XXVI

Shtetit të ri i paraqitëshin probleme të rënda, sepse çdo gjë ishte për t'u krijuar. Shqipëria kishte dalë prej Perandorisë Otomane me një strukturë ekonomike primitive dhe me sistemin shoqëror të kohës së sulltanëvet. M'e keqja ishte se ajo kish dalë si një shtet gjysmak, me kufij artifiçialë që këpusnin prej trupit të saj krahinat më pjellore dhe me popullsi më të dëndur, siç ishin Kosova e Çamëria, pjesë natyrore të Shqipërisë, që lidhëshin me këtë, nga ana gjeografike, ekonomike e njerëzore, si gjymtyrët e një organizmi.

Në këto kushte, ishte shumë e vështirë që Shqipëria të gjente një ekuilibër ekonomik e shoqëror të brendëshëm, në pajtim me qytetërimin e kohëvet të reja. Prandaj edhe jeta politike e saj kaloi nëpër një varg ngjarjesh të shëmtuara, nga të cilat nuk ka dalë akoma.

Shteti shqiptar i porsalindur paraqiste një grumbull kontrastesh që duhëshin zbutur, pajtuar, për t'a bërë të mundshme jetën e tij. Këta kontraste ishin fort të dukshëm në rrafshin shoqëror ekonomik dhe në rrafshin shpirtëror.

Dy elementet kryesorë t'ekonomisë shqiptare ishin bujqësia dhe blegtoria. Por e shumëta e tokavet pjellore nëpër fushat përbënte prona të mëdha ose çifliqe në zotërim të bejlerëvet, domethënë të klasës gjysëm-feudale që kishte pasur fuqinë gjatë sundimit otoman. Kurse në malësitë e veriut qëndronte klasa patriarkale e krerëve dhe e bajraktarëve. Këta, duke mos pasur toka, qenë mësuar të shisnin gjakun e malësorëvet duke i bërë të vritëshin si merçenarë, djathtas e majtas, në shërbim të Turqisë a të kujtdo që i paguante. Me bejlerë e bajraktarë mbahej kleri, i cili atëhere, sikurse dhe sot, merrej më shumë me politikë se sa me fe, ose më mirë të themi e përdorte fenë për qëllime politike. Bejlerët ishin përgjithësisht klasa m'e mësuar dhe m'e stërvitur n'administratë, mbasi kishin qeverisur në kohën e Turqisë. Mandej jo vetëm që kishin akoma fuqi në popull, po edhe dinin të tërhiqnin pas tyre klerin, agallarët, borgjezinë, dhe deri krerë e bajraktarë të veriut. Prandaj në të gjitha qeveritë shqiptare, prej vitit 1912 dhe gjer pas 1920-ës, vendin e parë e zinin bejlerët dhe rolin kryesor e loznin këta. E vërteta është që bejlerët e kishin shqisën politike mjaft të hollë, më të shumtën e herës kërkonin përkrahjen e klerit dhe t'atdhetarëvet duke ftuar e pranuar në qeveri disa përfaqësonjës të këtyre. Ky "bashkëpunim" mund t'ecte shumë a pak përsa kohë që tërë përpjekja e Shqiptarëvet bëhej në drejtim të pavarësisë kombëtare. Sepse as bejlerët nuk kishin interes që vendi të pushtohej prej Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilat do t'ua rrëmbenin, me kohë, pozitat dhe çifliqet. Kurse kundrejt Italisë, që kishte shumë të ngjarë t'a sundonte Shqipërinë sipas mënyrës koloniale, në bashkëpunim me klasën feudale të vendit, nuk treguan kundërshtim të gjithë bejlerët. Gjatë Luftës së Vlorës, për shembull, Eqrem Vlora, Myfit Libohova, Fejzi Alizoti e të tjerë mbajtën anën e Italisë.

Natyrisht, përveç bejlerëvet, ishin atdhetarët e dalë nga borgjezia ose edhe nga populli, prej të tri fevet, dhe të shumët shkollarë. Por këta nuk përbënin dot një rreth më vehte pa bejlerët, të cilët kishin jo vetëm emër dhe fuqi po edhe përvojë politike më tepër. Prandaj këta bashkëpunuan gjithmonë me bejlerët, dhe s'mund të bënin ndryshe përsa kohë që përpjekja kishte për qëllim pavarësinë kombëtare.

Kur Shqipëria u njoh shtet më vehte pas vitit 1920, vëmendja e të gjithëve u kthye në luftën politike të brendëshme. Atëhere filluan të përpiqëshin interesat në kundërshtim. Bejlerë e agallarë nuk donin të humbisnin pozita e çifliqe, krerë e bajraktarë të veriut, mësuar të jetonin autonomë dhe të bënin si t'iu pëlqente nëpër krahinat e tyre, jo vetëm që s'kishin dëshirë t'i shtrohëshin një qeverie qendrore, por kërkonin edhe rroga nga çdo anë që t'iu delnin; kleri s'mund të rrinte pa bërë pak politikë dhe pa futur hundën kudo; atdhetarët e dalë prej radhëvet të borgjezisë ose të popullit kishin nevojë, edhe këta, për ndonjë rrogë të majme e ndonjë copë kolltuk, si shpërblim për shërbimet e kryera ndaj atdheut. Prej vitit 1922, filluan të grumbullohëshin në Shqipëri edhe besnikët e Sulltanit që përzuri prej Turqie revolucioni Qemalist; nisën edhe këta të kërkonin pozita e rroga prej një Shqipërie, e cila u ra ndër mend në minutën e fundit kur s'kishin se ku të vinin.

E tërë kjo tufë parazitësh duhej të jetonte tash në kurriz të një shteti të vogël, të një ekonomie primitive, të një populli të varfër, i cili tani ndodhej i mbyllur brenda kufijve të ngushtë dhe nuk mund të përhapej më, për të fituar, në tërë Perandorinë Otomane, si më përpara. I vetëmi kurbet ku Shqiptarët mund të fitonin dhe të ndihmonin familjet e tyre kishte mbetur tani Amerika; po edhe të hollat që hynin prej Amerike në Shqipëri, mezi mjaftonin për të ngritur më këmbë murishtat e djegura prej Grekëvet, për të mbajtur familjet e mbetura pa strehë.

Sa për popullin, nëntëdhjetë për qind përbëhej prej fshatarësh dhe malësorësh. Mbasi industri nuk kishte pothuajse fare, punëtoria e qytetevet ishte aq e pakët sa që nuk çonte asnjë peshë. Kurse borgjezia (tregëtarë e zejtarë të pasur) tërhiqej xvarre pas klasës sundonjëse.

Populli (fshatarë e malësorë) kishte lëvizur deri atëhere vetëm për të mprojtur vendin kundër armiqve të jashtëm, domethënë s'kuptonte tjetër përpjekje përveç luftës kombëtare. Është e vërtetë se në jugë, dhe deri diku në Shqipërinë e Mesme, fshatarët nuk e donin klasën e bejlerëvet. Por mbasi ishin mësuar prej shekujsh që të shkonin pas tyre, dhe s'kishin asnjë ide për reformën agrare, për bankat dhe organizimet bujqësore n'interes të fshatarësisë, qëndronin të lidhur si më parë. Pastaj pak nga pak u shkëputën prej bejlerëvet por, duke mos pasur një organizim të fshatarësisë, mbetën përsëri të lidhur pas disa krerëve më të vegjël, agallarë e borgjezë, ose ranë në mos interesim. Ata që vazhduan t'a kishin edhe për disa vjet popullin me vehte, qenë krerë e bajraktarë të veriut. Kjo i detyrohej gjendjes më primitive të popullit t'atyre krahinave, mbetur në mendësinë e ngushtë të fisit, dhe autoritetit që kishin fituar mbi të krerë e bajraktarë, të cilët formonin si një hierarki ushtarake të pranuar prej kohësh. Kështu, ndërsa populli i Shqipërisë së jugës i bindej zakonisht qeverisë qendrore dhe nuk lëvizte veçse për shkaqe të mëdha kombëtare, ai i malësivet të veriut ishte gati të rrëmbente armët saherë që t'a thërrisnin krerët (duke i premtuar, natyrisht, ndonjë pagesë). Prandaj krerë e bajraktarë të veriut u bënë "sipërmarrësit" e përmbysjevet politike shqiptare, për të cilët kishin nevojë jo vetëm klikat e ndryshme të Tiranës që luftonin kundër njëra tjetrës, po edhe armiqtë e jashtëm, në radhë të parë Jugosllavia. Kjo iu jepte rroga të rregullta disa krerëve të veriut, si në Dibër e gjetkë, dhe provoi disa herë të përmbyste shtetin shqiptar me anën e tyre. Këta e bënë zakon t'i lëshohëshin Tiranës sa herë që mund të çonin në këmbë tre a katër qind veta t'armatosur dhe me nga një thes në krahë, për të bërë një udhë e dy punë: edhe për të marrë në dorë shtetin, edhe për të plaçkitur dyqanët!

Sa për grindjet e politikanëvet të Tiranës ndërmjet tyre, ndonëse ata formonin "parti" me emra popullorë e tingëllorë kundër njëri-tjetrit, ato mbetëshin gjithmonë personale, domethënë të frymëzuara nga "ideologjia" e thjeshtë: "pse të jesh ti n'atë pozitë e të mos jem unë". Natyrisht, të gjitha lëvizjet e tyre bëhëshin n'emër dhe për të mirë të popullit: njëri kërkonte reformën agrare, tjetri ishte kundër duke e quajtur këtë si një murtajë bolshevike; por në të vërtetën, populli, i gënjyer kushedi sa herë, as nuk iu vinte veshin as nuk i kuptonte të mirat që donin t'i sillnin politikanët e Tiranës. Ai paguante taksat dhe votonte për atë ose për këtë, nganjëherë mund të çohej edhe me armë pas atij ose pas këtij, jo për "idenë" e tij po për lidhjet personale që kishte me të. Zhurmat rreth reformavet, demokracisë etj., i bënte një pjesë e djalërisë së qytetevet, e udhëhequr atëhere prej Shoqërisë Bashkimi, dhe i trumbetonin disa politikanë me prejardhje popullore , ose edhe ambiciozë prej klasës së bejlerëvet, që s'kishin ndër mend t'i zbatonin kurrë, por me anën e kësaj demagogjie donin të gjenin pështetje në popull kundër rivalëvet të tyre politikë. Mbasi lidhjet me popullin ishin, siç thamë, personale, dhe zhurmat e djalërisë shkollare nuk dëgjohëshin përtej disa kafeneve qytetesh, "revolucionet" përfundonin si ai i 1924-ës, duke sjellë në fuqi të tjera klika që ishin barabar kundër reformavet. Prandaj "lëvizjet popullore me karakter social" t'atyre kohëve, për të cilat flasin komunistë e "progresistë" janë një paraqitje fantazie. Dhe çështja është aq afër mendsh sa e kupton edhe një fëmijë: mbasi nuk kishte një punëtori, dhe mbasi fshatarsia nuk ishte e organizuar dhe drejtuar, kush do t'a bënte "lëvizjen popullore", çifligarët dhe politikanët e të gjitha aventuravet që ishin mbledhur në Tiranë? Është e vërtetë se një borgjezi m'e mësuar filloi të mëkëmbej dhe, bashkë me një pjesë shkollarësh, formoi pak nga pak një lloj klase të mesme, por kjo nuk dëgjohej në popullin fshatar e malësor, i cili shkonte akoma pas lidhjevet të vjetra.

Këtë përbërje të strukturës shoqërore shqiptare dijti t'a shfrytëzonte Zogu, i cili ishte më praktik nga kundërshtarët e tij. Zogu nuk u lodh me "ide e programe reformash", por lidhi pas vehtes, me anë rrogash dhe gradash, disa krerë e bajraktarë të malësivet të veriut, duke i bërë "oficerë kreshnikë" dhe duke iu lënë, natyrisht, "dorë të lirë" nëpër krahinat e tyre. Me këtë fuqi i theu kundërshtarët e tij, u bë diktator, mbret, dhe formoi administratën e shtetit me "besnikë", domethënë me rrogtarë të nënshtruar e dallkaukë. Më vonë Zogu, i shtytur prej Italisë, krijoi edhe një ushtëri, por sa për paradë, sepse fuqinë e mbajti duke u pështetur në "kreshnikët", me anën e të cilëvet shtypte kryengritjet që çohëshin kundër tij. Ky sistem pabarasie shoqërore qëndronte, natyrisht, mbi një shkallë pabarasie ekonomike shumë të largët ndërmjet të pasurvet dhe të vobektëvet. Këtyre iu mungonte buka e kripa, kurse të pasurit (çifligarë, monopolistë e njerëz të regjimit) jetonin në një luks që bënte kontrast të dhëmbshëm me varfërinë e vendit.

Kontrastevet shoqërorë edh'ekonomikë iu shtohëshin kontrastet shpirtërorë. Si në çdo vend, mendësia e Shqiptarëvet paraqiste ndryshmësitë e saja prej krahine në krahinë, diku m'e hapur diku m'e mbyllur, sipas shkallës së zhvillimit që kishte arritur secila. Një ndryshmësi më të madhe ndoshta paraqiste mendësia e shkollarëvet, të cilët nuk ishin edukuar në një qendër kulture shqiptare, por nëpër shkolla turke, greke, italiane, austriake, frënge, amerikane etj., duke marrë secili diçka nga mendësia e popullit ku kishte bërë mësimet. Mbi të gjitha këto, kontrasti shpirtëror m'i madh ishte ai i krijuar prej fevet. Turkomania dhe grekomania, këto dy murtaja të kombësisë shqiptare, nuk mund të shlyhëshin nga shpirti i atyre që i kishin pasur, prej një dite në tjetrën, sepse Shqipëria dolli shtet i pavarur. Por kushtet e jashtëme për njërën ndryshuan dhe nuk ishin si për tjetrën. Myslimanët turkomanë mund të derdhnin lot mallëngjimi sa të donin për kohën e Baba Dovletit, Shqipërinë prej Turqisë e ndante tani gjeografia; revolucioni Qemalist i fshiu mbeturitë e fanatizmit mysliman edhe në Turqi vetë; Komuniteti Mysliman shqiptar nuk varej më prej Sheh-yl-Islamit, të cilin Mustafa Qemali e përzuri edhe prej Turqie më 1924. Kështu turkomanët shqiptarë do të shërohëshin me kohë prej lëngatës së tyre, ose s'mund t'ia linin trashëgim nipërisë. Kurse puna ishte krejt ndryshe me grekomanët. Sepse Greqia ishte gjithmonë në kufi, politika e saj kundrejt Shqipërisë, e pështetur në fenë, nuk kishte ndryshuar as një qime, as mendësia e Grekëvet që fe e kombësi i përzjejnë bashkë. Kleri orthodoks, shumica grek ose i rritur në shkolla greke, nuk mund të zvirdhej aq lehtë prej helenizmit, dhe propaganda greke iu trumbetohej orë e çast Orthodoksvet shqiptarë se gjoja ishin një pakicë e shtypur prej Myslimanëvet. Ishte e vërtetë se atdhetarët orthodoks qenë munduar t'a kundër-luftonin këtë propagandë, por ndjenjat grekomane i kishin rrënjët më të thella: ishte çështje kulture dhe fanatizmi fetar gjatë shekujve. Për t'a kombëtarizuar Kishën e tyre ashtu siç kanë bërë të gjithë popujt orthodoks të botës, Shqiptarët orthodoks t'Amerikës, me Fan Nolin në krye, e organizuan Kishën shqiptare si një dioqezë të pavarur që më 1919. Fan Noli përkëtheu shqip një pjesë të liturgjisë. Më 1922, Kongresi i Përgjithshëm i Orthodoksve Shqiptarë, mbledhur në Berat, shpalli Kishën Autoqefale Shqiptare, të cilën Patriakana e njohu 15 vjet më vonë, më 1937, duke e bekuar me tomin e saj si Kishë të pavarur. Por kjo nuk i pengoi Grekët që të vazhdonin këngën e vjetër duke helmatisur me propagandën e tyre popullsinë orthodokse, sidomos borgjezinë e edukuar nëpër shkolla greke, e cila e ndjente vehten gjithmonë "të shtypur", edhe kur Shqipëria e shtypte me napolona ari!

Përpara se të bëjmë një përmbledhje të shkurtër mbi ngjarjet e pastajme të Shqipërisë, ishte e nevojshme që të hidhnim këtë shikim mbi kontrastet shoqërorë dhe shpirtërorë nëpër të cilët u zhvillua jeta politike shqiptare pas fitimit të pavarësisë. Përndryshe ato ngjarje do të mbetëshin të pakuptuarshme.

Është për t'u shënuar me kënaqësi se qeveritë shqiptare, të gjitha sa erdhën njëra pas tjetrës, sado të meta që të kenë pasur n'anë të tjera, treguan shumë kujdes që të qëndronin krejt të paanshme përsa iu përkiste fevet. Shqiptarët u shikuan të njëllojtë, të paktën nga kjo anë. Ky shpirt vëllazërimi ndërmjet fevet u tregua prej udhëheqësvet që në kohën e Lidhjes së Prizrendit, ose edhe më parë. U vërtetua në qeverinë e Ismail Qemalit si dhe në të tjerat që erdhën pastaj. Është tjetër punë se çfarë vlefte morale kishin njerëzit që zinin vend në qeveri e në shkallët e larta të shtetit; kjo varej nga regjimet, dhe ishte një e keqe e barabartë për nënshtetasit e të tri fevet. Mbasi shumica e madhe e atyre që patën administruar dhe mbajtur armët në dorë në kohën e Turqisë kishin qënë myslimanë, ishte krejt e kuptuarshme që këta elemente, të cilët ndodhëshin gati, do të përbënin shumicën edhe n'administratën dhe në kuadrat e fuqivet t'armatosura të shtetit të ri shqiptar. Sikurse elemente të fevet të tjera, të cilët ishin më të mësuar, përbënin shumicën në kuadrat e arësimit të mesëm dhe ndoshta në disa degë të tjera t'administratës shtetërore. Nëqoftëse regjimi i Zogut u pështet më fort në fuqinë e disa malësive të veriut, kjo nuk u bë për çështje feje po për arësyet që treguam më sipër dhe iu rëndonte njëlloj edhe krahinave të tjera myslimane. Prandaj një farë ndieshmërie e tepëruar që tregonin disa elemente se gjoja ishin viktimë e dallimevet fetare, nuk na duket e justifikuarshme.