmonte vetëm luftën kundër pushtonjësit fashist, u kuptua që në fillim se Anglia, për t'i ndëjtur besnike marrëveshjes me Rusinë, ndihmoi deri në fund "Lëvizjen Nacional-Çlirimtare", domethënë komunistët. Më vonë ranë në Shqipëri me parashuta ose erdhën prej Greqie a prej Jugosllavie të tjera misione ushtarake britanike, por ndihmat që i dhanë Ballit Kombëtar qenë fare të parëndësishme dhe të papërdorshme (pak armë anti-ajrore dhe anti-tanks auktorit të këtij studimi). Kurse komunistëvet iu dhanë gjithëçka, armë e municione, veshmbathje e të holla, dhe këta ia tregonin popullit këto ndihma si një provë që nuk ishin komunistë por "Nacionial-Çlirimtarë" qyshse ndihmohëshin edhe prej Anglisë. Pastaj Radio e Londrës dhe, më vonë, ajo e Barit i merrnin mendjen njerëzisë me propagandën që bënin për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, domethënë për komunizmin.

Gjatë prendverës së vitit 1943 Italianët provuan të bënin disa operacione shkatërronjëse nëpër ato vende ku mund të punonte tanksi dhe kalorësia, domethënë në fushat dhe rreth qytetevet. Bënë dëme të mëdha sidomos rreth Fierit dhe në Mallakastrën e Poshtëme, duke fuqizuar një kriminel të vendit, Isa Toska, i cili kreu vrasje, djegie e mizori të hatashme. Kjo pat qënë sjellja m'e keqe e kumandës italiane në Shqipëri, e cila iu dha fuqinë lamashëvet për të kryer mbi popullin ato që s'mund t'i bënte vetë një ushtëri e rregullt. Në rrethet e Fierit dhe të Mallakastrës u vranë lart nga 2.000 frymë dhe ranë mjaft dëshmorë të Ballit Kombëtar.

Të ndihmuar nga misionet ushtarake britanike dhe duke parë se Italisë fashiste po i qasej fundi, komunistët bënë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm "Nacional-Çlirimtar", gjithmonë në Labinot t'Elbasanit, në fillim të Korrikut 1943, në të cilën krijuan "Shtabin e Përgjithshëm t'ushtërisë nacional-çlirimtare" me kumandar Spiro Moisiun dhe komisar politik Enver Hoxhën. Një muaj më vonë, më 15 Gusht, me armatimin që iu dha misioni ushtarak britanik dhe në prani të tij, formuan në Vithkuq të Korçës Brigadën e parë Sulmuëse, me kumandar Mehmet Shehun dhe komisar politik Dushan Mugoshën. Duhet shënuar këtu se, përveç armatimit që muarën nga misionet ushtarake të jashtëme dhe nga Italianët e dorëzuar, komunistët kishin mbledhur një pjesë të mirë t'armëvet që la me shumicë ushtëria greke kur u tërhoq papritmas, e goditur prej Gjermanëvet, në Prill 1941. Patën mbetur me atë rast në Shqipërinë e jugës aq armë e municione sa të luftonin dy "mbretëri". I tërë ai ferr zjarri e shkatërrimi u përdor më vonë, në Luftën civile, prej të dy anëvet.

Komunistët kishin filluar nga atentatet kundër disa antarëve të Ballit Kombëtar qysh në prendverën e vitit 1943. Por i shumëzuan ato mbasi e ndien vehten më të fortë dhe ndërkombëtarisht të përkrahur, e sidomos pas formimit të Brigadës së I-rë, të cilën Mehmet Shehu desh t'a pagëzonte me gjak Ballistësh.

Megjith durimin që tregoi Balli Kombëtar, gjithkush e ndiente me tmerr në zemër se punët do t'arrinin fatalisht në tragjedinë e një lufte civile. Kishte kundërshti të papajtuarshme ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë komuniste. Kjo e fundit drejtohej prej dy emisarëve jugosllavë, qëllimin e të cilëvet e muarën vesh edhe komunistët vetë pak më vonë. Kurse Balli Kombëtar ishte ndën kryesinë e Midhat Frashërit, udhëheqës i provuar, që përfaqësonte traditën e vërtetë nacionaliste dhe aspiratat e drejta të kombit shqiptar. Balli Kombëtar mundohej t'i tregonte popullit sesi qëndronte e vërteta, sesi paraqitëshin problemet dhe mundësitë e tija dhe si parashihej e ardhmja e Shqipërisë. Kurse Partia komuniste i tregonte ëndërra fantastike, prralla fëmijësh, dhe e gënjente në mënyrën më të paturpshme duke i thënë së bardhës "e zezë" dhe së zezës "e bardhë". Balli Kombëtar, që mundohej të ruante kasollen e bujkut dhe të kursente deri pikën e gjakut shqiptar - prandaj e goditte armikun nëpër vende ku s'mund të dëmtohëshm banesat dhe popullsia civile - ishte gjithmonë në kundërshtim me taktikën e komunistëvet, të cilët quanin "luftë" disa pushkë që hidhnin mbi forcat fashiste nëpër qendrat e popullsuara, me qëllim që armiku të bënte për hakmarrje djegie e vrasje në masë mbi popullin rreth e qark, se ashtu mund të shtohej numri i "proletarëvet", i t'arratisurvet që do të shumonin radhët komuniste. Një tjetër problem që e vinte Ballin Kombëtar në kundërshtim të papajtuarshëm me Partinë komuniste ishte çështja e Shqipërisë Ethnike. Dihej se Kosova e Çamëria kishin qënë shkëputur nga zgjedha jugosllave e greke prej fuqivet të Boshtit, dhe se bashkimi i tyre me Shqipërinë nuk mund të quhej çështje e rregulluar. Balli Kombëtar ishte i pari që e kuptonte atë punë, dhe çlirimin e atyre krahinave nuk e lidhte me rrethanën e një fitoreje të përkohshme të Gjermanisë naziste, por me të drejtën e vetvendosjes së popujvet që mbahej si parimi themeltar i Kartës s'Atlantikut, shpallur prej Roosevelt-it dhe Churchill-it më 14 Gusht 1941. Që popullsia e Kosovës, ose edhe e Çamërisë, t'ishin në gjendje për t'a kërkuar dhe për t'a mprojtur atë të drejtë, duhëshin organizuar dhe ndihmuar prej vëllezërve të tyre të Shqipërisë politike. Nëpër këtë rrugë e kuptonte Balli Kombëtar çlirimin e atyre krahinave dhe kjo ishte lufta që ai desh të bënte për Shqipërinë Ethnike. Por si mund t'a pranonte një gjë të tillë Partia komuniste, e cila ishte organizuar dhe drejtohej prej Jugoslllavëvet? "Puna e "Shqipërisë së Madhe" është puna e Shqipërisë së vajtuarshme, është vuajtja e vëllezërvet tanë të Kosovës; kjo "Shqipëri e Madhe" fashiste është lodra e hidhur në kurriz të popullit tonë dhe t'atij të Kosovës" - shkruante Enver Hoxha n'atë kohë. Bravo! Enver, që e parashikove aq bukur lumtërinë e ardhshme të vellezërvet tanë të Kosovës!

Megjithatë, për të larguar fantazmën tmerronjëse të luftës civile, Balli Kombëtar duroi të gjitha provokimet, shpifjet, cinizmin e komunistëvet, si edhe vrasjen e sa e sa antarëve. Kërkoi me të gjitha mjetet të vinte në një marrëveshje me atë stuhi prej ferri.

U duk një çast sikur ngjarjet ndërkombëtare do t'i detyronin të dy palët t'afrohëshin. Trupat britanike dhe amerikane zbritën në Siqeli, më 10 Korrik 1943. Më 25 t'atij muaji ra nga fuqia Mussolini, i arrestuar me urdhër të mbretit, dhe n'Itali u formua qeveria e Mareshalit Badoglio, që nënshkroi armëpushimin me Aliatët më 3 Shtator.

Ishte koha për të marrë vendime heroike për shpëtimin e atdheut. Balli Kombëtar i bëri thirrje Partisë komuniste për bashkimin e dy organizatavet në një forcë të vetëme kombëtare. Natyrisht, nuk ishte puna që njëra prej atyre të hynte ndën urdhërat e tjetrës; por të bashkëpunonin të dyja tok për shpëtimin e vendit dhe t'ia linin votës së lirë të popullit, zgjedhjen e mënyrës së qeverimit. Pas një takimi të parë midis përfaqësonjësve të Ballit Kombëtar dhe të Partisë komuniste, në katundin Tapias, afër Tiranës, më 26 të Korrikut, u caktua që të bëhej një mbledhje e të dy palëvet në Mukaj, një fshat afër Krujës, më 1 e 2 Gusht 1943. Kjo është Mbledhja e Mukajt që gëzoi për një çast tërë Shqipërinë, por që ca ditë më vonë shpresat e saja u mbytën në një pus trathëtie e gjaku.

Në Mukaj, të dy përfaqësitë ranë n'ujdi që të formonin një Komitet të përbashkët për Shpëtimin e Shqipërisë. Të dy palët do të luftonin kundër pushtonjësit fashist dhe çdo armiku tjetër që mund të sulmonte tokën shqiptare. Të dy palët do të luftonin për një Shqipëri të pavarur dhe ethnike. Forma e regjimit do të zgjidhej prej popullit vetë pas çlirimit të vendit. Komiteti i përbashkët do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të shpërndahej porsa që të formohej një qeveri e përkohshme.

Kjo marrëveshje shkaktoi, siç thamë, një gëzim të përgjithshëm dhe bota, pas një ankthi aq të gjatë, nisi të merrte frymë lirisht. Por komunistët, me shtytjen e emisarëvet jugosllavë, e prishën marrëveshjen e Mukajt disa javë më vonë, në një mbledhje që bënë në Labinot t'Elbasanit, dhe filluan luftën me armë kundër Ballit Kombëtar duke e quajtur "organizatë fashiste dhe bashkëpunonjëse me okupatorin".

Shkakun dhe mënyrën e prishjes së marrëveshjes së Mukajt i tregojnë mirë emisarët jugosllavë, të cilët ishin ata që e kumandonin Partinë komuniste shqiptare. "Shokët delegatë (shqiptarë) ranë në Mukaj në pozitat e nacionalistëvet, plot oportunizëm, dhe u kënaqën vetëm me ndonjë ndërrim të thjeshtë fjale ose fjalie", shkruanin ata më 13 Tetor 1943. Por le të nxjerrim këtu disa rreshta nga libri i bardhë jugosllav, botuar më 1949: "Disa antarë të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha, iu jepnin tepër rëndësi bisedimevet për marrëveshje me Ballin Kombëtar dhe nuk donin të zbatonin vendimet mbi krijimin e një ushtërie nacionalçlirimtare (komuniste), pse kishin frikë se mos zgjuanin dyshime në Ballin Kombëtar dhe dështonte marrëveshja... etj.

"...Kështu u arrit në kapitullimin e turpshëm t'antarëvet të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare përpara drejtonjësvet të Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukajt, më 1 dhe 2 Gusht 1943...

"...Në rezolutën e nënshkruar (ndërmjet Partisë komuniste dhe Ballit Kombëtar), në vend të përshendetjes "Vdekje Fashizmit -Liri Popullit" u vu fjala nacionaliste "Ja vdekje -Ja Liri". Ndër detyrat e Komitetit për Shpëtimin Kombëtar figuronte edhe krijimi i "Shqipërisë së Madhe", parrullë me të cilën vepronin pushtuësit italianë, gjithë qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar dhe trathëtarët e tjerë... ...Në vigjiljen e Konferencës së Mukajt, shoku Zvetozar Vukmanoviç-Tempo kishte arritur rishtaz pranë selisë së Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, që ndodhej në katundin Kucakë. Në mbledhjen e Komitetit Qendror, me kërkesën dhe insistimin e Koçi Xoxes, ai parashtroi pikëpamjen e tij në lidhje me qëndrimin kundrejt Ballit Kombëtar...

...Mbasi u vu mirë çështja edhe nga ana e Koçi Xoxes dhe e shumicës së Komitetit, u muar më në fund qëndrimi që duhej: Komiteti Qendror i P.K shqiptare e dënoi trathëtinë e turpshme të Mukajt...

...Menjëherë pas Konferencës së Mukajt u thirr në Labinot Konferenca e dytë e Komitetit Qendror të "Lëvizjes NacionalÇlirimtare", në gji të së cilës u muar një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar".

Ky "qëndrim i qartë e i prerë" që mori Partia komuniste kundër Ballit Kombëtar, me shtytjen e emisarit jugosllav Vukmanoviç-Tempo, ishte prishja e marrëveshjes së Mukajt dhe shpallja e Luftës civile.

Në Konferencën e dytë të Labinotit, e cila u mblodh më 4 Shtator, Enver Hoxha, për të larë vehten e tij përpara emisarëvet jugosllavë, tregohet m'i rreptë nga të tjerët kundër Ballit Kombëtar, marrëveshjes së Mukajt dhe atyre që e nënshkruan:

"Çështja e independencës u bisedua gjatë, po ashtu edhe çështja e Kosovës. Kjo çështje ka shërbyer edhe për Mustafa Krujën si mollë sherri, grindjeje e përçarjeje... Lufta jonë nacional-çlirimtare është një luftë popujsh, e përbashkët, krahas me aleatët kundër Boshtit... Populli shqiptar, që ka vuajtur, nuk do të dojë të skllavërojë tjetrin, që ka vuajtur si ai, e kësisoj reciprokisht. Kjo luftë i ka bashkuar popujt... Ne kemi mprojtjen e Bashkimit Sovietik, mprojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve... Pra vetë popullsitë në mes të tyre, në Kosovë, do të merren vesh dhe do të vendosin se nga të shkojnë... Delegatët tanë kanë diskutuar por nuk kanë ditur të mbrojnë pikëpamjet e tyre dhe e nënshkruan proçes-verbalin (e vendimevet të Mukajt). U shtua edhe një gjë tjetër: "Shqipëria Etnike". Kështu që pranohet teza e Ballit Kambëtar, i cili nuk bën luftë nacional-çlirimtare por lufton kundër nesh..." (Shih veprën Enver Hoxha, botuar në Tiranë më 1968, vëllim i I-rë, faqe 357-360).

Kokë e madhe politike ky Enver Hoxha! E parashihte se në Kosovë popullsitë do të merrëshin vesh vetë në mes të tyre se nga të shkonin, dhe se Bashkimi Sovietik do të mpronte shtetet e vogla dhe gjithë popujt! Ashtu ngjau me të vërtet pastaj... siç po e sheh sot tërë bota, deri edhe koka e Enver Hoxhës.

Pak ditë pas Konferencës së dytë të Labinotit, ku u dënua mendimi i Shqipërisë Ethnike dhe Enver Hoxha provoi me argumenta aq të forta se popullsitë në Kosovë do të merrëshin vesh vetë midis tyre se nga të shkonin, batalioni komunist i Haxhi Lleshit hyri në Dibrën e Madhe, mbasi ndodhej afër dhe s'kishte mbetur aty asnjë autoritet, dhe ngriti menjëherë këshillin nacional-çlirimtar të përbërë prej Shqiptarëve dhe Maqedonasve (ndonëse këta të fundit s'janë as dhjetë për qind në Dibrën e Madhe). Kur ç'të dëgjojë njeriu? Partia komuniste jugosllave, me anën e dy letrave nënshkruar prej Vukmanoviç-Tempos, me datë 13 dhe 23 Shtator 1943, lëshoi rrufetë mbi Komitetin Qendror të Partisë komuniste shqiptare duke kërkuar largimin e menjëhershëm të batalionit të Haxhi Lleshit nga Dibra e Madhe si edhe vënien e shtabit shqiptar nën kumandën e shtabit maqedonas. Dhe Enver Hoxha i paturpshëm ankohej sesi Vukmanoviç-Tempo-ja "akuzonte në mënyrë shpifëse shokun Haxhi Lleshi, komisarët politikë shqiptarë dhe Komitetin Qendror të Partisë komuniste shqiptare si shovinistë dhe shqiptaromëdhenj ". Këto dy fjalët e fundit i quante si një njollë Enver Hoxha! Kurse Jugosllavët nuk ishin jugosllovomëdhenj kur s'pranonin të shkelte këmbë ushtari shqiptar në Dibrën e Madhe ndonëse aty popullsia ishte nëntëdhjetë për qind shqiptare, kur deshën më vonë të merrnin Trieshtën e të tjera toka, dhe kërkuan t'a bënin Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë! (Shih mbi ngjarjen e sipërme, veprën Enver Hoxha, vëllim i I-rë, faqe 391 dhe 508).

Porsa e prishi marrëveshjen e Mukajt, Partia komuniste ose "Lëvizja nacional-çlirimtare", duke e paditur Ballin Kombëtar si organizatë "fashiste" e "tradhëtare" dhe duke e mbuluar me të gjitha të zezat, e goditi befas që prapa krahëvet, në një kohë kur ky po pregatitej t'iu qëndronte trupavet gjermane, të cilat po zbrisnin për të zënë vendin e ushtërisë italiane të kapitulluar. Atentatet filluan në të katër anët kundër antarëvet të Ballit, me një egërsi që s'ishte parë kurrë ndërmjet Shqiptarësh. Kudo që u kapën njerëz të kësaj organizate (të cilët nuk e prisnin një gjë të këtillë) u vranë e u therën në mënyrën më barbare, shpeshëherë duke iu nxjerrë syt, duke iu prerë veshë e hundë ose duke iu thyer kockat në tortura. Në një gropë të madhe që zbuloi Balli Kombëtar tek Përroi i Shipkës (në qarkun e Korçës), në Jenar 1944, gjeti 185 kufoma t'anëtarëvet të tij, masakruar në mënyrën më çnjerëzore, ku, midis cenevet te tjera, kishte edhe te rjepur ose të mbathur për së gjalli me gozhdë e potkonj kali. Më 21 Tetor 1943, Mehmet Shehu zuri afër Lushnjës 68 bujqër, ushtarë të thjeshtë të Ballit, dhe i vrau që të gjithë mbasi i vuri të hapnin më parë gropën e tyre të përbashkët. As fëmijët nuk i shpëtonin dot thikës së komunistëvet. Në Gjirokastër, për shembull, kur vranë barbarisht një grup nacionalistësh ndër të cilët edhe Muzafer Shehun, nuk kursyen as të birin e këtij pesëmbëdhjetë vjeçar, Duron, të cilin e therën me thikë përpara syvet dhe nëpër duart e s'ëmës. Ngado që shkonin komunistët digjnin me urë në dorë shtëpitë e Ballistëvet, domethënë shtëpitë e fshatarëvet të Toskërisë ndërtuar me djersë kurbetesh. Çdo laro që kumandonte pesë veta, komisar politik a sido që të quhej, kishte të drejtën t'i bënte "gjyqin e popullit" cilitdo, domethënë t'i fuste një plumb në kokë duke mbajtur një shënim në defter. Dhe në një psikozë t'atillë, merret me mend se sa të zellshëm tregohen zuzarët e ndyrë që bëhen prej një dite në tjetrën gjykatës sovranë mbi jetën e njerëzvet! Kështu që vrasjet e tyre më çdo rast e më çdo vend u bënë si një gjë e përditëshme, e zakonshme, sa që arritën, si tek Macbeth-i i Shakespeare-it, të mos i bënin më përshtypje askujt, as gravet dhe fëmijëvet!

Një mizori e këtillë nuk ishte parë në Shqipëri as prej Grekëvet dhe Serbo-Malazezvet më 1913-1914. Por këtë radhë ishte shumë m'e dhëmbshme, shumë më tragjike, kur Shqiptari ia bënte Shqiptarit! E përse t'i quajmë Shqiptarë ose njerëz ata mohonjës-gjakpirës të kombësisë, që s'kanë asgjë njerëzore në vetvehte? Vepërimet e tyre s'kanë shembuj as në historinë e Mongolëvet të Kohës së Mesme dhe ngjajnë vetëm me ato të kanibalëvet t'Afrikës.

I vënë përpara kësaj gjendjeje, Balli Kombëtar u mundua t'i qëndronte furtunës. Mblodhi fuqitë e tija dhe iu këtheu armët armëvet komuniste. Përleshja qe e rreptë, gjakderdhëse, shkatërronjëse. S'mbet fshat, s'mbet shtëpi pa u përgjakur, pa u përzhitur.

Mbasi komunistët kishin në këmbë disa njësi ushtarake vazhdimisht në lëvizje, t'organizuara me ndihmën e misionevet britanike, i përdorën ato për t'a tronditur Ballin me befasi. Kështu në vjeshtën e vitit 1943 u krijua një rrëmujë e shëmtuar, e cila ndryshonte sipas rastevet dhe krahinavet: atje ku komunistët ishin më të fortë, i sulmonin fuqitë e Ballit pa mëshirë, por nëpër krahina ku ishin më të dobët kërkonin të bënin me Ballistët marrëveshje lokale, të cilën e prishnin menjëherë porsa t'iu vinte ndonjë ndihmë, duke ua hedhur natyrisht përgjegjësinë kumandavet të Ballit. Përpjekjet ishin të përditshme si një sëmundje kronike, duke ndryshuar formë dhe përpjesëtim sipas vendit dhe rastevet. Prandaj është shumë vështirë të tregohet me hollësi një luftë civile, sepse aty nuk ka vija ushtërish frontale kundrejt njëra-tjetrës, por ndahen deri katundet e lagjet në dy parti të kundërta, dhe deri familjet (pat qëlluar të kishte edhe vëllëzer që merrnin anë të ndryshme ).

E vërteta është që Balli Kombëtar, ndonëse si numër kishte shumicën e madhe të fshatarësisë dhe të shkollarëvet, si forcë luftonjëse u pa qysh në fillim se ishte i një shkalle më t'ulët, dhe kjo për disa arësye të brendëshme (në radhë të parë, ajo e organizimit) dhe rrethana të jashtëme.

Po tregojmë më parë arësyet e brendëshme. Partia komuniste ishte nisur qysh në fillim me idenë e revolucionit komunist për marrjen e fuqisë, duke përdorur teknikën e organizimit dhe të gjitha metodat (të xhveshura nga çdo ndërgjegje morali) që patën qënë provuar në Bashkimin Sovietik. Ajo formoi më parë kuadrat nëpër qytetet me elemente që mund të disiplinohëshin dhe të fanatizohëshin n'ideologjinë marksiste si në një fe të re. Për të mbajtur njësinë e partisë, shtypi e çfarosi pa mëshirë çdo sektarizëm, domethënë të gjithë ata që donin të bënin më kokë të tyre duke formuar grupthe të vegjël, siç është përgjithësisht natyra e Shqiptarëvet. Dhe këtij qëllimi mundi t'ia arrinte jo vetëm sepse mënyra e organizimit të saj, e pështetur në terror dhe në spiunimin e njëri-tjetrit, e bën të mundshëm, po edhe sepse partia kumandohej prej të huajvet dhe paraqitej si diçka sipërnjerëzore, e rrethuar me një mistikë, si dikur shënjtëria e kalifit, e patrikut ose e papës. Kështu që mistika e partisë zinte në fundin psikologjik vendin e fanatizmeve të vjetër dhe pranohej verbërisht, duke i bërë partizanët të hidhëshin përpara me bindjen e dikurshme të Haxhi Qamilit. Puna që "partia" kumandohej prej të huajvet (që s'mund të gabojnë !), qofshin këta Dushan Mugosha, Kominterni apo Moska, e bënte të patundshëm besimin dhe pajtohej fare mirë me mendësinë e Shqiptarëvet, mësuar prej shekujsh të vështronin gjithmonë drejt qendrash të huaja. Mbasi pregatitën, fanatizuan dhe disiplinuan një pjesë kuadrash në këtë mënyrë, komunistët i përdorën mandej këto për të futur nën kontrollin e tyre popullin e qytetevet dhe të fshatravet. Atë masë popullsie që mundën t'a mblidhnin ndën kumandën e kësaj rrjete, e përdornin mandej si harapi kalin duke i dhënë vazhdimisht provën e plumbit prapa kokës.

Kurse Balli Kombëtar nuk kishte asgjë të këtillë. Ai nuk ishte një maqinë mekanikisht e lidhur, por një marrëveshje ndërmjet njerëzish, që ruanin mvehtësinë e tyre, me të gjitha të metat e natyrës njerëzore ose të mendësisë së veçantë të Shqiptarit. Në lëvizjet politike, si në çdo tjetër organizimin njerëzor, kuadrat janë gjithçkaja. Masat e gjera nuk mund të lëvizin dhe nuk mund të çohen n'atë ose në këtë drejtim veçse nëpërmjet të kuadravet. Dhe pikërisht formimit të kuadravet, që janë sistemi nervoz i çdo organizimi njerëzor, Balli Kombëtar s'i dha as më të voglën rëndësi. Ndërsa komunistët pregatitën më parë kuadrat e disiplinuara në djalërinë qytetare dhe mandej mblodhën ndër to fshatarësinë, Balli Kombëtar e nisi punën nga fshatrat për të pasur numrin sa më të madh, dhe kuadrat e çetavet ose të fuqivet t'armatosura të tija qëndruan fshatare gjer në fund. Këto nuk kishin as shkathtësinë, as bindjen, as disiplinën e kuadravet të fanatizuara dhe djaloshare komuniste. Djalëria e Ballit Kombëtar nuk lozi as një rol në drejtimin e masavet fshatarë. Ajo mbeti më fort për të bërë propagandë nëpër qytetet. Nuk i mungonte guximi, por mënyra e organizimit dhe e shtirjes në punë t'energjivet të saja. Më vonë u formuan nja dy batalionë me djalërinë qytetare të Ballit. Njëri shkoi e luftoi në Kosovë. Por roli i saj do të kishte qënë që të formonte kuadrat drejtonjëse të fuqivet t'armatosura, siç u përdor djalëria komuniste. Krahas me teknikën e organizimit, mjeti tjetër që përbënte forcën e Partisë komuniste ishte terrori. Këtë nuk mund t'a përdorte Balli, as djalëria e tij, as kurrkush nuk është penduar sepse nuk e përdori. Balli besonte dhe beson në ndërgjegjen njerëzore, në vleftat morale dhe kombëtare. Por do të kishte mjaftuar një pregatitje kuadrash, një organizim dhe përdorim m'i mirë i energjivet të djalërisë për t'i dhënë ndoshta fitoren. Natyrisht, përveç mungesës së terrorit, të cilin Balli s'mund t'a ushtronte, kishte dy anë të ligshta në Ballin Kombëtar, që më në fund, bashkë me mungesë-n e kuadravet, prunë shkatërrimin e tij. E para, ndërsa te komunistët urdhërat i jepte "partia", e ndier si diçka sipërnjerëzore, absolute, kundrejt së cilës s'mund të kishte fjalë as kundërshtim, tek Balli Kombëtar duhej t'i jepte Hasani apo Hyseni, duke u munduar t'i mbushte mëndjen gjithkujt. Dhe mbasi komunistët do të krijonin "botën e re", botën e prrallavet, kishte tek ata një tjetër enthusiazëm nga sa mund të ndjenin antarët e Ballit Kombëtar, të cilët nuk prisnin asgjë të mrekulluarshme. E dyta, në Komitetin Qendror të Partisë komuniste dhe te kuadrat e larta t'asaj do të kishte një pikëpamje, një mendim, një vendim. Ata që mendonin ndryshe, qërohëshin shpejt. Kurse Balli Kombëtar mbeti gjer në fund një marrëveshje ndërmiet njerëzish, me pikëpamje e interesa të ndryshme dhe shpeshëherë të kundërta. Qëndronin bashkë se s'kishin nga të mbanin. Disa idealistë luftonin me gjithë mend për realizimin e Dekalogut, të tjerë e kishin pranuar atë vetëm si një nevojë. Gjithkush e dinte se në Komitetin Qendror të Ballit Kombëtar kishte dy rryma me pikëpamje e drejtime të ndryshme. Por e vërteta: është se që të gjithë e donin Shqipërinë, dhe interesat kombëtare mundohëshin t'i mpronin. Kjo ishte e vetëmja lidhje midis tyre.

Mënyrat e ndryshme t'organizimit që përmendëm më sipër, shtrihëshin natyrisht edhe n'anën ushtarake e në taktikën e luftimevet. Fuqia ushtarake e komunistëvet ishte e organizuar në një mënyrë që, në rast nevojej mund të ndahej në celula të vogla, të shpërdahej përkohësisht pa i humbur ndërlidhjet, për t'u mbledhur përsëri në njësi të mëdha në rastin e volitshëm. Kështu për shemhull, kur Balli Kombëbar i sulmonte me fuqi të shumëta, forcat komuniste shpërdahëshin aty për aty në njësi të vogla dhe fshihëshin nëpër bazat e tyre. Pastaj me rastin më të parë mblidhëshin përnjëheresh në njësi të mëdha dhe sulmonin befas atje ku gjenin pikat më të dobëta. Organizimi ushtarak i tyre (i studiuar e i provuar prej Bolshevikëvet) ishte i bërë në një mënyrë t'atillë që të përkulej e të shpërndahej në celula të vogla sa herë që të binte ngushtë, por të mos shkatërrohej. Kurse njësitë e Ballit nuk e kishin atë shkathtësi, prandaj, kur shpërndahëshin, ishte e vështirë që të formohëshin prapë. U kuptua se fuqitë komuniste, edhe kur thyhëshin, nuk mund të zhdukëshin përsa kohë që kishin bazat se ku mund të fshihëshin. Dhe Balli Kombëtar nuk mund t'i zhdukte bazat e tyre mbasi nuk bënte ndjekje në popullsinë civile. Është e tepërt të shtojmë këtu se, nga ndryshimi i organizimit, komunistët gjenin gjithmonë shtek e mënyrë për të hedhur lloj lloj parullash disfatiste, për të futur lloj lloj intrigash shkatërronjëse në radhët ushtarake të Ballit Kombëtar, kurse ky s'mund të bënte asgjë të tillë në forcat komuniste.

Trotski, në Historinë e Revolucionit Rus, thotë se Bolshevikët (komunistët) në masën e madhe të fshatarësisë ruse nuk ishin veçse si ca pika uji n'oqean. Dhe megjithatë e shtruan atë masë ndën kontrollin e tyre, në sajë t'organizimit dhe të taktikës luftarake që përdorën.

Ballit Kombëtar nuk i erdhi asnjë ndihmë nga t'ashtuquajturit nacionalistë të Shqipërisë së Mesme dhe të veriut. Në dukje, këta linin të kuptohej, ose edhe e thoshin vetë, se e bënin me qëllim që Ballistë e Komunistë të hanin kokat njëri me tjetrin, për t'iu mbetur më në fund fuqia këtyre. Por ky ishte një shpjegim sa për të thënë diçka. Në të vërtetën, sistemi bajraktarist kishte vdekur, dhe krerëvet të veriut s'iu vinte pas askush veçse me rroga, sikurse patën shkuar disa herë pas Italinëvet dhe Gjermanëvet. Por Balli Kombëtar nuk kishte rroga t'iu jepte prandaj s'mundi t'i vinte në ndihmë askush prej atyre. Ato që thonë sot, se gjoja Balli Kombëtar nuk desh të bënte bashkimin, janë prralla n'erë. Balli Kombëtar nuk la çast e rast pa iu bërë thirrje, duke hedhur pas shpine çdo shkak përçarjeje, duke i lutur me tërë vullnesën e atij që ndodhet në të keq. Nuk i erdhi në ndihmë as e ashtuquajtura "Lëvizje e Legalitetit", e cila u formua nën kryesinë e Abaz Kupit në Nëntor 1943, pasi ishte ndezur lufta civile dhe komunistët ndodhëshin të kapërthyer me Ballin Kombëtar. Abaz Kupi deri atëhere kishte qënë antar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të komunistëvet. Vetëm kur këta u përleshën me Ballin, ai e ndieu vehten të sigurtë dhe u shkëput prej tyre për të formuar Lëvizjen e Legalitetit, që kishte për qëllim këthimin e Zogut në "fron" të Shqipërisë. Komunistët e përjashtuan zyrtarisht Abaz Kupin prej "Këshillit Nacional-Çlirimtar" në Dhjetor 1943. Por Lëvizja e Legalitetit nuk lozi ndonjë rol në luftën kundër komunistëvet as kundër Gjermanëvet. Ajo u shkreh vetvetiu porsa u mposhtën fuqitë e Ballit Kombëtar.

Ndërhyrja e ushtërisë gjermane e koklaviti gjendjen e brendëshme më shumë akoma. Gjermanët patën filluar të zbrisnin në Shqipëri në Gusht 1943, kur kapitullimi i Italisë pritej prej një dite në tjetrën. Balli Kombëtar u përpoq t'iu priste udhën dhe i goditi në disa pika: në Barmash (ndërmjet Korçës dhe Leskovikut), në rrugën e Qafës-së-Thanës, si edhe n'afërsitë e Vlorës e të Beratit. Por pikërisht në këtë kohë komunistët i ranë Ballit që prapa krahëvet duke hapur luftën vëllavrasëse. Atëhere lufta kundër Gjermanëvet u ndërpre. Vetëm disa muaj më vonë komunistët filluan kundër tyre taktikën që kishin ndjekur kundër Italianëvet, domethënë t'iu hidhnin disa pushkë mbi kokë nëpër qendrat e popullsuara, me qëllim që Gjermanët, për hakmarrje, të digjnin vendin rreth e rrotull dhe të vrisnin popullsinë civile. Këto pastaj, propaganda komuniste, me cinizmin më të ndyrë, ia ngarkonte Ballit Kombëtar, gjoja sikur i kishte shtytur ky Gjermanët të vepronin n'atë mënyrë.

Porsa hynë në Tiranë, Gjermanët, duke dashur të shfrytëzonin lidhjet e vjetra të kombit shqiptar me Austrinë, iu bënë Shqiptarëvet një shpallje në të cilën iu thoshin se ata vinin si miq, vetëm për nevoja ushtarake, dhe jo si pushtonjës; se ata nderonin dhe përkrahinin pavarësinë e Shqipërisë Ethnike, lirinë dhe asnjanësinë e saj. Pra iu njihnin Shqiptarëvet të drejtën për të pasur, si shtet i lirë, regjimin dhe qeverinë e tyre.

Kjo shpallje e Gjermanëvet tërhoqi një pjesë atdhetarësh të vjetër, tek të cilët nuk ishin shlyer akoma kujtimet e lidhjevet të dikurshme me Austrinë, si edhe disa të rinj me kulturë gjermane ose grupi i Deutschkultur-ës, siç quhej atëhere. Prej këtyre u formua një i ashtuquajtur "Komitet Ekzekutiv i Përkohshëm", i cili pregatiti, me shtytjen e Gjermanëvet, mbledhjen e një "parlamenti" ose "asamble kombëtare", më 16 Tetor. Kjo "asamble" që s'e zgjodhi askush, shpalli ndarjen e Shqipërisë nga Italia dhe caktoi regjimin e shtetit shqiptar me një Këshill të lartë të Regjencës nën kryesinë e Mehdi Frashërit. Regjenca mandej emëroi një qeveri.

Pranimi i Mehdi Frashërit dhe i disa të tjerëve, që mbahëshin si atdhetarë të vjetër, të formonin një qeveri dhe kryesi shteti gjoja të pavarur, ndën Gjermanët, tërhoqi në fillim mjaft Shqiptarë, për dy arësye: e para, Gjermanët kishin shpallur që e njihnin pavarësinë e Shqipërisë ethnike dhe se nuk kishin ardhur si pushtonjës por si miq, për nevojat e përkohëshme të Luftës. Prandaj të qënët e tyre në Shqipëri nuk shikohej njëlloj si ai i Italianëvet, të cilët e patën pushtuar e lidhur vendin me Italinë, për t'a bërë si një krahinë të saj. E dyta, shumë Shqiptarë nuk shihnin sesi mund t'i qëndrohej ndryshe rrezikut komunist, që po tregohej m'i tmerrshëm nga çdo tjetër tmerr. Pastaj e kuptonin se komunizmi po derdhte gjithë atë gjak për të sjellë Rusinë sovietike ose Jugosllavinë, të cilat nuk ishin më të mira nga Gjermania. E kuptonin gjithashtu se lufta që komunistët donin t'iu bënin Gjermanëvet kishte për qëllim t'i lehtësonte peshën Rusisë sovietike dhe t'i shërbente si një mbulesë revolucionit komunist. Sepse, në të vërtetën, edhe sikur të gjithë Shqiptarët të shkrihëshin në luftën kundër Gjermanëvet, nuk mund t'a shpejtonin as për një ditë tërheqjen e këtyre nga Shqipëria, deri sa këta të thyhëshin prej fuqivet të mëdha që kishin të njëjtat armë e mjete të motorizuara. Balli Kombëtar, që i kuptonte mirë këto probleme, detyrohej t'i luftonte Gjermanët për t'u treguar i lidhur me demokracitë e Perëndimit dhe i rreshtuar n'anën e popujvet liridashës, domethënë për nevojë politike. Por nuk donte që të bëhej vendi shkrumb e hi, duke e ditur, siç thamë, se edhe sikur të shuhëshin të gjithë Shqiptarët, s'mund t'a shpejtonin as për një ditë largimin e Gjermanëvet.

Regjenca dhe qeveria shqiptare, me gjindarmërinë dhe administratën që krijuan, ishin sa për dukje, sepse në të vërtetën atje ku ndodhëshin Gjermanët, fuqinë e kishin ata. Gestapo-ja e famëkeqe e tyre u fut kudo si një rrjetë dhe kontrollonte gjithçka. Agjentët shqiptarë të saj, atje ku mundnin, u bënë hajdutët dhe kriminelët më të fëlliqur të vendit. Gjermanët vunë dorë mbi vajgurin dhe minierat e tjera të Shqipërisë, dhe Bankës Kombëtare të kësaj i rrëmbyen rezervën e arit që ndodhej në Romë.

Për të pasur sa më pak goditje prej Shqiptarëvet, Gjermanët e shtynë sa mundën luftën civile ndërmjet komunistëve dhe Ballit Kombëtar. Ky i fundit, i sulmuar befas prej partisë së tmerrit dhe duke mos mundur të qëndronte në të dy krahët, u shtrëngua t'a ndërpriste luftën kundër Gjermanëvet. Kurse këta, nga ana e tjetër, ndonëse gjatë dimrit dhe në prendverën e vitit 1944 lëshuan disa trupa në ndjekje të komunistëvet, nuk deshën t'a shuanin lëvizjen e tyre, për t'a lënë të kapërthyer me Ballin Kombëtar.

Gjermanët, atje ku sulmohëshin prej Shqiptarëvet, vrisnin e digjnin për hakmarrje e terror sa shtëpi dhe burra gjenin prej popullsisë civile në një rreze prej disa kilometrash rreth e qark. Prandaj Balli Kombëtar i pat goditur nëpër rrugë e vende të pabanuara, ku ata s'kishnin se ç'të prishnin. Kurse komunistët, përkundrazi, iu hidhnin disa pushkë nëpër vendet e popullsuara dhe mandej tërhiqëshin, ndërsa Gjermanët bënin kërdi rreth e rrotull. "Nacional-Çlirimtarët" kënaqëshin mandej duke ia ngarkuar këto krime Ballit Kombëtar! Puna u keqësua më tepër kur Gjermanët zunë të përdornin banda kriminelësh, siç patën bërë Italianët me Isa Toskën. Këto dhe disa trupa SS që formoi qeveria e Tiranës në bashkëpunim me kumandën gjermane, propaganda komuniste ia vishte si gjithnjë Ballit Kombëtar.

Përveç forcës së brendëshme që mundën të krijonin, komunistët u ndihmuan nga të gjitha rrethanat e jashtëme. Pikë së pari, patën ndihmën e misionevet ushtarake britanike, jo vetëm n'armë e municione po edhe si propagandë. Radio e Londrës dhe më vonë ajo e Barit, n'emisionet shqipe, nuk përmendnin veçse "punët e mëdha" të "Lëvizjes Nacional-Çlirimtare" duke ia fshehur kësaj karakterin komunist dhe duke e bërë popullin të besonte se vetëm kjo ishte dhe njihej prej Aliatevet të Perëndimit. Anglezët vepronin në këtë mënyrë jo vetëm për t'i bërë volltën Rusisë, po edhe sepse duke e ditur që komunistët s'kishin asnjë ndërgjegje kombëtare dhe asnjë qëllim tjetër veç marrjes së fuqisë, i shtynin me ato mjete për t'a hedhur popullin shqiptar pa kursim në luftën kundër Gjermanëvet. Nga ana tjetër, pas kapitullimit t'Italisë, 15.000 ushtarë e oficerë italianë të divizionit "Firenze", nën kumandën e gjeneral Azzi-t, me armët, municionet, artilerinë dhe tërë materialin luftarak, u dorëzuan te komunistët. Këta krijuan me ish-pushtonjësit fashistë njësi ushtarake, sikurse batalionin "Antonio Gramshi", për të vrarë Shqiptarët. Mandej lëvizja komuniste pati sidomos përkrahjen e forcavet jugosllave të Tito-s dhe atë t'EAM-it grek. Kuptohet vetiu se zbritja e Rusisë sovietike në Ballkan, me enthusiazmin që ngjalli te komunistët dhe simpathizonjësit e tyre, ishte një ndihmë e pamohuarshme. Kurse Balli Kombëtar nuk pati asnjë ndihmë të jashtëme nga asnjë anë.

I tronditur gjer në thellësi të shpirtit prej atij drami kombëtar, Balli iu bëri thirrje disa herë komunistëvet për t'i dhënë fund luftës civile dhe për të gjetur një rrugë bashkëpunimi, duke i luftuar edhe Gjermanët po për aq sa lejonin mundësitë e Shqipërisë. Mirëpo Partia komuniste kishte të tjera qëllime: ajo nuk donte t'a ndante fuqinë me asnjë tjetër grup Shqiptarësh dhe, duke u treguar se gjoja luftonte kundër ushtërisë gjermane për çlirimin kombëtar, përpiqej të pregatiste forcat e nevojshme për të vendosur diktaturën e saj. Prandaj bëri çmos për të përhapur mendimin se, përveç "Lëvizjes Nacional-Çlirimtare" (domethënë Partisë komuniste), çdo grup tjetër shqiptar ishte "fashist, trathëtar, armik i popullit dhe bashkëpunëtor i Gjermanëvet". Në një dokument të fshehtë të Partisë komuniste që zuri Balli Kombëtar në Berat, nënshkruar nga "Shpati" (pseudonimi i Enver Hoxhës), iu jepëshin komitetevet krahinorë të gjitha udhëzimet sesi dhe pse duhej t'a bënin luftën kundër Ballit, tregohëshin hapur të gjitha qëllimet djallëzore dhe anti-kombëtare t'asaj partie. Kështu duke shfrytëzuar enthusiazmin e pastër të djalërisë dhe të një pjese të popullit shqiptar se gjoja bënin luftë kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, komunistët pregatitën ndën këtë mbulesë forcat e nevojshme për të vendosur diktaturën e tyre t'urrejtur.

I shtrënguar prej tyre dhe i vënë me shpatulla në mur, Ballit Kombëtar s'i mbetej rrugë tjetër veçse t'iu qëndronte me anën e armëvet. Përleshjet qenë të forta dhe të tmerrshme. Mbasi e mblodhi vehten nga tronditja e parë, Balli Kombëtar, që kishte gjithmonë shumicën si numër, çoi në këmbë fuqitë e veta të qarqevet të Beratit, t'Elbasanit e të Korçës dhe, nga gjysma e Nëntorit 1943, u hodh në sulmim të përgjithshëm kundër komunistëvet, në një vijë që shkonte prej Mallakastre gjer në malësi t'Oparit. Pas një muaji e gjysëm luftimesh të rrepta, komunistët u thyen në të gjitha pikat dhe u tërhoqën në malësi të Përmetit e në Kurvelesh. Mjerisht, n'atë krah fuqia e Ballit ishte dobësuar me vrasjen e Hysni Lepenicës dhe 34 kumandarëve çetash nga më trimat, në Grihot të Gjirokastrës, në një përpjekje kundër Italianëvet. Kështu që në, Kurvelesh komunistët mundën të mbahëshin. Një dobësim solli edhe në qarkun e Korçës zhdukja e Safet Butkës i cili, në një çast dëshpërimi, vrau vehten.

Me gjithë humbjet e mëdha që pësuan, dhe thyerjen e krahëvet në Labëri, fuqitë e Ballit i mbajtën pozitat e tyre gjatë dimrit 1943-44, dhe u duk sikur komunizmi do të mposhtej. Por ajo periudhë ka qënë ndoshta një nga më të zezat që ka hequr kombi shqiptar. Rrugët u prenë, krahinat u ndanë nga njëra tjetra, lufta vëllavrasëse vazhdonte kudo, komunistët bënin tmerre duke djegur e vrarë, gjaku rridhte papushim. Shumë familje "balliste" u shpërngulën nga krahinat e shkelura prej komunistëvet, ku s'iu kish mbetur shtëpi as katandi, dhe sillëshin nëpër baltra me gra e fëmijë si në kohën e pushtimit grek më 1914.

N'atë rrëmujë të përgjithshme, ku s'merrte vesh i pari të dytin, ku s'mund të jepeshin urdhëra as mund të mbahej rregulli, dhe ku terrori komunist u bë si një ankth i paduruarshëm, Balli Kombëtar pësoi tronditjen më të madhe, një pjesë e elementevet të tij (ata që ishin grumbulluar në të rastësisht) nisën të shkëputëshin dhe të shkonin si banda pas Gjermanëvet, ashtu siç bënë edhe disa nga të "nacional-çlirimtares" komuniste. Anarkia dhe rrëmuja s'kishin se ku të shkonin më tutje. Por ndërsa komunistët e shkaktonin vetë atë gjendje me qëllim që të merrnin fuqinë përmbi gjak e gërmadha, ata që jetonin në shpirt dramin më të tmerrshëm ishin udhëheqësit e Ballit Kombëtar, të cilët u përpoqën të bënin çdo gjë që njerëzisht ishte e mundur për të frenuar pasionet e dobëta, për të ndaluar anarkinë, për të vënë disiplinën, rregullin, për të mprojtur e shpëtuar atë që mund të shpëtohej.

Mjerisht revolucionet janë si një valë e rrëmbyer që, bashkë me vleftat më të larta, nxjerrin në sipërfaqe pasionet më të ulëta, fundërritë më neveritëse të natyrës njerëzore. Në kohë t'atilla ku s'mund të vihet rregull dhe kontroll aq sa duhet, ku çdo laro me një pushkë në krahë ka rast të bëjë shpeshherë ligj, çdo gjë varet nga shkalla e edukatës dhe moralit civik të popullit. Kjo shkallë për fat të keq, tek popujt e Ballkanit është fort e ulët. Sidoqoftë, nëse dikush duhet t'a ketë përgjegjësinë politike të gjendjes që u krijua në atë kohë dhe që vazhdoi pastaj, ky "dikush" s'mund të jetë tjetër veçse Partia komuniste, e cila është shkaktarja e tërë atij ferri që hoqi dhe që po heq populli shqiptar.

Në prendverën e vitit 1944, u duk se komunistët po ju delnin përpara fuqive të Ballit. Ndonëse brigadat e tyre ishin më të shumtën shifra absrakte, kishin formuar deri atëhere nja 10 a 12, të cilat i mbanin vazhdimisht në lëvizje për të goditur kudo forcat e Ballit Kombëtar. Më 24 Maj 1944, komunistët mundën të mblidhnin në Përmet "Kongresin Antifashist Nacional Çlirimtar", i cili krijoi një "Komitet Antifashist Nacional Çlirimtar" prej 13 antarësh, i veshur me fuqitë e një qeverie të përkohëshme. Kryetar i Komitetit u emërua Enver Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë komuniste. Shpalljet dhe thëniet e "Kongresit Antifashist" të Përmetit kundërshtonin njëra-tjetrën: mënjanë thuhej se asnjë grup ose parti nuk mbizotëronte në "Lëvizjen Nacional-çlirimtare", nga ana tjetër i thureshin lëvdata Partisë komuniste që e kishte udhëhequr popullin në rrugën e çlirimit!

Balli Kombëtar mblodhi rreth tij bërthamat më të forta të forcave që i kishin mbetur, kumandën e të cilave e mori auktori i këtij studimi. I vënë midis dy zjarresh ndërmjet komunistëvet dhe Gjermanëvet, Balli mundi të mbahej akoma në disa krahina të Shqipërisësë jugës gjer në Gusht 1944. Por n'atë kohë pësoi një tjetër humbje, sepse një nga shtyllat e tij të qarkut të Vlorës dhe antar i Komitetit Qendror, avokat Skënder Muçua, me dy bashkëpunërë të vlefshëm, të gjurmuar prej disa agjentëve shqiptarë të gestapo-së, u kapën prej Gjermanëvet dhe u pushkatuan që të tre. Mbasi qëndresa e fuqive të Ballit, në jugë, u bë e pamundur, auktori i këtij studimi me njësitë ushtarake që i kishin mbetur kaloi në Shqipërinë e Mesme ku vazhdoi t'iu bënte disa goditje të forta kolonavet gjermane, gjatë muajve Shtator e Tetor, duke u mprojtur njëkohësisht kundrejt sulmeve të komunistëvet. Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar shpresonte akoma se mund të bëhej një bashkim forcash në Shqipërinë e veriut me "Lëvizjen e Legalitetit" dhe disa krerë bajraktarë. U provua një farë bashkëpunimi me Abas Kupin, por ky as nuk kishte ndonjë fuqi të vërtetë, as donte të vinte në përpjekje me komunistët ndonëse ata i hipën malësisë së Krujës. Me thirrjen e Ballit Kombëtar, u bë një mbledhje e disa krerëve të Shqipërisë së veriut në një katund të Kurbinit, nga mbarimi i Shtatorit, si një përpjekje e fundit për bashkimin e forcavet. Nga ana e Ballit Kombëtar merrnin pjesë Midhat Frashëri dhe auktori i këtij studimi. Pas disa bisedimesh të kota, u kuptua se krerëvet të veriut s'iu kishte mbetur asnjë forcë përveç fjalëve të mëdha. Madje komunistët kishin hyrë nëpër malet e tyre dhe disave iu kishin djegur edhe shtëpitë.

Duke mbajtur si bazë fortesën e Prezës, fuqitë e Ballit Kombëtar i vazhduan vepërimet kundër ushtërisë gjermane gjatë muajit të Tetorit, ndërsa komunistët kishin hyrë në Shqipërinë e veriut, kishin zënë Krujën dhe po i përqëndronin brigadat e tyre në fushën ndërmjet Krujës dhe Tiranës për t'iu dhënë grushtin e fundit forcave të Ballit. Nga mbarimi i Tetorit e rrethuan natën fortesën e Prezës dhe, në të zbardhur të mëngjezit, hapën zjarr nga të katër anët. Pas një luftimi të rreptë prej 12 orësh, auktori i këtij studimi e çau rrethimin dhe i tërhoqi fuqitë e Ballit në drejtim të Ishmit e të Bregut-të-Matit.

Qëndresa në fushë të hapët kundër brigadavet komuniste ishte bërë e pamundur, sepse i tërë vendi ndodhej pothuajse ndën kontrollin e tyre mbasi në Shqipërinë e veriut nuk gjetën asnjë kundërshtim të organizuar. Kështu që, në fillim të Nëndorit, auktori i këtij studimi u shtrëngua ti shpërndante fuqitë e Ballit në çeta të vogla, mbasi të këthehëshin gjer në Shqipërinë e jugës si një trupë ushtarake e rregullt, ndënë kumandën e Muharrem Kapllanit, Maliq Dusharit, Tefik Sfirit dhe Haxhi Mirakës. Kurse ai vetë do të qëndronte disa kohë në Shqipërinë e veriut për të provuar nëse do të kishte mundësi organizimi dhe krijimi forcash të reja me kuadra të reja për të vazhduar luftën. Pastaj do të zbriste në jugë, sido që të zhvillohej gjëndja, i vendosur që t'a mbante lart flamurin e lirisë kundër komunizmit. Nuk kishte çast më dramatik. Ata burra që e kishin ndjekur kumandarin e tyre me plot bindje gjatë tre vjetëve, në shi e në dëborë, në çdo rast të gatshëm për t'u hedhur në zjarr, pa asnjë shpërblim vetëm për lirinë e Shqipërisë, për të cilën kishin lënë prindër e motra, gra e fëmijë, ata burra e dëgjuan urdhërin në një heshtje madhështore. Me vijat e fytyrës si tejza çeliku, e shikuan kumandarin në sy, pa rrahur qepallat, duke mbledhur në atë shikim të tëra pyetjet, të tërë forcën e shpirtit. Edhe ai i shikoi në sy me një vështrim që përmblidhte të tërë dramin e çastit, po edhe vullnetin e atyre që nuk thyhen prej fatkeqësivet, që duhet të qëndrojnë deri në fund si burra. Duket se u kuptuan të dy palët. Oficerët, mbasi muarën urdhërat, drejtimet sesi duhej të vepronin, dhe mbasi kumandari i tyre i përqafoi një e nga një, paraqitën bashkë me trupën për-nder-armët duke thirrur: "Rroftë Shqipëria!"; dhe u vunë në lëvizje, ballin lart, me të njëjtin shpirt dhe me të njëjtin çap sikur nisëshin për sulm. Atë ditë mbyllej por jo pa mbresë heroizmi, një fletë e historisë së Ballit Kombëtar.

Me gjithë shpifjet e paturpëshme të komunistëvet, që ia kthyen Ballit Kombëtar të gjitha armët e zjarrit e të propagandës, sepse vetëm aty shikonin një ide kombëtare të organizuar e të pajtuar me kuptimin e lirive njerëzore, Balli Kombëtar u tregua si e vetëmja lëvizje thjeshtë shqiptare për t'i qëndruar me armë çdo armiku të jashtëm e të brendshëm që iu turr atdheut, fashist, nazi apo komunist; u dëftye si i vetëmi vullnet kombëtar i organizuar për të mprojtur lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë Ethnike. Edhe nëqoftëse një pjesë e Ballit Kombëtar, gjithmonë ndënë shtrëngimin e komunistëvet, u çthur dhe, për të gjetur shpëtim, u pështet pas Gjermanëvet, pati edhe një pjesë tjetër që i qëndroi atij ferri nga të dy anët dhe bëri ç'ishte njerëzisht e mundur për t'a nxjerrë vendin nga ajo gjendje. Në këtë studim flitet për këtë pjesë të Ballit Kombëtar, që s'u thye kurrë në shpirt, që e mbajti lart idenë e Shqipërisë Ethnike, idenë e lirisë për të gjithë Shqiptarët dhe kuptimin e panjollë të Flamurit të Skënderbeut.

Komunistët, me cinizëm neveritës, shfrytëzuan të gjithë enthusiazmin e një pjese të djalërisë dhe të popullit për të bërë gjoja luftë kombëtare kundër pushtonjësve të huaj, duke e ditur se vetëm për atë lloj lufte kishte enthusiazëm. Pastaj, ndënë atë mbulesë, me mynyrat e tyre djallëzore e pasi i futën ato forca në një disiplinë të hekurt, i përdorën pikërisht kundër lirisë, kundër Ballit Kombëtar, duke e paraqitur këtë si bashkëpunëtor të armiqve të jashtëm, deri sa vendosën më në fund diktaturën e tyre të përgjaktë. Në Shqipëri po rritej një brez i shëndoshë, një djalëri e gjallë, e shkathët, e bukur, energjitë e së cilës, sikur t'ishin derdhur në një drejtim të vetëm- në drejtimin kombëtar -do të kishin bërë çudira, do të kishin korrur fitore të pa shembullta në historinë e re të Shqipërisë dhe të krahasuarshme me ngjarjet e lavdishme të kohës së Skënderbeut. Përse i tërë ai hov, ajo energji, ai enthusiazëm u përdor për të djegur vendin, pët të nxirrë jetën e krejt një populli, për të munduar, për të shtypur Shqiptari Shqiptarin me aq helm edh' egërsi? Ç'farë instiktesh prej qeni të tërbuar fshihen në natyrën e një komunisti?

Më 22 të Tetorit, në një mbledhje që bënë në Berat, komunistët e ndërruan "Komitetin Antifashist Nacional Çlirimtar" në "Qeveri Demokratike të Shqipërisë" me kryetar gjeneral-kolonel Enver Hoxhën. Në mbarim të Nëntorit, qeveria komuniste u vendos në Tiranë, ku bëri që në ditën e parë një banjë prej gjaku duke vrarë nja 300 veta që gjeti nëpër hotelet, mbledhur aty prej krahinash të ndryshme të Shqipërisë. Pastaj vrasjet vazhduan rregullisht, nga tetë e nga dhjetë viktima në javët për çdo qytet.

Një pjesë e antarëvet të Ballit Kombëtar, me Midhat Frashërin në krye, kaloi në Itali.

Auktori i këtij studimi qëndroi në qarkun e Shkodrës bashkë me vëllezërit Kazazi, duke shpresuar në mundësinë e një organizimi të ri të forcave të Shqipërisë së veriut. Populli i rrethevet të Shkodrës i mbajti kudo me mikpritjen dhe burrërinë e zakonshme, por ishte fare i papregatitur për një lëvizje të organizuar. Krerët e dikurshëm kishin mbaruar për gjithmonë, dhe kuadrat e reja s'mund të formoheshin aq lehtësisht, sidomos që u bë e pamundur dalja e djemve të rinj prej Shkodre në mal. Katundarët e ngratë nuk kuptonin se ç'ishte komunizmi, as sesi mund të luftohej, as kishte kurrfarë mundësie për t'u bërë një punë e organizuar me ta. Në Jenar 1945, auktori i këtij studimi dhe vëllezërit Kazazi ngritën më këmbë një fuqi dhe provuan të lironin Shkodrën, me qëllim që të vinin në lëvizje djalërinë, por çështja dështoi sepse me grumbuj katundarësh s'mund të bëhej asgjë. Për të luftuar komunizmin duhej një forcë e inkadruar dhe ushtarakisht e stërvitur.

Për fat të keq, edhe gjendja ndërkombëtare po shkonte gjithnjë në dobi të komunizmit. N'atë kohë u mblodh ndërmjet tre të Mëdhenjvet Konferenca e Jaltës, ku Roosevelt-i, të cilit i ishte sklerozuar truri, ia la Stalinit gjysmën e Evropës. Komunistët u siguruan se Rusia po delte mbizotëronjëse në Ballkan.

Në Shkurt 1945, duke parë se s'mund të bëhej asgjë në veri, auktori i këtij studimi zbriti në Shqipërinë e jugës, sipas fjalës që iu kishte dhënë shokëve të luftës, dhe qëndroi aty gjer në mbarim të atij viti. Por komunistët të ndihmuar prej dimrit të jashtëzakonisht t'ashpër, s'kishin lënë çetë balliste të gjallë, kumandarët e tyre i kishin vrarë ase kapur gjysëm të ngrirë në dëborë. Për t'a shijuar "fitoren" me ca çfaqje si ato të Romakëve të vjetër kur nxirrnin gladiatorët në cirkus, komunistët ngrehën "gjygjet e popullit" nëpër kinematë e qytetevet, ku mbulonin me të shara e pështyma viktimat e tyre përpara se t'i grinin me plumba. Çfaqja m'e dukshme e këtij lloji u bë në kinemanë e Tiranës, me Koçi Xoxen si kryetar Gjyqi dhe gjeneral Bedri Spahiun si prokuror të përgjithshëm.

Auktori i këtij studimi, gjatë verës së vitit 1945, pati rastin të këndonte nëpër gazeta edhe zhvillimin e atyre "gjyqeve", si kupa m'e hidhur që komunizmi i kishte ruajtur për më në fund. Por ajo kupë helmi shoqërohej me një ndjenjë krenarie për qëndrimin e denjë që mbajtën shokët e tij të luftës përpara gjykatësve-xhelatë. Asnjëri prej tyre nuk u trondit, askush prej tyre nuk u përul sa të kërkonte mëshirë, askush nuk e mohoi Ballin Kombëtar dhe idenë e tij. Kishin luftuar si trima dhe vdiqën si dëshmorë, me burrëri stoike.

Përveç Ballistëvet, komunistët zhdukën edhe shumë Shqiptarë të tjerë, sidomos prej krerëvet të Shqipërisë së veriut. Disa nga këta u vranë burrërisht duke luftuar me armë në dorë, por mbasi pritën që komunizmi t'iu vinte gjer në katund. Ishin treguar fare të paaftë për organizim dhe parashikim. Kështu gjaku i tyre shkoi kot, siç ka shkuar pothuajse gjithmonë gjaku i Shqiptarëvet.

Nuk janë bërë akoma statistika të plota mbi humbjet, vrasjet dhe djegjet që pësoi Shqipëria prej komunistëvet gjer më 1945. Sipas një raporti të misionit t'organizatës U.N.R.R.A. të Kombevet të Bashkuar, ishin vrarë 30.000 veta, ishin djegur e shkatërruar 18.000 shtëpi, ishin bërë rrafsh më se 200 katunde dhe kishin mbetur pa strehë më se 100.000 Shqiptarë. Të gjitha këto humbje Partia komuniste, me ulërima qeni, u a ngarkon Gjermanëvet dhe "Ballistëvet", kurse është ajo vetë shkaktarja e tërë atij mjerimi, e tërë asaj katastrofe kombëtare. Ballistët nuk digjnin kurrë shtëpira; këto digjëshin vetëm prej Komunistëvet dhe Gjermanëvet. Po edhe këta të fundit, zakonisht, digjnin vetëm në një rreze prej disa kilometrash rreth e qark atje ku sulmohëshin prej Shqiptarëvet. Dhe, siç kemi thënë më lart, komunistët iu hidhnin qëllimthi disa pushkë pikërisht në vendet e banuara, duke e ditur që më parë se Gjermanët do të zbatonin rregullin e tyre të hakmarrjes duke djegur e vrarë mbi popullsinë civile. Por komunistëvet aq iu bënte, përsa kohë që me ato mënyra forconin pozitën e tyre ose i lehtësonin peshën e luftës Rusisë, duke ia ngarkuar mandej djegiet dhe rrënimet Ballit Kombëtar. Nuk kemi akoma një listë të plotë as të viktimavet të pastajmë të komunizmit, t'atyre që Partia vrau ose kalbi nëpër burgje e kampe, t'atyre që u mbuluan gjysëm-të-gjallë nëpër hendeqe, t'atyre që vdiqën nga uria dhe torturat. Por thuhet me siguri se nëpër burgje e fusha përqëndrimi kanë vdekur lart nga 20.000 veta. Historia e Partisë komuniste shqiptare është një neveri gjaku dhe mish njeriu.

Për fat të keq, gjatë asaj kohe popullsia shqiptare pësoi humbje të mëdha edhe në krahinat përtej kufijvet, në Çamëri dhe në Kosovë. Në verën e vitit 1944, bandat greke të gjeneralit Zervas, n'Epir, u lëshuan edhe njëherë me egërsinë e dikurshme mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë duke vrarë, djegur e tmerruar. Në Gusht të atij viti, lart nga 20.000 çamër, me gra e fëmijë, të ndjekur këmba-këmbës, u futën në Shqipëri, pa mundur të merrnin asgjë me vehte, xhveshur e zbathur si mos më keq. Me këto mënyra Greqia e shoi pothuajse krejt popullsinë shqiptare të Çamërisë.

Të hatashme qenë edhe vrasjet që pësoi popullsia shqiptare e Kosovës prej policisë jugosllave në bashkëpunim me komunistët e Shqipërisë. Kemi parë më sipër se çfarë rrufesh lëshoi Partia komuniste jugosllave mbi Partinë komuniste shqiptare kur, në Shtator 1943, një çetë e Haxhi Lleshit guxoi të hynte në Dibrën e Madhe. Mirëpo, në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1944, Jugosllavia mendoi se mënyra më e mirë për të shtruar Kosovarët, të cilët kërkonin bashkim me Shqipërinë, ishte që të sillte aty brigadat komuniste të Shqipërisë, gjoja sikur vinin për të ndihmuar Jugosllavët në luftën kundër Gjermanëvet. Në të vërtetën, kjo manevër luhej për t'iu treguar Kosovarëvet se popujt e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë ishin "vëllazëruar" midis tyre, e prandaj shqiptarët e Kosovës ndodheshin mirë atje ku ishin, ndënë thundrën jugosllave. Megjith atë "vëllazërim" dhe atë zell që po tregonin komunistët shqiptarë sa të çonin djemtë e popullit të Shqipërisë edhe në tokën jugosllave për të derdhur gjakun e tyre kundër Gjermanëvet, egërsia jugosllave u çfaq si gjithmonë, e pandryshuarshme, kundrejt Shqiptarëvet të Kosovës. Përveç sa kishin vrarë çetnikët e kriminelit Mihajloviç, të cilët, në Jenar të vitit 1943, të kumanduar prej gjeneralit-xhelat Gjuriçiç, ranë në Bihor të Kosovës si një tufë bishash t'etshme për gjak dhe vranë, në një natë, përmbi 5.000 Shqiptarë, pleq, gra e çiliminj; përveç sa e sa të mjerëve që ishin vrarë më parë, regjimi komunist jugosllav nuk ndryshoi nga të tjerët. Ndërsa komunistët e Tiranës kremtonin "vëllazërimin" shqiptaro-jugosllav dhe dërgonin djemtë e popullit shqiptar të vritëshin kundër Gjermanëvet në Jugosllavi, U.D.B.-ja (policia e Sigurimit) jugosllave vriste Shqiptarë me grumbuj në Gjilan, Prishtinë, Drenicë, Pejë, Prizrend, Gjakovë, Mitrovicë, e të tjera qytete të Kosovës e të Maqedonisë. Me mijëra djelmosha shqiptarë të atyre krahinave, që u thirrën "ushtarë" ose në "punë të detyruar", nuk u kthyen më kurrë në familjet e tyre. Dy mijë e ca të rinj prej Kosove u helmuan me gaz në Gorizia dhe një mijë e dyqind të tjerë u pushkatuan në Tivar. Ka pasur gjithësejt lart nga 60.000 Kosovarë të vrarë prej regjimit Titoist jugosllav gjatë kohës së bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë komuniste të Tiranës. Jo vetëm në Jugosllavi, por policia jugosllave u lejua të hynte edhe në Shqipëri për të vrarë lart nga 1.000 kosovarë që kishin ardhur aty të gjenin strehë me besimin se Shqipëria ishte atdheu i tyre. Dhe Enver Hoxha thoshte në atë kohë se "emri i Titos ndodhej i shkruar jo në malet dhe në qytetet e Shqipërisë, por në zemrat e Shqiptarëvet". Kurse sot na mallëngjen me lotët e krokodilit që derdh për Kosovarët, të cilët përmenden prej qeverisë së Tiranës vetëm për nevojë propagande kundër Titos, nga frika se mos ky ndërhyn e u jep një shqelm Hoxhës dhe Shehut për t'i zëvëndësuar me ndonjë klikë Titoiste.

Më 2 Dhjetor 1945, komunistët bënë "zgjedhjet" për t'ashtuquajturën "Asamble Kushtetonjëse". Mbasi në regjimet komuniste nuk ka parti kundërshtare, dhe "zgjedhjet" e tyre janë një përdhunim i popullit me anën e policisë, "Fronti Demokratik" fitoi 93 për qind të votavet! Më 10 Jenar 1946, "Asambleja Kushtetonjëse" shpalli "Republikën Popullore" të Shqipërisë dhe, më 15 Mars, Kushtetutën e re. Sipas kësaj, Asambleja Kushtetonjëse u bë "Asamble e Popullit" ose parlament, që zgjedh antarët e Presidiumit.

Prej datës që erdhën në fuqi e gjer më 1948, komunistët e Tiranës qëndruan të lidhur ngushtë pas Jugosllavisë dhe të gjitha marrëdhëniet i patën bërë me këtë. Jugosllavët erdhën të zinin vendin e dikurshëm t'Italianëvet si këshilltarë të ministrivet, ekspertë të ushtërisë, teknikë dhe inxhinjerë të ndërtimevet dhe ndërmarrjevet industriore etj. Ishin Jugosllavët ata që ua bënin planet e zhvillimit ekonomik "shokëve" të Tiranës, që iu dërgonin organizatorë të çdo dege dhe i përkrahnin në konferencat e jashtëme ndërkombëtare. Mbasi agjenti kryesor i Jugosllavisë ishte Koçi Xoxe, i cili, si ministër i Punëve të Brendëshme, kishte në dorë edhe policinë e fshehtë, përveç tmerrit që ushtroi në popull, ai u përpoq me të gjitha mënyrat për t'a bërë praktikisht Shqipërinë një "republikë" jugosllave. Kështu, i tërë ai enthusiazëm, i tërë ai gjak i djalërisë dhe i popullit ishte derdhur për t'a sjellë fatin e Shqipërisë në duart e Koçi Xoxes!

Në Qërshor 1946, Enver Hoxha bëri një vizitë në Belgrad, ku lidhi një traktat miqësie dhe ndihme reciproke me Jugosllavinë. Në Nëntor t'atij viti u nënshkrua ndërmjet qeverive jugosllave dhe shqiptare një marrëveshje e gjërë ekonomike, e cila do t'arrinte në bashkimin doganor, në njësimin e monedhavet dhe në një ekonomi të bashkërenditur, domethënë në përfshirjen e ekonomisë shqiptare në ekonominë jugosllave. Në shkollat shqipe studimi i gjuhës serbo-kroate u bë i detyruar dhe studentët shqiptarë shkonin për të plotësuar studimet e larta n'universitet e Jugosllavisë. Një nga ndërtimet kryesore ishte hekurudha Tiranë-Durrës-Elbasan, e cila, duke ndjekur luginën e Shkumbinit, do të delte në Pogradec, për të lehtësuar lidhjet e brendëshme të Jugosllavisë me Durrësin. Si dikur Italia fashiste, Jugosllavia nisi t'i jepte rëndësi ndërtimit në Shqipëri të disa rrugëve me karakter strategjik. Qeveria e Tiranës, për t'i paguar Jugosllavisë maqinat e para (disa shkatërrila jashtë përdorimit) që mori për "industrializimin" e vendit edhe armatimin, i dha mallin e magazinavet që ishte grumbulluar me shumicë në Shqipëri gjatë kohës së tregëtisë me Italinë, si edhe prodhimet e nëntokës dhe një pjesë t'atyre të mbitokës, duke ia hequr popullit kafshatën nga goja.

Rusia, ndonëse e kishte njohur qeverinë e Tiranës që më 10 Nëntor 1945, ia kishte lënë Shqipërinë n'atë kohë si një copë koloni Jugosllavisë, aq sa nuk pati me atë asnjë traktat gjer më 1948 dhe nuk e përfshiu n'asnjë nga garantitë e mprojtjes që iu jepte satelitëvet të tjerë. Nga bisedimet e Djilas-it me Stalinin, kuptohet se ky i fundit nuk kishte asnjë përfillje për Shqiptarët dhe se Shqipërinë e shikonte si një mvarëse të Jugosllavisë.

Nga ana tjetër, Jugosllavët bënin çmos për t'a mbajtur Shqipërinë të veçuar nga e tërë bota, që ajo të mos kishte tjetër pështetje përveç atyre. Më 1946, Amerika desh t'a ndihmonte popullin shqiptar me anën e organizatës U.N.R.R.A dhe dërgoi një mision amerikan në Shqipëri. Kërkoi gjithashtu lidhje marrëdhëniesh diplomatike të rregullta me qeverinë e Tiranës duke u treguar e gatëshme t'a njihte këtë; por bisedimet dështuan sepse komunistët nuk pranuan marrëveshje të veçanta të dyanëshme ndërmjet Shtetevet-të-Bashkuar dhe Shqipërisë. Komunistët shqiptarë, duke e pasur pothuajse tërë popullin kundër dhe duke u mbajtur në fuqi vetëm me anën e një regjimi policor, kanë frikë prej marrëdhënivet të lira me botën e Perëndimit se mos hapet në popull ndonjë plasaritje sado e vogël, e cila do të zgjerohej shpejt dhe do të shkaktonte rrëzimin e tyre. Prandaj e mbajnë akoma popullin shqiptar të mbyllur si në burg duke i prerë çdo mundësi takimi më botën e jashtëme.

Në Traktatin e Paqes që u nënshkrua më 1947, Italia hiqte dorë nga të gjitha të drejtat, konçesionet, pasuritë dhe interesat që kishte pasur në Shqipëri (Neni 29), dhe njihte gjithashtu se ishulli i Sazanit ishte pjesë e Shqipërisë (Neni 28). Kurse Greqia kërkoi që "çështja e Epirit të Veriut" të vihej në bisedim në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1946. Propozimin e Greqisë e kundërshtuan Molotov-i dhe nën kryeministri jugosllav Kardelj-i. Por sidomos ndërhyrja e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Byrnes, që e hodhi poshtë propozimin grek, dhe e ashtuquajtura çështje e Epirit të Veriut nuk u muar fare në bisedim.

Megjithatë, regjimi i Tiranës vazhdoi të të mbante një qëndrim armiqësor kundrejt Amerikanëvet dhe të pengonte çdo vepërim të misionit të tyre në Shqipëri. N'ato kushte Amerika i njoftoi qeverisë së Tiranës, më 5 Nëtor 1946, se nuk kishte më asnjë arsye që misioni i saj të qëndronte në Shqipëri.

Atëhere policia e Koçi Xoxes u vu menjëherë në lëvizje për të kurdisur proçesin e inxhinjerëve të Maliqit, të cilët kishin qënë gjoja në lidhje me misionin amerikan dhe qenë shtytur prej këtij për të sabotuar punimet e tharjes së liqenit. Gjashtë inxhinjerë u varën, misioni amerikan iku prej Shqipërie, dhe kjo ngeli si një rraqe e lidhur pas Jugosllavisë! Dhe kulmi i komedisë ishte se vetë Jugosllavia, ku kishin varur të gjitha shpresat "të mënçmit" e Tiranës, është mbajtur me ndihmën e Amerikës.

Po n'atë mënyrë u godit misioni ushtarak britanik, sikur kishte dashur gjoja t'organizonte një komplot kundër regjimit. Kjo e ndaloi Anglinë t'i vazhdonte më tej bisedimet e nisura me 10 Nëntor 1945 për njohjen e qeverisë së Tiranës. Punët u keqësuan edhe më shumë kur, me 22 Tetor 1946, dy anije lufte britanike, një kryqëzor dhe një destrojer, ndeshën në mina të vëna prej komunistëvet shqiptarë, ose me dijeninë e tyre, në kanalin e Korfuzit. Përveç shkatërrimit të dy anijevet, mbetën të vdekur dyzet-e