XXIV

Shqipëria u zgjua vonë dhe, si organizim shtetëror, të cilin po e fillonte tani, ndodhej njëqind vjet më pas nga fqinjët e saj ballkanike. Nuk kishte as njësim politik, as administratë të përqendruar, as ushtëri, as arësim, as institute të larta, as industri, as teknikë, as kuadra, as bujqësi të përparuar, as mjete qarkullimi, as hekurudhë, as rrugë automobili, asgjë nga format organizative e teknologjike të qytetërimit modern. Turqia s'kishte bërë asnjë ndërtim, vendi kishte mbetur si gjë e shkretë në natyrë. Atëhere si do t'iu qëndronte armiqve të jashtëm, të cilët ishin më t'organizuar, më të pajisur e më të fortë, dhe si do të vihej në rrugë me popujt e tjerë?

E pamë se çfarë energjie treguan Shqiptarët në kohën e Skënderbeut. Të njëjtën energji dëftyen më vonë në shërbim të Turqisë dhe të Greqisë. Por, ndonëse nga ana organizative dhe teknologjike e qytetërimit kishte mbetur më pas se sa në Kohën e Mesme, populli shqiptar ishte akoma mjaft i fortë në fillim të shekullit XIX. Do t'ishte dashur të delte shtet më vehte atëhere, kur dolli principatë autonome Serbia dhe mbretëri e pavarur Greqia. Forca nuk i mungonte, se Kara Mahmud Bushati dhe Ali Pashë Tepelena tundën Ballkanin. I mungonte vetëm bashkimi dhe vetëdija e lartë kombëtare. Pati edhe një rast tjetër, në kohën e Lidhjes së Prizrendit. Pastaj populli shqiptar "e humbi autobusin" dhe mbeti i dënuar të xvarrisej në këmbë, tërë pluhur, djersë e gjak, prapa rrotavet të shpejta t'autobusit të të tjerëvet.

Përse nuk e bëri dot atë që bënë kombet fqinjë, domethënë të delte shtet autonom, e pastaj i pavarur, që në fillim ose nga gjysma e shekullit XIX?

Ne Shqiptarët, për të qetësuar ndërgjegjen, kemi gjetur një alibi: Për të gjitha mjerimet tona, ua hedhim fajin të huajvet: ata na e kanë bërë ashtu, ata na kanë shtypur kështu. Me këto fjalë, e fshehim kokën në rërë si struthi dhe bjemë në fashë. Por, me sa tregon historia, as një komb nuk ka qënë krijuar prej të huajvet. Popujt e huaj, kur janë më të fortë, shtrihen për aq sa mundin në kurris të popujvet më të dobët, dhe shpeshëherë duke i zhdukur këta; sikurse kanë qënë zhdukur shumë popuj të vjetër t'Evropës, t'Afrikës, t'Azisë dhe, më vonë, Hindianët e Amerikës. Ky është ligji themeltar i natyrës dhe i jetës: peshku i madh e ha të voglin, bima m'e lartë e than atë më t'ultën. As një moral, as një fe s'ka mundur gjer më sot t'a ndryshojë këtë ligj. A nuk ishte skllavëria, gjer dje, e pranuar prej fevet? Në natyrë, çdo qenie e gjallë zë aq vend sa forcë ka. Në botën e bimëvet e të kafshëvet, familjet, gjinitë, llojet, dhe në botën e njerëzvet, fiset, kombet, shtetet, ose klasët shoqërore, jetojnë e mbahen krahas njëri-tjetrit në bazë t'ekuilibrit të forcavet dhe jo prej mëshirës a parimeve të moralit. Atëhere, përse të huajtë më të fortë duhej të bënin një përjashtim për Shqiptarët e të mos i trazonin? Duket se kemi mbetur akoma çiliminj nga gjykimi, qyshse vështrojmë gjithmonë mbi të tjerët dhe s'jemi të zotët t'a këthejmë një çast shikimin përbrenda vehtes sonë. Të huajtë s'mund të mos i bënin ato që kanë bërë kundër nesh. Por ne vetë duhej të lidhëshim, t'organizohëshim, të forcohëshim (ashtu si kanë vepëruar ata që janë më të fortë), për t'iu qëndruar me grusht hundëvet ndërhyrjevet të huaja.

Është e vërtetë që Shqipëria ndodhet në një trevë gjeografike ku janë kryqëzuar gjithmonë rrugët ndërmjet Perëndimit e Lindjes si edhe ato që zbresin nga Evropa qendrore. Por kjo pozitë mund t'ishte e dëmshme ose e dobishme sipas forcës së kohezionit që do të tregonte populli i atyshëm. Sikur stërgjyshët tonë të largët të kishin mundur t'organizohëshin në një shtet, në një perandori, siç bëri Roma, mund t'a kishin ndryshuar rrjedhën e historisë, duke e bërë ata vetë ligjin në Ballkan e në Mesdheun e Lindjes; mund të kishin zëvendësuar Romën, Bizantin, mund t'iu kishin qëndruar Sllavëvet e, më vonë, Turqvet. A nuk pushtoi botën Aleksandri i Madh duke u nisur me forcat e Maqedonasvet? "Sikur perandorët grekë të kishin qënë Skënderbenj, Perandoria e Lindjes do t'ishte mbajtur", mendonte Voltaire-i

Stërgjyshët tonë të largët s'e bënë dot atë punë, sepse thyerja gjeografike e vendit, në male e lugina të mbyllura, i pengoi që të delnin nga gjendja e ndarjes në fise për të formuar një strukturë shtetërore më të lidhur. Ndoshta për të njëjtat arësye nuk krijuan dot as një kulturë të lartë letrare që të rrinte krahas me kulturat helenike e latine. Dhe mbasi fjala komb ose kombësi don të thotë deri diku kulturë, kombësia shqiptare mbeti e shpërndarë, e zgidhur, e pa-zonja për të formuar një shtet, e dënuar që të sundohej prej të tjerëvet dhe të varej prej qendrash politike e kulturore të jashtëme. Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dhe sidomos në të XV-in, me Skënderbén, kombi shqipar bëri përpjekje të mëdha për t'u njësuar, për të formuar një bashkësi politike e shtetërore. Por, pas vdekjes së Herojt, u përça më tepër akoma dhe, përveç ndarjes në krahina, u krijuan në të tri rryma shpirtërore: një pjesë varej me ndjenja nga Lindja islamike, një pjesë tjetër nga helenizmi dhe, pjesa m'e vogël, nga Perëndimi. Duke mos pasur Shqiptarët një kulturë kombëtare epërore ku të pajtohëshin të trija fetë - siç ngjan tek popujt e qytetëruar të botës - zunë të shikohëshin midis tyre si vëllezër prej njerke, për të mos thënë më tepër. N'ato kondita, nuk ishte e vështirë për të huajtë që t'i shkelnin e t'i përdornin si të donin. Mjaftonte një çallmë hoxhe a një kamillaf prifti, një xhybe e zezë apo e murrme, për t'i sjellë vërdallë si shpezët që tremben nga dordoleci. Mungesa e një vatre kulturore e shpirtërore të brendëshme, zakoni që kishin marrë me shekuj të vështronin drejt qendrash politike e fetare të jashtëme, u a patën hequr Shqiptarëvet jo vetëm besimin, po edhe idenë se mund të formonin një shtet më vehte. Bushatlinjtë dhe Ali Pashë Tepelena nuk e patën konceptin e një shteti shqiptar në kuptimin ethnik të fjalës. Ata deshën të krijonin për vehte të tyre nga një principatë ku përfshihëshin kombësi të ndryshme: Shqiptarë e Grekë, në jugë, Shqiptarë e Sllavë, në veri.

Ideja që Shqiptarët të mund të formonin një shtet më vehte ishte aq e zbetë, aq pak e besuarshme, sa që edhe udhëheqësit më të shquar të Rilindjes nuk shkonin përtej caqevet t'autonomisë. Shumë prej tyre kërkonin vetëm disa reforma, sidomos futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat, si pikënisje e zgjimit kombëtar. Ismail Qemali, deri sa vajti në Vienë, nuk e kishte akoma të qartë nëse Shqipëria do të shpallej shtet autonom apo i pavarur. Kjo mungesë besimi në vetvehte shpjegon edhe përse të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet e Shqiptarëvet, në planin kombëtar, dështuan njëra pas tjetrës: hyjnë kryengritësit në Shkup dhe s'guxojnë të marrin pushtetin. Asnjë vepër e madhe nuk mund të kryhet pa një besim të patundur në fund të vetëdijës. Dhe ky besim s'kish sesi t'ishte, kur Shqiptarët ndjenin një kompleks inferioriteti, të rrënjosur prej shekujsh, ndaj qendravet politike e kulturore të jashtëme. Kur e dinin se përbrenda tyre disa shikonin nga Stambolli, disa nga Athina, disa nga Viena ose nga Roma, dhe se bashkimi i të gjithëve ishte shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Që të lindte besimi ose të zhdukej kompleksi - të dy skajet tregojnë të njëjtin fenomen psikik - duhej një punë e gjatë, e duruarshme, një ndërmarrje njerëzish të fortë ose apostujsh, e cila nuk ishte plotësuar dot gjer më 1912 (e si do të plotësohej në tridhjetë vjet?), nuk është plotësuar akoma gjer më sot, ndonëse ka bërë mjaft përparim. Duhej dhënë prova se Shqiptarët ishin të zotët të bashkohëshin, t'organizohëshin, të vetqeverisëshin; se ishin të zotët të ndërtonin, të zhvillohëshin, n'anën e ekonomisë e të lidhjevet shoqërore; të përparonin, të krijonin, në lëmin e letërsisë, t'artevet e të shkencavet; të lartësohëshin, n'anën e mendimit. Duhej forcuar besimi tek njëri-tjetri: Myslimanë e të Krishterë ishin vëllezër të një gjaku, të një gjuhe. Dhe se gjuha shqipe ishte aq'e ëmbël sa gjuhët më t'ëmbla: në të mund të përkëthehëshin Ungjilli e Kurani, dhe çdo kryevepër botërore; në të mund të mbruhej kultura m'e bukur e m'e lartë. Në këtë mënyrë duhej kthyer shikimi i Shqiptarëvet, prej qendravet të jashtëme, brenda në vatrën kombëtare. Duhej ngjallur ndër ta, jo vetëm dashuria dhe nderimi, po edhe besimi në Shqipërinë, siç e ka Danezi në Danimarkën, Holandezi në Holandën etj. Shkurt, nëpërmjet të zhvillimit, të lartësimit të kulturës dhe të zgjimit të vetëdijës, duhej krijuar ajo mistikë kombtare që Vaso Pasha e shprehte në një varg: "Feja e Shqyptarit asht Shqyptarija!"

Natyrisht, sikur populli shqiptar të kishte pasur përkrahjen e jashtëme, sikur t'ishte pranuar prej Austrisë dhe pastaj prej fuqivet të tjera plani që paraqiti Lordi Fitzmaurice më 1880, kufijtë e Shqipërisë ethnike do të kishin qënë caktuar e njohur që atëhere. Autonome, Shqipëria do të kishte pasur kohë të zhvillohej, të krijonte strukturën e saj shtetërore - me administratë të përqendruar, ushtëri, arësim, ndërtime botore, ekonomi - si edhe lidhjet politike të jashtëme; kështu që furtuna e vitit 1912 nuk do t'a kishte gjetur ashtu si e gjeti, dhe ndoshta s'do t'ishte përplasur fare kundër saj. Edhe në kohën e reformavet të Maqedonisë, më 1903-1904, sikur të kishte dashur Austro-Hungaria që tokat shqiptare të mblidhëshin në një tërësi të vetëme dhe të përfshihëshin në të njëjtin program reformash - siç qe mendimi i Italisë, i pranuarshëm edhe prej opinionit britanik - fati i Shqipërisë mund të kishte rrjedhur ndryshe. Por këtë përkrahje kombi i ynë nuk e pati. Austro-Hungaria u çua kur gjendja në Ballkan ishte përmbysur, kur tokat shqiptare ishin shkelur, kur Serbia po delte në Durrës dhe Greqia në Vlorë. A kishte kohë tani që Shqipëria të shpëtonte nga rreziku e të mbetej e pacënuar? Këtë gjë do t'a shohim më poshtë.

Qeveria e Vlorës ua njoftoi shpalljen e pavarësisë fuqivet të mëdha si edhe shtetevet të Ballkanit, duke kërkuar që ushtëritë e këtyre të largohëshin nga tokat e Shqipërisë, e cila dëshironte paqen dhe shkuarjen e mirë me fqinjët.

Fuqitë që iu përgjigjën kësaj thirrjeje dhe që i premtuan përkrahjen qeverisë së Vlorës ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Por gjendja në Shqipëri ishte një tollovi e vërtetë. Ushtëritë serbe e greke përparonin. Turqia nuk e njihte pavarësinë e këtij vendi, prandaj autoritetet turke, në qytetet e pashkelura, nuk donin t'u a lëshonin fuqinë Shqiptarëvet. Duke mos pasur më rezerva ushqimore, forcat turke zunë t'i hiqnin popullit edhe kafshatën e bukës. Qeveria e Vlorës kishte mbetur e rrethuar në një zonë fort të ngushtë. Ushtëritë armike vazhdonin përparimin. Flota greke, që ndodhej përpara Vlorës, kishte prerë edhe kabllon telegrafike që lidhte Shqipërinë me Italinë dhe me botën e jashtëme. T'ardhurat financiare dhe mundësitë ushtarake të qeverisë së Vlorës ishin fare të paka. Megjithatë, ajo u përpoq të bënte ç'mund të bëhej. Duke ruajtur përkohësisht të njëjtën forme administrate, emëroi Shqiptarë në vend të nëpunësve turq. Ismail Qemali i bëri thirrje popullit t'Elbasanit, të Korçës, të Kosturit, që të mpronte vendin kundër shkeljes s'armiqvet. Një forcë e vogël vullnetarësh u dërgua në Llogara për të ndaluar përparimin e ushtërisë greke nga ana e Himarës. Por Serbët arritën në Durrës, n'Elbasan, dhe zunë vijën e Shkumbinit. Aty u ndalën, se pjesët e Shqipërisë në jugë të Shkumbinit i shikonin si zonën e interesavet greke. Kurse Grekët, duke e mbajtur Janinën të rrethuar, u futën në Shqipëri edhe nga ana e Maqedonisë, në gjysmën e dytë të Dhjetorit, dhe pushtuan Follorinën, Kosturin, Nestramin, pastaj tërë krahinën e Korçës. Shkodra u rrethua prej Malazezvet dhe Serbëvet. Një pjesë e forcavet që mpronin Janinën dhe Shkodrën përbëhej prej Shqiptarësh.

Nga mbarimi i vitit 1912, qeverisë së Vlorës, përtej këtij qyteti, nuk i mbetëshin veçse Fieri, Lushnja, Berati dhe, në jugë, Gjirokastra. Po edhe në këto vende, një pjesë të fuqisë e ushtronin autoritetet turke, të cilat nuk donin t'ua lëshonin vendin Shqiptarëvet.

Ndërkaq, një luftë politike e ashpër vazhdonte midis fuqivet të mëdha për çështjen e Ballkanit, veçanërisht ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë. Kjo e fundit kërcënoi se do të ndërhynte me ushtëri nëqoftëse nuk merrëshin parasysh interesat e saja, dhe vazhdoi të sillte forca në kufijtë e Serbisë. Frika e një lufte të përgjithshme detyroi Rusinë dhe aliatët e saj që të pranonin, në parim, krijimin e një Shqipërie autonome. Për të forcuar këtë ide, e cila filloi t'iu hynte në kokë edhe Ballkanikëvet, lozi një rol deri diku qëndresa e Shqiptarëvet dhe shpallia e pavarësisë në Vlorë. Por puna ishte se gjer ku do të shtrihëshin kufijtë e këtij shteti "autonom".

Nismën e mbledhjes së një konference ndërkombëtare për të rregulluar çështjet e Ballkanit e mori Anglia. Ambasadorët e fuqivet të mëdha u mblodhën në Londër, më 17 Dhjetor 1912, nën kryesinë e ministrit britanik të Punëve të Jashtëme, Sir Edward Grey. Kjo ishte e famshmja Konference e Londrës që njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe caktoi kufijtë e saj gjatë vitit 1913. Qysh në mbledhjen e parë, u pranua që Shqipëria të përbënte një shtet autonom nën mvarësinë e Sulltanit dhe nën garantinë e mbikqyrjen e fuqivet të mëdha. Ky kusht, i propozuar prej Rusisë, u përkrah edhe nga Italia, mblasi kishte për qëllim të kufizonte ndërhyrjen e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Ndonëse qeveria e Vlorës kishte shpallur pavarësinë dhe këthimi n'autonomi nuk i pëlqente, çështja kryesore për të ishte ajo e kufijvet ku u përqëndruan të tëra përpjekjet e saja.

Në Konferencën e Londrës qeveritë e shtetevet të Ballkanit nuk u përfaqësuan, por kërkesat e tyre i paraqitën me anë memorandumesh, duke i shtrirë "të drejtat" mbi të gjitha tokat që kishin pushtuar ushtarakisht. Në Londër vajti edhe një dërgatë shqiptare, e përbërë prej Mehmet Konicës, Filip Nogës dhe Rasim Dinos, por nuk u dëgjua fare veçse i paraqiti Konferencës memorandumin e qeverisë së Vlorës. Pasi tregonte se populli shqiptar, me kryengritjet e tija të paprera kundër Turqisë, kishte dhënë një ndihmesë të pamohuarshme në fitoren e shtetevet ballkanikë, memorandumi kërkonte njohjen e kufijvet ethnikë të Shqipërisë dhe pavarësinë e plotë të saj.

Kërkesavet shqiptare iu dolli zot Austro-Hungaria, e cila përkrahej prej Gjermanisë dhe kishte n'anë të saj Italinë. Kurse Aliatët ballkanikë, për qëllimet grabitqare të tyre, gjenin mprojtjen e Rusisë dhe të Francës. Me këto të dyja bashkohej nganjëherë edhe Anglia, si pjesëtare e Entente-ës, por në një mënyrë më të matur. Ndonëse prirej nga aliatët e vet, qëndrimi i Anglisë ishte deri diku i paanshëm dhe pajtonjës ndërmjet dy palëvet.

Austro-Hungaria, me pëlqimin e Italisë e të Gjermanisë, dhe Rusia, me pëlqimin e Francës, i paraqitën Konferencës, më 20 Dhjetor 1912, nga një hartë të vizatuar me kufijtë e Shqipërisë. Natyrisht, njëra hartë shënonte kufij më të gjerë dhe tjetra sa më të ngushtë. Duke e lënë jashtë pjesën më të madhe të Kosovës dhe të Maqedonisë shqiptare, harta e paraqitur prej Austrisë niste, në veri, nga gryka e Buenës, ndiqte kufirin e Malit-të-Zi gjer afër Rrzhanicës, i linte atij Gucinë dhe Plavën, por i njihte Shqipërisë Pejën, Deçanin, Gjakovën, Prizrendin; pastaj vija e kufirit zbriste nga juga duke rrokur përbrenda Dibrën e Madhe, Strugën, Ohrin; kalonte mandej ndërmjet liqenevet t'Ohrit e të Prespës dhe delte në Greqinë e sotshme duke përfshirë brenda Shqipërisë një pjesë të rrethevet të Kosturit e të Grebenesë, Janinën dhe pjesën më të madhe të Çamërisë përkëtej rrjedhës së lumit Kallama deri në detin Jon.

Kurse plani i Rusisë, përveç pjesëve të tjera, linte jashtë Shqipërise, në veri: Shkodrën, Kukësin dhe malësitë e tyre; në lindje: Dibrën, Strugën, Ohrin Pogradecin dhe Korçën; në jugë: Delvinën dhe Sarandën.

Për të rënë n'ujdi mbi një vijë kufiri ndërmjet këtyre dy planeve, sidomos nga ana e veriut dhe e veri-lindjes, përfaqësonjësit e Rusisë dhe t'Austro-Hungarisë u hëngrën ashpër gjatë dimrit 1913. Konferenca (domethënë Rusi, Francë e Angli) nuk e pranoi propozimin austriak, as desh të merrte vesh për karakterin ethnik të krahinavet shqiptare. Ndonëse në popullsinë e Shkodrës, për shembull, nuk kishte asnjë Malazias, Konferenca desh t'ia njihte atë qytet Malit-të-Zi. Për çështjen e Shkodrës pati bisedime aq të nxehta sa që filloi të përkulej edhe Italia. Qëndrimi i patundur i Austro-Hungarisë e shpëtoi kryeqytetin e Teutës, por duke lëshuar në veri e në lindje pjesën e Kosovës dhe të Maqedonisë.

Gjatë kësaj kohe, Janina dhe Shkodra po i qëndronin trimërisht rrethimit. Qeveria e Vlorës bëri përpjekje për t'iu ardhur në ndihmë, por s'kishte as mjete, as rrugë të hapura, sepse Grekët ishin futur në krahinat e jugës dhe Serbët kishin zbritur gjer në Shkumbin. Kumandari i garnizonit turk të Janinës, ku shërbenin edhe shumë Shqiptarë, ishte Esad Pashë Janina, një Shqiptar i turqizuar. Qeveria e Vlorës hyri në marrëveshje më këtë për t'a bindur që të ngrinte flamurin e Shqipërisë duke i premtuar ndihmë porsa t'ishte në gjendje. Por ky s'desh ose s'mundi t'a vazhdonte qëndresën, dhe ua lëshoi Janinën Grekëvet më 6 Mars 1913. Atëhere forcat greke t'Epirit shkelën tërë Çamërinë dhe u derdhën në Shqipërinë e jugës, pushtuan Gjirokastrën, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën, duke plaçkitur e vrarë popullsinë myslimane ngado që shkonin.

Ushtëritë serbo-malazeze e kishin rrethuar Shkodrën nga mbarimi i Nëntorit 1912. Gjatë Dhjetorit t'atij viti dhe Jenarit të 1913-ës, u zhvilluan luftime të përgjakshme ndërmjet mprojtësvet të qytetit dhe ushtërivet rrethonjëse, në malin e Taraboshit, në kodrat e Beltojës, të Bërdicës e të Bardhanjorëve, si edhe në fushën e Shtojit. Kumandari i mprojtjes së Shkodrës ishte gjenerali i divizionit turk, Hasan Riza Pasha, i cili vendosi t'a vazhdonte qëndresën edhe pasi Turqia iu kërkoi armëpushimin shtetevet ballkanikë, më 3 Dhjetor 1912. Por aty luftonin edhe trupa rezervistësh shqiptarë nën kumandën e gjeneral Esad Pashë Toptanit, si edhe vetë qytetarët shkodranë. Parësia e Shkodrës, e cila ishte në lidhje me qeverinë e Vlorës, kërkoi nga kumandari turk Hasan Riza Pasha që të vazhdonte qëndresa n'emër të Shqipërisë së pavarur. Ai nuk e kundërshtoi këtë mendim sepse kishte nevojë për ndihmën e Shqiptarëvet, dhe ndoshta e kuptonte që Turqia s'mund të sundonte më në Shqipëri. Por të tjera plane kishte në kokë Esad Pashë Toptani. Ky nuk e njihte qeverinë e Vlorës as desh të dëgjonte kur ajo i bëri thirrje, me anën e një letre të njerëzishme, që të ngrinte në Shkodër flamurin kombëtar. Më në fund Esad Toptani e vrau me të pabesë Hasan Riza Pashën dhe, si i dyti në gradë, e mori vetë kumandën e forcavet ushtarake të Shkodrës.

Ndërkaq, Serbia dhe Mali-i-Zi po e shtrëngonin rrethimin duke sjellë trupa të reja. Një ushtëri serbe prej lart nga 20.000 vetash, e pajisur me artileri të rëndë, u derdh në kodrat e Bardhanjorëvet dhe rreth telavet të Fushës së Shtojit. Kurse forcat e Malit-të-Zi i kumandonte vetë Krajl Nikolla i cili, për të marrë Shkodrën, kishte vendosur të luftonte gjer në fishekun e fundit.

Por fati i këtij qyteti do të vendosej në Konferencën e Londrës. Me ndërmjetësinë e ministrit britanik të Punëve të Jashtëme, Sir Edward Grey-t, u arrit një marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë për kufijtë e Shqipërisë së veriut e së lindjes, e cila u pranua prej Konferencës më 22 të Marsit. Shkodra i mbetej Shqipërisë, por Austria hiqte dorë nga Peja, Prizrendi, Dibra, Struga, Ohri dhe, pak më vonë, nga Gjakova. Kështu, nga ana e veriut dhe e lindjes, u krye copëtimi i Shqipërisë i nisur që me Kongresin e Berlinit. Pas disa muajsh, u krye edhe në jugë e në jugë-lindje. Porsa që Shqiptarët nuk ishin në gjendje të mprohëshin vetë, ishte e kuptuarshme se fati i vendit të tyre do të varej nga interesat e fuqivet të mëdha. Ajo që iu interesonte Austro-Hungarisë dhe Italisë ishte mosdalja e Serbisë ose e ndonjë fuqie tjetër n'Adriatik, sigurimi i kanalit t'Otrantos dhe mos-mbyllja e kanalit të Korfuzit, domethënë bregdeti shqiptar prej Shkodre gjer në kep të Stillos. Shtrirja natyrore e kombësisë shqiptare nga veriu, nga lindja dhe nga juga, nuk ishte e një interesi jetësor për Vienën, e më pak akoma për Romën, prandaj këto s'mund t'i shtynin punët gjer në rrezikun e një lufte për të shpëtuar Shqipërinë ethnike. U pa se shteti shqiptar do të delte gjysmak si tokë e si popullsi. Por nuk mjaftonte as me kaq: për fat të keq, midis Austro-Hungarisë dhe Italisë vazhdonte rivaliteti i vjetër në çështjen shqiptare. Secila prej këtyre fuqive kërkonte të shtrinte ndikimin ose edhe sundimin e saj në Shqipëri. Porsa u vendos, në parim, se do të kishte një shtet shqiptar autonom, grupet financiarë të Vienës dhe të Romës u paraqitën menjëherë për të marrë konçesionin e krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe atë të shfrytëzimit të pasurivet kombëtare. Midis këtyre dy fuqive, siç do t'a shohim më poshtë, pati edhe një plan të fshehtë ushtarak për t'a pushtuar Shqipërinë nëqoftëse punët do të keqësohëshin.

Pas vendimit që u muar më 22 të Marsit për kufijtë e Shqipërisë së veriut e të lindjes, fuqitë e mëdha kërkuan nga Serbia dhe Mali-i-Zi që të pushonin luftën dhe t'a ngrinin rrethimin e Shkodrës. Këta nuk dëgjuan me të mirë. Atëhere fuqitë e mëdha, me propozimin e Austro-Hungarisë dhe të Gjermanisë, kërcënuan duke dërguar një skuadër detare, e cila arriti më 5 Prill përpara Tivarit. Serbia nuk donte të largohej më parë se të nënshkruante paqen me Turqinë. Por, e trembur nga Austro-Hungaria se do të hynte në sanxhakun e Novi-Pazarit, dhe e këshilluar nga Rusia, e ngriti rrethimin e Shkodrës më 16 Prill. Kurse Krajl Nikolla i Malit-të-Zi, kokëfortë si gjithnjë, s'desh të merrte vesh për kërcënimin e fuqivet të mëdha dhe vazhdoi rrethimin. Ai e dinte se, pas tërheqjes s'ushtërisë serbe, nuk mund t'a merrte dot Shkodrën me forcë. Por i kishte shpresat gjetkë: tek tradhëtia e Esad Toptanit. Esadi mendonte të bëhej sundimtari i Shqipërisë (i asaj cope që do të mbetej), duke ndjekur rrugën më të lehtë: bashkëpunimin me shtetet fqinjë dhe me përkrahësit e tyre, fuqitë e Entente-ës. Nuk e hante malli për kufijtë, mjaft që t'i mbetej Shqipëri e Mesme. Mbasi kishte një forcë në dorë, sepse pas vrasjes së Hasan Riza Pashës kumandonte edhe ushtërinë turke të Shkodrës, desh t'a shfrytëzonte rastin. Për të siguruar miqësinë e Serbo-Malazezvet dhe për t'u ndodhur sa më shpejt në Shqipërinë e Mesme, pranoi t'ia lëshonte Shkodrën Malit-të-Zi, me kusht që të largohej lirisht me ushtërinë shqiptare e turke, me armët dhe municionet. Trathëtia u nënshkrua më 22 Prill, dhe të nesërmen, më 23, ushtëria malazeze hyri në Shkodër, pas gjashtë muajsh rrethimi, gjatë të cilit qyteti historik, ndonëse i lodhur nga uria, ishte mprojtur me një trimëri të lavdishme, duke i qëndruar artilerisë së rëndë e duke thyer të gjitha sulmet e tërbuara të Serbo-Malazezvet.

Esad Toptani me të tëra trupat e Shkodrës, shqiptare e turke, erdhi e u vendos në Tiranë e në Durrës kur ushtëria serbe ishte në tërheqje e sipër. Por ai tani ishte i lidhur me Serbo-Malazeztë prandaj nuk gjeti asnjë pengim prej tyre dhe u vu të ngrinte një administratë më vehte. Ky vepërim i Esadit e koklaviti edhe më tepër çështjen shqiptare. Austro-Hungaria dhe Italia kërkuan menjëherë jo vetëm tërheqjen e Malit-të-Zi nga Shkodra, po edhe largimin e trupavet turke t'Esad Toptanit nga Shqipëria. Armiqtë e jashtëm, me Rusinë në krye, donin që ato trupa të mbetëshin aty, për të krijuar sa më tepër pështjellim dhe për t'i shërbyer qëllimit rus që shteti shqiptar të ngelte autonom nën mvarësinë e Sulltanit. Por Austro-Hungaria kërcënoi se do të ndërhynte me ushtëri nëqoftëse nuk shtrëngohej Mali-i-Zi të lëshonte Shkodrën dhe nuk gjendej mënyra e largimit të trupavet turke. Një marrëveshje e fshehtë u nënshkrua ndërmjet Vienës dhe Romës, më 8 Maj, për t'a pushtuar Shqipërinë ushtarakisht në rast nevoje: Austro-Hungaria pjesën veriore gjer në Shkumbin, dhe Italia që në Shkumbin e poshtë.

Përpara këtij acarrimi të gjendjes, fuqitë e mëdha e shtrënguan Malin-e-Zi të tërhiqej. Ushtëria malazeze e lëshoi Shkodrën më 14 Maj, pasi e plaçkiti mirë qytetin duke djegur edhe pazarin. Qeverimin e Shkodrës e mori në dorë një komision ushtarak i skuadrës ndërkombëtare, ndën kumandën e nënadmiralit anglez, Cecil Burney.

Gjatë muajit të Qërshorit, me ndërmjetësimin e fuqivet të mëdha. u larguan edhe trupat turke nga Shqipëria.

Me 30 Maj 1913, u nënshkrua në Londër traktati i paqes ndërmjet Turqisë së mundur dhe Aliatëvet ballkanikë. Neni 2 i këtij traktati shënonte vijën e tokavet që Sulltani iu lëshonte shtetevet ballkanikë prej detit Egje deri në detin e Zi, me përjashtim të Shqipërisë; në nenin 3, Sulltani ua linte në dorë fuqivet të mëdha caktimin e kufijvet të Shqipërisë si edhe rregullimin e çdo çështjeje tjetër që kishte të bënte me atë vend.

Siç e pamë më sipër, Konferenca e Londrës, qysh në mbledhjen e parë të saj më 17 Dhjetor 1912, kishte vendosur në parim që Shqipëria t'ishte një shtet autonom nën Sulltanin. Këtë propozim e kishin bërë fuqitë e Entente-ës, në radhë të parë Rusia, për të penguar ndërhyrjen e Austro-Hungarisë në Shqipëri, dhe e kishte pranuar Italia për të njëjtën arësye. Rusia kishte edhe qëllime të tjera që Shqipëria të mbetej e lidhur me Turqinë: për t'a lënë si një vend mbi të cilin mund të bëhëshin rishikime, copëtime a pazarllëqe më vonë. Austro-Hungaria nuk e kundërshtoi në fillim këtë propozim, sepse ushtëritë turke po qëndronin në Shkodër e në Janinë dhe mund të vlenin si një forcë për t'i siguruar Shqipërisë kufij më të gjerë. Por mbasi mori fund qëndresa e tyre, s'kishte më arësye që Shqipëria të mbetej nën mvarësinë e Sulltanit. Nga ana tjetër, marrëveshja e fshehtë ushtarake e 8 Majit ndërmjet Vienës dhe Romës e siguroi Italinë se, në rast të një ndërhyrjeje me armë, ajo do të pushtonte gjysmën e Shqipërisë. Kështu Austro-Hungaria dhe Italia i pajtuan pikëpamjet dhe kërkuan nga Konferenca që Shqipëria të njihej shtet i pavarur. Këtë propozim e kundërshtuan Rusia dhe Franca. Kjo e fundit nxirte si arësye se kombi shqiptar ishte akoma i përçarë në krahina, fe e zakone, i papregatitur politikisht për të qënë shtet i pavarur, prandaj duhej dërguar më parë një komisar i lartë dhe një komision kontrolli ndërkombëtar të cilët, pasi të hetonin gjendjen e brendëshme, të vendosnin mbi statutin dhe formën e administratës që i përshtatëshin atij populli. Qëllimi ishte që Shqipëria të mbetej nën kontrollin ndërkombëtar, në mënyrë që të mos binte në dorë t'Austro-Hungarisë dhe t'Italisë, po edhe fuqitë e Entente-ës të kishin mundësi ndërhyrjesh e intrigash. Rusia, që kishte qenë mot e jetë në luftë me Turqinë, prekej aq fort në ndërgjegje për të drejtat e Sulltanit sa që, pa pëlqimin e këtij, s'mund t'a pranonte daljen e Shqipërisë si shtet i pavarur! Por Sulltani, më 30 të Majit, ua la në dorë atë çështje fuqivet të mëdha. Më në fund, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë dhe t'Italisë, të cilat kërcënuan se do t'a rregullonin vetë atë punë, u pranua që Shqipëria t'ishte shtet i pavarur, nën garantinë dhe kontrollin e përkohshëm të fuqivet të mëdha.

Në mbledhjen e 29 Korrikut 1913, Konferenca e Londrës e njohu shtetin shqiptar të pavarur dhe vendosi mbi statutin e tij. Shqipëria do t'ishte një principatë autonome e sovrane dhe do të kishte në krye një princ me të drejta trashëgimore, i cili do të caktohej prej fuqivet të mëdha. Shteti i ri shkëputej fare nga Turqia dhe do t'ishte asnjanës, nën garantinë dhe kontrollin e gjashtë fuqivet të mëdha. Administrata civile dhe financat e Shqipërisë, për një periudhë dhjetëvjetshe, do t'ishin nën mbikqyrjen e një Komisioni ndërkombëtar, i përbërë prej delegatëvet të gjashtë fuqivet të mëdha dhe prej një delegati shqiptar. Ky Komision do t'organizonte të gjitha degët e administratës shqiptare, dhe afati i kontrollit të tij mund të zgjatej edhe për dhjetë vjet të tjerë në rast nevoje. Princi i Shqipërisë do të zgjidhej brenda gjashtë muajve. Por gjer sa të vinte ky dhe gjer sa të formohej një qeveri shqiptare definitive, autoritetet dhe gjindarmëria e vendit do të vihëshin nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar. Rendi dhe qetësia publike do të sigurohëshin nga një gjindarmëri e organizuar prej oficerësh të huaj, që parashihej t'ishin Suedezë. Por mbasi Suedia nuk pranoi të dërgonte oficerë në Shqipëri, u caktuan Holandezë.

Si shihet, pavarësia e Shqipërisë ishte sa për emër, sepse në të vërtetën ajo mbetej nën kontrollin e fuqivet të mëdha për aq kohë sa t'a donin interesat e këtyre.

Shteti i ri nuk mund të mëkëmbej pa një ndihmë financiare të jashtëme. Austro-Hungaria dhe Italia hynë menjëherë në bisedime me qeverinë e Vlorës për të marrë koncesionin e krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e cila do të priste natyrisht edhe bankënota. Ismail Qemali e pranoi këtë propozim pasi shkëputi disa të drejta në përfitim të shtetit shqiptar, i cili do të merrte pjesë n'administrimin e Bankës dhe do t'ushtronte një farë kontrolli mbi të. Por fuqitë e tjera të mëdha e kundërshtuan këtë ndërmarrje të Vienës dhe të Romës, për të mos lënë që vetëm këto të kishin dorë në jetën ekonomike të vendit, ngaha varej edhe ndikimi politik. Me propozimin e Francës. u vendos që Shqipërisë, për të përballuar nevojat e para, t'i jepej një hua ndërkombëtare prej 75 milionë frangash ari nën garantinë e gjashtë fuqivet të mëdha. Banka Shqiptare do të krijohej me një kapital ndërkombëtar, në të cilin Austro-Hungaria me Italinë do të kishin 60% të aksionevet, dhe katër fuqitë e tjera 40%.

Shqipëria ishte njohur shtet i pavarur dhe asnjanës më 29 Korrik, por kufijtë e saj me Greqinë nuk qenë caktuar akoma. Vija që pati propozuar Austro-Hungaria u kundërshtua që në fillim, por nuk mund të pranohej sidomos pasi Greqia pushtoi Janinën dhe tërë Epirin ose Shqipërinë e jugës përveç Vlorës dhe Beratit. Siç kishte qënë Rusia për Serbinë dhe Malin-e-Zi, përkrahëse e nxehtë e Greqisë dolli Franca duke ngulmuar që t'i njihëshin asaj Korça dhe Gjirokastra. Austro-Hungaria me Italinë hoqën dorë nga Janina si edhe nga rrethet e Grehenesë e të Kosturit, por donin që krahinat e banuara tërësisht prej Shqiptarëvet, që nga qarku i Korçës gjer në Çamëri, t'i mbetëshin Shqipërisë, kufiri jugor i së cilës duhej t'arrinte në grykën e lumit Kallama. Punët u ashpërsuan keq sidomos me Italinë, e cila nuk pranonte kurrsesi që kanali i Korfuzit të mbyllej prej Greqisë. Dhe mbasi interesi i saj përmblidhej këtu, Italia bëri lëshimin e fundit duke caktuar si pikë jugore të kufirit të Shqipërisë në bregdetin Jonian kepin Stillo. Në këtë mënyrë humbi edhe Çamëria. Qarku i Korçës dhe kepi Stillo mbetën caqet e fundit ku Viena me Romën ngulën këmbë duke e thënë copë se s'mund të tërhiqëshin më këtej. Në mbledhjen e 11 Gushtit 1913, Konferenca e Londrës i pranoi këto dy caqe, por vija që do t'i lidhte mbetej për t'u studiuar në vend prej një komisioni ndërkombëtar, i cili do të shikonte edhe përbërjen ethnike të krahinavet.

Për t'i caktuar në vend kufijtë e Shqipërisë, Konferenca vendosi që të formohëshin dy komisione ndërkombëtarë, njëri për vijën e kufirit shqiptar me Serbinë dhe Malin-e-Zi, tjetri për kufirin shqiptaro-grek. Me këtë vendim, Konferenca e Ambasadorëvet, në Londër, i mbylli punimet e saja më 12 Gusht 1913.

Komisionet ndërkombëtarë, ai i Kontrollit dhe ata për caktimin e kufijvet, arritën në Shqipëri nga mbarimi i Shtatorit dhe në Tetor 1913. Komisioni i Kontrollit qëndroi në Vlorë. Ai për caktimin e kufijvet me Greqinë u mblodh në Manastir më 4 të Tetorit, kurse tjetri, për caktimin e kufijvet me Serbinë dhe Malin-e-Zi, erdhi në Shkodër e u nis për në Lumë. Ky i fundit, megjithë mosmarrëveshjet ndërmjet antarëvet dhe me autoritetet ushtarake serbe e malazeze, e vazhdoi punën deri sa ia ndërpreu dimri. Por ai që do të caktonte kufirin shqiptaro-grek gjeti pengesa të pakapërcyershme nga ana e ushtërisë greke, e cila mbante të pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë jugore. Duke përdorur paturpësisht çdo mënyrë mashtrimi, Grekët ia bënin punën pothuajse të pamundur Komisionit dhe arritën deri sa t'a kërcënonin me forcë e t'a ndiqnin pas duke e sharë. Austro-Hungaria dhe Italia i dërguan një notë protestimi qeverisë s'Athinës, por çdo gjë ishte e kotë. Mbasi Komisioni, prej qarkut të Korçës gjer në kepin Stillo, do t'a caktonte vijën e kufirit duke u pështetur edhe në kombësinë - dhe këtë s'kish sesi t'a dallonte veçse me anën e gjuhës amtare - Grekët muarën të gjitha masat për t'a paraqitur popullsinë shqiptare si greke dhe gjoja sikur kërkonte bashkimin me Greqinë. Ata i zbrazën fshatrat myslimane nëpër vendet ku do të kalonte Komisioni dhe vendosën kambana, disa të fshehura nëpër pyjet, duke e kërcënuar popullsinë me vdekje nëqoftëse nuk thërriste që ishte "greke". E detyruan gjithashtu t'i lyente shtëpitë me ngjyrat e flamurit grek dhe të bërtiste për të kërkuar bashkimin me Greqinë. Për këtë qëllim, shumë ushtarë grekë u veshën civilë dhe u vendosën n'ato fshatra gjoja si popull, për t'i dalë përpara Komisionit me thirrma e bërtima dhe për t'organizuar mbledhje ngado që ai shkonte. Ndërsa pjesa grekomane e Shqiptarëvet orthodoks kishte ngritur hundën përpjetë dhe tmerronte Myslimanët ose Orthodoksit atdhetarë. Por nuk mungonin as skenat tragjikomike: nëpër t'ashtuquajturat fshatra greke, myslimane ose orthodokse, kur dukej përjashta ndonjë grumbull fëmijësh, ndonjë antar i Komisionit iu hidhte nga një dorë monedha ose sheqerka dhe ata lëshohëshin për t'i rrëmbyer duke folur shqip midis tyre.

Përveç vështirësivet që iu nxirnin Grekët, kishte gjithmonë mosmarrëveshje ndërmjet antarëvet të Komisionit, sepse propozimet e përfaqësonjësvet t'Austrisë e t'Italisë kundërshtohëshin prej atyre të Francës e të Rusisë. Kështu Komisioni Ndërkombëtar nuk mundi t'a kryente punën në vend. Atëhere qeveria britanike, duke dashur që t'iu jepej një mbarim sa m'i shpejtë këtyre punëve, hyri përsëri ndërmjetëse dhe këshilloi që caktimi i kufirit shqiptaro-grek të bëhej mbi hartën gjeografike sipas shënimevet të Komisionit dhe gjatë një vije të re që propozoi Edward Grey. Kjo vijë i qethte diçka akoma Shqipërisë, por afrohej mjaft me atë që mpronin Austro-Hungaria e Italia. Propozimi britanik u pranua prej të dy palëvet. Komisioni u mblodh në Firencë t'Italisë ku, me ndihmën e Institutit Gjeografik t'atij qyteti, caktoi në hartë kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, të cilët, me fort pak ndryshime, janë ata të sotshmit. Protokolli i Firencës u nënshkrua më 17 Dhjetor 1913.

Kjo grindje e pabesuarshme ndërmjet fuqivet të mëdha për kufijtë e Shqipërisë vazhdoi plot një vit në formën e një pazarllëku të mërzitshëm dhe përfundoi me një marrëveshje në dëm të kombit shqiptar, i cili u nda më dysh porsi t'ishte një mollë. Në caktimin e kufijve të Shqipërisë, fuqitë e mëdha shikuan vetëm interesat e tyre dhe nevojën e ruajtjes së paqes, pa u pështetur n'asnjë parim drejtësie, n'asnjë kriter njerëzor, gjeografiko-ekonomik e historik. Shqipëria shkoi viktimë e mbajtjes s'ekuilibrit ndërmjet fuqivet të mëdha. Këtë gjë e pohoi vetë ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Edward Grey, kur u përgjigj në Dhomën e Komunevet, më 12 Gusht 1913, për çështjen e kufijve të Shqipërisë: "Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky vendim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe që e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis fuqivet të mëdha. Prandaj, nëqoftëse marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet fuqivet të mëdha, mund të themi se ka qënë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes n'Evropë".

Gjer ku duhej t'arrinin kufijtë e vërtetë, kufijtë natyrorë të shtetit shqiptar? Kjo çështje nuk mund të ndahet me përpiksi, sepse gjer atëhere s'kishte pasur një shtet shqiptar. Kemi folur më sipër se gjer ku shtrihej popullsia shqiptare sipas vërtetimevet të disa auktorëve të huaj. Aty afrohej edhe mendimi i atdhetarëve të Rilindjes. Sipas Abdyl Frashërit (në letrën që ky i dërgonte Francesco Grispit më 1890), Shqipëria duhej të kufizonte nga veriu me Malin-Zi, Bosnjën dhe Serbinë, gjatë kufijvet që iu qenë njohur këtyre n'atë kohë. Nga lindja, kufijtë natyrorë të Shqipërisë shtrihëshin gjer afër Vranjës, në kufirin serb; pastaj zbrisnin nga jugë-perëndimi duke e prerë Vardarin ndërmjet Veles dhe Shkupit, ndiqnin majat e malevet të Babunës dhe të vargjeve të tjerë në të njëjtin drejtim, kalonin në perëndim të liqenit t'Ostrovës, mbanin në jugë-lindje të Gramozit, prisnin vargun qendror të Pindit dhe delnin në gjirin e Artës, në detin Jon. Brenda kësaj vije përfshihëshin Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebeneja, Janina e Preveza. Edhe nëqoftëse mbetëshin këtej disa mijëra Bullgarë, Vllehë dhe Grekë - mendonte Abdyl Frashëri - m'at' anë kësaj vije ngelnin Shqiptarë më shumë akoma. Por në një memorandum që Komiteti Shqiptar i Stambollit i pat dhënë qeverisë turke më 28 Korrik 1912 për të kërkuar bashkimin e tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, shënonte si pjesë të Shqipërisë tërë vilajetin e Janinës dhe tërë vilajetin e Shkodrës; prej vilajetit të Kosovës quante Shqipëri sanxhaqet e Prizrendit, Pejës, Novi-Pazarit, Prishtinës, dhe kazanë e Tetovës; prej vilajetit të Manastirit, sanxhaqet e Elbasanit, të Korçës dhe të Dibrës.

Kurse kufijtë e shtetit shqiptar që njohu Konferenca e Londrës përfshinin vetëm gjysmën e tokavet të Shqipërisë, rreth 28.750 kilometrash katrore, dhe dy të pestat e popullsisë së saj, më pak se 900.000 frymë. Vendet më pjellore dhe me popullsi më të dëndur, bashkë me ato që lëshoi traktati i Berlinit, kishin mbetur jashtë kufijvet. Shqipëria ishte gjymtuar nga të tri anët: nga veriu, nga lindja, nga juga. Pjesën më të madhe e kishte pushtuar Serbia: krejt Kosovën, Maqedoninë perëndimore, si edhe Rrafshin e Dukagjinit që e ndau me Malin-e-Zi. Por ky i fundit mori edhe një pjesë të qarkut të Shkodrës, përveç Ulqinit dhe Tivarit që ia pati njohur traktati i Berlinit. Në jugë, i mbetej Greqisë e tërë Çamëria, si edhe Janina që kishte qënë kryeqëndra e Shqipërisë jugore, përveç rrethevet të Mecovës, të Grebenesë, të Kosturit dhe të Follorinës. Këto të fundit banohëshin prej një shumice Shqiptarësh orthodoks të cilët, ndonëse të greqizuar me ndjenja, flasin shqip edhe sot. Kurse Çamëria me qytetet e saj, si Filati, Paramithia, Margëlleçi, Parga, Gumenica e Preveza, banohej e tërë prej Shqiptarësh, myslimanë shumica, po edhe pjesa orthodokse nuk i kish humbur ndjenjat kombëtare. Janina, qendra e vilajetit, pat qënë zemra e Toskërisë në të gjitha kohët. Kosturi dhe Nestrami, në Kohën e Mesme, bënin pjesë në principatën e Muzakajvet, siç tregon Gjin Muzaka në Gjenealogjinë e tij.

E Copëtuar në këtë mënyrë, Shqipëria mbeti një shtet gjysmak me pjesët më të varfëra të vendit. Kufijtë e saj ishin caktuar pa asnjë kriter gjeografik as ekonomik, duke ndarë qytetet prej rrethevet dhe duke këputur në mes shumë krahina që, nga pikëpamja gjeografike, ekonomike e njerëzore, përbënin njësi të pandarëshme. Pjesët më pjellore e më të shëndosha të tokavet shqiptare, si Kosova, Maqedonia perëndimore e Çamëria, kishin mbetur jashtë kufijvet. Populli i atyre krahinave ishte shquar në lëvizjen kombëtare, kishte qënë në vijën e parë të luftës për çlirimin e atdheut. Prizrendit historik, kryeqendrës së Lidhjes Shqiptare, iu mohua e drejta të bënte pjesë me Shqipërinë. Ndarja e atyre vendeve e theu kombin shqiptar në mes nga pikëpamja njerëzore dhe e la në një varfëri të zezë nga ana ekonomike. Sepse Kosova, përveç pasurivet të nëntokës, është për bujqësi një nga krahinat më pjellore të Ballkanit. Ajo vetëm mund t'a mbante tërë Shqipërinë me bukë. Çamëria, nga ana tjetër, me klimën e saj të butë, me livadhet përherë të gjelbëra, ku mbahëshin aq bagëti e gjedhe, me arat e grurit, t'elbit e të misrit, me pllajat e duhanit, me bregoret e veshura tërë vreshta e ullishta, me limanet e hapur në detin Jon dhe humbur në pyje limonjsh e portokallesh, përbënte një tjetër thesar pasurish natyrore, një tjetër parajsë të Shqipërisë ethnike.

Gjirokastra, Përmeti, Delvina, Saranda, nga ana tregëtare dhe ekonomike lidhëshin më parë me Janinën, si edhe e tërë Çamëria gjer në Prevezë. Korça lidhej me Kosturin, Follorinën, Manastirin, Ohrin. Krahinat e Zerqanit, Maqellarës dhe Gollobordës u shkëputën nga Dibra e Madhe, krahina e Kukësit u nda nga Prizrendi dhe ajo e Tropojës nga Gjakova. Shkodrës iu shkëputën jo vetëm një pjesë e mirë e Malësisë së Madhe, po edhe Kraja, Shestani, pjesa m'e bukur e Anamalit, përveç Ulqinit që iu nda më 1880. Qytetet e Kosovës, si Prizrendi, Gjakova, Peja, Prishtina, Mitrovica, dhe të Maqedonisë, si Tetova, Gostivari, Dibra, kishin qënë më parë gjëndrra të rëndësishme të qarkullimit tregëtar me Shqipërinë e veriut dhe të Mesmen.

Shteti shqiptar, brenda kufijvet që i caktoi Konferenca e Londrës, mbeti me malësitë më të varfëra dhe me fushat bregdetare të mbytura n'ujë, të mbuluara nga moçalet, ku malarja dhe oftika bënin kërdi. Prandaj as në vjetët më të mbarë nuk prodhohej dot buka për popullsinë e vendit, dhe shteti detyrohej të sillte nga jashtë edhe drithë përveç artikujve të fabrikuar. Pjesa e Shqipërisë së pavarur dolli prej sundimit otoman me një strukturë ekonomike krejt primitive, dy elementet kryesore të së cilës ishin bujqësia dhe blegtoria, po edhe këto në një gjendje fort të prapambetur. Gjatë shekujve të robërisë Shqiptarët ishin dhënë më fort pas përdorimit t'armëvet dhe s'para kishin pasur dëshirë të merrëshin me punimin e tokës. Një pjesë e fushavet, e mbytur prej lumenjvet, ishte kthyer në moçalishte, ujrat, kallamet dhe ferrat kishin hipur kudo; pjesa tjetër punohej me mjete primitive, me parmendën e hequr prej qevet. Nuk shihej gjëkundi një punë me plan, çdo gjë ishte lënë në dorë të natyrës. Shqipëria që pat qënë quajtur dikur "hambari i Romës", nuk prodhonte dot tani as sa për t'ushqyer popullsinë e saj të paktë dhe të vobektë. Nga prodhimet bujqësore, vendin e parë e zinte misri, pastaj vinin gruri, thekra, elbi, dhe me pakicë patatja. Perimet lëvrohëshin përqark qytetevet, sidomos në Shqipërinë e jugës. Në rrethet e Shkodrës dhe t'Elbasanit prodhohej duhani. Në Shqipërinë e Mesme dhe në jugë (në rrethet e Beratit e të Vlorës) bëhej ulliri, mbjellja e të cilit pat qënë përhapur fort në shekullin XIV; por në kohët e vona ullishtat nuk punohëshin me rregull. Në fushën e Myzeqesë mund të prodhohëshin orizi e pambuku, por nuk mbillëshin. Nga pemët, në Shqipërinë e Mesme dhe të jugës mund të bëhëshin pothuajse të gjitha llojet e zonës së Mesdheut, në radhë të parë rrushi. Portokalli, limoni, qitra, bëhëshin në rrethin e Himarës. Si bagëti, në radhë të parë ishin dhentë e dhitë, që mbahëshin me shumicë a me pakicë, njëri lloj apo tjetri, ose të dy, sipas krahinavet. Gjedhi (gjë e trashë) mbahej me pakicë dhe zakonisht prej racash të vogla. Peshkimi, në det ose në liqene, bëhej në një masë të kufizuar. Mbasi nuk kishte industri bujqësore as ushqimesh, pemët, perimet dhe prodhimi i blegtorisë përfshihëshin n'ekonominë familjare, shitëshin me pakicë sa për në tregun e brendshëm, pa u kthyer dot në pasuri kombëtare të një shkalle qarkullimi më të gjerë.

Sistemi shoqëror ishte ai i kohës së Sulltanëvet. Fushat përgjithësisht ishin bërë çifliqe në duart e bejlerëvet, të cilët kishin pasur fuqinë politike gjatë sundimit turk. Disa familje të mëdha zotëronin nga 10.000 hektarë tokë ose edhe më shumë. Pastaj vinin çifligarët e mesëm, që kishin prej 100 gjer më 1000 hektarë secili. Bujqit që i punonin këto toka ishin juridikisht të lirë, por beu ose agaj kishte gjithmonë mundësinë që t'i shtypte. Për ngastrën e tokës së punuar, pronari i merrte bujkut zakonisht një të tretën e prodhimit, nganjëherë gjysmën. Kishte edhe raste ku bujku e mbante tokën qesim, domethënë jepte për të një sasi të caktuar, në natyrë ose në të holla. Ky sistem vazhdoi edhe gjatë kohës së shtetit shqiptar, i cili nuk bëri kurrë një reformë agrare, deri me ardhjen e komunizmit.

Nëpër malësitë, katundari ishte zot toke, por toka e tij ishte aq' e paktë dhe aq' e varfër sa që s'prodhonte dot as për disa muaj bukë në vit. Në një gjendje pakëz më të mirë ishin fshatarët e zonavet të mesme, ndërmjet fushës dhe malit. Pse aty çifliqet ishin të rrallë, dhe e shumta e familjevet kishin pothuajse tokë të mjaftuarshme sa për të bërë bukën e vitit. Po edhe kjo varej nga moti, mbasi në Shqipëri nuk kishte, si i thonë, një punim racional të tokës me sisteme vaditjesh; as nuk ndiqej kudo rrotullimi bujqësor, mbasi tokat ishin të pakta. Prandaj edhe sasia e prodhimit ishte përgjithësisht mjaft e ulët.

Industri në kuptimin modern të fjalës nuk kishte pothuajse fare. Zejtaria që pat qënë aq' e përparuar dikur, pështetej kryesisht në punën e dorës dhe kufizohej tani sa për të plotësuar nevojat e pakta të vendit. Numri i puntorisë ishte i parëndësishëm, kufizohej nëpër qytetet dhe nuk lozte asnjë rol në jetën politike të vendit. Tregëtia pësoi një tronditje me copëtimin e Shqipërisë, krahinat më të begatshme dhe qendrat më të mëdha të së cilës mbetën jashtë kufijvet. Qarkullimi i brendshëm ishte i vështirë nga mungesa e rrugëvet. Vendi nuk kishte se çfarë t'eksportonte përjashta për të kundër-balancuar vleftën e importimevet. Se edhe pasuritë kombëtare, pyjet dhe minierat, shfrytëzohëshin fare pak. Gjendja kulturore e popullit ishte në një shkallë fort t'ulët, sepse sundimi turk e kishte mbajtur n'errësirën e padijes gjatë pesë shekujve. N'atë varfëri të mjeruar, higjiena dhe shërbimet mjekësore mungonin, sëmundjet ishin shumë të përhapuna, vdekësia e fëmijëvet ishte e hatashme.

Qeverisë së Vlorës i paraqitëshin vështirësi të panumërta e probleme që s'mund të zgidhëshin dot aq lehtë edhe në kohë të qeta. Merret me mend se ajo s'kishte se ç'të bënte më parë n'atë rrëmujë të përgjakshme, ku Shqipëria e jugës, përveç Vlorës dhe Beratit, ishte e pushtuar prej Grekëvet, Shqipëria e veriut, prej Serbo-Malazezvet, dhe në Shqipërinë e Mesme, pas tërheqjes së Serbvet, ngrehu pushtetin e tij Esad Toptani.

Natyrisht, problemi i parë që përqendronte tërë vëmendjen e qeverisë së Vlorës ishte çështja e kufijvet, e mbetur në duart e fuqivet të mëdha. Kur, më 22 Mars, Konferenca e Londrës vendosi që krejt Kosova, Maqedonia perëndimore dhe Rrafshi i Dukagjinit, bashkë me një pjesë të qarkut të Shkodrës, t'iu mbetëshin Serbisë dhe Malit-të-Zi, ky dënim në skllavëri i gjysmës s'atdheut ra si një rrufe mbi Shqiptarët. Ismail Qemali, në krye të një dërgate të qeverisë së tij ku bënin pjesë Luigj Gurakuqi dhe Isa Buletini, u nis për në Londër dhe në disa kryeqytete t'Evropës, në Prill 1913, për të protestuar kundër asaj padrejtësie të pashembullt që po i bëhej kombit shqiptar. Si mjet udhëtimi për të kaluar bllokadën e flotës greke përdori anijen private të princit frëng Ferdinand de Bourbon, Duc de Montpensier, i cili ishte paraqitur në Vlorë si kandidat për fronin e Shqipërisë. Përveç Londrës, dërgata shqiptare vizitoi Romën, Vienën, Parisin. Po kush të dëgjon kur nuk ke fuqi? Pasi u përpoq më kot të shpëtonte diçka nga pjesët e shkëputura t'atdheut, Plaku i Vlorës u kthye me duar-thatë, në Qërshor t'atij viti.

Copëtimi i vendit prej Konferencës së Londrës u bë shkak që, në disa qarqe shqiptare, të çfaqej përsëri ideja e afrimit me Turqinë. Mendimi ishte se, vetëm me përkrahjen e kësaj, mund të bashkohëshin prapë pjesët e shkëputura në një shtet shqiptar autonom, me një princ mysliman në krye, nën mvarësinë e Sulltanit. Në fillim kjo ide kishte një përmbajtje politike, siç do t'a shohim më poshtë, por pastaj u shndërrua në një fanatizëm fetar të verbër.

Esad Toptani, i cili pasi dorëzoi Shkodrën u vendos në Tiranë e në Durrës, desh t'a shfrytëzonte këtë ide, jo me qëllimin e bashkimit të tokavet shqiptare - se ai ishte vegla e Serbisë, e Malit-të-Zi dhe e Greqisë - por për të nxitur dhe shfrytëzuar fanatizmin fetar ndër Myslimanët e Shqipërisë së Mesme. Synimi i parë i tij ishte që të përmbyste qeverinë e Vlorës, për të mbetur ai vetë zot i asaj cope Shqipërie që do të caktonte Konferenca e Londrës. Prandaj u vu të bënte propagandën, shpifjet dhe intrigat më të dobëta kundër qeverisë s'Ismail Qemalit. Për t'i dhënë gjoja pushtetit të tij një formë "legale", Esadi mblodhi në Krujë, nga gjysma e Majit 1913, një farë "kongresi", ku ishin thirrur ca krerë fanatikë prej Shqipërisë së Mesme dhe krahinave rreth e qark, si Dibër, Mat, Lesh e Kurbin. Atdhetarët shqiptarë u munduan t'a kundërshtonin këtë vepërim trathëtar t'Esad Toptanit, që po iu ndihmonte armiqve të jashtëm dhe po vinte në rrezik edhe atë pjesë të Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Ambasadorëvet. Disa krahina, si Elbasani, nuk dërguan fare përfaqësonjës në Krujë; po edhe ata që vajtën prej anësh të tjera, nuk u bashkuan të gjithë me qëllimet e Esadit. Megjithatë, ky gjeti një rreth bejlerësh, agallarësh e klerikësh turkomanë, si myftiu shpirtqen i Tiranës Musa Qazimi, për të formuar me ta një farë "këshilli", i cili i lutej gjoja Esad Pashës që të merrte në dorë qeverimin e vendit deri sa të vinte prej Turqie një princ mysliman.

Esadi e ndjente që kishte kundër tij të gjithë rrymën e lëvizjes së vërtetë kombëtare, e cila lidhej me qeverinë e Vlorës; kjo e fundit përkrahej deri diku prej Austro-Hungarisë dhe Italisë, që i kishin dalë zot shtetit shqiptar të pavarur. Nga ana tjetër, Ismail Qemali nuk kishte fuqi t'a nënshtronte Esad Pashën. Prandaj të dy palët u gjetën gati për një pajtim me të mirë. Ismail Qemali e ftoi Esadin në qeverinë e tij duke i dhënë Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Ky e pranoi menjëherë këtë pozitë dhe vajti në Vlorë, por gjithmonë me qëllim që t'a merrte kalanë nga brenda.

Duke vazhduar intrigat si më parë dhe me shpresë se do të kishte në dorë gjindarmërinë, Esadi provoi t'afronte rreth vehtes kundërshtarët e Ismail Qemalit, Syrja Bej Vlorën e të tjerë, por sidomos të fitonte besimin e Italisë dhe t'Austro-Hungarisë. Me këtë qëllim bëri një udhëtim në Romë e në Vienë. Por duket se nuk gjeti përkrahje, mbasi ato dy fuqi e dinin që Esadi ishte vegla e armiqvet ballkanikë të Shqipërisë. Prandaj, si u kthye nga udhëtimi, qendroi vetëm disa ditë në Vlorë dhe shkoi e u vendos përsëri në Durrës, i veshur me cilësinë e ministrit të Punëve të Brendëshme, për t'organizuar në Shqipërinë e Mesme gjindarmërinë edh' administratën. E dinte se duke u pështetur në këtë krahinë, ku ishte baza e forcës së tij, dhe në përkrahjen e armiqve të Shqipërisë, mund të merrte në dorë sundimin e vendit. Prandaj vazhdoi shpifjet dhe propagandën e keqe kundër qeverisë së Vlorës duke e paditur këtë se gjoja punonte në dëm të Shqipërisë, por sidomos të fesë islame, dhe se donte të sillte një mbret kaur. Sipas Esadit, qeveria e Vlorës duhej rrëzuar dhe në vend të saj duhej formuar një qeveri e re me qendrën në Durrës. Për të nxitur fanatizmin në Shqipërinë e Mesme, Esad Toptani tregohej akoma besnik i Turqisë, dhe agjentët e tij bënin propagandë për një princ mysliman nën mvarësinë e Sulltanit. Qeveria e Vlorës dhe i tërë nacionalizmi shqiptar paraqitëshin prej Esadistëvet si një lëvizje e pa-fe. N'ato rrethana, ndarja më dysh e asaj copë Shqipërie të pashkelur, ishte kulmi i mjerimit dhe i fatkeqësisë kombëtare.

Ndërkaq, qeveria e Vlorës, me mjetet e saja të varfëra, u përpoq të bënte ç'ishte e mundur për bashkimin e vendit, për organizimin e administratës dhe përhapjen e arësimit shqip. Ismail Qemali, ndonëse vinte nga një familje e madhe bejlerësh, ishte liberal në shpirt dhe përparim-dashës. Ndoqi një politikë thjeshtë kombëtare duke u treguar i paanshëm ndërmjet fevet dhe krahinavet. Pasi u kthye prej udhëtimit n'Evropë, ia kushtoi tërë kujdesin bashkimit dhe organizimit të visevet të pashkelura dhe t'atyre që po zbrazëshin nga ushtëritë serbo-malazeze. Shqipërinë e Mesme qeveria e Vlorës nuk kishte shpresë t'a bashkonte veçse nëpërmjet t'Esad Toptanit, të cilin vazhdoi t'a merrte me të mirë dhe t'a shikonte si ministrin e saj. Kurse në Veri dërgoi një komision të kryesuar prej Luigj Gurakuqit, me qëllim që të bashkonte krahinat e lëshuara nga Serbo-Malazeztë dhe t'afronte popullin e Shkodrës, ndonëse ky qytet ishte nën kontrollin ushtarak ndërkombëtar. Malësitë e veriut u dëftyen të gatishme për t'u bashkuar me qeverinë e Vlorës; po ashtu Dedë Coku me krahinën e Leshit dhe Prenk Bib Doda me Mirditën. Ky i fundit kishte bashkëpunuar me Serbët gjatë pushtimit ushtarak të tyre. Në Shqipërinë e jugës, qeveria e Vlorës nuk mundi të bënte gjë, mbasi krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës mbahëshin të pushtuara prej Grekëvet. Një tjetër problem i vështirë për të ishte strehimi i refugjatëvet (ose i muhaxhirëvet, si quhëshin atëhere), të shpërngulur me shumicë nga Kosova dhe nga krahinat e jugës.

Ndonëse në fillim Ismail Qemali, duke parë vështirësitë e bashkimit, kishte menduar ndarjen e Shqipërisë në kantone, afërngjat pas shembullit të Zvicrës, kjo ide u kundërshtua me të drejtë prej atdhetarëvet të rrethit të tij dhe u la mënjanë. E ndarë në kantone, Shqipëria nuk mund të qëndronte as nuk mund të qëndrojë si shtet më vehte; sepse as gjendja e brendëshme e popullit të saj as rrethanat e jashtëme përtej kufijvet nuk janë si ato të Zvicrës. Kjo e fundit përbëhet prej popujsh me gjuhë të ndryshme, të cilët kishin gjetur një ekuilibër bashkëjetese midis tyre, sidomos n'anën e lidhjevet ekonomike dhe arritur në një shkallë të lartë kulturore përpara se të zgjidhnin atë formë qeverimi që iu përshtatet aq mirë. Pastaj, si pozitë gjeografike, Zvicra ndodhet në pikën kulmore t'ekuilibrit ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të cilat nuk kanë interes t'a prishin. Kurse Shqipëria, ndonëse banohet prej të njëjtit komb me të njëjtën gjuhë, ishte fort e përçarë përbrenda, shumë e dobët, e prapambetur, ekonomikisht, dhe populli i saj ka tjetër temperament përveç që s'kishte arritur në pjekurinë e kulturës as të mendimit politik. Pastaj ndodhej e ndodhet midis armiqsh që s'mendonin e s'mendojnë tjetër politikë kundrejt saj veç atë të copëtimit dhe të pushtimit. Këta do të përdornin të gjitha intrigat dhe mjetet e përçarjes, në një vend aq të varfër, për t'i gëlltitur kantonet njërin pas tjetrit. Pra, as gjendja e brendëshme as rrethanat e jashtëme të Shqipërisë nuk janë si ato të Zvicrës. Shqipëria s'mund të mbahej e s'mund të mbahet në këmbë veçse nën një administratë të përbashkët, si shtet i përqendruar. Çdo ndarje në krahina e kantone do t'ishte vdekja e saj, zhdukja e saj përgjithmonë nga harta gjeografike.

Prandaj qeveria e Vlorës u vu t'a organizonte vendin nën një administratë të përqendruar, duke e ndarë vetëm në prefektura, nënprefektura e krahina. Më 22 Nëntor 1913, shpalli edhe një ligj organik të quajtur "Kanuni i përtashëm i administratës civile të Shqipërisë". Administrimi i vendit ishte parashikuar në një mënyrë mjaft demokratike, sepse prefekti, nënprefekti dhe krahinari duhej të merrnin pëlqimin e këshillit administrativ dhe të këshillit të përgjithshëm të rrethit ose të qarkut për çdo masë që kish të bënte me t'ardhurat, shpenximet, zhvillimin ekonomik e mbarëvajtjen e krahinës së tyre. Kurse fuqia gjyqësore duhej t'ishte e pavarur nga administrata, e drejta civile do të ndahej prej sheriatit (domethënë prej gjyqit të kadilerëvet) dhe komuniteti mysliman do të shkëputej prej mvarësisë së Sheh-yl-Islamit. N'administratën shtetërore u fut gjuha shqipe, dhe nëpunësit që s'e dinin shkrimin e saj u detyruan t'a mësonin. Këto vendime, që sot na duken të parëndësishme, ishin një punë e madhe për n'atë kohë. Çështja e arësimit, që ishte bërë shkak i aq luftash e përpjekjesh ç'prej Lidhjes së Prizrendit e tëhu, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e qeverisë së Vlorës. Shkollat shqipe duhej të hapëshin nëpër qytete e fshatra. Për të gatitur mësuësit, të cilët mungonin, Ministria e Arësimit vendosi të çelte nga një shkollë normale në çdo qendër prefekture. Shqiptarët e mësuar duhej të vihëshin vullnetarisht në shërbim t'arësimit kombëtar. Mbasi t'ardhurat e shtetit ishin fare të pakta, qeveria shpresonte t'i jepte shtytje zhvillimit ekonomik dhe organizimit të vendit me ndihmën e huas ndërkombëtare. Pasi u shpall pavarësia, shteti shqiptar vendosi të vinte dorë mbi pasuritë e shtetit turk dhe çifliqet e Sulltanit në Shqipëri, lart nga 55.000 hektarë tokë. Këto prona ndodhëshin sidomos në fushën e Myzeqesë, po edhe në Shqipërinë e Mesme e të jugës, prej Durrësit dhe Kavajës gjer në rrethet e Sarandës e të Delvinës. Si duket, Ismail Qemali kishte ndër mend të bënte edhe një reformë agrare, me sa kuptohet nga një fjalim që ai mbajti në Vlorë, më 22 Tetor 1913. Por ngjarjet u zhvilluan ndryshe. Në rrëmujën që u krijua pastaj, një pjesë të tokavet të shtetit e përvetuan bejlerët e mëdhenj, sidomos Vrionasit, në Myzeqe, dhe Toptanasit, në Shqipërinë e Mesme. Mendimet dhe vendimet e qeverisë së Vlorës tregojnë qëllimin e mirë të saj, por nuk mundën të vihëshin në zbatim.

Një nga shkaqet e përçarjes dhe të mjerimit kombëtar u bë Esad Toptani. Me anën e intrigavet, kërcënimevet dhe shpifjevet më t'ulëta, ky u përpoq t'a përmbyste qeverinë e Vlorës dhe kërkoi që Ismail Qemali të shkonte në Durrës, ku ishte baza e forcës s'Esadit, për të formuar bashkë me këtë një qeveri të re. Kur e pa se qeveria e Vlorës nuk ishte e gatishme t'i nënshtrohej vullnetit të tij, Esadi i këputi lidhjet me atë, mblodhi në Durrës një "Pleqësi" të Shqipërisë së Mesme dhe, më 12 Tetor 1913, u shpall qeveri më vehte. Pastaj nisi luftën e hapët kundër qeverisë së Vlorës për t'a shtrirë sundimin e tij në jugë e në veri. U përpoq të shtinte në dorë Elbasanin me anën e Dervish Bej Biçakut dhe të ca kapistrave të tjerë, por nuk mundi, sepse qytetin e mprojti me forcë Aqif Pashë Biçaku, i cili ishte një atdhetar i shquar i lëvizjes kombëtare dhe besnik i qeverisë së Vlorës. Nga ana e veriut, Esadi e shtriu ndikimin gjer në Dibër e Mat, por te Bregu-i-Matit fuqia e tij ndeshi në qëndresën e Dedë Cokut dhe s'mundi të kapej në krahinën e Leshit.

Kështu, në Shqipërinë e pashkelur, u krijuan dy pushtete kundër njëri-tjetrit, ai i qeverisë së Vlorës dhe ai i "Pleqësisë" së Durrësit. Rreth këtyre dy qendrave u ndanë edhe shqiptarët e asaj kohe, sipas interesavet, prirjevet dhe mendësisë së tyre. Me qeverinë e Vlorës u bashkuan përgjithësisht atdhetarët, përparim-dashësit, ata që kërkonin një Shqipëri të vërtetë, të lirë e të pavarur. Rreth Esadit u mblodhën mbeturitë e feudalizmit, çifligarët e mëdhenj, turkomanët, ata që iu trembëshin reformavet dhe politikës demokratike t'Ismail Qemalit. M'e keqja ishte se Esad Toptani nuk kish asnjë ndjenjë kombëtare, bashkëpunonte me armiqtë e Shqipërisë duke iu bërë çdo lëshim, mjaft që ai vetë të mbetej sundimtar i një copë vendi,

Kësaj përçarjeje të brendëshme i shtohej tmerri që përhapnin ushtëritë serbe e greke, të cilat mbanin të shkelura, përveç Kosovës dhe Çamërisë, një pjesë të mirë krahinash që i qenë njohur shtetit shqiptar. Edhe pasi Konferenca e Londrës vendosi mbi kufijtë e Shqipërisë, ushtëria serbe qëndroi në një t'ashtuquajtur "kufi strategjik", që përfshinte malësitë e veriut përtej Drinit duke dalë gjer në Mat. Qeveria e Belgradit kishte nevojë gjoja për këtë vijë "strategjike", si një masë mprojtëse kundrejt sulmeve të Shqiptarëvet. Kurse Greqia mbante të pushtuara krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës. Me të dyja këto fuqi kishte lidhje të ngushta Esad Toptani.

Në pjesët e shkelura të Shqipërisë, Serbia vendosi një regjim tmerri duke djegur e vrarë me shumicë jo vetëm burra, po edhe gra, pleq e fëmijë. Ky vepërim çfarosës kundrejt racës shqiptare u legalizua me anën e një dekreti që nxori mbreti Pjetër mbi "Sigurimin e Shtetit", i cili ua linte në dorë forcavet ushtarake të merrnin kundër Shqiptarëvet çdo masë që t'a shihnin të nevojshme për të mbajtur rregullin dhe qetësinë. Në pështetje të këtij "ligji", "çlironjësit" serbë, sikurse Grekët në jugë, u derdhën mbi popullin shqiptar si egërsirat e kohëve më t'errëta të barbarisë, dhe e bënë vendin gjak, gërmadha e kufoma të llahtarshme. Megjithëse "diplomacia" evropiane u përpoq sa mundi për t'ia fshehur këto skena të neveritshme opinionit publik të Perëndimit dhe për t'i paraqitur Serbët e Grekët, jo si hiena që hanin mish njeriu, por si "engjëjt e Krishtit", xheku gjendej akoma n'atë kohë një fije ndjenje njerëzore, sepse shkalla morale nuk kishte rënë aq poshtë siç u lavir më pastaj nga komunizmi dhe nazizmi. Më 1913, Instituti Carnegie dërgoi në Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut një komision ndërkombëtar për të hetuar gjendien. "Kuptohet menjëherë se Maqedonia nuk është "Serbi e Vjetër", porsa që populli i saj trajtohet si armik", shënonte raporti i komisionit. Dhe vazhdonte më tutje: "Diegie shtëpish dhe fshatrash, vrasje me grumbuj në popullsinë e çarmatosur e të pafajshme, përdhunime të pashembullta, grabitje e mizori të çdo lloji; këto janë mjetet që trupat serbo-malazeze kanë përdorur dhe përdorin akoma për t'ua ndërruar krejt fizionominë ethnike krahinavet që banohen tërësisht prej Shqiptarësh".

Me mijëra gra e fëmijë që kishin shpëtuar pa u djegur gjallë, ose pa u grirë nga plumbat dhe bajonetat, xvarnisëshin si hije nëpër malet me dëborë, t'urët, të rreckosur e mbetur kockë e lëkurë. Nga shkonin? Ku drejtohëshin? As ata s'dinin, veçse iknin të hutuar porsi fantazma të heshtura, duke kërkuar strehë a për t'u fshehur pyjevet. Po edhe kur nuk i kapte armiku për t'i munduar akoma, për t'i shnderuar, për t'i therur, shumica e këtyre fatzezve vdisnin palmuç me grumbuj nga uria dhe të ftohtit. Kush do t'iu jepte ndihmë, kush do të tregonte mëshirë për ta? Ndoshta dëbora, duke iu hedhur mbi kufomat një mbulesë të bardhë...

Disa filantropë amerikanë provuan t'i merrnin në film këto fantazma të mjeruara dhe fshatrat e tyre djegur shkrumb e hi, me qëllim që të preknin ndjenjat e Evropianëvet. Por politika nuk ka ndjenjë! Diplomacia e fuqivet të mëdha bënte çmos për t'ia fshehur këto tmerre opinionit publik: interesi përpara së gjithash !

Nëpër katundet ku popullsia s'kishte mundur t'ikte, pas vrasjevet dhe plaçkitjevet të zakonshme, fillonin dëfrimet shtazore t'ushtarëvet serbë e malazez, të cilët, fryrë me mish dhe me gjënë e rrëmbyer të malësorëvet, i nxirnin këta në mes të natës duke i rrahur për t'iu gjetur raki e verë. Pastaj shtrihëshin të dehur si derrat në lerë, me pëllitje këngësh si këto: "O bozhe, bozhe, bez uino ne se mozhe!" (O Zot, o Zot, pa verë s'jetohet dot).

Sikur nuk patën mjaftuar ato që bëri gjatë dimrit, ushtëria serbe lëshoi një tjetër valë tmerri mbi popullsinë e zonës "strategjike" që mbante të pushtuar. Për t'i shtrënguar banorët e atyre vendeve që të kërkonin bashkimin me Serbinë, kumanda ushtarake shpalli shtet-rrethimin, iu preu malësorëvet rrugët dhe u a ndaloi zbritjen në qytete për të blerë drithë. Me mijëra familje u kërcënuan të vdisnin nga uria. Ata fshatarë që provonin të zbrisnin fshehurazi nëpër qytete, vritëshin prej rojevet serbe që kishin zënë të gjitha shtigjet.

Thirrjet e popullit të mjerë dhe protestat e qeverisë së Vlorës drejtuar fuqivet të mëdha nuk i dëgjonte askush. Atëhere Shqiptarët u detyruan të rroknin edhe njëherë armët për të vdekur duke luftuar. Se ushtëria serbe i shtrëngoi aq keq e iu bëri aq të liga, siç njoftonte Ismail Qemali, sa që nga dëshpërimi burra e gra zgjodhën vdekjen si të vetëmin shpëtim ndaj shnderimit, rrëmbimit dhe vrasjes.

Kryengritja nisi në Shtator, në krahinat shqiptare të Maqedonisë, Dibër, Tetovë e Gostivar, dhe pastaj u përhap në Rrafshin e Dukagjinit, ku malësorët u derdhën për të çliruar Gjakovë e Prizrend. Pas disa luftimesh të rrepta, Shqiptarët çliruan Dibrën e Madhe ku ngritën menjëherë flamurin e tyre. Ushtëria serbe, e zënë ngushtë, u tërhoq nga Ohri e Struga për t'iu bërë ballë kryengritjevet në Kosovë dhe në pjesën e brendëshme të Maqedonisë. Zjarri i luftës po vinte duke u përhapur. Grumbulli i refugjatëve kosovarë në Shqipëri ishte gati të vërsulej për çlirimin e Kosovës. Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Buletini e të tjerë nuk i njihnin kufijtë e caktuar prej Konferencës së Londrës dhe përpiqëshin t'organizonin në Kosovë një kryengritje të përgjithshme për të thyer zgjedhën e robërisë. Qeveria e Vlorës, sadoqë zyrtarisht duhej t'iu mbahej vendimevet të fuqivet të mëdha, e përkrahte tërthorazi lëvizjen irredentiste kosovare me aq sa kishte në dorë. Në qeveri bënin pjesë edhe Kosovarë, si Mehmet Pashë Deralla, ministri i Luftës, dhe Hasan Prishtina q'u emërua më vonë, në kohën e ngjarjevet të Shtatorit. Kjo tregon se Kosova shikohej si pjesë e pandarë e atdheut dhe se shpresat e çlirimit të saj ishin akoma të gjalla, siç përmblidhëshin në fjalët e Ismail Qemalit: "Kosova ka qënë dhe do të jetë shqiptare".

Për të shtypur kryengritjen, ushtëria serbe kundërsulmoi në tri drejtime: një pjesë e saj ripushtoi Dibrën e Madhe, Ohrin, Strugën, dhe arriti afër Pogradecit; një pjesë e dytë u nis nga Peshkopia dhe iu fut Lumës, për të goditur prapa krahëvet kryengritësit shqiptarë që luftonin rreth Prizrendit; ndërsa fuqi të tjera iu ranë Shqiptarëvet përballë.

Këtë radhë ushtëria serbe gjeti shkak për të çfarosur popullsinë me burra, gra e fëmijë, për t'i djegur fshatrat rrafsh me themel e për të mos lënë gjë më këmbë. Veçanërisht në Lumë, bëri vrasje e mizori të hatashme. Gazeta socialiste serbe "Radniçke Novine" (Lajmëtari i Puntorisë) botonte më 22 Tetor 1913 letrën e një ushtaraku serb që ia dërgonte nga Luma: "Nuk kam kohë të të shkruanj shumë gjatë, por dua vetëm të të them se këtu po bëhen gjëra të llahtarshme. Më përqeth tmerri kur i shoh, dhe pyes vetvehten sesi njerëzit mund të jenë kaq barbarë sa të kryejnë mizori të këtilla. Prej kësi pamjesh të neveritet jeta! Mund të të them që Luma u shua krejt. Nuk sheh veçse kufoma, pluhur e hi. Fshatra me nga njëqind e dyqind shtëpi kanë mbaruar fare e s'ka mbetur në to rob i gjallë. I mbledhim njerëzit në grupe prej dyzet a pesëdhjetë vetash dhe i çajmë me bajoneta gjer sa japin shpirt të gjithë". Gazeta serbe përfundonte me këto fjalë: "Miku i ynë na rrëfen gjëra më të tmerrshme akoma, por nuk po i botojmë se s'mund t'i durojë ndërgjegjia e njeriut". Gjërat më të tmerrshme akoma, përveç vrasjeve e shnderimeve do të kenë qënë prerja e hundëve dhe e buzëve për së gjalli (zakon barbar i njohur n'ushtërinë serbo-malazeze) e të tjera mizori shtazarake si këto.

Ato që përmban letra e ushtarakut serb nuk janë aspak të tepëruara, sepse jo vetëm ka akoma prej atyre viseve Shqiptarë që i mbajnë mend, por të njëjtat gjëra vërtetohen afër-ngjat edhe nga raporti i Komisionit Carnégie. Një françeskan i ardhur që andej, dëshmonte se kishte parë shumë kufoma fëmijësh të vrarë me bajonetë.

Pas këtyre skenave perqethse, është e kotë të flitet për plaçkitje e rrëmbime.

Përpara këtij tmerri, një pjesë e popullsisë s'atyre krahinave u shpërngul dhe zbriti në Shqipërinë e Mesme. Duke marrë si shkak kryengritjen e Shqiptarevet, Serbia provoi përsëri të delte në detin Adriatik. Me bashkëpunimin e Esad Toptanit, desh të pushtonte Shqipërinë e Mesme dhe të përmbyste qeverinë e Vlorës. Por kjo mësymje e dytë e Serbisë pas caktimit të kufijvet të shtetit shqiptar, nuk mund të mos e çonte durimin e Vienës gjer atje ku s'mbante. Më 18 të Tetorit, Austro-Hungaria i dha një ultimatum Belgradit, që të njihte vendimet e Konferencës së Londrës dhe t'i lëshonte tokat e Shqipërisë politike brenda tetë ditëve. E këshilluar nga Rusia dhe Franca, dhe e bindur se përndryshe Austro-Hungaria do të përdorte forcën, qeveria serbe u detyrua t'a tërhiqte ushtërinë brenda kohës së caktuar. Por Grekët nuk po largohëshin nga Shqipëria e jugës.

Përveç të ligavet që bënë ushtëritë e shtetevet fqinjë dhe përçarjes që solli Esad Toptani, punët e brendëshme të Shqipërisë u koklavitën edhe nga ndërhyrjet e Turqvet, të cilët nuk vonuan të dërgonin agjentët e tyre. Pas armëpushimit që iu kërkoi Turqia Aliatëvet ballkanikë, më 3 të Dhjetorit 1912, Turqit e Rinj erdhën përsëri në fuqi, më 20 Jenar 1913, dhe i rifilluan luftimet më 3 të Shkurtit. Po edhe këtë radhë u thyen dhe kërkuan armëpushimin, në Prill 1913. Ndonëse nuk kishte më kufij të përbashkët me tokat shqiptare, Turqia nuk e njohu menjëherë pavarësinë e Shqipërisë dhe vazhdoi t'a shikonte atë vend si pjesë të Perandorisë Otomane. Kur Turqit e Rinj i rifilluan luftimet me Aliatët ballkanikë, u përpoqën të bënin për vehte edhe Shqiptarët duke iu premtuar këtyre çlirimin e krahinavet të shkelura prej armiqvet dhe njohjen e një Shqipërie autonome me kufijtë e saj të natyrshëm. Kjo ide nisi të gjente pështetje në disa qarqe shqiptare, kur u pa se armiqtë ballkanikë e muarën vendin nëpër këmbë dhe fuqitë e mëdha po e trajtonin si plaçkë tregu. U kuptua se Shqiptarët s'mund të kishin tjetër përkrahës ose aliat në Ballkan përveç Turqisë. Prandaj një pjesë e tyre u kthye në mendimin e vjetër, se më mirë një Shqipëri e plotë me të gjitha krahinat dhe autonome nën Sulltanin, se sa një shtet shqiptar gjysmak e gjoja i pavarur. Përçapjet e një politike të këtillë pranë Turqve të Rinj, në Stamboll, i bëri një komitet Shqiptarësh (shumica Kosovarë), i cili u formua pas gjendjes që krijoi Lufta ballkanike. Këta ishin përgjithësisht nga turkomanët e zakonshëm, por ideja e tyre këtë radhë pështetej në nj'arësye të shëndoshë kombëtare: më mirë një Shqipëri e bashkuar, qoftë edhe autonome nën Sulltanin, se sa një gjysëm shteti shqiptar, artificialisht i këputur në mes, dhe gjoja i pavarur. Kjo ide vazhdoi të përhapej sidomos pas datës së 22 Marsit 1913, kur fuqitë e mëdha vendosën t'iu lëshonin krahina të gjera shqiptare Serbisë dhe Malit-të-Zi. Ndonëse n'atë kohë Turqia u mund për së dyti dhe nuk vonoi të kërkonte paqen, vështrimin e saj s'desh t'a hiqte prej Shqipërie. Nisi të dërgonte nga Stambolli agjentë të fshehtë për të shtytur dhe organizuar një lëvizje shqiptare, e cila do të kishte si program autonominë e Shqipërisë, me një princ mysliman në krye, nën mvarësinë e Sulltanit. Princi mysliman duhej t'ishte mundësisht prej origjine shqiptare, por i pranuarshëm prej Turqisë. Në një kongres që mbajtën Turqit e Rinj, në Gusht 1913, si princ të Shqipërisë propozuan Izet Pashën, ministrin turk të Luftës, me origjinë shqiptare.

Kjo ide u përforcua kur Bullgaria u kthye kundër aliatëvet të vjetër, Serbi e Greqi, dhe nisi t'afrohej me Turqinë për të krijuar një aliancë të dytë në Ballkan. Në Luftën ballkanike, grushtin më të rëndë Turqisë ia dhanë Bullgarët, kurse përfitimin më të madh e platën Greqia me Serbinë. Kjo e fundit, në kundërshtim me traktatin serbo-bullgar të 13 Marsit 1912, e mori për vehte Maqedoninë. Nga këto zemërime, Bullgaria iu shpalli luftë Serbisë dhe Greqisë, më 29 Qërshor 1913. Kurse Rumania i shpalli luftë Bullgarisë më 10 Korrik, dhe pushtoi Dobruzhën. Kësaj përleshjeje të dytë ballkanike i dha fund traktati i Bukureshtit, që u nënshkrua më 10 Gusht 1913. Kështu Bullgarisë s'i mbetej tjetër miqësi në Ballkan veçse t'afrohej me Turqinë për të formuar një lidhje turko-bullgare, e cila mund të kishte edhe përkrahjen e Austro-Hungarisë. Siç ishte e logjikshme, kjo lidhje u përpoq të tërhiqte n'anë të saj edhe Shqipërinë kundër Serbisë dhe Greqisë. Shqipëria ishte njohur shtet asnjanës, nën garantinë e gjashtë fuqivet të mëdha, e prandaj s'mund të merrte zyrtarisht pjesë në një aliancë ushtarake që drejtohej kundër fqinjëvet të saj. Por kishte mënyra të tërthorta për të përkrahur vepërimin turko-bullgar, si për shembull me anë çetash e duke shtytur në kryengritje krahinat shqiptare të pushtuara prej Serbisë dhe Greqisë.

Plani i një lidhjeje turko-bullgaro-shqiptare ishte mjaft tërheqës për Shqiptarët, të cilët nuk shihnin tjetër udhë sesi t'i bashkonin gjymtyrët e shkëputura t'atdheut. Të parët që u vunë në lëvizje qenë Kosovarët, duke i shtuar përpjekjet e tyre në Stamboll. Kështu, në rastin e një kryengritje kundër Serbisë, Kosovarët do të kishin edhe përkrahjen e Bullgaro-Maqedonasvet. Në jugë, ishin vënë në lëvizje edhe Vllehtë e Pindit për t'u shkëputur nga Greqia dhe për t'a bashkuar krahinën e tyre me shtetin shqiptar. Në këtë drejtim i shtynte jo vetëm Rumania, po edhe dëshira e tyre, mbasi Vllehtë kanë shkuar gjithmonë mirë me Shqiptarët.

Në këto kushte, qeveria turke mendoi t'a zgjeronte vepërimin e saj në Shqipëri duke dërguar të tjerë agjentë, të kryesuar prej majorit Beqir Grebeneja. Ky ishte njeri i zoti dhe mundi të hynte në lidhje me disa krerë e qarqe të ndryshme të Shqipërisë s'asaj kohe, duke bërë propagandë për "princin mysliman", pranë fanatikëvet, ose për çlirimin e krahinavet të robëruara pranë atdhetarëvet. Mbasi në Shqipëri nuk kishte një mendim politik të përcaktuar mirë, agjentët turq i flisnin gjithkujt atë gjuhë që i pëlqente, sepse qëllimi i tyre ishte të këthenin shumicën në vijën e bashkëpunimit me Turqinë. Kjo e fundit i ishte trembur zgjerimit të Greqisë dhe të Serbisë, prandaj kërkonte mbështetje në Ballkan, tek Bullgarët dhe Shqiptarët. Agjentët e saj ishin të mirëpritur prej turkomanëvet dhe klerit fanatik mysliman, veçanërisht në Shqipërinë e Mesme, ku Esad Toptani desh t'a shfrytëzonte këtë lëvizje për interesat e tija. Beqir Grebeneja u vu t'organizonte këtu edhe komitete të fshehtë, që kishin për qëllim të sillnin një princ mysliman dhe t'a lidhnin përsëri vendin me Turqinë. Por mbasi ndjenjat kombëtare dhe ideja e pavarësisë mbahëshin mjaft të forta rreth qeverisë së Vlorës, agjentët turq u detyruan të hynin në bisedime të drejtpërdrejta me udhëheqësit e kësaj rryme dhe me disa krerë të Kosovarëvet, duke iu premtuar ndihmën e Stambollit për bashkimin e pjesëvet të shkëputura të Shqipërisë - Kosovë e Çamëri - në një shtet shqiptar autonom, ose edhe të pavarur. Ka shumë të ngjarë që Beqir Grebeneja të jekë takuar fshehtazi edhe me Ismail Qemalin, i cili sigurisht e kuptonte se s'kish mbetur tjetër shpresë për çlirimin e krahinavet të robëruara veçse nëpërmjet të një aliance me Turqinë dhe Bullgarinë, sidomos kur afrimi i këtyre të dyjave përkrahej prej Austro-Hungarisë. Në këtë drejtim punonte edhe konsulli i Bullgarisë në Vlorë, Pavllov, i cili duhet të ketë pasur bisedime me Ismail Qemalin. Mirëpo çështja e aliancavet paraqitej fort e vështirë për qeverinë e Vlorës, sepse Shqipëria ishte njohur shtet asnjanës prej fuqivet të mëdha.

Ndërkaq, Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit kishte arritur në Vlorë, në muajin e Tetorit 1913. Vetë Ismail Qemali iu kishte bërë një thirrje fuqivet të mëdha që t'a dërgonin sa më parë, për të liruar vendin nga ushtëritë e huaja dhe për të sjellë bashkimin e shtetit shqiptar. Ndonëse përfaqësonjësi i Austro-Hungarisë dhe ai i Italisë kërkuan që Komisioni i Kontrollit t'a njihte qeverinë e Vlorës si qeveri kombëtare për tërë Shqipërinë, ata të tjerët nuk deshën. Kështu, si qeverinë e Vlorës edhe "Pleqësinë" e Durrësit, Komisioni vendosi t'i shikonte njëlloj, si autoritete lokale. Në të njëjtën kohë u largua prej Shkodre Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar, duke lënë në qytet vetëm një fuqi të vogël nën kumandën e kolonelit anglez G. Philips, që hyri nën urdhërat e Komisionit të Kontrollit. Mbasi ishte parashikuar që në Komisionin duhej të kishte edhe një përfaqësonjës shqiptar, si i tillë u paraqit dhe u pranua Myfit Bej Libohova. Puna e parë që duhej të bënte Komisioni ishte organizimi i gjindarrnërisë dhe bashkimi i tërë vendit nën një administratë. Për t'organizuar gjindarmërinë, kish ardhur një grup oficerësh holandezë nën drejtimin e kolonelavet De Veer dhe Thomson. Këta krijuan brenda pak kohe një gjindarmëri shqiptare prej 1000 vetash dhe me nja 30 oficerë, gati për të marrë në dorëzim vendet që do të lironte ushtëria greke.

Në Nëntor 1913, sipas propozimit t'Austro-Hungarisë dhe t'Italisë, fuqitë e mëdha zgjodhën si Princ të Shqipërisë princin gjerman Wilhelm von Wied. Ky u shikua si m'i përshtatshmi për dy arësye: e para, ishte protestant dhe s'kishte të bënte me asnjërën nga të tri fetë e Shqipërisë; e dyta, ishte Gjerman, dhe Gjermania s'ishte drejtpërdrejt e përzjerë në punët e Shqipërisë. Lajmi i caktimit të "Mbretit" u prit në Shqipëri prej atdhetarëvet dhe shumicës së popullit me gëzim të madh. Të gjorët Shqiptarë kujtonin se me ardhjen e tij të gjitha punët do të rregullohëshin si me magji: ushtëria greke do t'a lëshonte vendin, krahinat do të bashkohëshin, qetësia, rregulli, do të vihëshin kudo dhe, pas aq lemerie e gjaku të derdhur, gjithkush do të mblidhej në vatrën e tij. Edhe Esad Toptani, për të mos iu dalë kundër fuqivet të mëdha, bëri sikur e priti mirë caktimin e Wied-it, por nga ana tjetër vazhdoi propagandën nën dhet për "princin mysliman".

Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit nisi të merrej me organizimin e vendit duke bashkëpunuar me qeverinë e Vlorës, po edhe me "Pleqësinë" e Durrësit. Siç e pamë më sipër, qeveria e Vlorës nxori, më 22 Nëntor 1913, një ligj organik për administratën civile të Shqipërisë. Por tani që kishte mbi krye Komisionin ndërkombëtar të Kontrollit, veprimtaria e saj erdhi duke u pakësuar. Dhe mbasi njerëzit, sidomos bejlerët e Shqipërisë, anojnë zakonisht andej nga shohin forcën, disa prej tyre filluan të shkëputëshin nga rrethi i Ismail Qemalit. Përveç kushërinjve të tij Vloraj, ky kishte pasur edhe kundërshtarë të tjerë nga ata që bënin pjesë në qeveri, si Myfit Bej Libohovën, të cilët zunë t'anonin nga forca e Esad Toptanit, ose t'iu bënin lajka "patronëvet" të huaj duke spiunuar e shpifur kundër Ismail Qemalit.

Komisioni Ndërkombëtar kishte rënë n'erë t'agjentëvet turq dhe urdhëroi gjindarmërinë të bënte një kontrollim të rreptë në qytetin e Vlorës dhe n'anijet që ndodhëshin në liman. Pas një shtet-rrethimi prej dy-tri ditësh, ndërmjet 6 dhe 8 Jenar 1914, gjindarmëria kapi në qytet disa agjentë të fshehtë turq, ndër ta edhe Beqir Grebenenë, përveç nja 10-12 oficerë dhe afro 200 ushtarë që u gjetën n'anijet austriake. Këta thanë se vinin prej Turqie për t'u riatdhesuar mbasi ishin Shqiptarë shumica. Me urdhër të Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit u formua një gjyq ushtarak, i kryesuar prej kolonelit holandez De Veer, që dënoi me burgime të ndryshme njëzet e ca prej agjentëvet turq, ndërsa Beqir Grebeneja u dënua me vdekje (por nuk u ekzekutua). Fara e mbjellë prej agjentëve të Turqisë dha si bimë lëvizjen e Rebelëvet, siç do t'a shohim më poshtë.

Pas këtyre ngjarjeve dhe mbasi për së shpejti pritej të vinte Princi i Shqipërisë, Ismail Qemali kërkoi që të formohej një qeveri e vetëme për të gjithë vendin dhe u tregua i gatishëm t'ia lëshonte pushtetin në dorë Komisionit të Kontrollit. Ai shpresonte se n'atë mënyrë do të hiqej nga fuqia edhe Esad Toptani, dhe do të mbyllej përçarja. Kështu, më 22 Jenar 1914, qeveria e Vlorës dha dorëheqjen, Ismail Qemali u largua nga skena dhe shkoi të jetonte në Zvicër.

Komisioni i Kontrollit kërkoi nga Esad Toptani që t'a shpërndante edhe ai "Pleqësinë" e Durrësit për t'i lënë vendin një qeverie kombëtare, e cila do të formohej porsa të vinte Princi. Por Esadi nuk dëgjoi me të mirë, gjersa mori premtimin se do të vente ai vetë në krye të një komisioni shqiptar për t'i shpurë kurorën Wied-it, në Neuwied. Në këtë mënyrë, dhe me tërheqjen nga skena t'Ismail Qemalit, Esadi po e tregonte vehten si përfaqësonjësi m'i lartë i Shqipërisë. Qëllimi i tij ishte që t'a vendoste kryeqytetin në Durrës dhe t'a merrte ai vetë kryesinë e qeverisë shqiptare. Rreth Esadit po mblidhëshin tani bejlerë e dallkaukë, majmunët e pozitavet dhe të përfitimevet.

Në se tmerri i ushtërivet serbe u largua përkohësisht nga krahinat e Shqipërisë veriore (ndonëse vazhdonte gjithmonë në Kosovë e Maqedoni), ushtëritë greke s'po e lëshonin Shqipërinë e jugës. Të këqiat që kishin bërë këto, sidomos në Çamëri, iu kallën datën Shqiptarëvet. Për t'u shkarkuar gjoja nga përgjegjësia zyrtare e krimevet dhe e grabitjevet, qeveria greke organizoi çeta hajdutësh, nën kumandën e kriminelëvet të neveritshëm Delijanaqi, Harilago, e të tjerë, që s'lanë gjë pa bërë mbi Shqiptarët. Njerëzia merrnin arratinë nga të mundnin ose fshihëshin pyjevet, ku vdisnin nga uria, për t'i shpëtuar vrasjes mizore dhe shnderimit. Lart nga 25.000 kokë bagëti të Çamërvet, përveç ushqimit dhe plaçkavet të shtëpisë, u rrëmbyen që në ditët e para prej bandavet greke. Po edhe autoritetet zyrtare s'mbetëshin pa punë: me urdhër të kolonelit Ebitis, u vranë mjaft çamër në Prill të vitit 1913. Kurse më 1 Dhjetor t'atij viti, 72 burra të zgjedhur nga parësia e Filatit, Margëlleçit dhe Paramithisë u ftuan gjoja për t'iu paraqitur qeveritarit të Janinës dhe u vranë që të gjithë në katundin Selan, në Sulin e Poshtëm.

Pas caktimit të kufijvet me Protokollin e Firencës, më 17 Dhjetor 1913, fuqitë e mëdha kërkuan nga Greqia që t'i lëshonte krahinat e Shqipërisë politike brenda një muaji. Por Venizelloja, kryeministri dhelpër i Greqisë, i kishte menduar këto punë më përpara. Ndërsa Serbo-Malazeztë nuk gjenin asnjë mbështetje në Shqipërinë e veriut sepse Shqiptarët, myslimanë e katolikë, ishin kundër tyre, në jugë paraqitej gjendja ndryshe: një pjesë e Shqiptarëvet orthodoks ishin grekomanë, të punuar me kohë prej shkollave greqishte e prej klerit grek, dhe mund t'i shërbenin Greqisë si një bazë për të bërë lodrën e saj. Dhe lodra që mendonte Venizelloja ishte kjo: dy krahinat jugore, Korçë e Gjirokastër, të shpallëshin si "shtet autonom" i Epirit të Veriut (ose "Vorio-Epir", siç e quajtën Grekët) dhe të veçohëshin nga Shqipëria. Pastaj do t'ishte fare i lehtë bashkimi i tyre me Greqinë. Edhe pse në këto dy krahina Myslimanët dhe pjesa e Orthodoksvet atdhetarë përbënin shumicën e madhe, pjesa grekomane e Orthodoksvet i mjaftonte Venizellos si një mbulesë për të fshehur prapa tyre kriminelët e prurë nga Gjiriti dhe prej viseve të tjera të Greqisë.

Por qeverisë greke i duhej të fitonte kohë, gjer sa të pregatiste vënien në zbatim të këtij plani. Prandaj, më 30 Dhjetor 1913, Venizelloja u përgjigj se do t'a tërhiqte ushtërinë prej krahinavet të Shqipërisë jugore pasi t'ishte zgidhur në dobi të Greqisë çështja e ishujvet t'Egjeut. Ndërkohë, ushtëria greke organizoi bandat famëkeqe të quajtura "kompani të shenjta" (hierolohitët) me hajdutë dhe kriminelë të lëshuar prej burgjeve të Greqisë, dhe i vërviti në krahinat e Korçës e të Gjirokastrës për t'a shkretuar vendin në zjarr e në gjak. Shpalli gjithashtu mobilizimin e përgjithshëm për Shqiptarët orthodoks të cilët i shikonte si Grekë. Natyrisht, pjesa e atdhetarëvet nuk pranoi të hynte n'atë trathëti të fëlliqur dhe u mundua t'iu qëndronte Grekëvet bashkë me Myslimanët. Por pati mjaft grekomanë që u vëllazëruan me kriminelët e Gjiritit dhe bënë lodrën e Venizellos. Disa prej këtyre, Simo Marjani me shokë në qarkun e Korçës e të tjerë nga anët e Përmetit, të Delvinës e të Gjirokastrës, u bënë udhëheqësit e Grekëvet dhe formuan banda të rrezikshme kundër popullsisë myslimane.

Më 13 të Shkurtit 1914, fuqitë e mëdha, me anën e një note të përbashkët, ia kujtuan edhe njëherë qeverisë greke se duhej t'i zbraste tokat e Shqipërise gjer në mbarim të Marsit, dhe se vetëm atëhere mund të merrëshin parasysh kërkesat e saja në lidhje me ishujt e Egjeut. Por Venizelloja përgjigjej me mënyra bizantine se "qeveria helenike zotohej të mos shtynte kurrkënd, drejtpërdrejt as tërthorazi, për të kundërshtuar vendimet e fuqivet të mëdha në lidhje me Shqipërinë e jugës" etj. Me këto fjalë donte të thoshte se qeveria greke s'kishte të bënte nëqoftëse vetë "Epirotët e Veriut" s'donin të bashkohëshin me shtetin shqiptar. Këtë paturpësi cinike, prej atëhere e gjer më sot, diplomacia greke e ka bërë si një rregull të pandryshuarshëm kundrejt Shqipërisë.

Megjithatë, për të mos ardhur në kundërshtim të hapët me fuqitë e mëdha, Venizelloja i dha urdhër ushtërisë së rregullt që t'a lëshonte Korçën më 1 Mars. Të nesërmen, hyri në qytet gjindarmëria shqiptare dhe u vu një administratë e varur prej Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit.

Por kjo ishte vetëm një manevër e qeverisë greke për t'iu treguar fuqivet të mëdha se gjoja ajo po e tërhiqte ushtërinë e rregullt. Kurse nga ana tjetër kish pregatitur shpalljen e "autonomisë s'Epirit të Veriut" dhe hedhjen në vepërim të "kompanivet të shenjta", që paraqitëshin si "forcë vorio-epirote". Prej një t'ashtuquajturi "kongres" që u mblodh në Gjirokastër më 28 Shkurt 1914, nën kryesinë e Jorgji Kristaq Zografit, grekoman nga fshati Qestorat i Gjirokastrës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtëme të Greqisë, u shpall "autonomia e Vorio-Epirit". U formua edhe një "qeveri vorio-epirote" me Zografin si kryeministër, Karapanon (ish-deputet grek) si ministër i jashtëm dhe kolonel Dulis (oficer grek) ministër i luftës. Ca ditë më vonë, Himarioti Spiro Spiromilo, major n'ushtërinë greke, shpalli "autonominë" e shtatë fshatravet të Himarës.

Menjëherë pas kësaj tragjikomedie, Zografi bëri të njohur se "as Greqia as fuqitë e mëdha nuk kishin të drejtë të ndërhynin në punët e brendëshme t'Epirit të Veriut" dhe kërkoi nga Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit që të mos i lejonte forcat shqiptare të shkelnin "kufijtë e këtij shteti".

Kur princi Wilhelm von Wied (ose Vidi, siç e quajtën Shqiptarët) zbriti në Durrës më 7 Mars l9l4, u ndodh përpara një gjendjeje tepër të koklavitur. Ardhja e tij u prit me shumë gëzim dhe ngjalli shpresa që s'mund të plotësohëshin. Vidi ishte i mirë ndoshta si njeri, por s'kishte as zotësinë as mjetet e duhura për t'a nxjerrë vendin nga ajo gjendje. Si kryeqytet zgjodhi Durrësin, ku ishte baza e forcës s'Esad Toptanit. Më 17 Mars, u formua qeveria shqiptare nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, një diplomat i vjetër që kishte qënë ambasador i Turqisë në Petrograd. Ndonëse Esad Toptani nuk u vu dot në krye të qeverisë, ai mbeti prapë se prapë njeriu m'i fuqishëm sepse mori dy ministritë më të rëndësishme, të Punëve të Brendëshme dhe të Luftës. Ky ishte një nga gabimet e Vidit, që i dha Esadit - kreu i të gjitha intrigavet - dy vendet kyç në qeveri. Gabimi tjetër ishte që nuk iu vuri fuqivet të mëdha si konditë të domosdoshme çlirimin e krejt tokës shqiptare prej ushtërivet greke përpara se ai të vinte në Shqipëri. E vetëmja dobi që pati ndoshta vendi i ynë prej ardhjes së Vidit ishte se ky u njoh si princ i Shqipërisë prej gjithë fuqivet të mëdha dhe shtetesh të tjerë t'Evropës e të Ballkanit, duke i dhënë kështu pavarësisë shqiptare një vërtetim ndërkombëtar të pamohuarshëm.

Qeveria që u formua nën Vidin përbëhej prej çifligarësh a bejlerësh të mëdhenj të cilët, si gjithnjë, shikonin më fort interesat e tyre se sa ato të Shqipërisë. Por sido që të kishte qënë qeveria kombëtare, ata që propozonin dhe vendosnin në punët e Shqipërisë ishin të huajtë: Këshilli ndërkombëtar i Kontrollit dhe këshilltarët e huaj që rrethonin Princin. Për fat të keq, nuk ishin as këta në një mendje, sidomos këshilltarët austriakë dhe italianë. E dimë rivalitetin e vjetër ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë për çështjen e ndikimit a të sundimit të tyre në Shqipëri. Por gjatë Luftës ballkanike dhe vendimeve të Konferencës së Londrës, këto dy fuqi kishin mbajtur një politikë pak a shumë të përbashkët kundrejt Shqipërisë. Kurse me ardhjen e Vidit, Italia e ndryshoi qëndrimin e saj dhe nisi të bënte një politikë më vehte në lidhje me çështjen shqiptare, kundër Austro-Hungarisë dhe në dëm të madh të Shqipërisë. Duke pandehur se Vidi, si Gjerman, ishte m'i afërt me Austrinë, Italia u vu të gjente vegla midis Shqiptarëvet, e në radhë të parë Esad Toptanin. Filloi gjithashtu të bënte me Greqinë një politikë më vehte duke i lëshuar pe në Shqipërinë e jugës.

Pas formimit të qeverisë së Durrësit, kundërshtimi i parë ndërmjet fuqivet të mëdha u çfaq për çështjen e huas që do t'i jepej Shqipërisë dhe për krijimin e bankës kombëtare të saj. Austria kërkoi edhe njëherë që banka shqiptare të krijohej me kapitale austro-italiane dhe huaja prej 75 milionë frangash ari, vendosur prej Konferencës së Londrës, t'i jepej Shqipërisë prej këtyre dy shteteve. Por fuqitë e tjera e kundërshtuan këtë plan dhe nuk deshën të largohëshin nga mendimi i vjetër, propozuar prej Francës, që banka e Shqipërisë dhe huaja të plotësohëshin me kapitale prej të gjashtë të mëdhenjvet.

Statuti organik i Shqipërisë, e para Kushtetutë e shtetit shqiptar, u hartua prej Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit dhe u nënshkrua prej tij, në Vlorë, më 10 Prill 1914. Ky statut s'ishte tjetër veçse një përmbajtje e vendimevet themelore që pati marrë për Shqipërinë Konferenca e Londrës, më 29 Korrik 1913. Pra, sipas nenit 1 të këtij statuti, Shqipëria shpallej principatë kushtetutore, sovrane e trashëgimore, nën garantinë e gjashtë fuqivet të mëdha, të cilat garantonin gjithashtu (neni 2) tërësinë dhe paprekshmëninë e tokës së Shqipërisë me kufijtë që ato patën caktuar. Shteti shqiptar ishte asnjanës (neni 3), dhe asnjanësia e tij garantohej po prej gjashtë fuqivet të mëdha. Në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane Princi Wilhelm von Wied, i cili ishte kryetari i administratës civile e ushtarake dhe emëronte këshillin e ministravet. Gjuha zyrtare dhe e detyruarshme nëpër shkollat ishte shqipja. Organi legjislativ i principatës së Shqipërisë ishte Asambleja Kombëtare, ku do të zgjidhëshin, me anë zgjedhësash të dytë, nga tre deputetë për çdo sanxhak; por n'Asamble do të bënin pjesë edhe përfaqësonjësit e tri fevet, komisari i lartë shqiptar pranë Bankës Kombëtare, dhe dhjetë antarë të caktuar prej Princit. Nga ana administrative, Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe (prefektura), që nëndahëshin në kaza (nënprefektura), dhe këto në nahije (komune). Statuti organik caktonte institutet e larta të shtetit, përbërjen e forcavet t'armatosura, organizimin e degëvet të ndryshme t'administratës, të financavet, të drejtësisë, t'arësimit etj. Garantonte lirinë e nënshtetasvet, lirinë e veprimtarisë së tyre politike, ekonomike e shoqërore.

Si shihet, statuti organik i jepte Shqipërisë vendin e një principate të pavarur në radhën e shteteve t'Evropës. Pika që mund të kritikohej më shumë ishte neni 4, me anën e të cilit principata Shqiptare detyrohej të mbante në fuqi traktatet, konventat dhe rregullimet ndërkombëtare të Perandorisë Otomane në lidhje me konçesionet a privilegjet që ajo iu kishte njohur të huajvet në tokat e Shqipërisë. Këto s'mund të hiqëshin as mund të ndryshohëshin veçse me vendimin e të gjashta fuqivet të mëdha.

Por statuti organik i Principatës Shqiptare nuk pati kohë e mundësi të vihej në zbatim: dy stuhi prej skëterre e përmbysën shtetin e porsa-lindur: vërshimi i Grekëvet, në jugë, dhe kryengritja e Rebelëvet, në Shqipërinë e Mesme.

Pasi shpallën në Gjirokastër t'ashtuquajturën qeveri "t'Epirit të Veriut", Grekët dhe grekomanët i shtuan përpjekjet për t'u bërë zotër të vendit. Koloneli holandez Thomson, i ngarkuar prej Komisionit të Kontrollit si komisar për krahinat e jugës, shkoi në Korfuz ku pati një bisedim me Karapanon, përfaqësonjësin e "qeverisë së Vorio-Epirit", për t'i gjetur një rregullim çështjes. Thomsoni, duke shprehur mendimet e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit, i cili s'donte të kishte shumë kokëçarje, iu premtoi Grekëvet disa "të drejta të veçanta" për popullsinë e "Epirit të Veriut". Por qeveria e Durrësit nuk i pranoi këto lëshime dhe u tregua kundër çdo forme autonomie për krahinat e jugës.

Grekët, duke parë qëndrimin e lëkundshëm të Komisionit të Kontrollit dhe mos-interesimin e fuqivet të mëdha, provuan të pushtonin prapë Korçën me befasi, natën mbë 2 Prill 1914. Ushtëria e rregullt e tyre ishte "tërhequr" më 1 Mars sa për të gënjyer fuqitë e mëdha, sepse në të vërtetën ata kishin lënë forca të fshehura brenda në qytet dhe nëpër fshatrat rreth Korçës, nëpër shtëpitë e Orthodoksvet grekomanë. Kishin lënë gjithashtu në spitalin e Korçës një numër ushtarësh gjoja "të sëmurë" dhe "mjekët" e tyre, që nuk ishin veçse oficerë për të drejtuar grushtin e befasisë në çastin e duhur. Kishin depot e fshehta t'armëvet, gjithmonë nëpër shtëpitë e grekomanëvet ose nëpër kishat orthodokse, si edhe një rrjetë spiunësh që i ndërlidhte mitropolia e Korçës me peshkopin grek në krye.

Të pregatitur në këtë mënyrë, Grekët dhe grekomanët i ranë Korçës natën mbë 2 Prill 1914. Por gjindarmëria shqiptare, nën kumandën e majorit holandez G. Snellen, i theu forcat armike dhe i vuri përpara. Ky guxim iu dha zemër Shqiptarëvet t'atij qarku, të cilët u ngritën me shumicë, t'udhëhequr prej Themistokli Gërmënjit e të kumanduar prej Sali Butkës me shokë, dhe u hodhën kundër bandavet greke e grekomane. Enthusiazmi qe i madh. Pas një përpjekjeje të rreptë që bënë në Barmash me armiqtë "vorio-epirotë", Shqiptarët çliruan Kolonjën dhe Leskovikun. Të tjera fuqi vullnetarësh u ngritën në këmbë, çliruan Përmetin, Tepelenën dhe, në ditët e para të Majit, arritën gjer afër Gjirokastrës, ku e kishte qendrën e ashtuquajtura "qeveri e Vorio-Epirit". Bandat e Grekëvet dhe të Shqiptarëvet grekomanë, duke u tërhequr, dogjën e vranë sa mundën nëpër fshatrat myslimane.

Princ Vidi me qeverinë e Durrësit shpresuan se erdhi rasti për t'i përzënë Grekët nga Shqipëria jugore dhe menduan të pregatitnin një fuqi prej 10.000 vullnetarësh që t'ua dërgonin ndihmë luftëtarëvet të jugës. Por ai që do t'a vinte në zbatim këtë plan ishte ministri i Luftës, Esad Toptani, i cili nuk kishte asnjë dëshirë për të ndihmuar "Toskët". Ai e dinte se atë pjesë të Shqipërisë nuk do t'a kishte kurrë pas vehtes, prandaj s'mërzitej fort sepse t'a merrnin Grekët, me të cilët ishte në lidhje. Kështu Esadi, jo vetëm që s'tregoi vullnet të mirë për të mbledhur fuqi, por fshehu edhe një sasi armësh e municionesh që u nisën nga Durrësi për në jugë, dhe që nuk arritën kurrë !

Kur panë vendosmërinë e Shqiptarëvet dhe forcat e tyre që arritën gjer përpara Gjirokastrës, qeveria greke bashkë me Zografin iu paraqitën fuqivet të mëdha kërkesa më të zbutura, në dukje, por që në të vërtetë s'e ndryshonin aspak qëllimin dhe planin e Greqisë. Ishte një manevër për të fituar kohë e për t'a pushtuar vendin ca nga ca. Grekët kërkonin tani, jo autonominë e plotë të "Vorio-Epirit", por një administratë të veçantë për krahinat e Korçës e të Gjirokastrës, të cilat duhej të kishin gjindarmërinë e tyre të përbërë prej "vendasvet" dhe me oficerë grekë, ndërsa gjuha shqipe mund të përdorej bashkë me greqishten nëpër zyrat dhe shkollat.

S'do mend të kuptohet se kjo ishte tallja më përbuzëse dhe më trashamane që i bëhej kombit shqiptar nga ana e Greqisë dhe e fuqivet të mëdha, të cilat e pranuan këtë propozim! Qeveria shqiptare e Durrësit e kundërshtoi sa mundi, po kush i pyeste Shqiptarët? Të mëdhenjtë e Evropës e ndjenin t'afërt shpërthimin e luftës, dhe s'donin t'i prishnin qejfin Greqisë për hatër të Shqiptarëvet. E para ishte Italia që e ndau politikën e vet prej asaj t'Austro-Hungarisë në lidhje me Shqipërinë dhe Greqinë. Duke menduar se Vidi ishte njeriu i Austrisë dhe se Durrësi u bë i kësaj, Italia ia vuri synë Vlorës dhe filloi intrigat me Greqinë për t'i rregulluar veçan çështjet midis tyre. Me politikën e saj mistrece, qeveria e Romës pranoi t'i bënte lëshime Athinës në Shqipërinë e jugës nëqoftëse Venizelloja i largonte trupat greke prej ishullit të Sazanit, për t'i lehtësuar kështu Italisë pushtimin e Vlorës në rast nevoje. Nga ana tjetër, Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit s'mendonte veç si e si të gjente rrugën më të shkurtër, për të pasur sa më pak andralla. Në bazë të raporteve të këtij, fuqitë e mëdha i kumtuan Venizellos, më 24 Prill 1914, se ato ishin gati t'iu njihnin disa të drejta "Vorio-Epirotëvet" dhe se mund të pranonin edhe rishikimin e vijës së kufirit greko-shqiptar. Cinizmi i tyre kundrejt Shqipërisë s'kish si të shkonte më tutje, kur e dimë se ato vetë i kishin njohur ata kufij si të pacënuarshëm, në vendimet e Konferencës së Londrës dhe në statutin organik që Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit i dha shtetit shqiptar më 10 Prill t'atij viti.

Qeveria e Durrësit me Princ Vidin s'patën se ç'të bënin veçse t'ia linin në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit rregullimin e çështjevet shqiptaro-greke. Komisioni shkoi në Korfuz ku, pas një javë bisedimesh me "përfaqësonjësit e Vorio-Epirit", nënshkroi, më 17 Maj 1914, Protokollin e Korfuzit, ose protokollin e turpit, i cili, sipas shprehjes s'antarit britanik t'atij Komisioni, Sir Harry Lamb, "nuk bazohej n'asgjë të vërtetë e prandaj, logjikërisht, duhej hedhur në shportën e plehravet". Harry Lamb e kuptoi se Komisioni i Kontrollit, në Korfuz, e bëri marrëveshjen me përfaqësonjës të qeverisë greke dhe jo të Shqipërisë së jugës, siç paraqitej komedia.

Sipas Protokollit të Korfuzit, dy prefekturat Korçë e Gjirokastër, ndonëse formalisht bënin pjesë me shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vehte, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Gjindarmëria e këtyre krahinave do t'ishte vendase, dhe ushtëria e shtetit shqiptar, përveçse në kohë lufte, s'do të kishte të drejtë të shkelte në to. Edhe nëpunësit e lartë do t'ishin vendas, t'emëruar sa për formë prej qeverisë shqiptare por me pëlqimin e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Komunitetet orthodokse do të kishin një statut juridik të veçantë. Shkollat do t'ishin greqishte për të Krishterët, shqipja hynte si gjuhë e dytë vetëm në tri klasët e para të shkollës fillore. Kurse n'administratën do të përdorëshin të dyja gjuhët. Zbatimi i përmbajtjes së Protokollit do t'ishte nën garantinë e fuqivet të mëdha. Protokolli hynte në fuqi pasi të ratifikohej prej qeverisë shqiptare, prej "qeverisë vorio-epirote" dhe prej gjashtë fuqivet të mëdha.

Qeveria shqiptare nuk desh t'a ratifikonte Protokollin e Korfuzit, i cili, si shumë vepërime të tjera të këtij lloji, tregonte mënyrat e neveritshme të fuqivet të mëdha kundrejt popujvet të vegjël e të pamprojtje. Për të kënaqur Italinë, që lozi rolin më të dobët n'ato bisedime, qeveria greke, pas ca ditësh, e lëshoi ishullin e Sazanit.

Ndërsa Princ Vidit dhe qeverisë së Durrësit po iu vinin protesta nga shumë anë të Shqipërisë kundër vendimevet të Korfuzit, shpërtheu e papritur kryengritja e fanatikëvet myslimanë të Shqipërisë së Mesme ose e Rebelëvet, siç u quajtën n'atë kohë. Në fillim u pandeh se kjo ishte e shtytur prej Esad Toptanit, dhe se prapa këtij qëndronte Italia, për të përzënë Vidin prej Shqipërie. Prandaj, me urdhër të Princit, shtëpia e Esadit u rrethua prej gjindarmërisë së Durrësit, e kumanduar nga oficerë holandezë, natën ndaj të gdhirë më 19 Maj 1914. Esadi nuk desh të dorëzohej, po kur shtëpia e tij u qëllua me top, ai nxori menjëherë flamurin e bardhë. Pasi u arrestua, ndërhyri ministri italian në Durrës, baron Aliotti, për t'a marrë ndën mprojtje dhe për t'a hequr n'Itali me një luftanije. Vidi ia dorëzoi, dhe Esadi u prit në Romë me nderime.

Pas kësaj ngjarjeje, qeveria shqiptare dha dorëheqjen, por u formua përsëri nën kryesinë e Turhan Pashës, me fort pak ndryshime: vendin e Esadit si ministër i Punëve të Brendëshme dhe i Luftës e zuri atdhetari i njohur, Aqif Pashë Biçaku (Elbasani); Midhat Frashëri u emërua ministër i Punëve Botore; dhe, pak më vonë, Petro Poga zëvendësoi Dr. Mihal Turtullin si ministër i Arësimit.

Ndërkaq, kryengritja e Rebelëvet po merrte përpjesëtime të mëdha. Ajo nisi në rrethin e Tiranës, më 17 Maj, me një sulm kundër batalionit të vullnetarëvet Tiranas, që po shkonte në Durrës për t'i vajtur në ndihmë Shqipërisë jugore kundër Grekëvet. Batalioni i vullnetarëvet u shpartallua shpejt te Ura e Limuthit, afër Tiranës, dhe kryengritësit hynë në qytet. Kjo plasje pushke u hap si një kushtrim nëpër fshatrat rreth e qark. Të nesërmen, më 18 Maj, grumbuj t'armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit. Më 19 Maj u arrestua Esad Toptani. Fuqitë e para qeveritare që u nisën në drejtim të Shijakut, u thyen, dhe një oficer hollandez i gjindarmërisë u zu rob prej Rebelëvet. Më 23 Maj, këta sulmuan Durrësin duke u hedhur përpara me guxim fanatikësh, por u prapsën me humbje gjer në kodrat e Rrashbullit. Atdhetarët civilë rrëmbyen armët për t'i ndihmuar gjindarmërisë në mprojtjen e kryeqytetit.

Cili ishte shkaku, ose shkaqet e këtij tërbimi? - Sigurisht turkomania dhe fanatizmi fetar.

"Historianët" e regjimit komunist kanë dashur t'a paraqisin kryengritjen e Rebelëvet si një lëvizje të fshatarësisë së shtypur kundër bejlerëve e çifligarëve, dhe kundër Vidit që përfaqësonte "ndërhyrjet e jashtëme imperialiste dhe reaksionin e brendshëm feudal". Dhe si hero prototip t'asaj "lëvizjeje fshatare me karakter social-agrar" mbajnë Haxhi Qamilin. Dialektika marksiste e "luftës së të kundërtavet" iu ka vlejtur këtu më tepër se kudo gjetkë për të vënë kundër Haxhi Qamilit dhe masavet fshatare myftiun e Tiranës, Musa Qazimin, me turkomanët. E kështu në çdo mbledhje e në çdo rast, janë këta të fundit që kërkojnë bashkimin me Turqinë dhe që ecin me flamurin e saj përpara! Të shkretat masa fshatare dhe i shkreti Haxhi Qamil që, ndonëse ka në dorë kumandën e tyre dhe i bën shpalljet sociale e patriotike të denja për një marksist, bjenë gjithmonë viktimë e kësaj pakice turkomane!

Që komunistët kanë nevojë të pjellin nga fantazia lëvizje fshatarësh a punëtorësh të kohës së shkuar, me "karakter social", për t'i dhënë luftës terroriste të tyre rrënjë të largëta në histori, është e kuptuarshme. Që si hero prototip t'asaj lëvizjeje të zgjedhin Haxhi Qamilin (i cili iu ngjante komunistëvet nga çrregullimi psikik megjithëqë, si fanatik fetar, nuk ishte aq mizor dhe nuk hante njerëz sikurse fanatikët marksistë), edhe kjo është e kuptuarshme. Por të këtilla fshehtësira të historisë mund t'i zbulojë, siç thamë, vetëm dialektika marksiste, që ka arritur t'a tregojë - të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Kurse logjika e zakonshme detyrohet t'i paraqiti gjërat dhe ngjarjet ashtu si i pranon mendja e njeriut. Dhe mendja e njeriut nuk mund të pranojë që Haxhi Qamili me shokë u ngritën për reforma ekonomike, kur ata vetë thërrisnin "duem Babën!" (domethënë Sulltanin), ecnin përpara me flamurin e Turqisë, dhe s'u dëgjua tjetër fjalë prej tyre përveç parullave fetare që i përhapnin nëpër fshatra me anën e hoxhëvet. As e merr mendja që kryengritësit të shpresonin reforma ekonomike prej këthimit nën Turqinë, i cili ishte qëllimi i luftës së tyre.

Është për t'u shënuar se Rebelët nuk u ngritën kundër feudalizmit si klasë shfrytëzonjëse, por kundër nacionalistëvet myslimanë dhe atyre bejlerëve që bashkëpunonin me Vidin, princin "kaur", e që pranonin shkëputjen nga Turqia. Disa djegie shtëpish e rrëmbime drithi i kryen vetëm mbi pronat e këtyre bejlerëve dhe jo kundër të gjithëve. Bejlerët turkomanë që u bashkuan me Rebelët, si Dervish Biçaku nga Elbasani, u bënë miqtë e tyre. Në Berat, për shembull, u pushkatuan prej Rebelëvet Baki Gjebreja, Muharrem Leshi, Ismail Klosi dhe Hajredin Fratari. Asnjëri prej këtyre nuk ishte bej as çifligar, por vetëm nacionalistë shqiptarë që kishin luftuar për shtetin e pavarur nën Vidin, si gjithë atdhetarët e asaj kohe. Në të vërtetën, kryengritja e rebelëvet ishte më fort një sëmundje turkomanie se sa luftë fetare, sepse ata nuk vranë e nuk trazuan asnjë të Krishter, me sa dihet, jashtë luftimevet me vullnetarët e Vidit. Kurse grekomanët e Epirit bënë kërdi mbi popullsinë myslimane, pa kursyer as gra e fëmijë. Rebelët nuk vranë popull, si komunistët e sotshëm, por vetëm disa nacionalistë myslimanë, të cilët, sipas tyre, ishin shkaku i shkëputjes ose pengesa e bashkimit me Turqinë.

Lëvizje fshatare në kuptimin e klasës nuk ka pasur kurrë në Shqipëri gjer me sot; përndryshe nuk do të kishte mundur komunizmi t'a bluante ndën thundra fshatarësinë e t'a bënte skllave të partisë, siç e ka bërë.

E kemi parë më sipër sesi Turqia nuk desh t'a njihte pavarësinë e Shqipërisë dhe se Turqit e Rinj, kur zunë t'afrohëshin me Bullgarët, i shtuan përpjekjet për t'a tërhequr n'anë të tyre popullin shqiptar, duke i premtuar çlirimin e krahinavet të robëruara dhe autonominë ndën një princ mysliman. Beqir Grebeneja dhe agjentët e tij, përveç ndër turkomanët, u përpoqën t'a bënin të pranuarshme këtë politikë edhe në qarqet e atdhetarëvet që nuk shihnin tjetër udhë-daljeje nga gremina ku e hodhën Shqipërinë Lufta ballkanike dhe Konferenca e Londrës. Mirëpo ngjarjet rrodhën ndryshe, alianca turko-bullgare mbeti gjë e vakët Shqipëria u vu ndën kontrollin ndërkombëtar dhe si princ i saj u caktua Vidi. Me kokëfortësinë e tyre djallëzore dhe duke i ditur ndjenjat e një pjese të Shqiptarëvet, Turqit e Rinj nuk hoqën dorë nga përpjekja për t'a futur përsëri Shqipërinë në rrethin e Perandorisë Otomane. Por këtë radhë puna e agjentëvet të tyre u kufizua ndër turkomanët, sidomos të Shqipërisë së Mesme, ku ata kishin organizuar me kohë komitete të fshehtë dhe ku fanatizmi fetar mbahej m'i fortë. Idenë dhe ndjenjat për një "princ mysliman" i kishte nxitur në këtë krahinë edhe Esad Toptani, me qëllim që t'i shfrytëzonte n'interes të tij. Po kur ky shkoi t'i shpinte kurorën Vidit dhe u bë ministër i këtij princi "kaur", e humbi besimin tek fanatikët myslimanë. Ndryshe, "lëvizja fshatare" e komunistëvet do të kishte pasur në krye Esad Toptanin, çifligarin më tiranik të Shqipërisë. Pra megjithse Esadi kishte ndihmuar në pregatitjen psikologjike të kryengritjes, nuk ishte ai që e shtyti. Ajo u shtyt e u drejtua prej agjentëvet turq dhe prej turkomanëvet. Pastaj u bë shesh intrigash për të gjithë armiqtë e Shqipërisë që donin shkatërrimin e shtetit shqiptar. Ndonëse prapa skenës vepronin agjentët turq dhe aventurierë t'ardhur prej visesh të ndryshme (në Tiranë, për shembull, organizonjësi i lëvizjes ishte Arif Hiqmeti nga Tetova), në krye të rebelizmit u dukën myftiu i Tiranës Musa Qazimi, Mustafa Ndroqi dhe Haxhi Qamili nga katundi Sharrë i Tiranës.

Më 3 Qërshor 1914, Rebelët bënë një mbledhje në Shijak, ku caktuan programin e tyre dhe ndanë detyrat. Ata donin largimin e Vidit, këthimin e Shqipërisë ndën Turqinë ose ardhjen e një princi mysliman i varur prej Sulltanit, ngritjen e flamurit të Turqisë, futjen e turqishtes si gjuhë zyrtare ose shqipja të shkruhej me abecenë arabe, dhe emërimin e kryemyftiut të Shqipërisë nga Sheh-yl-Islami. Si kryetar i lëvizjes, ose i qendrës së përgjithshme, u zgjodh Mustafa Ndroqi, dhe si kumandar i fuqivet t'armatosura, Haxhi Qamili. Por kryetari i vërtetë i lëvizjes rebele ishte myftiu i Tiranës, Musa Qazimi.

Mbasi nuk e muarën dot Durrësin me sulmin e parë, Rebelët u shtrinë brenda pak ditësh në Kavajë, Krujë, Peqin. Qeveria e Durrësit nuk kishte fuqi të mjafta për t'i hedhur kundër tyre në mësymje të përgjithshme. Princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa fuqi të pakta. Shqipëria e jugës ishte e zënë kundër Grekëvet. Në Durrës, përveç gjindarmërisë dhe disa atdhetarëve që rrokën armët si vullnetarë, kishte vetëm një forcë Kosovarësh me Isa Buletinin dhe Bajram Currin e nja 600 Mirditas me Prenk Bib Dodën. Në një sulm që bënë këta të fundit, patën mjaft humbje. Qeveria provoi të merrej vesh me Rebelët dhe dërgoi një komision në Shijak. Por ata vinin si kusht zëvendësimin e Vidit me një princ mysliman dhe këthimin e Shqipërisë nën mvarësinë e Sulltanit. Luftimet rifilluan nga mesi i Qërshorit. Rebelët e sulmuan Durrësin me tërbim nja dy herë, por u prapsën duke pasur mjaft humbje. Në një nga këto përpjekje u vra Koloneli holandez Thomson i gjindarmërisë shqiptare.

Duke parë se s'mund t'a merrnin dot Durrësin, Relebët u shtrinë n'anë te tjera të Shqipërisë, nga veriu e nga juga. Pushtuan Elbasanin, më 23 Qërshor, pastaj Lushnjën, Beratin, Fierin dhe, nga ana e lindjes, arritën gjer në Pogradec. Aty u përpoqën me çetën e vullnetarëvet Kolonjarë, dhe n'ato luftime u vra Gani Butka, i biri i Saliut. Por n'atë kohë Grekët, duke përfituar nga rrëmuja, e shkelën Protokollin e Korfuzit dhe u vërsulën mbi krahinat e Tepelenës, Përmetit, Korçës. Prej qendrës së tij në Pogradec, Haxhi Qamili bëri një marrëveshje me "Vorio-Epirotët", që të dy palët të mbanin caqet e tyre.

Në lëvizjen e Rebelëvet, përveç agjetëvet turq që e drejtonin prapa skenës, futën hundët dhe duart të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Italia e shtynte dhe e përkrahte me qëllim që të përzinte prej Shqipërie Princ Vidin, të cilit ia kishte bërë qëndresën mjaft të vështirë në Durrës. Serbia e ndihmoi edhe me armë e municione, që iu vinin Rebelëvet përmes liqenit t'Ohrit, sepse n'atë mënyrë mendonte t'a prishte shtetin shqiptar dhe t'i mbyllte rrugën e ndërhyrjes Austrisë. Greqia e shtyti sa mundi, për të paralizuar me anën e saj qëndresën shqiptare dhe për t'ua treguar Orthodoksvet si një lëvizje fetare myslimanësh kundër të Krishterëvet, në mënyrë që këtyre të mos iu mbetej tjetër udhë përveç bashkimit me Greqinë. Të gjithë këta armiq kishin agjentët e tyre pranë Rebelëvet. Kur Kolloneli anglez G. Philips, ish-kumandari i forcës ndërkombëtare të Shkodrës, vajti në Tiranë si ndërmjetës për t'i bindur Rebelët që t'i nënshtrohëshin Vidit dhe qeverisë së Durrësit, u takua me pesë veta, prej të cilëvet njëri iu duk si një prift grek, tjetri si një Turk, dhe asnjë prej të pestëvet, tha ai, nuk ngjante me Shqiptar. Një përshkrim të tollovisë s'asaj kohe e gjejmë në shënimet e Sekretarit të Legatës rumune në Durrës, princi Sturdza, i cili ishte mik i Shqipërisë aq sa luftoi me pushkë në dorë bashkë me Shqiptarët për mprojtjen e Durrësit. "Sot në Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive, është e dënuar të dështojë- thotë ai. Çfarëdo rruge që të ndjekish, fqinjët e afërm dhe të largët do të t'a bëjnë të pamundur për t'i dalë në krye. Edhe po të jesh i butë e i shtruar, agjentët e huaj do të bëjnë çmos që të t'a prishin mendjen gjer sa të rrëmbesh pushkën e të hidhesh në kryengritje. Mjete, armë e të holla hyjnë nga çdo anë e kufijvet për t'iu shërbyer qëllimevet shkatërronjëse të të huajvet. Vetëm po të duash të luftojsh për çështjen kombëtare si atdhetar i ndershëm, s'të vjen kurrkush prapa, do të gjejsh pengesa nga të katër anët, dhe përpjekja jote do të dështojë në rrëmujën e përgjithshme".

Ky shikim i drejtë i diplomatit rumun përmban një të vërtetë të hidhur, të tmerrshme, që rëndon akoma si një mallkim fatal mbi të mjerën Shqipëri. Të gjitha intrigat e botës gjejnë shesh të lirë n'atë vend, vetëm për atdhetarët nuk ka rrugë-daljeje. Ngado që të këthehen këta, iu duhet t'i bjenë murit me kokë ose të vdesin udhëvet të mërgimit.

Pas largimit t'Esad Toptanit dhe pas intrigavet që lozi në kryengritjen e Rebelëvet, Italia desh të gjente një figurë të rëndësishme për të bërë politikën e saj në Shqipëri, kundër Vidit. Dhe i hodhi syt, si duket, mbi Ismail Qemalin. Ky e theu heshtjen që kishte mbajtur disa muaj në Zvicër dhe dolli përsëri në skenë për t'iu dhënë ca këshilla Shqiptarëvet. Pas një bisedimi që pati me ministrin e Punëve të Jashtëme t'Italisë, San Giuliano-n, Ismail Qemali erdhi përsëri në mendimin e tij të vjetër, që Shqipëria të ndahej në tri kantone, në shembull të Zvicrës, dhe qeverimi i vendit t'i lihej në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Ndoshta Ismail Qemali, duke parë se Shqipëria e jugës po kalonte në duart e Grekëvet dhe e Mesmja u zhyt në rrëmujën e turkomanëvet, mendoi se zgidhja m'e mirë ishte ndarja e saj në kantone, të vetqeverisura sipas dëshirës të tyre, nën mprojtjen e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit që përfaqësonte të gjashta fuqitë e mëdha. Në këtë mënyrë, me largimin e Vidit, merrte fund edhe rivaliteti austro-italian në Shqipëri. Mirëpo në të vërtetën, ndarja e Shqipërisë në kantone donte të thoshte n'atë kohë, e në çdo kohë, zhdukja e saj përgjithmonë nga radha e shtetevet. Sepse kantoni i jugës do t'i bashkohej menjëherë Greqisë, ai i mesit do të binte ndën Italinë dhe i veriut, ndën Austrinë (më vonë, ndën Jugosllavinë). Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit nuk do të bëhej, sigurisht, bariu besnik i kopesë shqiptare të ndarë më trish. Sidomos kur kishte dhënë provën, me Protokollin e Korfuzit, se nuk e hante fort malli për Shqipërinë e për Shqiptarët. Bashkimi i Shqipërisë, n'atë kohë, nuk mund të bëhej veçse rreth fronit të Vidit, i cili simbolizonte përpara botës shtetin shqiptar të pavarur. Prandaj qeveria e Durrësit dhe atdhetarët përgjithësisht nuk ia dëgjuan këto mendime Plakut të Vlorës, dhe bënë shumë mirë.

Kur panë se Rebelët e hodhën vendin në rrëmujë, Grekët e shkelën menjëherë Protokollin e Korfuzit edhe u derdhën mbi krahinat e Shqipërisë së jugës si egërsira t'etshme për gjak e mish njeriu. Në një t'ashtuquajtur "kongres panepirot" që mbajtën në Delvinë, më 6 Korrik, për të ratifikuar Protokollin e Korfuzit, Grekët e "qeverisë" së Zografit vendosën jo vetëm t'i kërkonin të tjera kushte Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit, po edhe të hynin me ushtëri në tokat e shtetit shqiptar, për të mprojtur gjoja Orthodoksit e "persekutuar" prej Myslimanëvet. Atëhere kriminelët e "kompanivet të shenjta", bandat e Orthodoksvet grekomanë dhe njësi të rregullta t'ushtërisë greke ranë si stuhi e vdekjes mbi Shqipërinë e jugës duke djegur e vrarë ç'gjenin përpara, burra, gra, fëmijë e pleq. Shqiptarët provuan t'iu bënin qëndresë në Tepelenë, Kolonjë, Skrapar e Tomorricë, por u thyen prej rrebeshit. Kështu filloi shpërngulja e popullsisë myslimane në masë për të gjetur shpëtim në pjesët e pashkelura të Shqipërisë. Rrethet e Tepelenës, Dangëllisë, Leskovikut, Kolonjës, u zbrazën pothuajse krejt; popullsia e tyre, me dhjetra mijë, zbriti në drejtim të Vlorës. Grekët ose "Vorio-Epirotët" arritën gjer në Berat. Në furinë e këtij shpërthimi barbar, dogjën shkrumb e hi 314 fshatra myslimanësh. Të vrarët mizorisht nuk numërohëshin. Kush u kap, u ther pa mëshirë. Njëqind Shqiptarë myslimanë me gra e fëmijë ishin mbyllur në kishën e Hormovës, duke kujtuar se atje do të gjenin mprojtje; por bandat e Zografit i vranë që të gjithë, pa kursyer as një grua, as një fëmijë. Një dram si ky ngjau në Panarit të Korçës ku u therën si bagëti 24 burra, e në shumë fshatra të tjera. I tërë ai vend u bë një ikni-kush-do-të-shpëtojë-gjallë !

Mizoritë që punuan Grekët në Shqipërinë e jugës u dëgjuan gjer n'Evropë. Në Londër, Markezi Lansdowne ngriti zërin kundër Greqisë në Dhomën e Lordavet, duke e paditur atë për krimet, djegiet dhe mizoritë më të neveritshme kundrejt Shqiptarëvet. Ndërsa miku i vlefshëm i Shqipërisë, Aubrey Herbert, protestoi me të njëjtin shpirt në Dhomën e Komunevet. Ky këndoi përpara deputetëvet edhe një letër që kishte marrë nga një miku i tij filogrek, dëshmonjës me sy i ngjarjevet të tmerrshme të Shqipërisë, i cili shkruante: "Vajtimi i gravet, ulërimat e fëmijëvet dhe të foshnjavet të njoma në gji të mëmavet është gjëja më rrënqethëse që kam parë, ndonëse kam parë shumë llahtari të tjera në jetën time". Por ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Edward Grey, s'kishte nge të merrej me kësi gjërash të vogla! Ai i gjente të kënaqshme deklaratat zyrtare t'Elefteri Venizellos, të cilat kishin aq vleftë sa të lehurat e një qeni.

Refugjatët e shpërngulur prej krahinavet të jugës arritën numrin njëqind mijë. Populli i rrethevet të Beratit e të Vlorës ndau kafshatën e bukës me këta të mjerë, por s'kishte se ç't'iu jepte. Më në fund, kjo turmë njerëzore, e urët, e xhveshur e në një gjendje të papërshkruarshme, zuri vend n'ullishtat e Vlorës, ku u tha e u tret nga uria, nga sëmundjet. Qeveria e Durrësit bëri thirrje për ndihma n'Evropë pranë organizatavet të Kryqit të Kuq e të tjera të këtij lloji, por askush s'u shqetësua për të ndihmuar Shqiptarët. Përpara kësaj tragjedie, qeveria e Durrësit i kërkoi Zografit që të lejonte këthimin e këtyre refugjatëve nëpër vatrat e tyre, ndonëse të djegura, duke i siguruar se nuk do të përndiqëshin. Por ai s'ishte ngopur akoma me kufoma Shqiptarësh, prandaj nuk e pranoi kërkesën. Vendi ishte rrënuar prej tre-katër vjet lufte të paprerë. Tokat kishin mbetur të papunuara. Viti 1915 qe një vit zie i tmerrshëm. Drithi qe fare i pakët, dhe importimi u bë i pamundur me plasjen e Luftës botërore. Popullsia, në një pjesë të madhe të Shqipërisë së jugës, zu të vdiste urie. Tek të mjeruarët e Ullishtavet të Vlorës, përveç urisë dhe të ftohtit, u përhapën epidemitë, që korrën si me drapër të mëdhenj e të vegjël, me mijëra e mijëra burra, gra e fëmijë. Një pjesë e atyre që shpëtuan, emigroi në Turqi e gjetkë. Drami i popullit shqiptar ka fort pak shembuj në historinë e botës.

Në mes të këtyre ngjarjeve, u dëgjua atentati i Sarajevos, ku terroristët serbë vranë Arqidukën e Austrisë, Franc Ferdinandin, më 28 Qërshor 1914. Kjo qe shkëndija që i dha zjarr barutit n'Evropë dhe shkaktoi plasjen e Luftës së Parë botërore. Fuqitë e mëdha, sadoqë u munduan të shpëtonin paqen duke bërë padrejtësitë më të rënda në kurris të kombit shqiptar, u kapërthyen prapseprapë ndërmjet tyre. Një muaj pas atentatit, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë. Më 1 Gusht 1914, Gjermania i shpalli luftë Rusisë dhe, më 3 Gusht, Francës. Atëhere edhe Anglia iu shpalli menjëherë luftë Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. E gjashta fuqi e madhe evropiane, Italia, e cila deri atëhere kishte qënë e lidhur me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë, qëndroi përkohësisht asnjanëse gjersa të shihte se ngaha do t'anonte fitimi. Pas disa muajsh, u bashkua edhe ajo me fuqitë e Entente-ës (Francë, Angli, Rusi) kundër Perandorivet qendrore (Gjermani, Austro-Hungari).

Plasja e Luftës së përgjithshme e ndryshonte qëndrimin e fuqivet të mëdha kundrejt Shqipërisë, vend që ato donin t'a përdornin tani në planet e tyre ushtarake e politike, secila për llogari të saj. Austro-Hungaria desh t'a lidhte shtetin shqiptar me politikën e vet dhe t'a hidhte në luftë kundër Serbisë. Krerët kosovarë, si Hasan Prishtina, Isa Buletini e Bajram Curri e pranonin këtë propozim se kujtonin që ky ishte rasti për të çliruar Kosovën. Por Vidi me qeverinë e Durrësit e gjykuan më mirë punën, dhe nuk pranuan të merrnin anë as t'i shpallnin luftë Serbisë mbasi Shqipëria ishte shtet asnjanës. Kjo ishte politika m'e urtë, se përndryshe do t'a kishin komprometuar keq t'ardhmen e shtetit shqiptar kur Perandoritë qendrore e humbën luftën. Në përgjigjen që i dha Austro-Hungarisë, Vidi i thoshte se "megjithëqë ishte i bindur, si gjithë Shqiptarët, që tokat thjeshtë shqiptare, të cilat i qenë lëshuar padrejtësisht Serbisë, duhej t'i këthehëshin Shqipërisë, ai nuk mund të hynte në luftë, për shkak të vështirësivet të brendëshme dhe për shkak se Shqipëria ishte shtet asnjanës i garantuar bashkarisht prej fuqivet të mëdha".

Austro-Hungaria atëhere ia hoqi përkrahjen Vidit dhe nisi të vështronte nga Rebelët, të cilët, duke qënë të varur nga Turqia, mund të përdorëshin kundër Serbisë. Kurse krerët kosovarë ishin gjithmonë për marrjen pjesë në luftë përkrah Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, ngaha shpresonin çlirimin e Kosovës.

Kështu gjendja e brendëshme e Shqipërisë u koklavit më shumë akoma. Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit u paralizua krejt, mbasi fuqitë e mëdha ishin në luftë kundër njëra-tjetrës. Edhe grupi i oficerëvet hollandezë mori urdhër që të largohej prej Shqipërie. Vidi, më 10 Korrik 1914, iu pati bërë një thirrje të fundit fuqivet të mëdha që t'a ndihmonin. Por atëhere, në prakun e Luftës, askush nuk kishte nge të merrej me shtetin shqiptar përveç Austro-Hungarisë, që desh t'a hidhte në luftë kundër Serbisë. Më në fund, e lëshoi nga dora edhe ajo. Kurse Rebelët, përbrenda, pushtuan Vlorën. Vidi dhe qeveria e tij kishin mbetur tani të rrethuar në Durrës. Gjendja ishte e pashpresë. I shtrënguar nga të gjitha anët, Princ Vidi s'pati se ç'të bënte tjetër veçse një shpallje popullit shqiptar dhe, pa abdikuar, u largua nga Shqipëria, më 3 Shtator 1914.

Një pjesë e atdhetarëvet shqiptarë u arratis përjashta, një pjesë tjetër u mblodh në Shkodër, e cila kishte mbetur akoma, ndën kontrollin ndërkombëtar, si e vetëmja strehë e lirë në Shqipëri. Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit, përpara se të largohej prej Shqipërie, ia la në dorë punët e kësaj Komisionit të konsujvet në Shkodër, nën kryesinë e atij t'Italisë asnjanëse.

Pas kaq mundimesh, pas kaq gjakderdhjesh, pas kaq mjerimesh, përpjekjet e atdhetarëvet u mbytën prej forcavet t'errësirës: grekomanët dhe turkomanët e përmbysën shtetin shqiptar. Fetë e ndryshme, që s'kishin qënë veçse propaganda politike t'armiqvet, e bënë punën e tyre duke helmuar tek pjesa m'e madhe e Shqiptarëvet ndërgjegjen kombëtare dhe ndjenjën e bashkimit.