XVII

Sadoqë deri tash janë shkruar nja katërqind vepra mbi Skënderben, afro në të tëra gjuhët e Evropës, nuk kemi akoma një studim të plotë, të shikuar nga të gjitha anët, mbi historinë dhe mbi personalitetin e tij. Pjesa e parë e jetës së kryetrimit deri në moshën 38 vjeç (më 1443) mbetet pothuajse n'errësirë. Luftat dhe punët që bëri pastaj njihen mjaft mirë, por kanë akoma nevojë për disa sqarime dhe përpikni. Nuk janë kërkuar të gjitha burimet, nuk janë botuar të gjitha tok dokumentat arkivale që patën mbledhur historianët Thalloczy (Hungarez), Jireçek (çek) dhe Sufflay (Kroat). Do të ketë akoma gjëra për t'u zbuluar nëpër arkivat, bibliotekat dhe libraritë e vjetra.

"Sikur të kishim në dorë një përshkrim të mjaftë të trimërivet të Skënderbeut", shkruante gjenerali anglez James Wolfe më 1756, "do t'ishte një material shumë i vlefshëm, sepse ai (Skënderbeu) i kalon të gjithë kapedanët e vjetër dhe modernë n'udhëheqjen e një ushtërie të vogël mprojtëse". Historiani dhe shkrimtari i madh frëng, Voltaire, ishte i mendimit se "sikur perandorët grekë të kishin qënë Skënderbenj, Perandoria e Lindjes do t'ishte mbajtur". Kurse William Temple, burrë shteti dhe shkrimtar anglez i shekullit XVII, në veprën e tij mbi "Virtutin Heroik", e vë Skënderben si një nga shtatë kapedanët e mëdhenj të pakurorëzuar (jo mbretër) t'Evropës.

Trimëritë e tija të çuditshme nuk u zmadhuan pastaj prej legjendës, por tërhoqën admirimin e gjithë botës që me gjalljen e tij. "S'ka njeri në botë", i shkruante Papa Kalisti III më 1457, "që të mos i dijë trimëritë që kini bërë dhe që të mos ju lëvdojë gjer në qiell si një kryemprojtës të vërtetë dhe kryeluftëtar bujar të Krishterimit".

S'ka dyshim që Skënderbeu është një nga kapedanët më të mëdhenj të botës dhe, sikur të kishte pasur mjetet e Jul Qesarit ose t'Aleksandrit të Madh, ndoshta do të qëndronte krahas me këta në historinë e njerëzisë. Por forcat e tija ishin të pakta, ato të popullit shqiptar, mjetet e tija ishin të varfëra, ato të Shqipërisë, ushtëritë e tija ishin të vogla, lufta e tij ishte mprojtëse. Megjithatë, i bëri ballë për njëzetepesë vjet rresht, pa u mundur asnjë herë, perandorisë ushtarake më të fuqishme të kohës duke thyer dy nga sulltanët më të mëdhenj të dinastisë s'Osmanllinjvet. Turqit nuk do t'a kishin pushtuar dot Bizantin sikur perandorët e tij t'ishin si Skënderbeu, mendonte Voltaire-i. Afër këtij mendimi, mund të shtojmë se sikur Skënderbeu të kishte kumanduar një kryqëzatë të përgjithshme perëndimore, si atë që deshën t'organizonin Papët, s'është çudi që t'i kishte përzënë fare Turqit nga Evropa dhe t'i kishte dhënë një tjetër drejtim historisë. Mjerisht, jo vetëm që s'u organizua dot një kryqëzatë e atillë, por shtetet e Perëndimit, kur nuk e pengonin, përpiqëshin t'a shfrytëzonin qëndresën e Skënderbeut dhe të Shqiptarëvet për interesat e tyre të ngushta.

Nuk është aspak objektive pikëpamja e disa historianëve të huaj që mendojnë se Skënderbeu u mbajt me ndihmën e Perëndimit. Skënderbeu u mbajt, luftoi e qëndroi me forcën dhe trimërinë e popullit shqiptar. E cilat ishin ndihmat e Perëndimit? Intrigat dhe lufta e ftohtë ose e nxehtë që i bëri Venetiku pothuajse gjatë tërë jetës së tij me përjashtim të katër a pesë vjetëve të fundit? Apo disa mijëra dukata që mundën t'i jepnin Papët? Një farë ndihme mjetesh e ushqimesh që mori Skënderbeu nga Alfonsi i Napolit, midis vjetëve 1451-1458, kundrejt disa kushteve politike fort të rënda (të paktën në formë) që ai i imponoi, i vlejtën diçka për të kapërcyer vështirësitë e asaj kohe, por nuk kanë qënë kurrë vendimtare në luftën e kryetrimit shqiptar. Ndihmat më të shumta që i dha Alfonsi, n'artileri dhe ushtarë, ishin ato që humbën në rrethimin e Beratit. As nuk i shtuan gjë luftës heroike të Skënderbeut ca qindra vullnetarë të huaj që erdhën nga Evropa. Prandaj disa historianë, sikurse Rumunët Marinesku dhe Jorga, Gjermani Georg Voigt, e të tjerë, e kanë tepëruar pak rëndësinë e ndihmës ose rolin e Napolit dhe të Venetikut në luftën e Skënderbeut. Kryetrimi shqiptar nuk iu nënshtrua kurrë mbretit të Napolit ashtu si mendojnë këta auktorë. Deri edhe Fan Noli, i cili pasi u largua nga Shqipëria na u bë një internacionalist i radhës së parë, në botimin e dytë të Historisë së Skënderbeut iu jep kaptinavet IV dhe VI kryetitujt: "Skënderbeu dhe Alfonsi V kundër Mehmedit II (1451-1458)" e "Skënderbeu dhe Venetia kundër Mehmedit II". Që t'a lidhi qëndresën e Skënderbeut si një vepërim të përbashkët e të ngushtë me atë të Napolit e të Venetikut, Fan Noli duhej të na jepte disa shifra mbi ndihmën e këtyre dy shteteve. Por si duket s'ka gjetur dot të tjera veçse një garnizon prej 100 ushtarësh Katallanë që dërgoi Alfonsi II për të marrë në dorëzim simbolikisht fortesën e Krujës dhe 1.500 dukata që duhej t'i jepte Skënderbeut çdo vjet; po edhe këto do të delnin nga t'ardhurat e kriporevet të Rodonit që mbreti i Napolit kishte në Shqipëri. Shifra të tjera që jep Fan Noli, në lidhje me ndihmën e Alfonsit, janë "5 topa të mëdhenj dhe 13 të vegjël me artileristë që dinin t'i përdornin, një ushtëri prej 1000 Napolitanësh, 500 me argje dhe 500 me dyfegje, nën kumandën e Palerino-s dhe aq të holla sa ishin të nevojshme për të financuar këtë shpeditë". Siç e dimë, të gjitha këto ndihma humbën në disfatën e Beratit. Kurse në kaptinën "Skënderbeu dhe Venetia kundër Mehmedit II", si ndihma të Venetikut Fan Noli përmend 1.300 ushtarë dhe 2.000 dukata që Republika dërgoi në Tetor 1463, flet për ushtarë "Venecianë" në garnizonin e mbrojtjes së Krujës kundër rrethimit të Sulltan Mehmetit II, më 1466, dhe në betejën dërrmonjëse që Skënderbeu i dha Ballaban Pashës, në Prill 1467, por nuk na tregon numrin. Le që s'do mend të kuptohet se këta ushtarë "Venecianë" ishin Shqiptarë prej krahinavet që sundonte Venetiku. Pra t'i shikojsh këto farë ndihmash si një pjesëmarrje e plotë e Napolit dhe e Venetikut krahas me Skënderben në luftën kundër Turkut, na duket një gjykim i përciptë. A me këto "ndihma" i përballoi Skënderbeu vërshimet e paprera t'ushtërivet turke rreth gjashtëmbëdhjetë vjetëve, prej 1451 gjer më 1467? Me këto "ndihma" i dërrmoi ato njërën pas tjetrës, theu Moisinë, Hamzën, pesë herë Ballaban Pashën, dhe prapsi dy herë Sulltan Mehmetin II që vinte me nga 150.000 ushtarë e me artilerinë më të rëndë t'asaj kohe?

Kanë nevojë për një sqarim edhe lidhjet e Skënderbeut me Papët. Nuk është e drejtë të thuhet se, nga Papët, kryetrimi shqiptar s'pati veçse "bekime apostolike", siç duan të thonë disa me tallje. Papët e përkrahën moralisht aq sa mundën, e shikuan si Kampion të Krishterimit, e ndihmuan me të holla dhe, në disa raste, me ushqime e municione përveç ndonjë trupe simbolike ushtarësh. Pastaj ndërmjetësuan gjithmonë pranë shteteve e princave t'asaj kohe për t'i dërguar ndihma Skënderbeut. Por nuk mund të thuhet se këto ndihma, të cilat përmblidhëshin në disa dhjetra mijë dukatash, qenë vendimtare në luftën titanike që Skënderbeu i bëri për njëzetepesë vjet rresht perandorisë më të fortë të kohës, aq sa të mos përfillet heroizmi i pashembullt i kombit shqiptar, siç bëjnë disa t'ashtuquajtur historianë. Këta, me një shtrembërim logjik të gjëravet, në vend që të thonë se Skënderbeu nisi të çmohej si një figurë e madhe evropiane kur ai vetë u tregua si i tillë dhe kur Perëndimi kishte nevojë për të, na mbushin me prralla idiote se gjoja kryetrimi shqiptar u bë i njohur në botën e Perëndimit në sajë të Papëvet, të Mbretërisë së Napolit a të Republikës së Venetikut!

Skënderbeu u përpoq gjithmonë t'a lidhte qëndresën e tij me atë të Perëndimit kundër rrezikut të përbashkët. Por Perëndimi, edhe kur nuk e pengonte, si Venetiku, u dëftye i ngushtë e i padrejtë kundrejt atij duke e lënë vetëm n'atë provë aq të rëndë, ku shkriu të gjitha energjitë e popullit shqiptar në një luftë që s'ishte vetëm e Shqipërisë po edhe e tërë Evropës. Deri Papët, pa dashur, i patën ngjallur shpresa të kota me ëndrrën e kryqëzatës, duke e shtytur ta prishte paqen me Turqit për të mbetur pastaj vetëm për vetëm përballë Sulltanit. Perëndimi përfitoi prej Skënderbeut dhe prej eshtravet të Shqiptarëvet, por jo Skënderbeu prej Perëndimit.

Nuk duam t'a zmadhojmë për sedër kombëtare shërbimin që Skënderbeu dhe qëndresa e Shqiptarëvet i sollën Evropës në shekullin XV. Por është fakt historik që Shqipëria qëndroi si m'i forti front i Evropës kundër invadimit turk në bregun lindor t'Adriatikut, në vendin strategjik ku bjenë rrugët më të shkurtëra ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Dhe kjo qëlloi në një kohë kur fuqia shtrirëse e Osmanllinjvet, e udhëhequr nga dy Sulltanë të mëdhenj si Murati II dhe Mehmeti II, po arrinte në kulm, ndërsa mprojtja e popujvet evropianë ishte e dobët dhe e palidhur. Pasi shtroi Shqipërinë, Sulltan Mehmeti iu vërsul menjëherë Italisë më 1480. Venetiku jo vetëm që s'e pengoi për të zbritur në Mbretërinë e Napolit, po i dha edhe një ndihmë financiare. Është e vërtetë se në kohën e Skënderbeut flota turke nuk e sundonte akoma Mesdheun e lindjes. Por kush na siguron se, po të mos ishte qëndresa shqiptare, e cila e mbajti vazhdimisht të mbërthyer një pjesë të madhe të fuqisë turke, Mehmeti II nuk do t'i kishte pushtuar shumë vjet më parë të gjitha zotërimet e Venetikut në Ballkan, nuk do t'a kishte zgjeruar flotën, siç bëri pastaj, dhe nuk do t'ishte hedhur n'Italinë e jugës, ndoshta edhe me ndihmën ose mënjanimin e Republikës, mjaft kohë përpara 1480-ës? Qëndresa e Skënderbeut iu mbylli Turqve jo vetëm rrugën e Italisë, por i pengoi të përparonin edhe në drejtim t'Evropës Qendrore, ku ushtëritë e tyre nuk mund të shtyhëshin shumë thellë duke lënë si një rrezik prapa krahëvet forcat shqiptare me një kumandar aq të dëgjuar. Me vdekjen e Mehmetit II u mbyll përkohësisht vargu i sulltanëve të mëdhenj, për të rifilluar më vonë me Sulejmanin II Kanuniun. Bajaziti II, që mbretëroi prej 1481 gjer më 1512, nuk ishte në lartësinë e t'et, dhe Selimi I (1512-1520) u muar me Egjyptin dhe Persinë. Kjo e fundit kish nisur të ngrihej nga ana e Lindjes si një fuqi shqetësonjëse për Osmanllinjtë. Pra qëndresa e Skënderbeut me krahërorët e Shqiptarëvet qëlloi në kohën më të duhur për mprojtjen e Evropës dhe të qytetërimit të saj.

Do të na pëlqente të kishim një përshkrim të vërtetë mbi personalitetin e Skënderbeut. Me sa dimë nga dëshmitarët e kohës dhe me sa kuptojmë nga veprat e tija, cilësitë fizike dhe morale harmonizohëshin tek ai në një lartësi të jashtëzakonshme. Ishte i gjatë, i zhdërvjelltë dhe shumë i fortë nga trupi, me trajtat e një atleti të përsosur, i bukur, fisnik e madhështor në pamjen, epëror nga mendja, i gjerë e bujar nga shpirti, dhe me një vullnet sa s'kishte forcë në këtë botë as fatkeqësi që mund t'a thyente. Veç ai burrë s'u trondit as kur mizëritë e Anadollit, me dy Sulltanë që bënë Evropën të dridhej, u përplasën mbi tokën shqiptare dhe i rrethuan Krujën, as përpara tragjedisë së Beratit, as kur u trathëtua nga shokët dhe nipat e tij më të dashur, as kur u ndodh me mjete fort të pakta në mprojtjen e një vendi të përgjakur, të djegur e të shkretuar, as kur, midis këtyre mjerimeve e trazonte nga ana tjetër Venetiku. Provoi të ngrihej deri nga shtrati i vdekjes për të rendur në Shkodër kundër Turqvet. Ishte i rreptë në beteja, i rreptë në mbajtjen e disiplinës, në përmbushjen e detyrës, i tmerrshëm kur sulmonte në krye të kalorësisë duke përmbysur ç'gjente përpara, duke korrur armiq më të djathtë e më të mëngjër me atë forcë e shkathtësi atleti; askush s'mund t'i qëndronte shpatës së tij në dyluftime. Por nga ana tjetër ishte gojëmbël, i ardhur e bujar në lidhjet njerëzore, nuk e pat lejuar kurrë ushtërinë e vet të bënte skllevër a të ngiste gra e fëmijë nëpër vendet armike, rrallëherë pat qëlluar të vriste robër lufte.

Cilësitë kalorësiake të Skënderbeut, bujarinë kundrejt të mundurvet, i ka pasur pak a shumë kombi shqiptar në të gjitha kohët. Në Perandorinë Bizantine, Shqiptarët ishin i vetëmi popull që nuk i vrisnin robërit e luftës, nuk prekte gra e fëmijë dhe nuk merrte skllevër nëpër vendet e shkelura. Këto vetija Shqiptarët i ruajtën edhe më vonë, kur luftonin me Turqinë, ose si merçenarë nëpër ushtëritë e princave t'Evropës. Më 1510, Seneshali i Madh i Normandisë që kumandonte ushtëritë frënge n'Itali, në një raport që i dërgonte mbretit të Francës, Luigjit XII, tregonte se Sllavët ishin mizorë në luftë, vrisnin çdo rob që iu binte në dorë, "prandaj edhe neve", thoshte ai, "u a bëjmë po ashtu". Kurse Shqiptarët, shkruante Seneshali i Normandisë, "sillen krejt ndryshe, i nderojnë dhe i mbajnë mirë robërit që zënë prej nesh, prandaj edhe neve sillemi në të njëjtën mënyrë kundrejt robërvet që zëmë prej tyre".

Gjatë këtij studimi të përmbledhur, kemi pasur rastin t'i vëmë në dukje zotësitë e larta të Skënderbeut si kumandar ushtërie nga më të mëdhenjtë, si strateg dhe taktikan i radhës së parë. Dinte të lidhte bashkë veprimin e kalorësisë me atë të këmbësorisë, veprimin e ushtërisë së rregullt me atë të çetavet, taktikën e sulmimit me atë të mprojtjes, dhe t'i impononte gati gjithmonë armikut planin e tij, në vendin që kishte zgjedhur për betejën, fushë, pyll, kodra apo gryka, si t'i jepte dorë më mirë. Për të hequr armikun në kurthe, për të shkallmuar ushtëri të mëdha me forcat e tija të vogla, nuk ka shok në historinë ushtarake të botës, siç e pohoi edhe gjenerali anglez James Wolfe. Pasi bënte planin, ku kishte llogaritur çdo gjë, ishte i zoti t'a vinte në zbatim të përpiktë, në goditje t'anëshme apo të gjithanëshme, në tërheqje taktike apo në sulme të rrufeshme, me një shpejtësi lëvizjesh si ato të Jul Qesarit ose të Napoleonit. Le të sjellim nër mend luftën e Torviollit, t'Albulenës, ato kundër Ballaban Pashës, e shumë të tjera. Janë shembuj epopeje. Gjatë betejavet, megjithëse hidhej i pari në sulm dhe ndodhej atje ku përpiqëshin kuajt kundër kuajvet dhe çeliku kundër çelikut me aq furi sa trandej toka, mbante një gjakftohtësi të çuditshme, gjithmonë i zoti i gjykimit, gjithmonë i zoti i vetvehtes, edhe luftonte si kalorës i thjeshtë edhe drejtonte tërë ushtërinë, në valomën e përleshjevet, gjer në fitoren e plotë. Atje ku ishte ai vetë, s'kish gjë që t'i qëndronte përballë. Skënderbeu është i pari kumandar ushtarak që ka përdorur, kundër rrethimevet të Krujës, taktikën e goditjevet të shpejta dhe të tërheqjevet, domethënë taktikën e luftës së çetavet, me anën e së cilës i pat shkallmuar ushtëritë e mëdha turke dhe i pat shtrënguar Sulltanët që të largohëshin prej Shqipërie. Betejat e tija n'Itali vunë në dukje vleftën e kalorësisë së lehtë shqiptare, e cila u imitua më vonë dhe vlejti si model për krijimin e kalorësive moderne n'Evropë.

Po aq i madh del Skënderbeu si burrë politik dhe si ndërtonjës i shtetit shqiptar. Mundi të bashkojë nën kumandën e tij krerët shqiptarë të pabashkuarshëm, t'iu qëndrojë ndërhyrjevet të jashtëme, sidomos të Venetikut, t'organizojë ushtërinë, mprojtjen e kështjellavet, mprojtjen e vendit, të formojë bërthamën e shtetit shqiptar të pavarur, si njësi ethnike, administrative dhe politike. Çfarë durimi, çfarë zotësie, çfarë instinkti të lidhjevet njerëzore pat ai burrë për të mbajtur një bashkim t'atillë!

Në Shqipëri, si gjithkund n'atë kohë, ishte në fuqi regjimi feudal me një farë aristokracie patriarkale që ndryshonte si duket prej asaj të vendeve të tjera, sepse ishte m'e afërt me popullin dhe jetonte pothuajse në të njëjtën mënyrë e me të njëjtat zakone. Ndërsa masa e fshatarëvet, në Perëndim dhe në pjesën tjetër të Ballkanit, veçanërisht në Serbi e Bullgari, përbëhej prej bujq-robërve, në Shqipëri të gjithë malësorët dhe shumica e katundarëvet fusharakë ishin të lirë (domethënë jo robër të lidhur e të shitshëm me tokën). E njihnin zotërimin e feudalit të tyre dhe i jepnin atij një pjesë të prodhimit, por gëzonin lirinë vetiake e familjare dhe rregullohëshin si duket (sidomos malësitë) pas Kanunit të vjetër të Shqiptarëvet, siç e gjejmë sot pak a shumë n'atë të Lek Dukagjinit. Kurse qytetet ishin të lulëzuara e pothuajse të lira sepse, megjithëqë njihnin sundimin e një princi, brenda për brenda qeverisëshin prej këshillit qytetar të tyre. Në një gjendje më të shtypur ishin qytetet dhe fshatrat që ndodhëshin nën Venetikun, i cili desh të shtrinte sistemin e bujq-robërvet, si në Perëndim. Mbi liritë që gëzonin Shqiptarët n'atë kohë, është për t'u vënë re një dëshmi e auktorit grek Theodor Spandolicio (Spandugnio- Kantakuzeni) në Kronikat e Hopf-it. Ai tregon se princi Carlo Tocco, pasi e pushtoi Janinën, s'mundi t'a mbante veçse për pak kohë, mbasi desh të sundonte me ashpërsi sipas mënyrës italiane. Mirëpo Shqiptarët nuk ishin mësuar me këtë lloj sundimi, thotë ai, prandaj u ngritën dhe e përzunë prej Janine1.

Gjendja pak a shumë e lirë në të cilën jetonin si edhe natyra luftarake e tyre shpjegojnë deri diku se përse Shqiptarët e kundërshtuan me një vendosmëri për jetë a për vdekje invadimin turk dhe përse Skënderbeu gjeti tek ata një mbështetje aq të fortë. Dihet se trimëria e burrëria janë një virtut, a më mirë të themi një forcë e nderuar, që tërheq gjithmonë simpathinë dhe siguron besnikërinë e masavet. Po përveç kësaj, Skënderbeu ishte për aristokracinë e vogël, për qytetarët, fshatarët dhe malësorët si kryetrimi që i mpronte nga shkelja e një armiku me fe e zakone të tjera siç ishin Turqit. Ai iu frymëzonte besimin dhe iu mbante gjallë shpresën se do të mund të qëndronin e të jetonin sipas mënyrës dhe zakonevet shqiptare; se do të shpëtonin gjithashtu nga shfrytëzimi i ri i feudalizmit ushtarak turk me regjistrimin e tokavet, me sistemin e spahinjvet dhe të timarevet; se do të mpronin fenë dhe ato liri që kishin në truallin e stërgjyshëvet.

Ishte e dukëshme se një Shqipëri e vogël me një Skënderbej të vetëm në krye, me fuqi e mjete aq të kufizuara, nuk mund t'i qëndronte përgjithmonë Perandorisë Turke, e cila përfshinte Anadollin, Ballkanin, dhe kërcënonte tërë Evropën. Sidomos që shteti i Skënderbeut nuk përmblidhte dot as të gjithë Shqipërinë. Në jugë, Vlora, Berati, Gjirokastra, Janina, Grebeneja, Kosturi, ishin në duart e Turqvet, të cilët kishin shkelur gjithashtu, në lindje e në veri-lindje, Kosovën dhe Maqedoninë duke bërë Shkupin dhe Manastirin si dy nga bazat e tyre ushtarake më të forta në Ballkan. Qytetet e lulëzuara të bregdetit shqiptar, si Durrësi, Leshi, Drishti, Shkodra, Ulqini e Tivari, ishin nën pushtetin e Venetikut. Edhe në pjesët e brendëshme të vendit, principata e Dukagjinëvet, në veri, edhe ajo e Aranitëvet, në jugë, nuk u përfshinë dot në shtetin e Skënderbeut. Prandaj është për t'u çuditur sesi, me një pjesë aq të kufizuar të Shqipërisë, ai mundi të bënte ato që bëri, mundi të njihej n'atë kohë si një nga protagonistët e historisë s'Evropës dhe të mbetej përgjithmonë heroj kombëtar i Shqiptarëvet.


1Hopf, Chroniques, f. 326.