XXIII

Në fillim, bashkëpunimi i atdhetarëvet shqiptarë me Turqit e Rinj nuk erdhi nga dëshira e mosshkëputjes prej Turqisë, siç kanë dashur t'a nënkuptojnë disa, por sepse s'kishin rrugë tjetër: nga jashtë, jo vetëm që s'i përkrahte askush për të fituar autonominë, po edhe kërcënohëshin vazhdimisht prej fqinjëvet. Përbrenda, nuk ishin në gjendje të bënin bashkimin e përgjithshëm të forcavet kombëtare, sepse interesat e veçanta, rrymat e kundërta të krijuara prej shekujvet, mbahëshin më të forta se ndjenja e bashkimit. Atëhere s'iu mbetej veçse t'a shpresonin autonominë dhe sigurimin e kombësisë shqiptare në kuadrin e një Perandorie Otomane "të liberalizuar", sipas demagogjisë së Turqvet të Rinj. Kur e panë se këta kishin ndërruar vetëm qimen por jo vesin, dhe qëllimi i tyre ishte që t'i turqizonin fare popujt e Perandorisë, Shqiptarët u hodhën përsëri në kryengritjen me armë. Këtë radhë nuk mbetej më tjetër shpresë. Kryengritja nisi përsëri në Kosovë, në prendverën e vitit 1910, dhe u përgjithësua në tërë Shqipërinë. Turqit dërguan ushtëri të rënda dhe provuan t'a shtronin vendin me zjarr e me hekur. Pas tre vjetësh luftimi e gjakderdhjeje, Porta e Lartë u shtrëngua, në Gusht 1912, t'iu njihte Shqiptarëvet disa të drejta autonomie. Por krijimi i mundshëm i një shteti shqiptar i shqetësoi kombet fqinjë të Ballkanit, të cilët, për këtë shkak, i shpallën luftë Turqisë në Tetor t'atij viti.

Porsa filloi kryengritja e Kosovës, në muajt e prendverës 1910, qeveria turke nisi të përdorte forcën për të mbyllur shkollat shqipe, klubet e shoqëritë, shtypëshkronjat, gazetat, duke e hequr mësimin e shqipes edhe prej shkollavet turqishte. Ndjekjet dhe arrestimet kundër atdhetarëvet filluan menjëherë; disa prej tyre u internuan n'Anadoll. Këto masa shkaktuan një tronditje të madhe në botën shqiptare; kolonitë e jashtëme protestuan energjikisht. Shqiptarët myslimanë, në shumicë, u treguan kundër politikës pan-islamike ose pan-osmane të Turqvet të Rinj. Ata që shihnin më qartë, e kuptonin se, ashtu si po shkonin punët, nuk ishte e largët dita kur Turqia do të dëbohej prej Evrope. Shqiptarët myslimanë, po të qëndronin të lidhur pas politikës pan-islamike të Stambollit, do të shikohëshin si Turq, dhe vendi i tyre do të copëtohej ndërmjet fqinjëvet. Faik Konitza ua pat kujtuar këtë rrezik Shqiptarëvet që më 1909, n'artikullin e botuar n'Albania: "Një lajmërim i shkurtër Muhamedanëve". Faiku jepte edhe ca këshilla se ç'duhej bërë. Mendimi m'i urtë ishte që Shqiptarët muhamedanë të shkëputëshin prej autoritetit fetar të Sheh-yl-Islamit dhe të formonin një komunitet më vehte, me një kryesi të zgjedhur nga kleri shqiptar. Feja islame, në Shqipëri, duhej të pajtohej deri diku me zakonet e vendit, dhe sidomos të përhapte idenë e bashkimit dhe të vëllazërimit me të Krishterët. Një nga ata që u vunë t'a bënin më me zjarr këtë propagandë ishte Dervish Hima, duke mbajtur fjalime qytet më qytet kundër politikës pan-islamike të Turqvet të Rinj. Prandaj këta deshën t'a vrisnin.

Në Nëntor të vitit 1909, parlamenti turk pati votuar dy ligje kundër lëvizjevet kombëtare. Ligji i parë ishte mbi "bandat e armatosura" ose çetat, dhe parashihte dënime të rënda jo vetëm për ata që bënin pjesë në to, po edhe për familjet e tyre. Kryetarët ose organizonjësit e çetavet dënohëshin me vdekje. Kushdo që mbante armë, dënohej me burgim. Ligji i dytë, megjithëse u kundërshtua nga deputetët jo turq, ndalonte shoqëritë me karakter kombëtar dhe lejonte vetëm ato që pranonin të quhëshin "osmane" dhe që merrëshin me çështje arësimore ose ekonomike, pa u përzjerë në politikë.

Ligji i votuar kundër atyre që mbanin armë i jepte tani qeverisë turke një pështetje legale për çarmatosjen e Shqiptarëvet, dhe duket se u votua me këtë qëllim.

Siç parashihej, kundërshtimet e Kosovarëvet për pagesën e taksavet dhe për t'iu nënshtruar politikës përqëndronjëse të Turqvet të Rinj do të shpërthenin në kryengritje. Në Mars 1910, gjendja u keqësua. Rreth Prishtinës ngjajtën përpjekje me forcat turke, sepse populli nuk desh të paguante taksën e re mbi mallrat që hynin në qytet. Një mbledhje e madhe u bë në Gjilan, ku merrnin pjesë me mijëra burra t'armatosur, për të protestuar kundër ligjevet të reja. Kosovarët e kuptuan se kishin qënë gënjyer prej Turqvet të Rinj dhe lidhën besën se nuk do t'i lëshonin të drejtat e tyre që po iu merrëshin nëpër këmbë. Në mbledhje u shquan si drejtonjës Idriz Seferi dhe Isa Buletini, të cilët muarën edhe kumandën e fuqivet t'armatosura. Trubullimet u përhapën në tërë Kosovën. Përpjekje të tjera me forcat e pushtetit ngjajtën rreth Prishtinës dhe n'afërsitë e Pejës.

Qeveria turke, për të shtypur lëvizjen, dërgoi gjeneral Shefqet Turgut Pashën me një ushtëri prej 16.000 këmbësorësh përveç trupave të kalorësisë dhe t'artilerisë. Fuqi të tjera u nisën nga Selaniku në drejtim të Kosovës. Ushtëria turke arriti në Shkup nga gjysma e Prillit dhe u vu në ndjekje të kryengritësvet. Shqiptarët e kumanduar prej Idriz Seferit zunë Shkallën e Kaçanikut duke prerë hekurudhën që lidhte Shkupin me Kosovën. Pjesa tjetër, nën kumandën e Isa Buletinit dhe të Hasan Budakovës, zuri grykën e Cernolevës, Shtimlje e Jezercë, për të prerë rrugën ndërmjet Ferizajt e Prizrendit. E vendosur t'a shtypte me çdo kusht kryengritjen shqiptare, qeveria e Stambollit shpejtoi pregatitjen e trupave të tjera. Më 30 të Prillit, ushtëria turke e sulmoi Shkallën e Kaçanikut nga disa anë të ndryshme duke përdorur zjarrin e dëndur t'artilerisë. Shqiptarët qëndruan trimërisht duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha. Shefqet Turgut Pasha dogji e shkretoi fshatrat rreth e qark, ku s'kishin mbetur veçse gra, pleq e fëmijë. Të rrethuar keq dhe pa artileri, pa mundësi që t'iu vinte ndihmë, Shqiptarët u shtrënguan t'i lëshonin grykat e Kaçanikut për t'u tërhequr në drejtim të Gjilanit, duke bërë përpjekje të tjera me Turqit në Preshevë dhe gjatë Moravës.

Grupi i deputetëvet shqiptarë në parlamentin otoman protestoi kundër këtyre masave barbare dhe kërkoi nga qeveria dërgimin e një komisioni hetimesh në Kosovë, por kryeministri Ibrahim Haki Pasha nuk desh të dëgjonte për kësi dokrrash: nënshtrimi i Shqipërisë, mendonte ai, kishte një rëndësi të madhe për sigurimin e pushtetit në tërë Rumelinë. Në vend që të stepej, qeveria turke dërgoi në Kosovë ministrin e Luftës, Mahmud Shefqet Pashën, i cili arriti në fillim të Majit me fuqi të reja, që bashkë me të tjerat kapërcenin numrin 40.000.

Pas pushtimit të Kaçanikut, ushtëria turke sulmoi në tre drejtime grykat e Jezercës, Shtimljes dhe Cernolevës, duke djegur njëkohësisht fshatrat rreth e rrotull. Shqiptarët i përballën sulmet gjatë tri ditëve me trimërinë e zakonshme, por më në fund u shtrënguan të tërhiqëshin. Kështu ushtëria turke e hapi rrugën për në Prizrend. Pastaj u drejtua për në Gjakovë e Pejë. Një pjesë u nis për të shtruar Lumën por, më parë se t'a shkelte, u ndesh në një qëndresë të Lumjanëvet rreth Bicajt.

Shefqet Turgut Pasha u ngarkua të zbatonte "ligjin mbi bandat" duke ndjekur e çarmatosur Shqiptarët, me vrasje e burgim.

Rusia, Austro-Hungaria dhe fuqitë e tjera e pëlqyen rivendosjen e autoritetit turk në Kosovë, mbasi kryengritja e Shqiptarëvet mund të shkaktonte prishjen e statuo quo-së në Ballkan. Disa nga ambasadorët e fuqivet të mëdha e dekoruan Shefqet Turgut Pashën për trimërinë që bëri duke shtruar Shqipërinë. Por Vienës nuk i vinte mirë që Shqiptarët të çarmatosëshin dhe të shtypëshin fare, sepse atëhere s'do t'iu mbetej forcë qëndrese kundër Sllavëvet. Ndërsa Serbët e Kosovës, t'urdhëruar nga Belgradi, e ndihmuan ushtërinë turke si informatorë dhe shërbenjës në ndjekjen e Shqiptarëvet, sepse shtypja dhe çarmatimi i këtyre do t'ia lehtësonte Serbisë për më vonë pushtimin e vendit.

Pasi e shtroi dhe e çarmatosi pjesërisht Kosovën dhe pas disa ndeshjeve të tjera me malësorët e Gashit e të Krasniqit, Shefqet Turgut Pasha iu drejtua Shkodrës. Por e gjeti rrugën të zënë prej kryengritësve të Shalës, t'udhëhequr nga Mehmet Shpendi, Prel Tuli dhe Marash Delia, të cilët e detyruan ushtërinë turke të këthehej pas e të merrte tjetër drejtim, nëpër Pukë e Mirditë, për t'arritur në Shkodër më 26 të Korrikut, dy javë më vonë nga ç'ishte parashikuar. Shefqet Turgut Pasha nxorri menjëherë urdhërin për dorëzimin e armëvet, pagesën e taksavet dhe rekrutimin e djemvet prej 18 gjer më 26 vjeç. Njëkohësisht filluan në tërë Shqipërinë arrestimet e atdhetarëvet, mbyllja e shkollavet shqipe, e klubevet, e gazetavet, e botimevet - siç thamë më sipër.

Mbasi e shtroi vendin gjatë pesë muajve, Shefqet Turgut Pasha u nis prej Shkodre për në Selanik, duke çarmatosur n'udhëtim edhe Dibrën, nga mbarimi i Gushtit 1910.

Ushtëria turke kaloi si një rrebesh, por gjendja në Shqipëri mbeti e turbullt. Malësia e Mbishkodrës nuk dëgjoi të paguante taksa, as të dorëzonte armët, as të shërbente n'ushtëri. Të ndjekur prej fuqivet turke, krerët e Hotit, Grudës, Shkrelit, Kastratit dhe ata të Shalës e të Shoshit, me njerëzit e tyre, u arratisën në Mal-të-Zi. Aty kishin ardhur edhe mjaft Kosovarë, Isa Buletini me shokë. Podgorica u mbush me Shqiptarë. Ndonëse Mali-i-Zi kishte interes që t'i bënte për vehte këta t'ikur e t'i përdorte për qëllimet e tija, mbajtja e tyre ishte një problem për të. Krajl Nikolla provoi të gjente një rregullim me përfaqësonjësin diplomatik turk, që t'arratisurit të falëshin e të këthehëshin nëpër vendet e tyre. Por këta vinin disa kondita, si për shembull, t'iu këthehëshin armët, t'iu jepej dëmshpërblim për mallin e rrëmbyer e shtëpitë e djegura, të mos paguanin taksat e reja, shërbimin ushtarak t'a bënin brenda në vilajet, nëpunësit e administratës t'ishin shqiptarë, t'iu çelëshin shkolla shqipe etj.

Në fillim, përfaqësia turke nuk i pranoi këto kondita. Mbasi numri i t'arratisurvet ishte i madh, përmbi 2.500 veta, dhe shtohej gjithnjë, Krajl Nikolla kërkoi nga fuqitë e mëdha që t'i gjenin një zgidhje këtij problemi. Nga ana tjetër mendonte gjithmonë t'i shkaktonte Turqisë trubullime duke i përdorur Shqiptarët si mbulesë dhe si aliatë të tij, për të lëshuar mandej prapa tyre trupat malazeze që të pushtonin krahinën e Mbishkodrës dhe ndoshta një pjesë të Kosovës gjer në Pejë. Por këto plane, përveç që do të ndeshnin në kundërshtimin e Austrisë, nuk i pëlqente as Rusia, e cila i gjente të parakohëshme dhe nuk donte hëpërhë trazime në Ballkan.

Më në fund Turqia, e këshilluar prej Austrisë dhe për të mos i lënë Shqiptarët katolikë të merrnin anën e Malit-të-Zi, i pranoi pjesërisht kërkesat e malësorëvet, të cilët u kthyen nëpër krahinat e tyre nga fillimi i Dhjetorit 1910. Natyrisht, qeveria turke nuk do t'ua këthente armët as do t'ua paguante, por iu premtonte dëmshpërblim për shtëpitë e djegura dhe disa të drejta që nuk u zbatuan, sepse pas disa muajsh plasi kryengritja në malësinë e Mbishkodrës.

Lufta e Shqiptarëvet më 1910, ndonëse u kufizua pothuajse në vilajetin e Kosovës, shkaktoi një tronditje në Ballkan dhe tërhoqi vëmendjen e Evropës. Shtypja mizore që bëri Shefqet Turgut Pasha dhe masat e rrepta të qeverisë turke e acaruan gjendjen edhe më tepër. Pas mbylljes së shkollavet dhe të klubevet, zunë të vepronin komitetet e fshehtë, numri i të cilëvet u shtua në tërë Shqipërinë, nga juga në veri e deri në Kosovë. Kishte mjaft Shqiptarë t'arratisur malevet, gati për të formuar çetat. Në Dhjetor 1910, lart nga dy mijë burra t'armatosur u mblodhën në Dibër për të kërkuar me kërcënim çeljen e shkollave shqipe, lënien e lirë të botimevet, faljen e të dënuarëvet politikë, ndërtimin e rrugëvet, emërimin e Shqiptarëvet si nëpunës t'administratës etj. Njëkohësisht lëvizja e Maqedonasvet ishte duke u zgjeruar.

E ndodhur përpara këtyre vështirësive dhe sigurisht e këshilluar nga Austria - e cila e donte rivendosjen e autoritetit otoman, por jo edhe shtypjen e plotë të Shqiptarëvet - qeveria turke provoi t'a lehtësonte grushtin duke bërë disa lëshime të vogla. Pas këthimit të t'arratisurvet, caktoi dëmshpërblimin për shtëpitë e djegura, hoqi dorë përkohësisht nga çarmatimi duke e pezulluar "ligjin mbi bandat", dhe pak më vonë, në Mars 1911, Ministria e Arësimit lejoi hapjen e shkollavet shqipe dhe përdorimin e abecesë latine. Në Qërshor t'atij viti, do të vinte në Kosovë Sulltan Mehmet Reshati V për të nderuar kujtimin e Sulltan Muratit I, por ndoshta edhe për t'afruar Shqiptarët. Prandaj Turqit deshën t'i zbutnin këta, që t'i bënin Sulltanit një pritje sa më të nxehtë dhe madhështore.

Mirëpo Shqiptarët kishin të tjera ndjenja dhe nuk besonin më në premtimet e Turqvet. Komitetet e fshehtë vepronin. Shtypi i kolonivet i përsëriste gjithnjë kërkesat kombëtare dhe i shtynte atdhetarët për bashkim e organizim. "Komiteti Qendror" i Arbëreshëvet, n'Itali, dhe qarqet italiane të lëvizjes pro-Albania përpiqëshin të gjenin mjetet dhe të rekrutonin vullnetarë për t'i ardhur në ndihmë kryengritjes shqiptare me një shpeditë ushtarake nën kumandën e Ricciotti Garibaldi-t. Në Shqipëri zjente kudo shpirti luftarak. Për të lëvizur kundër Turqvet, Shqiptarët shtyhëshin edhe nga fqinjët që donin të trubullonin ujërat, sidomos nga Mali-i-Zi. Pastaj në radhët e Komitetit Bashkim e Përparim të Turqvet të Rinj kishin filluar grindjet. Të gjitha këto linin të parashihej një kryengritje e përgjithshme për në prendverën e vitit 1911. Por mjerisht nuk kishte një udhëheqje, një krye, një bashkim të këtyre forcave nën një kumandë të vetëme me një plan dhe qëllim të caktuar. Prandaj edhe kjo gjakderdhje do të përfundonte si të tjerat.

Kryengritjen këtë radhë e nisi Dedë Gjo Luli, në malësinë e Mbishkodrës, duke sulmuar rojet turke në Rapshë të Hotit e në Troboinë, më 24 Mars 1911. E tërë malësia u çua në këmbë, Hot, Grudë, Kelmend, Shkrel e Kastrat, afro 4000 burra t'armatosur, të cilët rrethojnë e marrin Tuzin, zënë Deçiqin, Krevenicën dhe pika të tjera gjatë kufirit shqiptaro-malazez.

Valiu i Shkodrës, Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s'kishte forca të mjaftuarshme për t'iu bërë ballë kryengritësvet. Prandaj u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar të Myslimanëvet duke iu thënë se dini ishte në rrezik dhe duke i gënjyer se gjoja të Krishterët donin të sillnin në Shkodër Malin-e-Zi. Me këto intriga mundi të mblidhte një turmë Shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t'i dërgonte për të luftuar kundër vëllezërvet të tyre katolikë. Por këta "mprojtës" të dinit u shpartalluan shpejt; disa u bashkuan me kryengritësit. Për fat të mirë, ky dram i shëmtuar vëllavrasjeje nuk u përsërit më në Shqipërinë e veriut.

Kryengritja e malësisë së Shkodrës e tronditi qeverinë e Stambollit, e cila nisi përsëri, Shefqet Turgut Pashën me trupa Anadollakësh, që zbritën në Shëngjin. Ushtëria turke arrinte numrin 20.000. Lufta në malësi vazhdonte e nxehtë. Djem idealistë prej Shkodre, si Luigj Gurakuqi, kishin rrokur armët dhe dalë në mal.

Malësorëvet të Shkodrës s'mundi t'iu vinte ndihmë nga krahinat e tjera të Shqipërisë, sepse kryengritja kishte plasur papritmas, më parë se të bëhej një lidhje e përgjithshme. Sa për ndihma të jashtëme, s'kishte asnjë shpresë, megjith lëvizjen e Arbëreshëvet dhe të disa qarqeve italiane që menduan të dërgonin në Shqipëri vullnetarë nën kumandën e gjeneral Garibaldit. Disa pregatitje u bënë. Por qeveria e Romës, duke druajtur kundërshtimin dhe ndërhyrjen e Austro-Hungarisë, i ndaloi pregatitjet, i zuri e i mori armët e gjetura për vullnetarët, dhe s'lejoi të vinte prej Italie asnjë ndihmë. Roma po gatitej për shpeditën e Tripolit dhe, ndonëse kishte interes që Turqia t'ishte e kapërthyer në Ballkan, nuk donte t'i hapte rrugën ndërhyrjes s'Austro-Hungarisë në Shqipëri.

Sadoqë mbetën vetëm, malësorët e Shkodrës iu qëndruan trimërisht sulmevet t'ushtërisë turke, por s'kishin mjete. Më 11 Maj 1911, Shefqet Turgut Pasha nxori në Shkodër një shpallje sipas së cilës falëshin kryengritësit që dorëzonin armët brenda pesë ditëve, përveç krerëvet që do të kalonin në gjyqin ushtarak. Mbledhja e malësorëvet u përgjigj se ata kishin qënë gënjyer vitin e mëparshëm, sikurse herë të tjera, dhe tani s'mund t'i lëshonin armët për pa u siguruar se do t'iu njihëshin të drejtat që caktonte Kushtetuta.

Për t'i dhënë fund kryengritjes, Shefqet Turguti e mori vetë drejtimin e vepërimevet ushtarake duke e sulmuar nga tri anë vendin ndërmjet Tuzit, Kastratit e Shkrelit, ndërsa një tjetër fuqi turke prej 5000 vetash, nën kumandën e Et-hem Pashës, u nis nga Gucija dhe mësyjti Kelmendin. Shtëpi e fshatra digjen flakada, si në vitin e mëparshëm. Topi rreh e shemb pa ndërprerje. Pas një qëndrese të rreptë, malësorët u thyen nën peshën e rëndë t'ushtërisë turke dhe shumë prej tyre u arratisën në Mal-të-Zi. Podgorica u mbush përsëri me shqiptarë.

Mali-i-Zi, që donte luftë për të zgjeruar kufijtë, e pat shtytur dhe përkrahur kryengritjen e malësorëvet duke iu dhënë këtyre jo vetëm strehë po edhe armë e municione. Krajl Nikolla mendonte se kjo politikë mund t'i sillte pemë nga të dy anët: Ose malësorët, të shtypur e të trokosur prej Turqvet, do të pranonin mprojtjen e Malit-të-Zi duke njohur autoritetin e tij, ose edhe sikur të mos donin t'i shtrohëshin këtij, nuk do t'iu mbetej asnjë forcë qëndrese kundër ushtërivet malazeze, në çastin e duhur, dhe vendi i tyre do të pushtohej lehtësisht. Ashtu siç ngjau vërtet pas një viti e gjysëm, në vjeshtën e 1912-ës.

Rusia, nga një anë e siguronte Turqinë se Mali-i-Zi s'kishte qëllime lufte dhe se masat ushtarake të tija gjatë kufijvet ishin për vetëmprojtje, nga ana tjetër nuk e shihte me sy të keq lodrën e Krajl Nikollës me Shqiptarët, të cilët, duke mos pritur gjë prej Austrisë, po vihëshin në hullinë e një shteti sllav.

Mënyrat e ngadalshme të Vienës po i detyronin Shqiptarët të vështronin nga Italia, ose të binin në kurthin e Malit-të-Zi. Sidomos këtë radhë ata që po shtypëshin prej Turqvet ishin Katolikët, të cilët patën pasur deri diku mprojtjen e Austro-Hungarisë. Kjo e bëri Vienën të merrte mundimin e t'a hapte gojën për të kërkuar nga Turqia që t'iu jepej fund trazimevet në Shqipëri. Porsa shtypi austriak e shprehu këtë dëshirë më 8 Qërshor 1911, shtypi turk iu përgjigj menjëherë më 12 të Qërshorit duke botuar shpalljen e qeverisë, në të cilën thuhej se Shqiptarët ishin shtruar dhe se, me rastin e udhëtimit në Kosovë, Sulltan Reshati V do të bënte një falje të përgjithshme për kryengritësit.

Sulltani arriti në Prishtinë më 16 Qërshor, i shoqëruar nga kryeministri e një rreth personalitetesh. Aty nxori menjëherë faljen për Kosovarët e kryengritjes së vitit të mëparshëm. Pas dy ditësh, Shefqet Turgut Pasha, n'emër të Sulltanit, shpalli në Shkodër dekretin e faljes së përgjithshme për kryengritësit. Këta do të merrnin edhe një dëmshpërblim për mallin e prishur dhe shtëpitë e djegura, nëqoftëse do të këthehëshin brenda dhjetë ditëve e të dorëzonin armët.

Pritja që iu bë Sulltanit në Kosovë (ndonëse kjo krahinë shikohej si një qendër myslimanizmi) ishte shumë e ftohët, për të mos thënë armiqësore. Disa qytete, si Prizrendi, Gjakova, Peja e të tjerë, nuk dërguan njeri fare. Dekreti i faljes, që u nënshkrua prej tij pas ca ditësh, nuk i kënaqi kryengritësit, të cilët kërkonin të tjera sigurime.

N'atë kohë kishte ardhur Ismail Qemali në Mal-të-Zi për t'u pjekur me Shqiptarët e arratisur. Ai mblodhi krerët e malësorëvet në një kuvend të përgjithshëm në katundin Gërçe, afër Triepshit, më 23 Qërshor 1911, dhe, bashkë me Luigj Gurakuqin e të tjerë, pregatiti një memorandum me dymbëdhjetë kërkesa për t'ia paraqitur qeverisë turke si përgjigje shpalljes së Shefqet Turgut Pashës. Ky dokument, i cili u quajt "Libri i Kuq" prej ngjyrës së kapakëvet, u nënshkrua nga të gjithë krerët e malësorëvet.

Kërkesat kishin një karakter të përgjithshëm kombëtar. Memorandumi protestonte kundër mënyravet tiranike të regjimit të Turqvet të Rinj, duke përmendur djegiet e rrënimet që kishin filluar me Xhavit Pashën dhe vazhduar me Shefqet Turgutin në Kosovë e në Shqipërinë e veriut. Pastaj kërkonte jo vetëm çeljen e shkollave shqipe dhe përdorimin e shqipes n'administratë krahas turqishtes, por njohjen e kombësisë shqiptare me të drejtat e saja, nderimin e të gjitha fevet, dokevet, zakonevet, liri të plotë për zgjedhjen e deputetëvet, për zhvillimin e arësimit në gjuhën amtare, dhe garanti kundrejt shpërdorimevet ose vepërimevet anti-kushtetonjëse. Vilajetet që banohëshin prej Shqiptarëvet duhej t'organizohëshin në bazë të një shpërqëndrimi administrativ, ku forcat e gjindarmërisë, të policisë dhe gjithë nëpunësit t'ishin shqiptarë; vetem valinjtë e drejtonjësit e lartë mund të vinin prej Perandorisë, por duhej t'ishin nga më të mirët, dhe mundësisht të njihnin gjuhën e zakonet e vendit. Sulltani do t'emëronte një përfaqësonjës të tij si inspektor të përgjithshëm për të mbikqyrur administratën. Shërbimi ushtarak do t'ishte i detyrshëm për të gjithë Shqiptarët dhe, në kohë paqeje, do të kryhej në Shqipëri. Kurse në krahinat kufitare me shtetet fqinjë do të kishte një organizim ushtarak të veçantë, dhe Shqiptarët e atyre viseve duhej të shërbenin në vend për të ruajtur kufijtë. Taksa e t'ardhura do të shpenxohëshin në pjesën më të madhe për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë.

Shihet se memorandumi i Gërçes nuk kërkonte bashkimin e të gjitha tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, domethënë formimin e një shteti shqiptar autonom në kuadrin e Perandorisë, siç kishte qënë programi i Lidhjes së Prizrendit, i përpunuar nga Abdyl Frashëri, dhe ideja e Rilindasvet. Prandaj, theorikisht, nuk shënon përparim, por një çap mbrapa në vijën e mendimit politik shqiptar. Mirëpo nga ana tjetër kërkesat e tija përbënin një bazë praktike të shëndoshë për t'arritur tek autonomia, të cilën Shqiptarët nuk ishin në gjendje t'a merrnin vetë menjëherë dhe askush nuk i përkrahte n'atë kohë për t'a fituar. Prandaj mund të themi se kërkesat e "Librit të Kuq" ishin programi kombëtar m'i arësyeshëm që mund t'i paraqitej qeverisë turke n'ato rrethana. Nën drejtimin e Ismail Qemalit dhe të Luigj Gurakuqit, malësorët e Shkodrës luftën e tyre, kërkesat e tyre, i vunë në planin kombëtar dhe jo për të drejta krahinore, mbajtje armësh a mos-pagim taksash, siç kishte qënë zakoni deri atëhere.

Siç do t'a shohim, programi i Gërçes u pranua në jugë dhe në tërë Shqipërinë. Rreth tij u përqëndruan kërkesat shqiptare deri në plasjen e Luftës ballkanike.

Mbasi Turqia s'jepte asgjë me vetëdashje, ndonjë ndërmjetësim i jashtëm ishte fort i nevojshëm. Komiteti i Shqiptarëvet në Podgoricë gjeti mënyrën t'i drejtohej qeverisë britanike për të kërkuar përkrahjen e saj pranë fuqivet të mëdha, që këto t'a detyronin Turqinë t'i njihte popullit shqiptar të drejtat e shprehura në memorandumin. Ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Sir Edward Grey, e mori parasysh këtë lutje dhe iu propozoi fuqivet të mëdha që t'i bënin një thirrje Turqisë të kënaqte kërkesat e Shqiptarëvet, për t'i dhënë fund sa më shpejt kryengritjes së tyre, e cila mund të sillte ndërlikime të këqia, po të zgjatej. E para që e kundërshtoi propozimin britanik ishte Gjermania, duke e quajtur si një ndërhyrje në punët e brendëshme të Turqisë. Pastaj e kundërshtuan edhe fuqi të tjera. Rolin më të dobët kundrejt Shqipërisë e loste Austria, e cila as ishte e zonja t'i siguronte asaj autonominë, as lejonte përzjerjen e ndonjë fuqie tjetër në çështjen shqiptare. Donte që atë vend t'a kishte si një rezervë për vehte, kur t'i vinte koha.

Krajl Nikolla, porsa mori vesh se Shqiptarët, në mbledhjen e Gërçes, caktuan vijat e një programi kombëtar dhe se kërkesat e tyre ua paraqitën fuqivet të mëdha, ndryshoi qëndrim kundrejt malësorëvet mbasi tani s'mund t'i kishte si një vegël në duart e tija. Nga ana tjetër, Rusia me Austrinë, të cilat nuk donin trazime në Ballkan, po shtynin Turqinë dhe Malin-e-Zi që t'i rregullonin çështjet e varura midis tyre si edhe problemin e Shqiptarëvet t'arratisur. Marrëveshja turko-malazeze u arrit më 28 Korrik; Krajl Nikolla ua preu ndihmën malësorëvet duke i shtrënguar që të pranonin konditat e faljes dhe të këthehëshin nëpër viset e tyre.

Gjatë Korrikut, qeveria turke e kishte larguar prej Shqipërie Shefqet Turgutin, i cili urrehej, dhe në vend të tij dërgoi Abdullah Pashën me disa propozime, që s'kishin të bënin me kërkesat e Gërçes, por vetëm me malësorët katolikë të Shkodrës. Të shtrënguar edhe prej Malit-të-Zi, Shqiptarët e arratisur u detyruan t'i pranonin konditat e qeverisë turke, më 3 Gusht 1911, dhe të këthehëshin nëpër vendet e tyre.

Kur zjente kryengritja në veri, u bënë përpjekje në jugë për një organizim të përgjithshëm, por mjerisht ndarjet shoqërore e gjeografike ishin akoma të mëdha, nuk kishte ndërgjegje disipline e përputhje mendimesh. Dëshira ishte që lidhjet dhe bashkëvepërimi ndërmjet jugës dhe veriut të bëhëshin sa më të ngushtë. Por mungonte udhëheqja; nuk kishte një figurë as një komitet qendror të zotët për t'organizuar e kumanduar gjithë lëvizjen. Vullneti i luftës çfaqej kudo, me trima të gatishëm për të rrokur armët. Po kush do t'i lidhte në një vepërim të përbashkët e kush do t'i udhëhiqte sipas një plani të përcaktuar?

Komiteti i fshehtë i Manastirit pat dashur të shtynte organizimin e çetavet duke ngarkuar, në Dibër, në Prespë, n'Elbasan e gjetkë, disa atdhetarë që mund t'i formonin dhe t'i mbanin me mjetet e tyre. Krijimi i çetavet u bë si një program për komitetet e fshehtë në të gjitha qëndrat, në jugë, në veri, në Kosovë. Ndonëse kjo mënyrë luftimi ishte m'e përshtatshmja për të goditur e lëkundur kudo forcat turke, kishte nevojë për një krye, për një qendër drejtonjëse që t'i lidhte të gjitha vepërimet në një plan të përbashkët.

Me këtë qëllim u formua në jugë një organizatë e fshehtë, e quajtur "Shoqëria e Zezë për Shpëtim", e cila desh të merrte drejtimin e lëvizjes, dhe krijoi disa degë aty-këtu, por nuk arriti dot t'a bashkonte as t'a kumandonte vepërimin e shpërndarë të çetavet. Këto dhe komitetet e fshehtë vepronin sipas gjykimit të tyre dhe rrethanavet krahinore. Për shembull, më 15 Maj 1911, Komiteti i Vlorës iu bëri thirrje Shqiptarëvet që t'ishin gati për një kryengritje të përgjithshme, dhe kërkoi nga qeveria e Stambollit autonominë administrative të Shqipërisë, domethënë bashkimin e të katër vilajetevet (Shkodër, Kosovë, Manastir e Janinë) në një tërësi të qeverisur prej Shqiptarëvet, me parlament e ushtëri më vehte. Më 17 Korrik, çetat e Vlorës vendosën të sulmonin qytetin, por ky vepërim nuk u krye dot. Kurse më 31 t'atij muaji, në një mbledhje të çetavet dhe të parësisë tek Ura e Drashovicës, u vendos të pranohej programi i memorandumit të Gërçes dhe të luftohej për zbatimin e tij. Ky vendim iu njoftua edhe përfaqësivet të huaja në Vlorë.

Turqit nuk donin që të shpërthente një kryengritje e përgjithshme në jugë, pas tronditjes që patën në veri. Prandaj, megjithëse kishin grumbulluar fuqi të shumëta, nuk po bënin ndjekje dhe linin të kuptohej nëpërrnjet t'agjentëvet të tyre se mund t'i dëgjonin kërkesat e Shqiptarëvet për reforma. Disa nga krerët e lëkundshëm të lëvizjes, të cilëvet s'para iu pëlqente lufta, menduan se me ca mbledhje e demostrata mund t'a detyronin qeverinë e Stambollit që t'iu njihte të drejtat Shqiptarëvet. Me këtë ide, komiteti i fshehtë i Janinës iu kishte dhënë udhëzime qytetevet të vilajetit që të bënin një tregim force me anë mbledhjesh t'armatosura, duke ngritur zërin për autonominë e Shqipërisë, më 23 Korrik 1911, ditën e përvjetorit të revolucionit të Turqvet të Rinj. Por n'atë kohë u muarën vesh propozimet e reja që po iu bënte qeveria turke malësorëvet të Mbishkodrës t'arratisur në Podgoricë. Kjo gjë i shqetësoi Shqiptarët e jugës, të cilët nuk donin që të kishte dallime krahinore e mënyra të ndryshme n'administrimin e Shqipërisë, sepse atëhere do të ndahej vendi edhe më tepër. Prandaj, pa pritur datën e caktuar, një grumbull i madh burrash t'armatosur u mblodh më 21 të Korrikut në manastirin e Cepos, afër Gjirokastrës, dhe, duke theksuar dëmin që i sillte njësisë kombëtare krijimi i një administrate të veçantë për malësinë e Shkodrës, kërkoi që të kishte një mënyrë të vetëme qeverimi për tërë Shqipërinë, në veri e në jugë, sepse kombi shqiptar ishte i pandarë.

Mospranimi i kërkesavet të memorandumit të Gërçes nga ana e Turqvet i dha shtytje, në jugë, Lëvizjes s'armatosur të çetavet. Në qarkun e Korçës dhe në rrethin e Follorinës shquhëshin çetat e Qamil Panaritit dhe ajo e Spiro Ballkamenit, të cilat bënë përpjekje me forcat turke. Në Çamëri vepronte çeta e Musa Demit. Të tjera kishte në Kurvelesh dhe në qarkun e Gjirokastrës. Çetat përbëhëshin zakonisht prej atdhetarësh idealistë, myslimanë e orthodoks, që luftonin së bashku për lirinë e Shqipërisë. Populli i priste kudo me krahë hapët. Teqetë e Bektashinjvet ishin një strehë për to.

Mbasi e qetësoi gjendjen në veri, qeveria turke desh të paqësonte vilajetin e Janinës, duke nxjerrë një falje për ata çetarë ose t'arratisur që do të këthehëshin nëpër shtëpitë e tyre dhe duke premtuar se disa nga kërkesat e Shqiptarëvet do të merrëshin parasysh, sidomos çështja e shkollavet dhe e abecesë kombëtare. Për të biseduar mbi këto propozime, agjentët turq thirrën krerët e Shqipërisë së jugës në një mbledhje, në Tepelenë, më 18 Gusht 1911. Premtimet ishin pak më të gjera nga ato që iu qenë bërë malësorëvet të Mbishkodrës, sepse parashikohej një falje e përgjithshme, hapja e shkollave shqipe me ndihmën financiare të shtetit dhe mësimi i shqipes në shkollat turqishte. Taksat do të caktohëshin sipas gjendjes së popullit, shërbimi ushtarak do të kryhej në vilajetet shqiptare, nëpunësit e administratës duhej të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, armët mund të mbahëshin me lejë. Këto premtime ishin shumë larg nga kërkesat shqiptare të paraqitura në memorandumin e Gërçes, por pjesa e njerëzve të lëkundshëm i gjeti të kënaqshme.

Ndonëse kryengritja e vitit 1911 nuk u përgjithësua dot, ajo shënon një çap të rëndësishëm në luftën e pavarësisë, sepse i dha shtytje lëvizjes s'armatosur dhe vetëdijës kombëtare, lidhi në një program të përbashkët veri e jugë, e detyroi qeverinë turke të hynte në bisedime me Shqiptarët dhe ia bëri të njohura Evropës kërkesat e këtyre.

Më 29 Shtator 1911, Italia i shpalli luftë Turqisë. Regjimi i Turqvet të Rinj kalonte një periudhë të vështirë. Mosmarrëveshjet e brendëshme që zjenin në Komitetin "Bashkim e Përparim" u acarruan. Për të qetësuar Shqiptarët, qeveria e Stambollit u vu të zbatonte pjesërisht disa nga premtimet e dhëna: liroi ca atdhetarë nga burgjet, në Korçë e gjetkë, por nuk bëri falje të përgjithshme. Sa për n'arësim, nisi të fuste mësimin e shqipes në shkollat turqishte, pa hequr dorë nga politika e osmanizimit. Valiu i Shkodrës nuk i zbatoi të gjitha konditat e marrëveshjes me malësorët e veriut.

Përpjekjet e Turqvet për t'i përdorur Shqiptarët në luftën kundër Italisë nuk zunë vend: jo vetëm nuk rekrutuan dot fuqi të reja, po edhe disa nga repartet që ndodhëshin nën armë fillluan të çthurëshin.

Shqetësimi i Shqiptarëvet për fatin e atdheut u shtua nga frika se mos shtetet e Ballkanit, duke parë që Turqia po merrte të tatëpjetën, i shpallnin luftë kësaj dhe pushtonin tokat shqiptare. Filloi të ndihej rreziku i copëtimit të vendit. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e të tjerë vazhduan përpjekjet për bashkimin e rrymavet kombëtare, brenda e jashtë atdheut, e për të krijuar mundësisht një qendër drejtonjëse. Nga ana tjetër, grupi i deputetëvet shqiptarë në Stamboll, gjatë muajit të Dhjetorit 1911, i paraqiti qeverisë turke një memorandum duke i kërkuar zbatimin e reformavet për Shqipërinë edhe e shtroi çështjen për bisedim në parlament, ku jehuan fjalët e nxehta të Hasan Prishtinës. Por qeveria nuk desh të dëgjonte. Atë Nëntor, nga deputetët e pakënaqur të popullsivet jo-turke dhe nga disa kundërshtarë të Turqvet të Rinj ishte formuar një parti opozite e quajtur "Liri dhe Marrëveshje" (Hurriyet ve Itilaf), e cila kishte në program shpërqëndrimin administrativ dhe njohjen e të drejtavet kushtetonjëse kombësive të ndryshme të Perandorisë. Përfaqësonjësit shqiptarë u bashkuan me këtë parti, e cila u bë një opozitë e fortë, aq sa Turqit e Rinj u shtrënguan t'a shpërndanin parlamentin, më 18 Jenar 1912, duke shpresuar se me ndërhyrjet e tyre do të siguronin shumicën në zgjedhjet e ardhshme.

Nga mbarimi i Dhjetorit 1911, me thirrjen dhe nën kryesinë e Ismail Qemalit, disa krerë politikë shqiptarë në Stamboll ishin mbledhur për të biseduar rreth gjendjes dhe punëvet të Shqipërisë. Mbasi me anë kërkesash nuk mund të shkëputej asgjë prej qeverisë turke, mbledhja vendosi të pregatiste një kryengritje të përgjithshme, e cila do të fillonte në Kosovë. Hasan Prishtina u ngarkua me organizimin e saj, kurse Ismail Qemali merrte përsipër të gjente 15.000 pushkë dhe mjete financiare (nga ndonjë fuqi e jashtëme).

Pas shpërndarjes së parlamentit, fushata për zgjedhjet e reja u nis e ashpër, sidomos në Shqipëri. Turqit përdorën të gjitha mjetet dhe muarën të gjitha masat që të mos zgjidhëshin kundërshtarët e tyre. Gjatë kësaj kohe, qeveria e Stambollit dërgoi në Shqipëri një u "komision reformash" të kryesuar nga ministri i Punëve të Brendëshme, Haxhi Adil Beu, gjoja për të bërë hetime mbi nevojat e vendit dhe për të plotësuar kërkesat e Shqiptarëvet, veçanërisht n'anën arësimore, nëqoftëse këta do të bashkëpunonin me Turqit e Rinj. Kurse qëllimi i vërtetë i ardhjes së ministrit, i cili vizitoi qytetet kryesore të vilajetevet të Shqipërisë, ku u prit shumë ftohët, ishte për të forcuar gjindarmërinë dhe administratën turke, si edhe për të ndikuar në kohën e zgjedhjevet. Që të tregonte se gjoja diç po bënte n'interes të vendit, ai urdhëroi hapjen e disa shkollave, një prej tyre edhe Normalja e Elbasanit. Mori shënim gjithashtu për ndërtimin e disa rrugëve ushtarake.

Ndërkaq, propaganda e zgjedhjevet valonte e nxehtë. Shtypi i mërgimit, përjashta, dhe Shqiptarët, përbrenda, u përpoqën sa mundën për të nxjerrë deputetë disa atdhetarë të shquar, si Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën e të tjerë, por Turqit e Rinj ua mbyllën rrugën. Parlamenti i "rizgjedhur", i cili u mlodh më 18 Prill 1912, përbëhej pothuajse i tërë nga besnikët e regjimit. Tani s'kishte mbetur asnjë mundësi marrëveshjeje ndërmjet Shqiptarëvet dhe Turqvet.

Ismail Qemali ishte nisur për n'Evropë dhe Hasan Prishtina për në Kosovë, me qëllim që të pregatitnin kryengritjen. I tërë vendi, në veri e në jugë, mund të çohej në këmbë, por mbetej gjithmonë problemi i pazgidhshëm: bashkimi i forcavet dhe drejtimi i tyre nën një kumandë të vetëme. Hasan Prishtina iu propozoi edhe Maqedonasvet që të ngrihëshin njëherësh me Shqiptarët dhe të luftonin së bashku për të formuar një shtet autonom shqiptaro-maqedonas. Por Bullgaria n'atë kohë kishte të tjera plane dhe ua ndaloi Maqedonasvet marrëveshjen me Shqiptarët.

Lufta italo-turke dhe zgjerimi i lëvizjes shqiptare i nxitën shtetet e Ballkanit që të pregatitëshin për zhvillimin e mëtejshem të ngjarjevet. Ideja e krijimit të një Shqipërie autonome ose të pavarur nuk pajtohej me qëllimet e Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë dhe të Malit-të-Zi, që prisnin t'i jepnin grushtin e fundit Turqisë për të ndarë trashëgimin e saj në Ballkan. Ashtu si po shkonin punët, mund të ngjanin gjëra të papritura: s'ishte çudi që Turqia t'iu njihte autonominë Shqiptarëvet, ose Austro-Hungaria mund të ndërhynte për të pushtuar sanxhakun e Novi-Pazarit dhe për të krijuar, nën mprojtjen e saj, një Shqipëri autonome, e cila do t'i hapte rrugën e dajles në Selanik. Prandaj shtetet e Ballkanit, me gjithë kundërshtimet që kishin midis tyre, shpejtuan të merrëshin vesh për një vepërim të përbashkët kundër Turqisë.

E keqja për Shqipërinë ishte se kjo nuk njihej akoma zyrtarisht as si njësi gjeografike as si kombësi. Austro-Hungaria që kishte interes t'a përkrahte, nuk e ndjente vehten mjaft të fortë kundrejt Rusisë dhe shtetevet të Ballkanit, nga njëra anë, rivalitetit me Italinë nga ana tjetër. Prandaj politika e Vienës kufizohej në mbajtjen e statu quo-së në Ballkan e në Shqipëri, në frenimin e konfliktevet, në dhënien e ndonjë ndihme për zhvillimin e arësimit kombëtar të Shqiptarëvet (duke e këshilluar fshehtazi qeverinë turke që të mos i shtypte fort këta), por nuk e përkrahte kryengritjen e tyre, e cila mund të shkaktonte koklavitje të tjera. Austria i këshillonte Shqiptarët që të mos ndahëshin nga Perandoria Otomane, ku ishin më të sigurtë, dhe mendonte se kombi shqiptar ishte akoma i përçarë e i papregatitur për autonominë. Italia, nga ana tjetër, nuk guxonte të ndërhynte në Shqipëri, ku gjente kundërshtimin e Austro-Hungarisë. Këtij vepërimi iu ruajt edhe pasi i shpalli luftë Turqisë. Në bisedimet e fshehta me Italinë, Viena e kishte kundërshtuar çdo ndërhyrje ushtarake në Shqipëri nga ana e këtyre dy fuqive, edhe sikur Shqiptarët të bënin kryengritje të përgjithshme. Në rast se lëvizja e Shqiptarëvet do të sillte ndërlikime më të gjera, Austria me Italinë dhe me fuqitë e tjera të mëdha do të përpiqëshin për të frenuar konfliktet dhe për të vazhduar mbajtjen e statu quo-së në Ballkan. Këtë politikë Austro-Hungaria e vazhdoi deri në fund, me qëllim që të ndalonte shpërthimin e Luftës ballkanike.

Kundrejt kësaj politike të butë t'Austrisë, po shtohej dinamizmi i shtetevet të Ballkanit, që përkrahëshin nga Rusia. Lufta italo-turke dhe kriza që po kalonte regjimi i Turqvet të Rinj, kryengritjet në Shqipëri e në Maqedoni e tregonin haptazi se gjendja në Ballkan nuk mund të qëndronte ashtu siç ishte dhe siç donte t'a mbante Austria me kleçka. Perandoria Otomane ndodhej në buzë të greminës. Shtetet e Ballkanit, nën drejtimin e Rusisë, po gatitëshin për t'i dhënë të shtymen e fundit. Shqipëria ishte në rrezik që të copëtohej ndërmjet fqinjëvet. Rusia filloi më parë t'afronte Bullgarinë me Serbinë për të formuar boshtin e fuqisë sllave në Ballkan, si një pengesë për t'i prerë udhën shtrirjes s'Austro-Hungarisë drejt detit Egje dhe ndikimit të Gjermanisë në Lindjen e Afërme. Rreth boshtit bullgaro-serb mund të rreshtohëshin Mali-i-Zi dhe popullsia maqedonase duke formuar kështu një grup të shëndoshë Sllavësh nën drejtimin e Rusisë, e cila në këtë mënyrë delte mbizotëronjëse në gadishullin ballkanik.

Që në Tetor 1911, pas shpalljes së luftës italo-turke, kryeministri i Bullgarisë dhe ai i Serbisë u takuan për të caktuar zonat e zgjerimit t'ardhshëm të shtetevet të tyre. Serbia kërkonte Kosovën dhe Shqipërinë e veriut për të dalë n'Adriatik, që kështu t'i priste rrugën Austro-Hungarisë. Për të siguruar aliancën me Bullgarinë, ajo i njihte kësaj, përvec vilajetit t'Adrianopojës, një pjesë të mirë të Maqedonisë. Kryeministri serb druante rrezikun e krijimit të një shteti shqiptar me përkrahjen e Austro-Hungarisë, megjithëse Shqiptarët, sipas atij, nuk ishin të zotët për të formuar një shtet. Sidoqoftë, kur Serbia të merrte Shqipërinë e veriut, ajo e jugës do të pushtohej prej Greqisë. Këto bisedime zgjatën disa muaj, sepse interesat e Sofjes e të Belgradit kundërshtohëshin përsa i përkiste ndarjes së tokavet në vilajetet e Kosovës e të Manastirit. Por, me këshillat e Rusisë, marrëveshja bullgaro-serbe u arrit dhe u nënshkrua më 13 Mars 1912. Parashikohej që të merrte pjesë edhe Mali-i-Zi n'atë lidhje.

Traktati bullgaro-serb përmbante një shtojcë të fshehtë ku caktohej ndarja e tokave shqiptare, megjithëse fjala Shqipëri nuk përmendej. Serbia do të merrte krahinat në veri dhe në perëndim të maleve të Sharit, domethënë Kosovën, Metohinë dhe Shqipërinë e veriut; kurse Bullgaria do të pushtonte tokat në lindje të maleve të Rodopit dhe të lumit Struma. Vendi ndërmjet maleve të Sharit, lumit Struma dhe liqenit t'Ohrit (me qytetet Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Përlepi, Manastiri, Ohri etj.) u shikua si një zonë ku përpiqëshin interesat e të dy palëve, prandaj mbetej për t'u caktuar më vonë ndarja e saj, ose mund të përbënte një krahinë autonome. Nëqoftëse Bullgaria me Serbinë nuk do të binin dot n'ujdi, puna e rregullimit të kësaj zone do t'i lihej në dorë Carit të Rusisë.

Pothuajse njëkohësisht me marrëveshjen bullgaro-serbe u zhvilluan bisedimet ndërmjet Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat përfunduan me nënshkrimin e një traktati, më 29 Maj 1912. Këtu nuk flitej për ndarje tokash, por të dy shtetet lidhëshin për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast se do të sulmohëshin prej Turqisë.

Ndërsa fqinjët e Shqipërisë po gatitëshin për një vepërim të përbashkët kundër Perandorisë Otomane dhe bënin planet për copëtimin e tokavet shqiptare, kombi i ynë ndodhej i ndarë e i thërrmuar si gjithmonë, pa lidhje të brendëshme administrative, pa një qendër, pa një drejtim. Disa nga udhëheqësit e tij kishin vendosur që të bëhej një kryengritje e përgjithshme për të shkëputur autonominë prej qeverisë turke. Gjatë "zgjedhjevet" parlamentare, të cilat shkaktuan aty-këtu përfytje të nxehta, u kuptua se s'kishte mbetur asnjë tjetër mënyrë marrëveshjeje me Turqit.

Sipas planit që kishte bërë Komiteti Shqiptar i Stambollit, kryengritja do të fillonte në Kosovë. Por populli ishte i gatishëm kudo, në veri e në jugë. Me fjalën e Ismail Qemalit, organizimi i kryengritjes kishte shtrirë degë në Shqipërinë e Mesme: Krujë, Durrës, Tiranë, Elbasan, dhe në jugë: Vlorë, Berat, Korçë, Gjirokastër e gjer në Janinë. Kurse Luigj Gurakuqi vepronte në qarkun e Shkodrës. Lëvizja kishte nisur në malësinë e Gjakovës që në Prill dhe, nga fillimi i Majit, ishte përhapur në rrethet e Pejës, pastaj në Nikaj e Mertur, në Mirditë e në Zadrimë. Malësorët e Dibrës, të Matit, të Kthellës, si edhe ata të Leshit e të Bregut-të-Matit lidhën besën për t'iu prerë udhën ushtërivet turke. Në pjesën më të madhe të vendit ndihej nevoja e shkëputjes prej Turqisë.

Por këto forca duhëshin lidhur e bashkërenditur në një plan. Siç e pamë më sipër, me organizimin e kryengritjes në Kosovë ishte ngarkuar Hasan Prishtina. N'atë kohë po shquhej edhe figura e fortë e Bajram Currit. Këta të dy thirrën krerët e vilajetit të Kosovës në një mbledhje në katundin Junik, afër Gjakovës, më 20 Maj 1912. Ndërmjet të tjerëve, merrnin pjesë Nexhip Draga, Isa Buletini dhe kapedanët e kryengritjeve të mëparshme. N'atë kuvend, që vazhdoi disa ditë, u lidh besa për t'i bërë luftë qeverisë turke deri në shkëputjen e autonomisë, programi i së cilës parashihte: caktimin e kufijvet të Shqipërisë dhe bashkimin e saj në një vilajet të vetëm me një qeveritar në krye, administratën me nëpunës shqiptarë dhe me shqipen si gjuhë zyrtare, arësimin shqip me abecenë kombëtare (latine), njohjen e kombësisë shqiptare dhe kryerjen e shërbimit ushtarak n'atdhe. Ky program, i cili kërkonte bashkimin e Shqipërisë në një tërësi të vetëme, e kapërcente atë të memorandumit të Gërçes, por duket se nuk u pranua nga e tërë mbledhja ku merrnin pjesë edhe njerëz me ndjenja turkomane. Megjithatë, shumica e popullit mori anën e atdhetarëvet, afro 3000 burra u mblodhën nën urdhërat e Bajram Currit dhe të Hasan Prishtinës; vepërimi i tyre nisi në Rrafshin e Dukagjinit me qëllim që të shtinin në dorë Pejë e Gjakovë. Kumandari turk i Shkupit, gjeneral Fadil Pasha, u nis vetë për të shtruar kryengritjen, arriti në Gjakovë dhe, pas një përpjekjeje t'ashpër që pati me Shqiptarët në Junik, mundi të hynte në Pejë më 6 të Qërshorit. Kryengritësit u tërhoqën në Malësinë e Gjakovës. Por pas ca ditësh, Bajram Curri sulmoi në Qafën e Prushit katër batalionë turq të cilët i shpartalloi plotësisht. Fitorja e tij pati një oshëtimë në tërë Kosovën. Kryengritja po forcohej në rrethet e Gjakovës, të Prizrendit e të Pejës.

Në Malësinë e Leshit, Mirditë, Bregu-i-Matit, kishin nisur përpjekjet me Turqit. Këta u munduan, si në vitin e kaluar, të përdornin politikën fetare për të ndarë Myslimanët nga Katolikët, por nuk ia arritën dot qëllimit. Jo vetëm Myslimanët e Krujës u bashkuan me Katolikët e Malësisë se Leshit, të Mirditës e të Zadrimës, po edhe në Shkodër brenda u formua një komitet kryengritës. Ashtu edhe Dibra e Mati ishin lidhur me krahinat katolike rreth e qark.

Gjatë kësaj kohe, në jugë ishte shtuar veprimtaria e çetavet. Shqiptarët e kolonivet, shumica e të cilëve ishin nga juga, përpiqëshin për të mbledhur ndihma e për të gjetur armë. Kolonia e Bukureshtit dërgoi në Korçë Pandeli Calen për t'i këshilluar Orthodoksit që të bashkohëshin me Myslimanët në kryengritjen kundër Turqvet. Por figura m'e shquar n'atë krahinë u tregua Themistokli Gërmënji, i cili, bashkë me Sali Butkën, Spiro Ballkamenin e të tjerë, organizoi çetat që vepronin në qarkun e Korçës, në rrethet e Follorinës, të Kolonjës, të Dangëllisë, të Përmetit. Disa të dërguar nga Shqipëria e jugës vajtën në Kosovë për të bërë pjekje dhe për të lidhur fjalën me udhëheqësit e kryengritjes s'atjeshme.

Në luftën për autonominë, Shqiptarët nuk kishin asnjë përkrahje të jashtëme. Austria ua kishte thënë haptazi se nuk e pëlqente kryengritjen, e cila mund të nxirte ngatërresa të tjera në Ballkan, prandaj s'iu jepte asnjë ndihmë. Por sigurisht e këshillonte Turqinë që t'i qetësonte Shqiptarët duke iu njohur disa liri të kufizuara, për t'i prerë hovin kryengritjes së tyre, e cila mund të shkaktonte hyrjen në valle të Serbisë dhe të Malit-të-Zi. Ismail Qemali kishte pasur bisedime disa herë me ambasadorët e Austro-Hungarisë në Stamboll e në Paris, iu kishte çfaqur shqetësimin e tij në lidhje me gjëndjen e Shqipërisë, e cila nuk njihej akoma si kombësi as si njësi gjeografike dhe ishte në rrezik të copëtohej ndërmjet shtetevet të Ballkanit në rast se do të përmbysej Turqia. Iu kishte thënë gjithashtu se ai vetë dhe Shqiptarët shpresonin vetëm në mprojtjen e Austro-Hungarisë. Por diplomatët austriakë i qenë përgjigjur se Shqiptarët duhej të qëndronin në kuadrin e Perandorisë Otomane dhe të përparonin duke bashkëpunuar e mbajtur marrëdhënie të mira me Turqinë. Nuk duhej të bënin kryengritje, të cilat mund t'a trazonin gjendjen më keq. Pra Ismail Qemali e dinte se nga Viena nuk pritej, asnjë ndihmë për kryengritjen. 15.000 pushkët dhe të hollat që ishte zotuar të gjente, shpresonte t'i nxirte nga Italia, ku lëvizja pro-Albania po tregohej mjaft vepronjëse. Duket se një sasi armësh dhe të hollash hynë prej Italie në Shqipëri, por jo aq sa ishin premtuar. Qeveria italiane ndodhej në luftë me Turqinë dhe kishte interes që t'i shkaktonte kësaj sa më shumë trazime, por në kryengritjen shqiptare nuk mund të ndërhynte drejtpërdrejt për të mos ardhur në kundërshtim me Austrinë, ose për të mos i dhënë rastin asaj t'a shfrytëzonte për vehte gjendjen në Shqipëri. Ka të ngjarë që Ismail Qemali t'i jetë drejtuar për ndihmë edhe Anglisë, por kjo s'mund të përzjehej në një çerdhe ngatërresash ku përpiqëshin interesat e Rusisë, t'Austro-Hungarisë dhe t'Italisë. Pra Shqiptarëvet s'iu mbetej tjetër veçse të qëndronin me forcat e tyre dhe me ato pak mjete që mund t'iu vinin prej kolonivet të jashtëme.

Ata që u vunë t'a shtynin kryengritjen shqiptare ishin shtetet e Ballkanit, sidomos Serbia e Mali-i-Zi. Kurse Greqia filloi të nxirte çetat n'Epir. Qëllimi i Serbisë dhe i Malit-të-Zi ishte që të shkaktonin sa më shumë rrëmujë në Shqipëri, t'i vinin Shqiptarë e Turq kundër njëri-tjetrit, që kështu Serbo-Malazeztë të vërsulëshin në çastin e duhur dhe të mos gjenin kundërshtim të fortë për të pushtuar tokat e lakmuara. Serbia formoi çeta në Kosovë, desh të binte në marrëveshje me disa krerë shqiptarë për t'iu dhënë armë e të holla që të luftonin kundër Turqvet. Serbët patën krijuar edhe një organizatë terroriste, e quajtur "Dora e Zezë", gati për të vepëruar në Shqipëri me anën e tmerrit. Kurse Mali-i-Zi vazhdonte gjithmonë intrigat në malësitë katolike të veriut.

Qeveria turke nuk dukej fort e shqetësuar për kryengritjen shqiptare, e cila nuk kishte ndërlidhje, udhëheqje, kumandë, program as plan të përbashkët. Vepërimi i çdo krahine kufizohej në rrethin e saj, vullnetarët aty mblidhëshin aty shpërndahëshin, nuk ishin trupa të lëvizshme që të mund të çohëshin prej një vendi në tjetrin, prej veriut në jugë ose anasielltas; krerët e kapedanët shpeshëherë nuk kishin të njëjtin qëllim as merrëshin dot vesh midis tyre, se nga çdo kokë delte një zë. Qeveria e Stambollit i pati shtypur gjithmonë këto lloje lëvizjesh, prandaj mund t'a shtypte ndoshta edhe këtë sikur të mos kishte ngjarë çthurja në radhët e ushtërisë turke të vilajetevet të Manastirit e të Kosovës.

Kundër mënyravet shtypëse të Turqvet të Rinj, përdhunimit të zgjedhjevet dhe politikës së tyre të padrejtë kundrejt Shqiptarëvet, ishte krijuar n'ushtëri një rrymë e fortë kundërshtare, e cila kërkonte rrëzimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja. Kjo rrymë ishte përhapur sidomos n'ushtërinë e vilajetevet të Manastirit dhe të Kosovës, ku oficerët turq kishin formuar një organizatë të fshehtë me emrin "Shpëtimtarët e Kombit", e cila lidhej me opozitën e vjetër parlamentare, prandaj u quajt përgjithësisht itilafiste. Shqiptarët që shërbenin n'ushtërinë turke, si oficerë ose edhe rekrutë, merrnin pjesë me shumicë në këtë organizatë.

Komiteti Shqiptar i fshehtë i Manastirit dijti të punonte në radhët e ushtërisë dhe të shtynte oficerë e ushtarë shqiptarë që t'arratisëshin me armë e municione. I pari që u largua nga korparmata e Manastirit ishte Tajar Bej Tetova me 150 ushtarë shqiptarë, i cili u arratis më 22 Qërshor, duke marrë me vehte armë e municione, dhe kaloi në Shqipërinë e jugës, në Kolonjë e në Frashër, ku u bashkua me çetat e Themistokli Gërmënjit dhe të Sali Butkës. Ikja e Tajar Tetovës i ngjante pak a shumë asaj t'Ahmet Niazi Resnjës më 1908. Të tjerë oficerë dhe ushtarë shqiptarë u arratisën prej garnizonevet t'Ohrit, të Dibrës dhe të Korçës; numri i tyre arriti në disa qindra veta nga mbarimi i Qërshorit. Bashkë me Shqiptarët filluan t'arratisëshin edhe oficerë turq, të cilët kërkonin rrëzimin e qeverisë.

Mirëpo kishte një ndryshim në mes të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe t'asaj që u krijua në radhët e ushtërisë turke. Qëllimi i Turqvet ishte që të rrëzonin qeverinë dhe të bënin zgjedhje të reja, prandaj mund të bashkëpunonin me kryengritësit shqiptarë deri n'atë cak, duke iu premtuar këtyre përmirësimin e administratës dhe disa të drejta, por nuk e njihnin autonominë e Shqipërisë. Lëvizja ushtarake e Turqve të kësaj radhe i ngjante asaj të Turqvet të Rinj, më l908, të cilët deshën të përfitonin nga forcat e Shqiptarëvet sa për të rrëzuar regjimin e vjetër dhe për t'ardhur vetë në fuqi. Ky qëllim i organizatës së fshehtë t'ushtërisë turke u kuptua fare mirë në Shqipërinë e jugës, prandaj komitetet e "Shoqërisë së Zezë për Shpëtim" u vunë menjëherë t'a ndanin punën e Shqiptarëvet nga ajo e Turqvet dhe të kërkonin me forcë autonominë duke përhapur kudo lëvizjen e çetavet. Por në Kosovë, ku një pjesë e klerit dhe e parësisë kishte akoma ndjenja turkomane, filloi të krijohej një pështjellim, pak a shumë si më 1908, dhe në disa raste kryengritja e Shqiptarëvet përzjehej me atë t'ushtërisë turke, megjithëse atdhetarët këtë herë kishin një program kombëtar - programin e autonomisë - dhe përpiqëshin t'a ndanin çështjen shqiptare nga ajo e Turqvet.

Sado i gjallë që po tregohej vepërimi i çetavet në Shqipërinë e jugës dhe të Mesmen, dukej se edhe këtë radhë fati i Shqipërisë do të luhej në Kosovë. Këtu disa krerë të lëvizjes, ndoshta për nevojë të çastit, u bashkuan me programin e opozitës ushtarake turke, e cila iu premtonte Shqiptarëvet një përmirësim të gjendjes por jo autonominë. Shkëputjen nga Turqia nuk e donin as oficerët shqiptarë t'arratisur, si Tajar Bej Tetova, por këta, në jugë, s'i dëgjonte njeri. Qëndrimi i krerëve të Kosovës hodhi pështjellim në mendjen e atdhetarëvet dhe ngjalli frikën se lëvizja do të përçahej duke mos pasur një program të përbashkët. Kjo përzjerje e çështjes shqiptare me itilafistët turq ishte një përsëritje e mërzitshme e historisë dhe mund të përfundonte si më 1908. Sadoqë vetëdija kombëtare kishte bërë përparim - sepse Turqit e Rinj, me shtrëngimet dhe sjelljet e këqia të tyre, e patën zhvilluar në vend që t'a ulnin - politikisht Shqiptarët ishin të papjekur, s'mund të kishin një program e plan të përbashkët, një kumandë e qendër drejtonjëse të vetëme, prandaj shfrytëzohëshin gjithmonë prej të tjerëvet, pa qënë kurrë në gjendje që të përfitonin këta vetë nga rrethanat. Ishte rrezik që edhe këtë herë të bënin lodrën e opozitës ushtarake turke, sikurse më 1908. Por nuk ndodhi kështu, sepse lëvizja kryengritëse ishte përhapur në tërë Shqipërinë, disa ide të përgjithshme rreth autonomisë qarkullonin më çdo anë, dhe opozita itilafiste nuk ishte aq e fortë sa t'iu impononte vullnetin e saj Shqiptarëvet. Prandaj mund të themi se këta përfituan nga çthurjet që ngjajtën në radhët e ushtërisë turke.

Megjithatë, qeveria e Stambollit u mundua t'a shtypte lëvizjen shqiptare me anën e trupavet besnike, të cilat ishin akoma të shumta dhe, në Kosovë, kumandohëshin prej Fadil Pashës. Ky u nis vetë në ndjekjen e kryengritësvet, por u prit kudo me pushkë dhe ndeshi në një qëndresë t'ashpër. Shqiptarët ishin forcuar jo vetëm në malësitë e Gjakovës, të Pejës dhe në rrethet e Prizrendit, por vepronin deri në veri-lindje të Kosovës, ndërmjet Podujevës, Novi-Pazarit, Mitrovicës dhe Prishtinës. Trupat e Fadil Pashës që deshën t'a shtronin këtë anë, pësuan gjatë Qërshorit dhe në ditët e para të Korrikut disa goditje të forta prej kryengritësvet, të cilët udhëhiqëshin nga Isa Buletini dhe ca kapedanë të tjerë. Në një luftim tek Ura e Senicës, Shqiptarët thyen dy batalionë turq. Lëvizja vinte duke u zgjeruar. Të tjera forca kryengritëse, nën kumandën e Idriz Seferit, Mehmet Pashë Derallës dhe Islam Spahiut, vepronin në krahinat ndërmjet Gjilanit, Prizrendit e Tetovës, duke i shkaktuar humbje ushtërisë turke dhe duke e shtrënguar që të mbyllej nëpër qytetet. Kurse Shqiptarët zunë grykat e Kaçanikut, të Cernolevës dhe të tjera pika të forta për t'i prerë armikut ndërlidhjet dhe mundësinë e prurjes së trupave të reja. Përpjekja vazhdonte në Shqipërinë e Mesme, me luftime çetash, dhe në tërë jugën gjer në Çamëri. Por, siç thamë, qendra e kryengritjes u bë Kosova, ku me mijëra burra t'armatosur, nga Rrafshi i Dukagjinit, nga rrethet e Prizrendit e të Gjilanit si edhe prej anës së Novi-Pazarit e të Mitrovicës, iu drejtuan Prishtinës. Fusha e Kosovës u mbush me kryengritësit shqiptarë, të cilët hynë në Prishtinë më 22 të Korrikut.

Disa ditë më parë, oficerët e korparmatës së VI të Manastirit kishin kërkuar rrëzimin e qeverisë së Stambollit. Kryengritja e Shqiptarëvet e tronditi gjendjen më shumë akoma. Qeveria e Said Pashës dha dorëheqjen. Një qeveri e re u formua më 23 Korrik nën kryesinë e Ahmet Myftar Pashës me një rreth ministrash që gëzonin besimin e opozitës ushtarake ose itilafiste. Detyra m'e parë e kësaj qeverie ishte rregullimi i paqes me Shqiptarët, prandaj dha urdhër që të pushonin përpjekjet me armë dhe vendosi të dërgonte në Kosovë një komision për të nisur bisedimet me kryengritësit.

Tani Shqiptarët ndodhëshin përpara dy problemeve me rëndësi: e para, duhej të kërkonin autonominë administrative me bashkimin e tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, që kështu të caktohëshin kufijt e Shqipërisë. E dyta, në bisedimet që do të zhvillohëshin në Kosovë duhej të merrnin pjesë përfaqësonjës nga të katër vilajetet dhe nga i tërë vendi, për të mos lejuar që Turqit të bënin marrëveshje krahinore të veçanta me kryengritësit si në vitin 1911.

Krerët dhe kumandarët e çetavet të Shqipërisë së jugës mbajtën një mbledhje të madhe në Qafën e Sinjës (afër Beratit), më 23 Korrik 1912, për të paraqitur ankimet dhe kërkesat e tyre në një memorandum prej dymbëdhjetë pikash i cili ishte si ai i Gërçes. Krerët e mbledhur shtonin në fund se nuk do t'i lëshonin armët por do të qëndronin malevet deri sa të merrëshin parasysh kërkesat e tyre. Memorandumi iu dërgua Sulltanit telegrafisht nga Vlora, më 29 Korrik, dhe iu njoftua konsujvet të fuqive të mëdha. Shqiptarët e jugës nuk kishin të bënin me oficerët e opozitës itilafiste turke dhe kërkonin autonominë në tërë kuptimin e saj.

Nga mbarimi i Korrikut, disa atdhetarë kosovarë kishin botuar një thirrje me anën e së cilës ngulmonin që të bëhej një mbledhje ku të merrnin pjesë përfaqësonjës prej të katër vilajetevet të Shqipërisë, për të vendosur bashkarisht se çfarë të drejtash do t'i kërkohëshin qeverisë turke. Të njëjtat mendime çfaqte shtypi i mërgimit, i cili nuk donte marrëveshje gjysmake por njohjen e autonomisë shqiptare nga ana e Portës së Lartë. Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin, të cilët n'atë kohë ndodhëshin jashtë atdheut, iu shkruanin disa krerëve se në Kosovë duhëshin dërguar përfaqësonjës nga të gjitha anët e Shqipërisë, për të treguar që Shqiptarët, si në luftë ashtu edhe në mendimet e në kërkesat e tyre, ishin të njëjtë dhe të pandarë. Porositnin gjithashtu që kryengritësit të mos gënjehëshin si tjetër herë, por të mbanin vendet, të forconin lidhjet midis tyre dhe të kërkonin me këmbëngulje për të katër vilajetet njohjen e të drejtavet ashtu siç ishin parashikuar në dymbëdhjetë pikat e memorandumit të Gërçes.

Nga Shqipëria e jugës nuk mundën të vinin përfaqësonjës në Kosovë, se s'pati kohë mbasi ngjarjet po rridhnin shpejt. U nisën disa nga Shqipëria e Mesme dhe e veriut, por as këta nuk arritën dot me kohë. Kështu që, praktikisht, në bisedimet shqiptaro-turke mori pjesë vetëm parësia e Kosovës. Po edhe sikur të kishin ardhur dërgata nga viset e tjera, vetëm fjala e Kosovarëvet do të dëgjohej, mbasi ata kishin mundur të grumbullonin një forcë t'armatosur. Disa komitete të Shqipërisë së jugës ngarkuan me anë telegramash si përfaqësonjës të tyre Hasan Prishtinën, duke ia theksuar që të kërkonte nga qeveria e Stambollit zbatimin e dymbëdhjetë pikavet të famshme. Mirëpo kur erdhi Komisioni turk në Prishtinë, më 27 Korrik, Shqiptarët, përpara çdo bisedimi tjetër, kërkuan shpërndarjen e menjëhershme të parlamentit. Përndryshe, do t'a rifillonin luftën pas dy ditësh. Kjo kërkesë e trashë shprehte urrejtjen e Hasan Prishtinës për një parlament ku atij i pat qënë mbyllur rruga e rizgjedhjes, si edhe ndikimin e opozitës itilafiste turke në një pjesë të parësisë turkomane të Kosovës, por nuk lidhej aq ngushtë me autonominë e Shqipërisë, e cila duhej t'ishte fjala e parë. Do të kishte qënë më me vend dhe shumë m'e hijëshme, më heroike, sikur ana shqiptare të kishte thënë: "Po nuk iu njoh menjëherë autonomia Shqipërisë, e rifillojmë luftën pas dy ditësh". Parlamenti turk, sido që t'ishte zgjedhur, ishte një çështje që i përkiste gjithë Perandorisë Otomane dhe jo vetëm Shqiptarëvet. Kryeministri u përgjigj duke lypur pak durim dhe ngarkoi mareshal Ibrahim Pashën për të vazhduar bisedimet e ndërprera, të cilat rifilluan më 2 të Gushtit. Ndonëse kishte rreth vehtes atdhetarë si Bajram Currin e Nexhip Dragën me shokë, dhe në mendje kërkesat kombëtare, Hasan Prishtina, i detyruar prej parësisë turkomane, pasi numëroi në një fjalim të nxehtë dëmet dhe shkretimet që Turqit e Rinj i kishin sjellë këtij vendi, u lëshua edhe një herë kundër parlamentit si Ciceroni kundër Katilinës, duke ngulmuar që të shpërndahej. Qeveria turke iu përul vullnetit të Shqiptarëvet dhe, me një dekret të Sulltanit, e shpëmdau parlamentin më 5 të Gushtit. Kështu u kënaq opozita itilafiste, e cila nuk dëshironte gjë tjetër përveç kësaj.

Por nuk u kënaqën Shqiptarët, mbasi asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare nuk ishte marrë akoma parasysh. Prandaj nga shumë anë dhe qytete të Shqipërisë, sidomos në jugë e në të Mesmen, filluan thirrjet drejtuar me telegram kryeministrit në Stamboll dhe Komisionit shqiptar të bisedimevet në Kosovë. Në disa qytete të Shqipërisë së jugës u organizuan mbledhje për të kërkuar autonominë. Manastiri, Elbasani dhe më vonë Tirana dërguan përfaqësonjësit e tyre në Prishtinë. Atdhetarët e çdo krahine u përpoqën të njësonin pikëpamjet dhe të paraqitnin një program të përbashkët kërkesash me karakter kombëtar. Nga këto thirrje u forcua dhe qëndrimi i kryengritësvet në Kosovë, të cilët në këtë ndërkohë kishin zbritur në Ferizaj, ku ndodhëshin jashtë ndikimit të parësisë fanatike të Prishtinës. Mbasi u kënaqën dëshirat e turkomanëvet itilafistë me shpërndarjen e parlamentit, iu erdhi radha edhe kërkesavet kombëtare. Por, si taktikë politike, puna ishte nisur keq: duke vënë si kusht të parë shpërndarjen e parlamentit, krerët e Kosovës kishin lënë të kuptohej se ata interesohëshin më fort për gjëndjen përgjithshme të Perandorisë se sa për kombësinë e tyre. Turqit u vunë t'a shfrytëzonin këtë dobësi duke futur intrigat e përçarjes dhe duke zgjuar fanatizmin e vjetër. Kurse, në tjetër anë, shtetet e Ballkanit filluan të shqetësohëshin, të lëviznin dhe t'a shpallnin haptazi se nuk lejonin krijimin e një Shqipërie mbi katër vilajetet. Mali-i-Zi, me pëlqimin e malësorëvet, e nxori ushtërinë përkëtej kufijvet dhe zuri disa fshatra shqiptare. Turqit i përhapën me të shpejtë këto lajme për t'iu treguar kryengritësvet kosovarë se vendi i tyre ndodhej në rrezik. Idenë e autonomisë shqiptare e kishin sidomos Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga, por këta ndeshën jo vetëm në kundërshtimin e turkomanëvet po edhe të disa udhëheqësve të kryengritjes, si Isa Buletini, Idriz Seferi e të tjerë, të cilët ishin për kërkesa më të matura dhe për gjetjen e një pajtimi me Stambollin. N'ato rrethana, Hasan Prishtina hartoi një program prej katërmbëdhjetë pikash, ku desh të pajtonte dëshirat e atdhetarëvet të zhvilluar dhe mendësinë e fanatikëvet të prapambetur. Programi iu dorëzua Ibrahim Pashës, më 9 të Gushtit, n'emër të katër vilajetevet. Mareshali turk premtoi se do t'a përkrahte dhe ia kumtoi telegrafisht Stambollit.

Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës përmbanin disa kërkesa të përsëritura kushedi sa herë, që kishin të bënin me përmirësimin e drejtësisë dhe t'administratës ku nëpunësit duhej të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, me kryerjen e shërbimit ushtarak në Shqipëri në kohë paqeje, me arësimin dhe llojet e shkollavet, shtetërore e private, ku mësimi i shqipes duhej të futej në të gjitha, me organizimin e nahijevet (komunevet), me ndërtimin e rrugëvet dhe zhvillimin e ekonomisë, me faljen e përgjithshme, këthimin e armëvet atyreve që iu ishin marrë dhe dëmshpërblim për diegiet e prishjet gjatë kryengritjevet. Për të kënaqur fanatikët myslimanë, kërkohej hapja e medresevet (shkolla fetare) dhe ruajtja e zakonevet islamike. Për t'iu ardhur pas volltës Shqiptarëvet përgjithësisht, shënohej e drejta e mbajtjes s'armëvet dhe nderimi i zakonevet të vendit. Më në fund, për krimet, diegiet dhe shtypjet që iu ishin bërë Shqiptarëvet, kërkohej që të delnin përpara gjyqit të lartë ish-kryeministrat Haki Pasha dhe Said Pasha me qeveritë e tyre.

Siç shihet, katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës nuk kërkonin bashkimin e tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm - gjë që do të sillte caktimin e kufijvet të Shqipërisë dhe njohjen e kombësisë së saj - prandaj ishin akoma shumë larg nga programi kombëtar i autonomisë. E vetëmja pikë që diçka vlente për këtë qëllim, ishte organizimi i nahijevet (komunevet), të cilat me anën e këshillevet ose të krerëvet të tyre mund t'ushtronin disa të drejta të shkëputura prej autoritetit shtetëror. Por këto të drejta ose venome krahinore ishin shumë larg nga bashkimi kombëtar.

Mbasi përgjigjia nga Stambolli nuk po vinte shpejt, kryengritësit vendosën të zinin Shkupin, ku hynë më 12 të Gushtit. Qëndra e vilajetit ishte tani në duart e Shqiptarëvet, forcat e të cilëvet arrinin në 30.000 veta. Kjo ngjarje e tronditi qeverinë turke, ndërsa nëpër qytetet e Shqipërisë buçiti enthusiazmi, u bënë mbledhje e thirrje të reja për autonomi. Por kryengritësit e Kosovës nuk kishin për qëllim të merrnin pushtetin. Asnjëri prej udhëheqësvet të tyre - dhe asnjë Shqiptar n'atë kohë - nuk ishte në lartësinë e një vepre të këtillë. Ata vunë dorë vetëm në depot e armëvet, liruan të burgosurit, dhe po rrinin në pritje. Është për t'u shënuar se kryengritësit u suallën shumë mirë nëpër qytetet, si në Shkup e gjetkë, ku mbajtën rregullin me një disiplinë shembullore. Nuk ngjau as vjedhje, as plaçkitje, asnjë punë e shëmtuar kundrejt pakicavet kombëtare të tjera. Kjo fisnikëri tërhoqi vëmëndjen e të huajvet, të cilët kujtonin se Shqiptarët nuk ishin të zotët të vetqeverisëshin.

Memorandumit që i pati drejtuar mbledhja e Qafës së Sinjës, Porta e Lartë i ishte përgjigjur më 2 të Gushtit duke premtuar dërgimin e një komisioni të posaçëm për të hetuar gjendjen. Stambolli mendonte t'i sillte në paqe veç e veç krahinat e veriut e të jugës, ashtu si një vit më parë. Por këtë herë kryengritja kishte marrë një hov më të përgjithshëm. Në Fier e në Berat hynë çetat shqiptare. Po ashtu ngjau në Leskovik dhe në Përmet, ku Shqiptarët përzunë autoritetet turke. "Shoqëria e Zezë për Shpëtim" nxori shpallje në Korçë dhe në të tjera qendra të vilajetit të Manastirit duke e shtytur popullin në luftë, gjersa t'i njihej Shqipërisë vetqeverimi. Trimat e malevet hynë n'Elbasan, në Peshkopi, në Dibër, ndërsa çeta e Gjeto Cokut, nga malësia e Leshit, provoi të kapte depon e armëvet në Durrës por nuk mundi.

Më 18 Gusht, Ibrahim Pasha ua njoftoi krerëvet shqiptarë në Shkup se Porta e Lartë i pranonte kërkesat e tyre, me përjashtimin e këthimit t'armëvet, të kryerjes së shërbimit ushtarak në vend dhe të nxjerrjes së qeverivet të Haki Pashës dhe të Said Pashës përpara gjyqit. Por në shpalljen zyrtare që bëri qeveria turke disa ditë më vonë, të drejtat që iu njihëshin këtyre vilajeteve (se fjala Shqipëri nuk përmendej) ishin shprehur në një formë jo të qartë dhe nuk caktohej mënyra se qysh dhe kur do të zbatohëshin.

Përgjigjen e Stambollit Hasan Prishtina ua lajmëroi telegrafisht qytetevet të Shqipërisë si një fitore, duke kërkuar që t'iu jepej fund luftimevet. Në të vërtetën, pranimi i të quajturavet pika të Hasan Prishtinës nuk zgidhte përfundimisht asnjë problem: as caktimin e kufijvet të Shqipërisë, as bashkimin dhe autonominë e saj. Mund të themi vetëm se ishte si një farë njohjeje e kombësisë shqiptare nga ana e Turqisë, mbasi kjo pranonte futjen e mësimit të shqipes në të gjitha shkollat e atyre krahinave dhe që nëpunësit e administratës duhej të dinin gjuhën e vendit.

A ishte gjë e madhe kjo? - Varet se nga ç'anë e shikojmë. Në krahasim me programin e autonomisë, ishte një gjë fare e pakët. Po kur mendojmë se Shqiptarët - një popull i vogël, i varfër, i paditur, i përçarë në fe e në krahina - duke luftuar tre vjet rresht vetëm me forcën e tyre, me mjetet e tyre, pa asnjë ndihmë a përkrahje të jashtëme, e shtrëngojnë Perandorinë Turke të vijë në marrëveshje paqeje me ta, ishte punë e madhe.

Lufta e këtyre tre vjetëve - me vuajtjet e përbashkëta, përpjekjet, mbledhjet, programet, shkëmbimin e mendimevet ndërmjet Veriut dhe Jugës - e zgjeroi vetëdijën dhe i forcoi lidhjet kombëtare. Populli shqiptar delte m'i bashkuar, m'i rysur e m'i pjekur si komb.

Hyrja e Turqisë në bisedim me Shqiptarët, pas fitores së këtyre, i shqetësoi shtetet fqinjë të Ballkanit, të cilët ishin kundër krijimit të një Shqipërie. Që në fillim të Gushtit, Serbia e Bullgaria, duke druajtur bashkimin e të katër vilajetevet në një shtet shqiptar autonom, zunë të protestonin pranë Turqisë dhe disa fuqive të mëdha. Sipas mendimit të tyre, n'ata vilajete kishte popullsi bullgare, serbe e greke, të cilat nuk duhej të përmblidhëshin nën sundimin e Shqiptarëvet. Ky ishte një shkak ndërhyrjeje, se Shqiptarët nuk kërkonin veçse bashkimin e krahinavet të tyre, dhe t'atyre vendeve ku ata përbënin shumicën dërrmonjëse. E kishin shpallur kushedi sa herë se nuk lakmonin tokat e fqinjëvet.

Nga ana tjetër, kur Austro-Hungaria, e pa se nuk mund të ndalej kryengritja e Shqiptarëvet dhe se këta, me katërmbëdhjetë pikat e paraqitura, nuk po kërkonin shkëputjen nga Turqia por vetëm një përmirësim t'administratës dhe disa të drejta kulturore - të cilat pajtohëshin me politikën austriake në Shqipëri - nisi t'i përkrahte menjëherë kërkesat e tyre porsa trimat e Kosovës zunë Shkupin. Veçse përkrahja e Vienës, gjithmonë e butë dhe me dorëza mëndafshi, nuk desh të shqetësonte shtetet fqinjë të Ballkanit, prandaj s'ishte as për autonominë as për caktimin e kufijve të Shqipërisë; ishte vetëm për njohjen e disa të drejtave zakonore dhe futjen e mësimit të shqipes nëpër shkollat. Më 13 Gusht (të nesërmen e hyrjes së Shqiptarëvet në Shkup), ministri i Punëve të Jashtëme t'Austro-Hungarisë, konti Berchtold, iu propozoi fuqivet të mëdha që të bënin një ndërmjetësim të përbashkët pranë qeverisë turke, për t'i këshilluar kësaj një politikë shpërqëndrimi (decentralizimi) nga e cila do të përfitonin edhe kombësitë e tjera të Rumelisë. Fuqitë e mëdha nuk e pranuan këtë propozim, të cilin Rusia e quante si një manevër t'Austrisë për të krijuar një Shqipëri nën sundimin e saj. Megjithatë, Austro-Hungaria dhe Gjermania e këshilluan Turqinë që t'i pranonte kërkesat e kufizuara të Shqiptarëvet për të mos e shtytur më tutje kryengritjen e tyre.

Por shtetet e Ballkanit u vunë menjëherë në lëvizje. Greqia, e cila në këtë kohë kishte futur çetat n'Epir, porsa mori vesh se qeveria turke i pranoi kërkesat e Shqiptarëvet më 18 Gusht, iu propozoi Bullgarisë, Serbisë dhe Malit-të-Zi që të bënin një ndërhyrje të përbashkët në Stamboll për njohjen e atyre të drejtave edhe popullsivet greke e sllave. Një çap të këtillë pranë qeverisë turke e bëri, një ditë më pas, edhe Rusia. Porta e Lartë desh t'i qetësonte shtetet e Ballkanit dhe Rusin, prandaj në shpalljen zyrtare ku njoftohej pranimi i kërkesavet të kryengritësvet kosovarë, nuk përmendej emri Shqiptarë as Shqipëri, me qëllim që të kuptohej se ato të drejta mund t'iu jepëshin edhe popullsivet të tjera të vilajetevet të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës.

Këto masa të kujdesshme nuk i vlejtën shumë Turqisë. Shpërthimi i furtunës po afrohej. Mali-i-Zi, gjithmonë shkaktar ngatërresash në Ballkan, i kishte nisur ngacmimet. Krajl Nikolla desh të bënte për vehte klerin katolik të Shkodrës, por nuk mundi. Mandej i propozoi Prenk Bib Dodës krijimin e një principate katolike rreth Mirditës, me kusht që Kapidani t'a ndihmonte Malin-e-Zi për të pushtuar Shkodrën dhe pjesën e Shqipërisë veriore gjer në Drin. Më në fund, me anën e disa bajraktarëve që ishin bërë agjentë të tij, si Sokol Baci nga Gruda, Mali-i-Zi mundi të gënjente një pjesë të malësorëvet katolikë shqiptarë dhe t'i hidhte në luftë kundër Turqisë. Kjo iu dha rastin Turqvet për të rifilluar nxitjen e fanatizmit fetar në vilajetet e Shkodrës dhe të Kosovës, por Shqitarët myslimanë nuk luajtën vendit. Ushtëria turke bëri ndjekje të rrepta kundër popullsisë katolike të Zadrimës dhe, me sjelljet e saja, i shtyti malësorët t'afrohëshin më shumë akoma me Malin-e-Zi. Gjatë muajit të Shtatorit ngjajtën luftime t'ashpra ndërmjet malësorëvet katolikë të Malësisë së Madhe, të ndihmuar nga trupat malazeze, dhe Turqvet.

Gjendja midis shtetevet të Ballkanit dhe Turqisë po keqësohej për ditë. Në mbarim të Shtatorit, të dy anët filluan të bënin mobilizimin ushtarak. Më 6 të Tetorit u nënshkrua një traktat aliance ndërmjet Serbisë dhe Malit-të-Zi. Më 7 të Tetorit, Austro-Hungaria me Rusinë e shpallën edhe njëherë n'emër të fuqivet të mëdha se ishin për mbajtjen e statu quo-së në Ballkan dhe se, në rast të një lufte ndërmjet Turqisë dhe fqinjëvet të saj, nuk do të lejonin ndryshime tokësore në gadishullin. Por më 8 Tetor, Mali-i-Zi i hapi luftë Turqisë. Më 17 t'atij muaji i shpallën luftë Turqisë edhe Serbia me Bullgarinë dhe, një ditë më vonë, Greqia.

Duke mos qënë akoma gati për një luftë të përgjithshme, Rusia u përpoq t'a ndalte konfliktin të cilin e kishte pregatitur dhe shtytur ajo vetë, por tani ishte tepër vonë.

Shqipëria ndodhej përpara një gjendjeje shumë të vështirë, dhe m'e keqja ishte se s'dinte ç'të bënte as nga të mbante. Një nga qëllimet e Luftës ballkanike ishte pikërisht copëtimi i saj ndërmjet fqinjëvet. Sllavët dhe Grekët e shikonin kombin shqiptar si të huaj në truallin e tij, si të tepërt, si një popull armik dhe të papajtuarshëm me ta. Ngaha iu vinin këto ndjenja? -Nga historia? -Nga ndryshmësitë ethnike? Ndoshta nga instinkti i bishës kundrejt një gjahu të pamprojtje.

Shqiptarët, duke mos pasur as bashkim, as ushtëri, as qendër drejtonjëse, as mjete, as plan, as kumandë, nuk mund t'iu bënin ballë shtetevet të Ballkanit nëqoftëse këta do t'a thyenin Turqinë. Disa atdhetarë u përpoqen t'a drejtonin popullin, ose ti jepnin udhëzime. Shtypi i mërgimit, si gazeta "Liri e Shqipërisë" që botohej në Sofje, iu bënte Shqiptarëvet një thirrje ca ditë përpara se të pëlciste lufta: "...të marrim armët dhe të mprojmë kufijtë e mëmëdheut tonë, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë. Duhet të ngrehim flamurin shqiptar dhe të kërkojmë të drejtat tona". Thirrja ishte heroike, po kush do t'a zbatonte, me çfarë forcash dhe me çfarë mjetesh? Kurse Shqiptarët e Amerikës e shikonin punën ndryshe. Faik Konitza, Fan Noli e të tjerë nuk besonin se do të thyhej Turqia prej Ballkanikëvet dhe nuk kishin shpresë për Shqipërinë tek mprojtja e Austrisë. Prandaj në një mbledhje të madhe që mbajti Federata Vatra, në Boston, më 7 të Tetorit, udhëheqësit e kolonisë nuk shihnin tjetër mënyrë shpëtimi veçse duke u pështetur tek Turqia. Të gjithë të pranishmit u habitën kur dëgjuan prej krerëvet të tyre se interesi dhe detyra e Shqiptarëvet ishte që "të bashkohëshin plotësisht me qeverinë otomane kundër armiqve të Perandorisë". Sepse "po të thyhej Turqia, shtetet ballkanikë do t'a coptonin Shqipërinë." Kurse Turqia, disa të drejta ua kishte njohur Shqiptarëvet, dhe bashkësia kombëtare e këtyre, hëpërhë, mund të sigurohej në kuadrin e Perandorisë. Ky mendim ishte i urtë nga njëra anë, por paraqiste rreziqe nga ana tjetër: sikur të thyhej Turqia, siç u thye, Shqiptarët do të pësonin fatin e saj, ose të paktën do t'iu jepnin shtetevet ballkanikë një arësye më shumë përpara fuqivet të mëdha për t'a copëtuar Shqipërinë si një krahinë turke. Natyrisht, Turqia i mobilizoi Shqiptarët, por këta luftuan më fort për të mprojtur vendin e tyre kundër fqinjëvet, dhe filluan të shkëputëshin nga radhët e ushtërisë turke kur kjo desh t'i përdorte si një forcë për sigurimin e krahëvet në tërheqjen e saj.

Më mirë e shihnin gjendjen Shqiptarët brenda, dhe sidomos "Shoqëria e Zezë për Shpëtim". Antarët e kësaj, Nexhip Draga, Midhat Frashëri, Sali Gjuka e të tjerë, me pëlqimin e Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit që n'atë kohë po mundohëshin të forconin qëndresën rreth kufijvet, organizuan një mbledhje në Shkup, më 14 Tetor 1912. Të pranishmit u gjetën në një mendje se Turqia do t'a humbiste luftën, dhe mbledhja vendosi t'u a bënte të njohur fuqivet të mëdha që populli shqiptar po rrokte armët jo për të mbajtur sundimin e Turqisë në Ballkan, po për të mprojtur tërësinë tokësore dhe lirinë e Shqipërisë. Mbledhja kërkonte, n'emër të popullit shqiptar, bashkimin e të katër vilajetevet në një formë të vetëme qeverimi. Kjo shpallje iu dorëzua konsujvet të fuqivet të mëdha në Shkup, më 16 të Tetorit. Njëkohësisht mbledhja caktoi të dërgonte njerëz në Malësinë e Madhe, për t'i shkëputur malësorët nga bashkëpunimi i verbër me Malin-e-Zi. Kjo dërgatë u ngarkua gjithashtu të bënte lidhjen e krahinavet për qëndresë dhe mundësisht të pregatiste thirrjen e një kuvendi kombëtar. Por vepërimet luftarake nga ana e fqinjëvet u zhvilluan aq shpejt, sa që dërgata nuk arriti dot në Malësinë e Madhe, as bëri dot gjëkafshë përsa ishte ngarkuar.

Njeriu me shikimin më të mprehtë, n'atë kohë, u tregua Ismail Qemali. Ky nuk e kishte, mjerisht, atë "dorë të hekurt" që i ka dhënë legjenda kombëtare, por ishte i hollë si politikan e si diplomat. Nuk i mungonte as guximi i nismës dhe i marrjes së përgjegjësisë. Sado i drejtë dhe plot shpirt atdhetarie që kishte qënë vendimi i mbledhjes së "Shoqërisë së Zezë" në Shkup, Shqiptarët nuk kishin as organizimin, as numrin, as mjetet për t'i qëndruar rrebeshit me forcat e tyre. Megjith politikën e vakët që kishte treguar deri atëhere Austro-Hungaria, Ismail Qemali e kuptoi se fati i Shqipërisë do të luhej në Vienë. "Kur Aliatët ballkanikë i shpallën luftë Turqisë", thotë ai vetë në Kujtimet e tija, "dhe ushtëritë bullgare zunë Kirk-Kilisenë, ndërsa Serbët pushtuan Shkupin, mendova se kishte ardhur koha për ne Shqiptarët që të merrnim masa energjike për shpëtimin tonë". Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin kishin shkuar prej Stambollit në Bukuresht, nga fillimi i Tetorit, për t'i shikuar punët me koloninë shqiptare të Rumanisë dhe për të ndërlidhur vepërimin e atdhetarëvet përjashta, me qëllim që të mpronin të drejtat e Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.

Ndërkaq, ushtëritë e Aliatëvet ballkanikë përparuan me një shpejtësi të pabesuarshme. Turqit u thyen kudo dhe u prapsën. Grushtin më të rëndë ua dhanë Bullgarët në Thrakën e lindjes, ku ishin përqendruar forcat kryesore t'ushtërisë turke. Mali-i-Zi nisi dy kolona në drejtim Shkodrës, dhe me një tjetër mësyjti Pejën të cilën e pushtoi. Në malësitë shqiptare nguli trobojnicën. Malësorët që patën bashkëpunuar me Malin-e-Zi, e kuptuan, kur iu ra kopani prapa kokës, se sa "të mençëm" kishin qënë. Ushtëritë serbe pushtuan Prishtinën, Gjilanin, Prizrendin dhe, bashkë me trupat malazeze, Gjakovën. Pas fitores që patën mbi turqit në betejën e Kumanovës, fuqitë serbe zunë Shkupin, më 26 Tetor, dhe u varën në dy drejtime: një pjesë zbriti nga juga, drejt Manastirit, pjesa tjetër mori nga perëndimi duke shkelur Shqipërinë e veriut nëpër Lumë, Mirditë e Mat, për të dalë sa më shpejt në detin Adriatik. Në të njëjtën kohë, ushtëria greke i theu forcat turke në Thesali e n'Epir, pushtoi Selanikun nga njëra anë, dhe nga ana tjetër rrethoi Janinën.

Shqiptarët u përpoqën të bënin një farë qëndrese por, të shpërndarë dhe të paorganizuar siç ishin, s'mund të mbahëshin përpara ushtërivet të rregullta t'armiqvet. Disa njësi shqiptare që kishin shërbyer në ushtërinë turke, u ndanë prej saj dhe deshën të mpronin vendin e tyre, por s'kishin lidhje, organizim as kumandë.

Në fillim të luftës, për të qetësuar Shqiptarët ose edhe për të pasur ndihmën e tyre, Aliatët ballkanikë e patën shpallur se vinin si "çlironjës". Mbreti Pjetër i Serbisë, në një shpallje drejtuar ushtërisë së tij, thoshte se do t'iu sillte edhe Shqiptarëvet, pa dallim feje, "lirinë, barasinë dhe vëllazërinë", njëlloi si Serbvet. Por pastaj ushtëritë ballkanike zunë t'i quanin të tyret tokat e pushtuara, dhe gazetat greke shkruanin se as nuk mund të mendohej që "barbarët Shqiptarë të jetonin të pavarur në mes të qytetërimit helenik". Një gjuhë të këtillë mbante edhe shtypi serb, për të cilin Shqiptarët ishin një "fis i egër" që s'mund të qëndronte i pavarur as mund të formonte shtet më vehte. Bashkë me këto fjalë "të hijëshme", Ballkanikët e "qytetëruar" plaçkitën rrëmbyen, shnderuan, dhe vunë kosën mbi popullin shqiptar duke vrar' e therur me mijëra burra, gra, pleq e fëmijë, për t'a çfarosur "fisin e egër".

N'ato rrethana tragjike, përveç qëndresës së pashpresë që pastaj u kufizua në Shkodër e në Janinë, Shqiptarëvet s'iu kishte mbetur tjetër veçse të bënin protestat e zakonshme pranë fuqivet të mëdha. Ashtu bënë, prej Stambollit, një grup krerësh shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Ashtu bëri Vatra e Amerikës pas një mbledhjeje që u mbajt në Boston, më 17 të Nëntorit, ku fjalimi i Faik Konitzës preku zemrat. Edhe brenda prej Shqipërie, parësia e Tiranës dhe e Durrësit i drejtoi një telegram perandorit t'Austrisë, Franz Jozefit II, më 12 të Nëntorit.

Që Shqipëria të mprohej me forcat e saja, s'kishte mbetur asnjë shpresë. Puna ishte se do të vendosnin fuqitë e mëdha, e në radhë të parë Austro-Hungaria. Pas thyerjes s'ushtërivet turke, mbajtja e statu quo-së në Ballkan dukej e pamundur. Fuqitë e interesuara, Rusia dhe Austro-Hungaria, po bënin planet sesi do të rregullohej harta e gadishullit. Ndërmjet 25 e 30 të Tetorit, një mbledhje ministrore e përgjegjësvet politikë dhe ushtarakë të Vienës u muar kryesisht me çështjen e Shqipërisë, e cila u shikua si zonë e një interesi jetësor për Austro-Hungarinë. Shqipëria vlente për t'i prerë ndonjë fuqie tjetër, të madhe a të vogël, rrugën e daljes n'Adriatik dhe në detin Jon, prandaj duhej mprojtur me çdo çmim. Sipas qarqevet të Vienës, duhej mëkëmbur një shtet shqiptar autonom, ose i pavarur nëqoftëse nuk do të kishte mundësi lidhjesh me Turqinë. Që t'ishte në gjendje të mbahej, shteti i ri duhej të kishte një shtrirje gjeografike të mjaftuarshme duke përfshirë mundësisht të gjitha tokat e banuara prej Shqiptarëvet në vilajetet otomane. Nëqoftëse kjo do t'ishte e pamundur, sepse fqinjët ballkanikë i kishin pushtuar disa nga ato toka dhe në lindje e në jugë kishte përzierie grupesh ethnike, shteti shqiptar mund të delte me kufij më të ngushtë, mjaft sa të qëndronte më këmbë. Natyrisht, duke pasur si qëllim kryesor mprojtjen e bregut të detit, kufijt e Shqipërisë nga ana e lindjes nuk ishin të një interesi jetësor për Monarkinë austro-hungareze, prandaj mund të vihëshin në bisedim. Njëkohësisht qarqet e Vienës mendonin se Malit-të-Zi mund t'i lihëshin malësitë shqiptare me popullsi katolike, mund t'i lihej edhe Shkodra nëqoftëse do t'a pushtonte, por me kusht që ai t'i njihte Austrisë një ndreqje të kufijvet pranë grykavet të Kotorrit dhe të bënte me të disa lidhje doganore.

Këtë plan, diplomacia austriake ia njoftoi më parë Gjermanisë, më 30 Tetor, dhe pastaj Italisë, më 3 të Nëntorit. Gjermania e pranoi menjëherë. Kurse me Italinë, e cila ishte barabar e interesuar në bregun lindor t'Adriatikut dhe të detit Jon, çështja duhej rrahur më gjatë. Ministri austriak i Punëve të Jashtëme, Berchtold-i, sipas marrëveshjes që vazhdonte me kohë midis dy palëvet, i kërkoi Romës, më 17 të Nëndorit, një shkëmbim mendimesh në lidhje me caktimin e kufijvet dhe organizimin e brendshëm të Shqipërisë, mbasi u pa qartas që statu quo-ja në Ballkan nuk mund të mbahej. Sipas Berchtold-it, tokat e banuara prej Shqiptarëvet ose ku këta përbënin shumicën duhej t'i njihëshin Shqipërisë, por Kosovën e kishte pushtuar Serbia dhe nuk mund t'i merrej, prandaj do t'i mbetej asaj. Nga juga, kufijtë e Shqipërisë duhej t'arrinin gjer në lumin Kallama, n'Epir. Sa për Malin-e-Zi, mendimi i parë ishte që t'i lihej Shkodra nëqoftëse do t'a pushtonte, por pastaj Austri e Itali u kujtuan se Shkodra ishte qendra e katolikizmit shqiptar dhe kishte një rëndësi jetësore për Shqipërinë. Mbasi u pa se autoriteti i Turqisë në Ballkan humbi, Berchtold-i mendonte që Shqipëria të bëhej një principatë e pavarur, me një princ që të mos ishte i asnjërës nga të tri fetë e vendit. Keto mendime u pranuan edhe prej Italisë.

Rusia, nga ana tjetër, e kishte kuptuar mirë që Austria s'hiqte dorë gjer në fund nga interesimi për bregdetin shqiptar dhe se një copë Shqipëri do të bëhej, por desh t'i siguronte Serbisë një dalje n'Adriatik, të paktën skelën e Shën-Gjinit. Gjatë muajit të Nëntorit diplomacia ruse u përpoq në këtë drejtim, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Italisë, pastaj të Gjermanisë, pranë qarqevet të Vienës, por më kot. Më në fund Rusia kërkoi përkrahjen e aliatëvet të saj, Anglisë dhe Francës, për daljen e Serbisë n'Adriatik, por Austro-Hungaria ishte e vendosur të shkonte gjer në një luftë për bregdetin shqiptar. Kur ushtëria serbe, duke përparuar nëpër Shqipëri, iu qas Adriatikut dhe desh t'a vinte Austro-Hungarinë përpara një pune të kryer, Viena ia kujtoi kryeministrit Piashiç se po loste me zjarr.

Një përpjekje me armë ndërmjet Austro-Hungarisë, prapa së cilës qëndronte Gjermania, dhe Serbisë që ndihmohej nga Rusia, mund të shkaktonte luftën e përgjithshme, siç ngjau dy vjet më vonë. Rusia nuk ishte akoma gati, prandaj filloi t'a ulte zërin dhe t'a këshillonte Serbinë që të tregohej m'e matur.

Për të zgjidhur problemet që nxori Lufta ballkanike, fuqitë e mëdha nisën të mendonin mbledhjen e një konference ndërkombëtare.

Në Shqipëri, ushtëritë armike përparonin nga veriu, nga lindja dhe nga juga, duke i shtirë popullit tmerrin me vrasje, djegie e plaçkitje. Me mijëra Kosovarë dhe malësorë ishin shpërngulur prej vatravet të tyre dhe fshihëshin pyjevet ose iknin nga të mundnin për të gjetur shpëtim.

Më 5 Nëntor, Ismail Qemali merrte pjesë në një mbledhje që mbajti kolonia shqiptare e Bukureshtit, e cila përpiqej të bënte diçka në shërbim t'atdheut. Si masa më të shpejta, mbledhja mendoi të formohej një komitet drejtonjës për të marrë në dorë qeverimin e Shqipërisë, dhe të dërgohej një komision n'Evropë për të mprojtur përpara fuqivet të mëdha "të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar". Një komitet ndihmës do të formohej në Bukuresht për të bashkërenditur vepërimet e komitetevet të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pas këtyre vendimeve, Ismail Qemali u nis për n'Austri bashkë me Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen dhe Dom Nikollë Kaçorrin, të cilët do t'a prisnin në Trieshtë, ndërsa ai vetë shkoi në Vienë. Që në pjekjet e para me diplomatët austriakë, Ismail Qemali u sigurua se Shqipëria do të përkrahej. Ai çfaqi mendimin se do të mblidhte në Vlorë një kuvend kombëtar, i cili do të vendoste mbi formën e qeverimit të Shqipërisë dhe do t'iu drejtonte fuqivet të mëdha një memorandum me kërkesat e popullit shqiptar. Në Vienë, Ismail Qemali u takua edhe me ambasadorët e Anglisë e t'Italisë, të cilëve iu çfaqi pikëpamjet e tija në lidhje me Shqipërinë, iu kërkoi përkrahjen e qeverivet të tyre dhe iu tregoi se populli shqiptar ishte i vendosur t'a mpronte tërësinë e atdheut gjer në pikën e fundit të gjakut. Në fillim, Ismail Qemali nuk ishte akoma i qartë nëse Shqipëria do të bëhej shtet autonom apo i pavarur. Por pas takimit që pati në Budapest me Berchtold-in, ministrin e Punëve të Jashtëme t'Austro-Hungarisë, mendimet u sqaruan më mirë: Turqia ishte thyer e shkatërruar, fjala "autonomi" s'kishte më kuptim, prandaj Shqipëria do të shpallej e pavarur.

Më 17 Nëntor, Ismail Qemali dërgoi telegram në Vlorë se për së shpejti do t'arrinte në Durrës, prandaj duhej thirrur sa më parë kuvendi kombëtar. Të nesërmen u lajmëruan telegrafisht qytetet e Shqipërisë që të dërgonin përfaqësonjësit e tyre në Vlorë. Lëvizja për një mbledhje të krerëvet shqiptarë kishte nisur përpara kësaj date. Disa përfaqësonjës prej Kosove dhe krahinash të tjera kishin ardhur në Tiranë.

Qarkullimi në Shqipëri nuk ishte edhe aq i lehtë. Grekët kishin zbritur në Himarë, më 19 Nëntor, dhe flota e tyre ndodhej përpara Vlorës. Serbët kishin shkelur Mirditën, Matin dhe, më 18 Nëntor, arritën në Lesh. Që këtej, një pjesë t'ushtërisë ia drejtuan Shkodrës, për t'iu ndihur Malazezvet, dhe pjesën tjetër Durrësit. Kurse armata serbe që luftonte në Maqedoni, pasi pushtoi Manastirin më 18 Nëntor, e nisi një pjesë të forcavet nga ana e Ohrit drejt Shqipërisë së Mesme. Jo vetëm ushtëritë armike, po edhe autoritetet turke që kishin mbetur nëpër qytetet e Shqipërisë së pashkelur i pengonin shqiptarët atje ku mundnin.

Ismail Qemali u nis nga Trieshta me shokët e vet më 19 Nëntor dhe më 21 arriti në Durrës, mbasi Vlora ishte blokuar prej flotës greke. Mendimi i parë i tij ishte që t'a shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Durrës. Por aty gjeti pengime jo vetëm nga ana e autoritetevet turke, po edhe nga dhespoti grek i Durrësit, Jakovos, i cili "nuk njihte as nuk nderonte tjetër flamur përveç atij të Turqisë". Kjo tregon se në ç'gjendje ishte kombi i ynë atëhere, kur një Grek i djallëzuar e bark-vozë kumandonte Shqiptarët orthodoks të Durrësit.

Bashkë me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe ata pakë që përfaqësonin Kosovën, Ismail Qemali u nis për në Vlorë ku arriti më 26 të Nëntorit. Pritja që i bëri qyteti i vendlindjes ishte një enthusiazëm i zjarrtë. Siç thotë ai vetë në Kujtimet e tija, "Një zjarr i shënjtë atdhetarie kishte pushtuar qytetin e vendlindjes sime dhe populli më çdo anë na përshëndeste me enthusiazëm e gëzim".

Ndonëse nuk kishin arritur akoma të gjithë përfaqësonjësit e vendeve të ndryshme (disa erdhën pas shpalljes së pavarësisë), kohët nuk prisnin, ushtëria serbe po iu qasej Durrësit dhe Elbasanit. Prandaj Kuvendi Kombëtar u hap më 28 Nëntor me ata delegatë që ndodhëshin, gjithësejt tridhjeteshtatë, nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ky foli shkurtazi mbi të kaluarën e Shqipërisë, mbi gjendjen dhe rrethanat e çastit, tregoi se Shqiptarët kishin marrë pjesë në këtë luftë jo si ushtarë të Turqisë, por si zotër të vendit dhe për të mprojtur vetvehten. Tani s'kishte mbetur tjetër udhë shpëtimi veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Dhe propozoi që të shpallej pavarësia kombëtare, të formohej një qeveri e përkohshme, të zgjidhej një pleqësi (senat) për të ndihmuar e mbikqyrur qeverinë, të dërgohej një komision n'Evropë për të mprojtur të drejtat e Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.

Këto propozime u pranuan me një zë nga Kuvendi. Qeveria e përkohshme u formua nën kryesinë e Ismail Qemalit. Pastaj u zgjodh një pleqësi prej tetëmbëdhjetë vetash. Si në qeveri ashtu edhe në pleqësi u shikua me kujdes që të bënin pjesë atdhetarë prej të tri fevet dhe nga e tërë Shqipëria.

Vendimi i shpalljes së Pavarësisë përmblidhej në pak rreshta: "Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një z venduan që Shqipëria me sot të bhet në vehte, e lirë e e mosvarme".

Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj shpalljeje, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti në Vlorën trime Flamurin lavdimadh të Skënderbeut, Flamuri i aq luftave, i aq gjaku të derdhur, i aq rektimave dëshmorësh, i aq vegimeve idealistësh dhe i aq shpresave për në t'ardhmen.